
Shkolla Shqipe Bolonja/
Seminari që u zhvillua në datë 7 prill në Bolonja, i mbylli me sukses punimet duke u bërë edhe një pasqyrë e rrugëtimit të përbashkët të të gjithë mësuesve, si pjesë e vizionit tonë.
La mbresa jo vetëm tek ne si kryesi e “Lidhjes së Shkollave Shqipe” por tek të gjithë misionarët që aq shumë përkushtohen me atdhedashuri. Sa shumë kënaqësi kur takohemi me njëri tjetrin!
Ky është, si të thuash, thelbi i objektivave tona. Të gjithë së bashku mblidhemi për të njëjtin qëllim: “Ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës, kulturës, traditave tona jashtë trojeve Shqiptare”.
Ajo ndjenja njerëzore e secilit prej nesh i kapërcen të gjithë kufijtë, zbut dhe zbeh çdo vështirësi. Pasi ne dimë të shkëmbejmë përvoja, të hedhim ide të reja, të kërkojmë bashkëpunim me njëri-tjetrin, kënaqemi kur mblidhen bashkë nga të gjitha anët e Italisë, duke bërë kilometra e kilometra vetëm për t’i dhënë rëndësi siç i ka hije një misionari për shpalosjen e gjuhës shqipe në Itali.
Ishte një privilegj për “Shkollën Korabi”, Bolonja, që na u dha mundësi të ishim të pranishëm me dy nxënëset tona. Recitimet e tyre me atë zërin e ëmbël si “Thëllëza kur këndon për tokën mëmë” u duartrokitën me gjithë shpirt nga të gjithë pjesmarrësit.
Me këtë rast dua të falenderoj edhe kryetarin e Shoqatës “Korabi”, z. Astrit Poti për fjalën e tij përshëndetëse, por mbi të gjitha për ndihmën dhe kontributin e pafund që ka dhënë dhe jep për shkollën tonë e për gjithë çështjen shqiptare në përgjithësi.
Sigurisht, një falënderim i veçantë u shkon mësuesve pjesëmarrës, pasi jemi ne/ata që përballemi çdo ditë në mënyrë direkte me vështirësitë aktuale.
Nuk munguan në pjesëmarrje, edhe institucionet Shqipëri -Kosovë.
Në këtë seminar ishte shumë e rëndësishme ndihma dhe përkrahja e QBD-së nën drejtimin e zonjës Hysa dhe stafi i saj, që është gjithmonë pranë nesh, jo vetëm me tematikat apo trajnimet, por edhe duke dëgjuar me vëmendje problematikat që parashtron çdo mësues i pranishëm.
Kënaqësi që ishte prania edhe e oficeres së diasporës, zonjës Çobani që nuk resht kurrë në përballjen e problematikave të të gjitha shkollave nga jugu në veri apo nga lindja në perëndim në territorin Italian.
#Ju faleminderit të gjithëve