Adriatik Spahiu/
Takim i frytshëm pune me anëtarët e kryesisë së degës Vatra Jacksonville Florida. U diskutua me një frymë bashkëpunimi për kontributin atdhetar e komunitar, aktivitetet patriotike që do zhvillohen në muajt në vazhdim, pagesat e anëtarësisë si dhe anëtarësimet e reja në degë për të rritur përfaqësinë dhe fuqinë tonë në aktivitetet kulturore e patriotike në shërbim të komunitetit e çështjes kombëtare. Vatra Jacksonville synon që të jetë sa më afër komunitetit dhe të kontribuojë në çështjen shqiptare siç janë zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Ne do të hapim dy zyra pune në shërbim të komunitetit për të regjistruar diasporën shqiptare për të votuar. Qendra do jetë funksionale ne Jacksonville dhe Branderton Tampa Florida me synim që zëri i diasporës të dëgjohet në Parlamentin e Shqipërisë. Suksesi i Vatrës matet me kontributin atdhetar e komunitar. Vatra është krenari dhe identitet për shqiptarët në Amerikë. Të pranishëm në takimin e degës ishin patriotë e aktivistë të shquar të komunitetit si Dr. Ali Lushnja, Gjergji Lacuku, Shpresa Gallaj, Hasan Hakrama, Mariglen Kocibelli, Aqif Xhepa, Vladimir Yzeiri, gazetari Lek Gjoka si dhe morën pjesë në zoom në pamundësi për të ardhur fizikisht në mbledhje z.Vebi Musta si dhe antarja e re e degës znj.Amelina Ahmeti. Krijimi i një grup pune për regjistrimin dhe ndihmën e të gjithë votuesve që do kenë nevojë për ndihmë në procesin e regjistrimit dhe votimit ishin temat e diskutimit pasi shqiptarët e diasporës kanë nevojë për përfaqësim në Parlament. Në përfundim të takimit u shtrua një drekë me ushqime tradicionale shqiptare nga restoranti porsa i hapur nga patrioti Zani Verdova i cili shprehu gadishmërinë për bashkëpunim dhe vënien në dispozicion të lokalit për të gjitha aktivitetet që do të zhvillojë dega e Vatrës në Jacksonville. Jemi të lumtur si degë për bashkëpunimin dhe bashkimin e shqiptarëve. Ne do të vazhdojmë pa u ndalur përpjekjet dhe punën atdhetare në shërbim të komunitetit e kombit tonë.