Nga BARBARA STEFANELLI
Cili është synimi I “armëve vdekjeprurëse”, të dorëzuara qëndresës së Zelenskit, të sanksioneve financiare që shtrëngojnë Moskën e të gjithë mbitakimeve që planifikojnë mbështetjen Ukrainës? Po synojmë ndërprejen e luftimeve apo fundin e pushtetit të Putinit? Përpara këtij udhëkryqi, që nga agimi I 24 shkurtit, po krijohet një lëmsh përsiatjesh. Herë herë çjerrës në thellësi, herë herë përmbledhtas paditës mes palëve. Pyetja është dramatike. Pamjet nga frontet e kësaj lufte – pamje civilësh e ushtarësh të çrrënjosur, të plagosur, të vrarë – na mbërrijnë e na pështjellojnë prej më shumë se një muaji.Mjafton të lexohen faqet e romanit Zgjedhja e Walter Veltronit, ato në të cilat tregohet bombardimi amerikan mbi Romë i 19 korrikut 1943, për të kuptuar se si mund të vdesin tremijë banorë të një qyteti, mjaft prej tyre fëmijë, në një ditë të vetme. Duhej t’ishte një sulm aleat që synonte një hartë strukturash të dobishme për regjimin e Mussolinit, por tymi dhe era i kthyen ato dy orë në kronikën e një ploje që rezultoi e “papërfytyrueshme” fill mbas qoshes së Papës e të Koloseut.
Luftërat janë mohimi i njerëzimit, i vetë jetës, i çdo vlere në të cilën kapemi për të gjetur e për të mbrojtur një kuptim. Por çështja është fatkeqësisht një tjetër: a ekziston ai udhëkryq? Raphael Glucksmann, i pyetur nga Stefano Montefiori për Corrieren, me qartësi ka thënë: “Nëse rusët nesër pushojnë së luftuari, lufta mbaron; nëse ukrainasit nesër pushojnë së luftuari, mbaron Ukraina. E mbas Ukrainës do t’u takojë Vëndeve të tjera”. Në të kaluarën – në vargun Çeçeni, Gjeorgji, Krime, Donbas – është prova që një zgjerim mund të jetë shtjellimi i një konflikti të projektuar nga presidenti rus si dëmshpërblim. Një dëmshpërblim i nevojshëm për të fshirë “poshtërimin” e pësuar nga Nëna Rusi më 1989 dhe për të ndaluar infektimin demokratik të arritur deri në Kiev.
Për një kohë të gjatë vështrimi i ynë ka qënë i shuar, së paku me ndërprerje. Tani gjithshka ka ndryshuar: bota ka ndryshuar, ne kemi ndryshuar. Tani dijmë se kjo është edhe lufta e jonë; prej gjithmonë dijmë që luftërat e çlirimit ekzistojnë.
Ukrainasit po i vërtetojnë të gjithëve- -vetë rusëve – që Vladimir Putini mund të përballohet e të kundërsulmohet. Madje të ndalohet. Së fundi, ndoshta, edhe të thyhet nëse arsyeja për të cilën luftohet është mbijetesa e identitetit e të vetëvendosjes së një populli të tërë që – ndoshta është e drejtë të përsëritet pesë javë mbrapa – është sulmuar.
Ukraina duhet të fitojë, ka shkruar në The Atlantic Anne Applebaum, një nga zërat më të sprovuar e më të pikëlluar të kësaj krize. E menjëherë ka pyetur vehten: çfarë mund të bëjë Perëndimi? “Ka vetëm një rregull: nuk mund të tregohemi të frikësuar. Putini na dëshiron të gjymtuar nga frika, aq sa të mos jemi në gjëndje të marrim vendime, të tëhiqemi të gjithë së bashku, duke i lënë të hapur rrugën nëpërmjet Ukrainës, drejt Polonisë e madje më tutje, n’Evropë. Së fundi ai kujton mirë kohën në të cilën trupat sovjetikë kontrollonin gjysmën e Gjermanisë”. Ka pra vetëm një rrugë: “Të ndihmohet Kievi për të mos e humbur këtë luftë”.
“Corriere della Sera” 7 1prill 2022 Përktheu Eugjen Merlika