
Nga Gëzim Puka/
Dy shoqërizime mendimi pata ndërsa lexoja tregimet e këtij vëllimi të Eris Rusit. M’u kujtua një bisedë e disa dekadave më parë me shkrimtarin Skënder Drini në gjimnazin tonë. Kur e pyetën nxënësit se çfarë po shkruante, ai u përgjigj: “Po shkruaj disa tregime të forta, shumë të forta”. E pata fiksuar këtë cilësor në mendje se më dukej i çuditshëm për tregimet, por më vonë kuptova se historitë e shkurtra duhet të godasin lexuesin, sepse janë të përqendruara tek një ngjarje që duhet të emocionojë.
Shoqërizimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e qytetit tonë, Shkodrës, me qytetin e Korçës edhe përsa i përket përjetimeve të natyrës letrare. Për ngjashmëritë e këtyre skajeve të atdheut ka pas shkruar dikur Anton Harapi tek një ese me titull “Korçë e Shkodër”, ku krahasonte këto qytete që i jepnin dhe i japin ngjyra mendimtarie këtij vendit tonë të vogël. Kjo do të thotë se veç të tjerash edhe realiteti shpirtëror, pjesë e rëndësishme e të cilit është edhe letërsia, ka ngjyresa të ngjashme.
Vëllimi i Eris Rusit ka përmbledhur tregimet: Dritarja majë çatisë; Tradhtija; Qoftë e thënë; Endërr amerikane; Shalli i zi; Histori gruaje; Hije në shtjellë; Pasqyra e vetvetes; Shakaja; Pylli i hapave të humbur; I huaji; Restoranti kinez; Shtëpia e çuditshme; Vetmia ka aromë dashuri; Hoteli i heshtjes; Fjala e ndaluar. Titujt e tyre duken mbresëlënës. Disa krijojnë konotacione me tituj veprash e kryeveprash të letërsisë: “Shakaja”, “I huaji”, “Tradhtija” etj. Së dyti, fshehin lexime shumë të rëndësishme që rëndojnë dhe formësojnë psikën krijuese.
Pasi përfundova leximin, nëse do të kisha mundësinë e rititullimit të kësaj vepre do të zgjidhja për këtë vëllim me tregime titullin: “Tregimet e hijeve”, sepse në disa prej tyre janë këto të fundit që si arketipe letrare dublojnë personazhet, ato aktantë që janë futur në mes të ngjarjeve shumë të tensionuara, që tregohen përmes këtyre faqeve.
Një tjetër aspekt që bie në sy në këtë libër është jemi në “gostinë” letrare, ku trillueshmëria ka vendin e saj qendror, jo si në disa libra më të fundit ku i jemi larguar trillit dhe i jemi afruar më shumë dokumentares, biografizmave dhe fakticitetit në përgjithësi.
Tregimet e Eris Rusit mbahen përmes ngjarjeve dhe personazheve që tregojnë. Ai depërton herë në vetëdije dhe herë në pavetëdijen (apo nënvetedijen) e krijesave të tij. Ndodh që edhe e mjegullon ngjarjen dhe po aq shpesh e sqaron atë me përfundime surprizuese.
“Dritarja majë çatisë” është edhe tregimi i parë i vëllimit, ku rrezatohet më mirë kjo frymë e mistershme. Na ndodh shpesh që të ndërmenden motive apo tema të ngjashme kur lexojmë tekste letrare, por origjinaliteti varet nga mënyra se si janë trajtuar këto tema e motive. Kur përfundova së lexuari tregimin e mësipërm, m’u ndërmend tregimi “Gjethja e fundit” e O.Henry-t. Tek tregimi i Rusit rrëfehet dashuria dhe vetëmohimi i një babai për vajzën e tij 12 vjeçare që kishte humbur të ëmën nga një sëmundje e beftë. Kjo ngjarje tragjike bën që Bora, e bija e tij e shtrenjtë, ta urrejë errësirën dhe të dashurojë dritën. Babai përkujdeset që vajza të dalë nga gjendja e vështirë duke e shpërngulur në një shtëpi të veçuar fshati, e cila në majë të saj kishte një dritare, nga ku Bora mund të kundronte edhe hënën. Programi narrativ i paraqitur në këtë tregim ka dy subjekte, babë e bijë, që kërkojnë të ruajnë lidhjen me objektin me vlerë dritën, jetën. Por s’qe e thënë se tamam në kohën kur vajza ka ditëlindjen dhe shuan flakën e 12 qirinjve, ikin vërtet dritat. Vajza nuk sheh më as dritën e hënës dhe shpërthen në dëshpërim. Babai i hutuar mbërrin të gjejë një kandil të vjetër dhe ngjitet tek dritarja majë çatisë për të imituar dritën e hënës. E nesërmja është tragjike, ai ka mbetur i vdekur jashtë në dëborë, ndërsa e bija, Bora, shijon e qetë gjumin e mëngjesit.
Citoj fundin e tregimit, ku është gjithë mveshja letrare: “Në mëngjes shtëpia ishte e rrethuar nga qetësia dhe bardhësia e borës. Mbi shtresën e pambuktë, të shtruar anë e mbanë oborrit, u ndjenë kërcitjet e lehta, “krap-krup” të një ketri të kuqërremtë. “Krap-krup. Derisa kafshëza ndaloi dhe i erdhi rrotull diçkaje të çuditshme, që lëshonte një dritë të bardhë, përtokë. Një fener i thyer, me ciflat e xhamave të shpërndara ngado, që e kishte akoma gjallë fitilin e flakës. Pak më larg fenerit, trupi i një njeriu të shtrirë dhe një pellg i vogël, i kuq, i ngrirë gjaku afër kokës së tij. Me sytë e hapur, ai shikonte ketrin, a një dritare të vogël, diku lart, në majë të çatisë.
Brenda shtëpisë, e shtrirë në shtrat, e zhytur në gjumë, vogëlushja Bora. Kishte një si buzëqeshje në fytyrën e saj, një si ëndërr të bukur që akoma nuk ishte tretur me hijet e agut të ditës.
Në qiell, nga dritarja e pastër, kristal, një hënë e vonuar, që tashmë ndriçonte më koti…”
Personazhe që zbërthehen mirë prej arketipit të hijeve në letërsi dalin edhe tek tregimi “Hije në shtjellë” që duhet të na kujtojë hijet e shpellës së Platonit, por që natyrisht tek proza e shkurtër e Eris Rusit trajtohen si ndërgjegje të deformuara.
Hije që gëlltitin njerëz e gjëra!
Besoj ju kujtohen hijet e Platonit në alegorinë e Shpellës, ku përshkruan një grup njerëzish që kanë jetuar të lidhur me zinxhirë në murin e një shpelle gjatë gjithë jetës së tyre, përballë një muri të zbrazët. Njerëzit shikojnë hijet e projektuara në mur nga objektet që kalojnë para zjarrit pas tyre dhe u japin emra këtyre hijeve. Hijet janë realiteti i të burgosurve, por nuk janë paraqitje të sakta të botës reale. Hijet përfaqësojnë fragmentin e realitetit që ne normalisht mund ta perceptojmë përmes shqisave tona, ndërsa objektet nën diell përfaqësojnë format e vërteta të objekteve që ne mund t’i perceptojmë vetëm përmes arsyes.
Në letërsi, në përgjithësi, hijet janë parë si një kërcënim, sepse ato janë përfaqësime të kundërta të idealeve të një individi për veten e tij. Për shkak të këtij tipari, një hije fizike do të jetë përfaqësimi i tipareve të liga të fshehura të një individi me një formë aktuale. Shumë njerëz kanë frikë se cili mund të jetë përfaqësimi fizik i hijes së tyre.
Personazhet e këtyre tregimeve duket se fshehin brenda vetes hijen. Tek tregimi “Hije në shtjellë” subjekti rrëfimtar zgjohet nga gjumi plot dëshirë për jetë, del në rrugë dhe takon “të keqen”, nënën vrasëse të birit të saj, e cila ka frikë errësirën dhe çuditet me hijen e personazhit, të cilit i kërkon që ta vrasë dhe të mos e mëshirojë për krimin që ka kryer. Hija e personazhit në fillim si metonimi, por që shkon drejt personifikimit është gëlltitësja e çdo të keqeje që gjen. Ajo është një vrimë e zezë që veçse rritet përgjatë këtij teksti, i cili e mbërthen lexuesin e vëmendshëm në tregimin e një ngjarjeje të mistershme, ku shfaqet metamorfoza e hijes së Unit (Egos) si një përbindësh që hijëzon gjithë botën përreth. Duke shkuar drejt përfundimit hija është që është bërë një shpellë gjigante, e cila edhe pse e gëlltit botën nuk e zhduk të keqen. Prandaj është shumë tërheqës ligjërimi me gruan.
Citoj: “Të tilla njolla janë ditët e tua pa mua, – vazhdon të më thotë. – Është jeta që bën, që ka këtë tkurrje të shkujdesur ndaj së keqes. Kjo e fundit ka zënë vend tek ti, tek unë, te krejt bota, e na duhet veç të kujdesemi për të, ta mbajmë të butë, e nëse duhet, ta quajmë dashuri. Unë të bëj të ndihesh mirë, isha pranë teje kur doje të kapërceje me një të rënë të lapsit krejt rrengjet dhe fatkeqësitë e botës. Më gjete mua dhe më zgjodhe të parën. Quaje dashuri po deshe.”
Ja, kjo është shtjella katastrofike e hijeve të personifikuar të këtij tregimi që mbart në vetvete të keqen burimore të njeriut që nuk çlirohet dot ka mëkati i të maturit me hijen e tij. Unë kështu e lexova këtë tregim.
Ky shkrim është më shumë një ftesë për lexim, prandaj u përqendrova në ndërmjetësimin kuptimor të këtyre tregimeve, më shumë se në një analizë stilistike. Besoj se rruga e bashkëndarjes së kuptimit të veprës është fillesa më e mirë për një interpretim më të thellë, që mund të vijë më vonë për këto tregime. Pa pretenduar të jem shterues po vijoj me disa përshtypje të tjera që më kanë krijuar disa prej tregimeve.
Çdo tregim karakterizohet nga figurshmëria e lartë e shprehjes, e cila nxit imagjinaren e lexuesit për të ndërtuar me mendje skena paksa të frikshmë vrasjesh e viktimash që duken si ëndrra. “Në orët në vazhdim lashë shpirtin e zbrazët nga ndërgjegjja”, – shkruhet në faqen 134 të këtij libri.
Hijet duken edhe në disa tregime të tjera të përmbledhjes. Metaforat dhe metonimitë ndërtojnë aspektin impresionues të këtyre tekteve. Tek “Shtëpia e çuditshme”, Fili personazhi ndërton shtëpi me puthje. “I mbusha sa munda me të puthurat e nënës sime”. Ai shkon tek miku i tij i vjetër për të kërkuar disa para për të shlyer një borxh që kishte marrë për të ndërtuar një shtëpi shpirtërash. Pasi i kthen shumën e madhe Fili e fton mikun për një vizitë në atë shtëpi të çuditshme, ku çdo gjë është ndërtuar prej dashurisë prindërore. Ajo është një shtëpi në dukje modeste, por shumë e fortë. Ajo është një shtëpi që flet, ku muret janë ndërtuar me “puthjet e nënës” dhe me “vështrimet e zbehta të babait”. Terreni përreth është i lëvizshëm, pasi ka të groposura zënkat e tyre. Në neonin e fshehur janë klithmat e tyre. Kështu është sendërtuar ky tregim me kahjen e abstraktes drejt konkretes. Gjithë kjo rrjedhë metonimike përcakton forcën e tregimit që zbulon të kaluarën e personazhit Fil, i cili nuk dallohet nëse është përkujdesur apo i ka vrarë prindërit e tij. “Shtëpia e çuditshme” përfundon me makthin që i krijohet zërit rrëfimtar prej kësaj ndërtesë ndjenjash dhe emocionesh të së shkuarës. Arratisja nga ndjenjat është zgjidhja e këtij rrëfimi.
Citoj: “Të ikja sa më parë prej andej. Të gjeja shpëtim”.
Ndërsa tek tregimi “Vetmia ka aromë dashuri”, përmes paradoksit pohohet kriza e njeriut të kohës sonë. Paradoksalisht është tregimi më me shumë sekuenca dialogjike edhe pse na flet për vetminë. Personazhet janë Ema dhe Edvini, një çift të dashuruarish, që nuk kanë e nuk mund të kenë fëmijë. Ata duan dhe nuk duan ta kenë një kafshë shtëpiake. Pas shëtitjes vetmitare nëpër qytet, Ema (vini re koincidencën e emrit me personazhin e famshëm të Floberit) rikthehet në shtëpinë ku e pret bashkëshorti që e lajmëron se do t’u vijnë ca miq për vizitë. Ata parafytyrojnë se si do të jetë kjo vizitë, parashikojnë dialogun, imagjinojnë gjendjen. Por asgjë nuk ndodh, nuk ka asnjë vizitë. Askush nuk kujtohet për ta. Ema dhe Edvini janë të dënuar me vetmi.
Citoj: “Ema dhe Edvini nuk kishin nevojë për të tjerë në jetën e tyre. Kudo ishte errur. Çifti u kap për krahu dhe eci rrugicave të zbrazëta, përmes qosheve plot hije djallëzore, ku nuk dukej, për be, asnjë njeri.”
E thamë në fillim të shkrimit se janë 16 tregime të forta, pikërisht se godasin fort brenda nesh për të rizgjuar mbase edhe lexime më të vjetra e më të reja, si dhe për ta na kthjelluar përmes ngjarjesh në dukje absurde, ashtu si e ka tipar letërsia e trilluar bukur, e cila përdor strategjinë e ëndrrës, apo narrativës iracionale të hallakatur, për të na çliruar nga tensionet e një njëmendësie shumë më të koklavitur. Mjegullimi, iracionalja, jologjikja e mistershmja e këtyre tregimeve e trondisin lexuesin e vëmendshëm, që ndonjëherë futet në kurthin e dukjes realiste duke e orientuar në kahjen e veprimeve dhe ngjarjeve të jashtme, por me qëllimin përfundimtar për ta zhytur edhe atë në vetveten apo në “hijen” e tij.
Përfundimisht, do të dal me një mendim pas këtij “ekskursioni” ndër këto proza të shkurtra, mund të thuhet se te ky libër ka një lloj tregimtarie, që na zhyt në mendime dhe na e lehtëson peshën e hijeve të ndërgjegjes.
Eris Rusi “hijen” e bën personazh tregimi. Ai i ka pranëvënë frymorët, sendet dhe hijet tyre në historitë që rrëfen. Tek ai hijet nuk mbeten pas, por zënë shumë vend. Personazhet nuk duan dhe nuk munden të shkëputen nga hija e tyre e ndërgjegjes.
Hija agresive që gëlltit njerëz, që tjetërson sendet!
Më kujtohet që kam pas parë një film italian “La sindrome di Antonio” (Sindroma e Antonios), me një personazh që vjen të kërkojë shpellën e hijeve të Platonit në Greqi, po që duke e kërkuar atë takon dashurinë platonike.
Kjo mund t’u ndodhë edhe ju të dashur lexues, që duke kërkuar kuptimin e veprës të rizgjoni dashurinë për artin e fjalës.