Nga Nikolla LENA/
Zakonisht fundjavat nuk më pëlqen t’i kaloj në Tiranë.
Mbase zhurma, ajri i rëndë, mbingjeshja njerëzore më shtyjnë drejt periferisë. Këtë herë u drejtova nga fushat e Myzeqesë.
Kisha dëgjuar për një prodhim të bollshëm dhe një tregti të mirë të produkteve bujqësore të kësaj zone në këtë stinë, inisiativat e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët e myzeqesë,si dhe përgatitjet e tokës për mbjelljet pranëverore që sa po kanë nisur. Nëpër fusha të zinte syri makineri bujqësore që pastronin tokën duke e bërë gati për plugim,pemë të harlisura nga gjelbërimi,kultivues të përkulur mbi parcelat e tyre e gjithëfarsoj procesesh të stinës në bujqësi.
Mbasi përshkova fushat e Kavajës, Lushnjës, nuk po më pëlqente shumë ti ndahesha asfaltit dhe autostradës komode drejt Fierit. Një shi i imët “britanik”, na shoqëroi pothuajse që në nisje.
Një shi lulesh i thonë në këto anë,sepse ndihmon bimët të shpërthejnë sythet e tyre.Dhe vertetë kumbullat,pjesëhkët,shelgjet ishin spërkatur në të bardhë nga petalet e tyre.
Në kthesën e fortë afër Kolonjës më shfaqet përball manastiri I Ardenicës. Si një murg i lashtë,hijerëndë, qëndronte ulur maj kodrës në një natyrë të qet. Qiparisë, pisha dhe drurë të harlisur e mbanin mes tyre këtë “plak” të moçëm dhe lëshonin pikalotshiu mbi zhgunin e tij të tymosur. Hija e tij e rëndë si një magnet i fuqishëm më tërhoqi drejt vetes. Një rrugë e asfaltuar më uli drejt e në prehrin e tij.
Gjeta plot makina vizitorësh që ishin parkuar për-rreth. Muret e rëndë dhe porta e madhe me shulin e ndryshkur që varej si lavjers i sahatit-kohë, më krodhën në një tjetër realitet.
U futa dhe unë në kishën e vjetër dhe gjeta ciceronin përball një grupi turistësh gjermanë, që po u tregonte mbi historikun e themelimit të këtij objekt-kulti,zografët që kishin realizuar Zotat në pikturat murale,Kostandin dhe Thanas Zografi,Shpataraku i famshm etj. Ikonostaset që prej 1744,një busull zodiakale në dyshemenë e kishës,e plotë data të tjera historike.
Data që rrokulliseshin thellë në shekuj mbase që pas vdekjes së Krishtit kur dishepujt e tij u shpërndanë nëpër Evropë që të mbillnin”farën”e mirë dhe historia qëndronte në kohën e Bizantit, aty ku merrte formë të plot dhe ky manastir rreth vitit 1282. Ciceroni u ndal edhe te heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti,që celebroi martesën e tij me bijën e Aranitit, Andronikën më 21 Prill të vitit 1451 pikërisht në këtë kishë.
Dy vite me vonë, në fund të Majit të vitin 1453 Kostandinopoja do të binte përfundimisht nga vullneti i hekurt i një djaloshi 22 vjeçar me emrin Mehmeti i dytë. Muret e rëndë të kokës së dytë të shqiponjës romake,që kishin rezistuar për njëmijëvjet sulmesh barbare, Venetikase, Otomane u shkërmoqën përball rinisë dhe mëndjes së këtij djaloshi-sulltan.
Thon se ushtari i par që shkeli brenda tyre dhe nguli flamurin osman, ishte me origjin shqiptare. Nuk di përse Ai më sjell ndërmend Aleksandrin e Olimpias(Olimbisë)të quajtur i madh. Mbase që Aleksandri ishte stërnip i këtyre trojeve.
Turistët u shpërndanë të sodisnin peizazhin natyror rrotull manastirit,gjë që e bëra edhe unë. Ishte si një kullë vrojtimi ku syri mund të shikonte në të gjitha anët.
Në lindje ngrihej Tomori madhështorë, në jug shtrihej Apolonia,më tutje vjosa dhe Narta ,ndërsa në perëndim ndeshje Detin pa fund me pishat e lashta të Divjakës që i rrinin si kurorë.Ka një legjendë për këto pisha,por dhe një histori.Kujt ti besojmë legjendës apo historisë?!Shpeshherë historia është shkruar nga legjendat.Kështu ndodhi me zbulimin e Trojës, e tha Homeri, Shlimani besoj në thënien e tij dhe ja ku doli Troja.
Kush e solli këtë pishë këtu?! Ushtarët e Cezarit në aventurën e gjeneralit të tyre për të shkatërruar ushtrinë e Pompeut që kishte ngritur çadrat në Karpen të Kavajës. Ata hodhën kokrrat e para të stikave të mara me vete në xhepat e kapotave të vjetra në marshimin e gjatë që niste prej Romës së vjetër.
Rrugët e saj hijeshoheshin prej pishave të buta njëlloj si këto këtu në Divjakë. Mbase I konsideronin si çamçakiza të kohës së tyre. Relaksoheshin me to para betejës. Kokrrat e para ranë nga xhepat e grisur të kapotave ushtarake gjatë fushimit në rërën e plazhit pas zbarkimit prej anijeve luftarake dhe mbin e morën jetë në këtë plazh të bukur. Përballë kishin varkat me rrema të lundrimit, detin e gjerë dhe pas tij Atdheun. Mbrapa shpine Pompein dhe një tokë të huaj. Një tokë që e njohën dhe e lakmuan. Më vonë e pushtuan dhe ngritën qytetet dhe qytetërimet e famshme si Apolonia dhe Dyrrahu.
Më nxori nga kjo përhumbje historike, hija e zhgunit të murrmë të dy burrave që kaluan në koridorin e ngritur pas murit të kishës.Kisha dëgjuar për murgj në këtë manastir,por s’kisha arritur ti shihja.Të gjith flisnin dhe heshtnin për ta. Edhe vet kishtari i shmangej kësaj pyetje. Ishin dy, pesë, gjashtë…nga kishin ardhur dhe ç’bënin aty?!.. Murgj…manastir, mjegull enigmatike. Ata u larguan si hije brenda thesit të tyre dhe u futën në një deriçkë misterioze. Lash murgjit në shenjtërinë e tyre dhe hodha sytë te këmbët e kodrës,aty ku kalonte degëzimi i rrugës Egnatia. Një degëzim i saj zinte fill në Apoloni, përshkonte gjith vargëkodrën deri në prerjen e lumit Shkumbin, merte djathtas dhe bashkohej me degën kryesone në Klodiana(Peqini i sotëm)për të vazhduar deri në Kostandinopoj. Nuk bindesha që themelet, gurët e këtij manastiri të zinin fill në vitin 1282.Nga lartësia,dominimi pamor,të jepte përshtypjen e një kulle vrojtimi, vendroje, garnizon që vëzhgonte…kë?.
Lëvizjet në via “Egnatia”Lëvizjet prej Apolonisë drejt Dyrrahut dhe Klodianës.. Po emri “Ardenicë” nga erdhi? Ky emër e kapërcen periudhën Romake, dyndjet Helene dhe ngjitet drejt “perëndive” drejt miteve. Ardenicë=Artemisë,perëndia e gjuetisë, motra e Apolonit,perëndisë së dritës dhe artit,bijtë e Zeusit. Sa afër njëri-tjetrit, as dhjetë kilometra në vijë ajrore. Njëri në Apoloni, tjetra në Ardenicë.Në shtegëtim “perëndish” Ardenica mund të quhet si një rezidencë verore e Artemisës,që bashkë me “perëndi” të tjera,kan pasur ngulimet e tyre në këto troje, nga malet e thepisura deri në fushat e shtruara.
Ato kanë folur Shqip.Prandaj ky vend duhet begatuar dhe respektuar, është vend “perëndish”.Jo larg prej këtej,rreth pesë kilometra ndodhet varri i një tjetër shenjti, i “Shën Kozmait”, varrosur në kishën e Kolkondasit,ose më saktë,mbi varrin e Tij u ngrit një kishë.Po ç’ishte ky njeri-perëndi,që erdhi të prhapte dritën e dijes si vet Prometeu dhe u shenjtërua në kto anë? Një histori që duhet treguar…
U ngulita me vështrim nga deti. Brezi i halorëve të Divjakës ma bëri me sy. Po thash. Aty ka det,pyll,ajër të pastër dhe peshk të freskët. Ka histori. Nga klubi I “shoferit” mora për në perëndim duke çar përmes disa fshatrave, Këmishtaj,Gradishtë, Gur, Kryekuq, Mizë, Divjakë.
Në të gjithë këtë hark më shoqëroj një rrugë e gjerë,e sistemuar dhe e asfaltuar mirë dhe me trotuare në të dy krahët. Kudo shikoje njerëz në pikun e punëve së stinës. Asfaltimi i kësaj rruge në formë unaze, lidh fshatrat e kësaj zone me autostradën Lushnje- Fier dhe ka lehtësuar biznesin e fermerëve për rreth.Ministria e Bujqësisë e ka hedhur vështrimin me seriozitet për investime të rëndësishme në këtë zonë myzeqare.Do të ket prodhim dhe turizëm.
Sigurisht, një udhëtim i gjatë ka hak dhe një drekë të shijshme dhe këtë nuk mund ta realizosh më mirë se në Divjakë. Deti, pylli, peshku i freskët…Ali Kali po na priste në maj të kalit me zgarën mbushur me ngjala të ngritur lartë.-“Hani, hani sa më shumë se më jeni ligur”-thërriste Ai.
Divjaka, një tjetër vend historik dhe turistik ku mund të kalosh këndshëm fund-javën.
sokrat says
Enigma e një murgu endacak dhe legjenda e tij si Shenjt
Pa marrë përsipër që të shkruaj biografinë e njërit prej figurave të njohura të patriarkanës greke dhe as të jape nota vlerësimi për shënjtërinë e tij, Kozmanë nga Etolia, të cilin biografët e tij herë i vënë mbiemrin Etoliani e herë Etollosi, në këto shënime do të ndalem më shumë në disa përjetime vetiake, të cilat lidhen me figurën e Shën Kozmait, vlerësimet që i ka bërë atij në të gjallë e në të vdekur popullsia autoktone e zones së Myzeqesë si dhe enigma që e ka mbështjellë këtë figure për më shumë se dy shekuj.
Vizita e Papouliasit në Shqipëri
Dhjetor 1987. Një delegacion zyrtar grek do të vizitonte Shqipërinë. Ishte e para vizitë zyrtare qeveritare që do të shkrinte akujt ndërmjet dy vendeve tona qysh nga fillimet e luftës së dytë botrore. Sipas protokollit të asaj kohe në programin e kësaj vizite ishte parashikuar që delegacioni grek do të vizitonte edhe kishën e Shën Kozmait në fshatin Kolkondas të komunës së Libofshës, në rrethin e Fierit. Duke qenë se kisha e Shën Kozmait, për vlerat e saj arkitektonike, ishte shpallur “monument kulture”, nga organet më të larta u njoftuam edhe ne, si drejtues të kulturës në rreth, për këtë vizitë.
Por vizita e delegacionit grek i kapërxente kompetencat e seksionit të kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Aq më shumë kur dihej që këtë delegacion do ta kryesonte ish ministri i Jashtëm grek i asëj kohe, Karolos Papouliasi, i cili edhe më pare kishte ardhur në Fier në një vizitë private, kur ai kryente detyrën e ministrit të jashtëm plotësues në qeverinë greke.
Për pritjen e këtij delegacioni në Komitetin Ekzekutiv të rrethit u ngrit një grup pune, me pjesmarrjen e përfaqësuesëve të seksioneve të ndryshme të këtij organi, pasi detyra kishte për të gjithë, në mënyrë që delegacioni të pritej sa më mirë. Aq më shumë kjo diktohej edhe nga fakti që në ato vite Shqipëria ndodhej në prag të “muajit të mjaltit” me qeverinë greke. Natyrisht në këtë program detyra të shumta na dilnin ne punonjësve të kulturës, pasi disa muaj më pare kishte ndodhur një “skandal” me kishën e Shën Kozmait në fshatin Kolkondas, i cili kishte tronditur edhe marrëdhëniet e brishta të saponisura ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Athinës. Për këtë “skandal” ne ishim vënë para përgjegjësisë, duke na kaluar në “tehun” e thikës. Edhe pse kishin kaluar disa muaj, akoma ne ndjenim frikën e goditjes nga organet më të larta shtetërore dhe ato partiake. Dhe kjo për faktin se diplomacia greke kishte bërë një note proteste për mosmirëmbajtjen e kishës së Shën Kozmait në fshatin Kolkondas. Pala greke e vlerësonte shumë Shën Kozmanë, për të cilin ne dinim shumë pak gjëra deri atëhere.
Po atëhere cili ishte Kozmai nga Etolia, të cilin Ali Pashë Tepelena ndryshe e quante xha Kozmai? Kujt i shërbeu ai? Ai ishte thjesht një murg, apo misionar i një “Megali Idea” në qarqe të caktuara greke?
Murgu që nuk u emërua prift.
Më vonë ne mësuam shumë gjëra për këtë figurë, të cilën pala greke e vlerësonte si një rilindës të shquar për përhapjen e gjuhës greke e të kulturës helene në disa vende të Ballkanit e më tej. Në shtetin Helen për Shën Kozmanë, shumë vite më parë ishin shkruar monografi si dhe mjaft vepra letrare e filozofike. Ai vlerësohej si një nga figurat më të shquara edhe në fushën e teologjisë e të çeljes së dhjetra shkollave greke në disa vende fqinje me Greqinë.
Kozmai ka lindur në vitin 1714 dhe mbante mbiemrin Anifandi. Shumë vonë ai ka hyrë në rrugën e shkollimit fetar. Fillimisht ka qenë murg në një manastir dhe në moshën 30-vjeçare ka mbaruar studimet në akademinë fetare të Athosit. Pas përfundimet të këtyre studimeve, ai merr porosi nga patriarkana e Stambollit, nga varej edhe kisha ortodokse greke, që të shetisë disa vende në kufi me shtetin grek. Që këtu fillon edhe enigma e këtij murgu endacak, i cili nuk u emërua kurrë prift në njërën nga kishet e patriarkanës greke. Megjithatë, si shetitës, ai krahas predikimeve fetare, shfaqte hapur edhe qendrime të caktuara politike, sidomos kundër politikës turke dhe asaj ruse në Ballkan. Ai ka ndërmarrë katër udhëtime të gjata, duke i rënë mespërmes jo vetëm Greqisë, por edhe disa vendeve sllave. Në këto ecejakje të tij ai ka hyrë e ka dale disa here edhe nga Shqipëria. Pas çdo udhëtimi Kozmai raportonte për situatën tek eprorët e tij, njëri prej të cilëve ka qenë edhe Patriarku Serafini i dytë me origjinë nga Delvina.
Shërbimi në pashallëkun e Beratit
Aty nga vitet 1775 ky murg endacak, edhe pse në një moshë të kaluar, thirret në Patriarkanën e Stambollit dhe çuditërisht i caktohet si detyrë që të bëjë udhëtimin e tij të radhës prej endacaku. Ky ishte udhëtimi i tij i katërt dhe i fundit, në pashallëkun e Beratit, që në atë kohë mbulonte gjithë Shqipërinë e jugut deri në kufi me lumin Shkumbin. Ky pashallëk, përfshi edhe zonën e Himarës, në pjesën e tij jugore kufizohej me pashallëkun e Janinës.
Ato vite në Berat sundonte Kurt Pasha, i dërguari i Portës së Lartë, i cili përfaqësonte administratën e Stambollit në këtë pjesë të Shqipërisë.
Me të ardhur në Berat, prifti i moshuar, me mjekrrën e tij të bardhë e me pamjen fisnike, nisi të bëjë me përkushtim të gjitha ritet fetare, duke dale edhe jashtë ambjenteve të kishës, që ndodhej në pjesën më të lartë të kalasë, në anën perëndimore të saj. Që aty dukej si në pëllëmbë të dorës e gjithë Myzeqeja deri në kodrat e Ardënicës e grykëderdhjen e Shkumbinit. Ky prift i urt e i përunjur, me kalimin e kohës, filloi të vizitonte edhe fshatrat kufitarë si dhe ato të Myzeqesë, duke shërbyer si prift në raste festash fetare. Ai dalngadalë fitoi edhe zemrat e fshatarëve, të cilët e ftonin atë në gëzimet e tyre familjare. Kozmai, i veshur me rrsaën e priftit, shpejt u bë mik me të gjithë. Atë e respektonin kudo. Fjalët e tij shpesh here shërbenin si melhem për të “shëruar” edhe plagët e shpirtrave të trazuar të njerzëve të lodhur nga hallet e jetës. Mjaft nga shprehjet e tij qarkullonin si profeci për të ardhmen e shprehje proverbiale për kapërximin e vështirësive, apo daljen nga situate kritike jetësore.
Por krahas këtyre veprimeve e shërbesave fetare, Kozmai nga Etolia shpejt nisi edhe çeljen e shkollave në gjuhën greke përgjatë kufirit jug-lindor të Shqipërisë. Prej kohësh një shkollë e tillë ishte hapur edhe në Manastirin e Ardënicës, afër Libofshës, për të cilën ai u kujdes së tepërmi për të rritur cilësinë e mësimdhënies si dhe për ta pajisur atë me literaturë bashkohore në ndihmë të nxënësve të saj, të cilët vinin edhe nga zona përreth e që jetonin në konviktin e ngritur në mjediset e manastirit.
Si u prish kisha e Himarës
Një interes shumë të veçantë Kozmai ka treguar për Himarën e për fshatrat rreth saj. Ai arrin deri në Dhërmi. Në këto fshatra bën përpjekje të hapë shkolla në gjuhën greke, duke mos treguar aspak vemendjen pë ngritjen e kishave. Si duket ky misionar tashmë e kishte kuptuar se shkollat në gjuhën greke kishin më shumë vlerë se sa ngritja e kishave, ku zhvilloheshin vetëm ritet fetare, ndërkohë që në shkolla jepej në radhë të parë historia e Greqisë, pa përmëndur historinë e Shqipërisë. Këto fshtara propagandoheshin si pjesë e Greqisë e banorët si popullsi greke, edhe pse ata nuk dinin asnjë fjalë në gjuhën helene. Mbas rrasës së priftit fshihej kështu një misionar, i cili e kishte kuptuar se agresioni kulturor e gjuhësor do të paraprinte ndoshta edhe edhe një agresion të ardhshëm ushtarak të këtyre viseve të populluara vetëm nga shqiptarët.
Qëllimi i tij ishte kaq i dukshëm sa ai arriti deri atje sa të prishte një kishë e në vend të saj të ngrinte një shkollë në gjuhën greke. Kjo ndodhi në vitin 1777. Atë vit Kozmai me urgjencë erdhi në Sarandë nga Korfuzi dhe pa ndaluar askund, edhe pse vapa e korrikut e atij viti ishte tepër përvëluese, me një frymë arriti në Himarë. Ai mblodhi fshatarët dhe u foli atyre hapur se kishat nuk kishin asnjë vlerë para shkollave në gjuhën greke. Ai u bëri thirrje banorëve të Himarës që të prishnin kishat dhe në vend të tyre të ngrinin shkollat greke. Duke qenë i vendosur në këtë mision, ai vetë i pari rëmben kazmën dhe fillon të prishë çatinë dhe muret e kishës në Himarë.
Myslimanët të kthehen në të krishterë
Zelli i madh i Kozmait arrin deri atje sa ai nis të vizitojë edhe fshatra që banoheshin nga myslimanë. Kështu në vitin 1776 ai shkon deri në fshatin Kurjan të Fierit, kufi me zonën e Mallakastrës dhe viziton një kishë të vjetër, ngritur në një nga kodrat e fshatit qysh në shekullin e Xlll, duke u kërkuar fshatarëve që të kthehen në fenë e të krishterëve, edhe pse në fshat nuk kishte asnjë banorë ortodoks. Vizita e thirrje të tilla misionare ai edhe në disa fshatra të Vlorës e të Beratit. Qëllimi i tij final mbetej që të krishterët ortodoksë të identifikoheshin si popullsi greke, zëra këto që, në mënyrë të shkëputur, ne i dëgjojmë edhe sot e kësaj dite nga qarqe të caktuara të kishës ortodokse greke.
Eshtë interesant fakti që në këtë propagandë disi të shfrenuar Kozmai nuk gjen mbështetjen e disa krerëve ortodoksë të asëj kohe në Greqi. Shpesh ai futet në grindje me ta. Jo rrallë here atë e dëbojnë, apo edhe nuk e pranojnë që të kryejë ritet fetare në teritoret e tyre, përfshi edhe disa qytete greke. Kjo më e dukshme sidomos në qendrat e atëhershme urbane. Ky qendrim jo dashamirës e dyshues e detyron Kozmanë që të shkojë në fshatra të thella, ku edhe injoranca ishte më e madhe. Në këto vende ai gjen teren për të propaganduar idetë e tij, të cilat me sa duket ishin të imponuara nga lart. Ky shërbim i imponuar e fut Kozmanë në konflikt edhe me vëllanë e tij Hrisanthin, një klerik ky mjaft i njohur në hierarkinë e patriarkanës së Stambollit, i cili jo vetëm që nuk e ka mbështetur Kozmanë në udhëtimet enigmatike në disa vende të Ballkanit, por ka dale edhe hapur kundër tezave të tij.
Po kështu veprimet dhe aktiviteti i dyshimtë i Kozmait ka rënë në sy edhe të autoriteteve veneciane, të cilët kishin ndikimin e tyre katolik në një pjesë të Shqipërisë veriore, e sidomos në zonën e Lezhës e të Mirditës.
Megjithatë Kozmai vazhdoi të kryente me zell misionin e tij. Sipas biografëve ai ka ngriturt gati 227 shkolla greke, jo vetëm përgjatë kufirit jugor të vendit tonë, por edhe në thellësi të vendit si në Nartë të Vlorës, apo edhe në fshatin Kolkondas të Libofshës, në afërsi të rrjedhës së poshtëme të lumit Shkumbin.
Dyshimet e Kurt Pashës
Ky aktivitet i gjithanshëm i Kozmait nga Etolia, veprimtari kjo që binte ndesh me politikën e Portës së Lartë të Stambollit, ra në sy edhe të njerzëve të sundimtarit të Beratit, Kurt Pashës. Afijet e tij e njoftuan atë se ky prift nuk ishte dosido. Ai kishte një mision edhe më të madh se atë të shërbesës fetare. Kurt Pasha vuri njerëzit e tij për të gjurmuar atë dhe pasi mori informacionet e nevojshme, e kuptoi se pushteti absolut i Portës së Lartë po rrezikohej nga ky prift endacak, i cili po i rrëmbente pushtetin dhe fenë pashait të Stambollit. Ai urdhëroi afijet që ta eleminonin në fshehtësi priftin e rrezikshëm, natyrisht pa gjyq e pa bujë. Vendimi ishte marrë. Pritej vetëm ekzekutimi i tij i përgjakshëm, ndërkohë që në aparencë pashai i Beratit hiqej si mik i Kozmait. Në shënjë “respekti” ai i kishte falur atij edhe një stol të veshur me kadife që prifti nga Etolia ta përdorte në psallmat e veta, kur shkonte nëpër fshatra. Pabesia dhe dinakria ecnin krahpërkrah nga ana e të dy palëve.
Ekzekutimi
Dhe kjo ndodhi duke u gdhirë nata e 24 gushtit e vitit 1779. Njerëzit e sundimtarit të Beratit e kapën në befasi Kozmanë dhe pasi i prenë kokën, e hodhën atë në ujrat e turmbullta të lumit Seman, që ato ditë kishte vërshuar nga shtrati, për shkak të shirave të shumtë që kishte sjellë ai fund gushti i trishtuar. Dallgët e lumit, të mbufatur nga shirat e asaj nate të zezë, e muarën me vete trupin dhe kokën e sapoprerë të priftit enigmatik. Dhe siç ndodh shpesh me ujrat e rrëmbyer të lumenjëve, koka e Kozmait doli në fshatin Mujalli, disa kilometra afër qytetit të Fierit, ndërsa trupi, disi më i rëndë dhe i fryrë nga ujrat, doli disa kilometra më poshtë dhe pikërisht në fshatin Kolkondas, i cili atëhere ka qenë më i populluar se sot. Ky fshat tashmë nuk ekziston pothuajse fare, pasi i është aneksuar fshatit Rreth-Libofshë.
Të nesërmen e kësaj vrasjeje makabër, fshatarët e të dy fshatrave myzeqarë të habitur, por edhe të trëmbur, kanë gjetur anës lumit kokën e prerët priftit si dhe trupin e tij. Ata kanë lëshuar kujen dhe mallkimet për këtë gjëmë.
Lajmi i vrasjes së Kozmait u perhap me shpejtësi në të gjithë fshatrat e Myzeqesë. Ai kishte fituar respektin e të gjithëve, prandaj edhe të gjithë fshtarat e kësaj treve, e cila popullohej thuajse nga të krishterë ortodoks, i shpallën ato ditë ditë zie dhe në heshtje e pa dekret e pagëzuan njëzëri “të shënjtëruar”. Gratë vajtonin me kuje, sipas zakonit shqiptar, ndërsa burrat në kuvendet e tyre fshaçe vendosën që për ta nderuar Shën Kozmanë, me kontributet e tyre, të ndërtonin dy kisha: Një në fshatin Mujalli, ku gjetën kokën e prerë të priftit dhe tjetrën në fshatin Kolkondas, ku gjetën trupin e tij. E para u pagëzua “kisha e vogël e Shën Kozmait” dhe e dyta “Kisha e madhe e Shën Kozmait”. Që të dy kishat u ngitën në buzë të lumit Seman, vetëm 5-6 kilometra larg njëra tjetrës.
Ngritja e këtyre dy kishave tregon respektin e madh që kishte fituar Shën Kozmai në këto treva, pamvarsisht nga prejardhja dhe origjina e tij e largët. Kjo ishte shënjë e respektit për njeriun që u shërbeu për disa vjet, duke qenë pranë tyre në gëzime dhe hidhërime familjare. Shën Kozmai ishte bërë mik për të gjithë banorët e kësaj zone, edhe pse rritja e autoritet të tij ndoshta kishte qëllime e pikësynime të tjera në kundërshtim me interesat kombëtare shqiptare dhe ato të Portës së Lartë, që sundonte ushtarakisht në Shqipëri.
24 gushti-dita e Shën Kozmait
Me kalimin e viteve autoriteti dhe emri i Shën Kozmait u rrit mjaft në zonën e Myzeqesë. Për figurën e tij qarkullonin thënije deri edhe legjenda si parashikues i fateve njerzore. Dy kishat e tij ishin kthyer në vende pelegrinazhi për të gjithë myzeqarët, përfshi edhe ata të besimit myslimanë. Më shumë vizitohej sidomos kisha e madhe e Shën Kozmait në fshatin Kolkondas. Aty u ngrit edhe një manastir si dhe një shkollë me konvikt në gjuhën greke. Për të nderuar dhe respektuar Shën Kozmanë 24 gushti u shpall “Dita e Shën Kozmait”. Në këtë ditë deri vonë vinin në Kolkondas mijra njerëz për të kryerë shërbesat në nderim të tij. Atë ditë në sheshin ndërmjet manastirit dhe kishës bëhej edhe një Pazar i madh, organizoheshin festa dhe ahengje si dhe kryheshin fejesat e rastit. Të gjitha këto nën bekimin e Shën Kozmait.
Ky ritual vijoi rregullisht deri në vitin 1967, vit ky që saksionoi edhe prishjen e faltoreve me urdhër të shtetit komunist. Megjithatë popullsia e zones së Myzeqesë, edhe pse ishin vendosur masa drastike për të të mos lejuar organizimin e ceremonive fetare, në kishën e Shën Kozmait në Kolkondas do të vinin vjedhurazi e në fshehetësi njerëz të moshave të ndryshme për të përkujtuar 24 gushtin si dhe për të nderuar figurën e tij, e cila tashmë, edhe pse me vonesë, ishte shënjtëruar edhe nga patriarkane greke.
Ali Pasha dhe xha Kozmai
Fuqizimi i pashallëkut të Janinës nën sundimin e Ali Pashës në 10 vjeçarin e pare të shekullit të IXX krijoi konflikte dhe acarime të shumta e të shpeshta ndërmjet Kurt Pashës dhe pashait të Tepelenës, i cili duke qenë edhe mjaft ambicioz, ua vuri syrin edhe trevave të Myzeqesë për t’i patur nën influencën e tij.
Ndërkohë Ali Pasha u vu përkrah edhe përpjekjeve të grekërve në luftën e tyre për t’u shkëputur nga zgjedha turke, përpjekje kjo që çoi në shpalljen e pavarsisë të Greqisë në vitin 1821. Padyshim që në këtë fitore Ali Pasha ka patur rolin e tij frymëzues, ndikues e organizues, duke iu kundërvënë hapur Portës së Lartë. Kjo mbështetje e Ali Pashës kishte edhe një qëllim strategjik të këtij dipllomati të zgjuar e dhelparak: Ai do të kërkonte që të shkëputej edhe vetë nga Porta e Lartë për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Por në këtë “aventurë” ai do të kishte edhe nevojën e mbështetjes të popullsisë greke në pashallëkun e Janinës edhe më tej.
Dhe pikërisht për të rritur autoritetin e tij në qarqet greke Ali Pasha qysh në vitin 1813 mendoi që t’i “përkëledhte” grekërit në pikën e tyre më të ndjeshme: në rritjen e kultit të Shën Kozmait. Ai urdhëroi që në kujtim e në respekt të këtij shënjtori, të ngrihej një kishë e bukur në fshatin Kolkondas, në themelet e kishës së vjetër, e cila sipas pashait të Janinës, ishte e papërshtatëshme për një figurë kaq të madhe sa ç’ishte ajo e shënjtorit grek, të cilin ai e thërriste xha Kozmai. Në këtë mënyrë pashai dipllomat me një gur vriste dy zogj: Nga njëra anë përkëdhelte sedrën e grekërve e nga ana tjetër rriste ndikimin e tij tek popullsia ortodokse e Myzeqesë, për ta patur edhe atë në mbështetje të planit të tij ambicioz për ta shkëputur pashallëkun e tij nga Porta e Lartë.
Në një qarkore dërguar parisë së vendit, që mban datën 12 shtator 1813, Pashai i Tepelenës urdhëron që të mblidhen para për ndërtimin e një kishe të re në fshatin Kolkondas, duke dhënë edhe ai kontributin e vetë. Qarkorja ishte me tone të zbutura, por edhe aq ultimative, duke përfunduar me frazën se ai që nuk jep ndihma, “do ta paguajë dyfish atë”. Kisha e re Shën Kozmait u përurua një vit më vonë dhe pikërisht në 24 gusht të vitit 1814, pra në 100-vjetorin e lindjes së tij. Disa ditë më vonë atë e viziton vetë Veziri i Janinës, Ali Pasha Tepelena, së bashku me gruan e re greke, Vasiliqinë.
Ajo ishte një kishë monumentale mjaft e bukur, e cila nuk i ka humbur vlerat arkitektonike edhe në ditët tona.
Varri fallso
Në kishën e re të ngritur nga Ali Pasha eshtrat e Shën Kozmait u futën në një sënduk druri, i cili u vendos në pjesën e shërbesës të priftit. Sipër këtij sënduku, në një enë të tejdukshme qelqi, u vendos dora e djathtë e Shën Kozmait, e shkëputur në kyçet e saj. Kjo u bë me qëllim që besimtarët ditën e 24 gushtit të mundënin të puthnin dorën e shënjtorit, duke i puqur buzët mbi enën e qelqit të ekspozuar, ndërkohë që skeleti i trupit ruhej në brendësi të sëndukut prej druri. Ky rit organizohej vetëm një ditë në vit, më 24 gusht që ishte edhe dita e Shën Kozmait. Kjo ishte edhe dita e vetme në vit që lejohej të hapej dera e kësaj kishe në fshatin Kolkondas.
Por duke qenë se popullsia e asëj zone vinte edhe ditë të tjera të vitit për t’u falur dhe kërkuar ndihmën e Shën Kozmait, pashai i Tepelenës urdhëroi që përbri mureve të Kishës dhe pikërisht në krahun jug-lindor të saj, të ngrihej një varr fallso, mbi të cilin njerzit mund të vinin çdo ditë për të kryerë shërbesat fetare. Me kallimin e viteve ky varr fallso kishte krijuar bindjen tek brezat se ky ishte vendvarrimi i vërtetë i Shën Kozmait. Mbi këtë varr deri vonë njerzit hidhnin lekë e sende të çmuara, faleshin e luteshin për hallet e tyre, kërkonin shpëtim nga sëmundjet e këqija e rrugëdalje për mjaft probleme që ata hasnin në jetën e tyre të përditëshme.
Koka e florinjtë
Ashtu siç u përshkrua edhe më lart, trupi dhe koka e Shën Kozmait u varrosën në dy kisha të ndryshme. Në sëndukun e kishës në Kolkondas mungonte koka e shënjtorit, pasi ajo u varros në fshatin Mujalli. Mbështetur në këtë të vërtetë, Ali Pasha urdhëroi që koka e Shën Kozmait të zëvëndësohej në sënduk me një kokë floriri. Kjo e rriti edhe më shumë autoritetin e Aliut në sytë e besimtarëve myzeqarë. Koka e florinjtë u vendos në sënduk, duke i plotësuar kështu të gjitha gjymtyrët e shënjtorit ortodoks.
Kjo kokë floriri qendroi plot një shekull në sëndukun e eshtrave të Shën Kozmait. Por do të vinte viti 1918 dhe ajo do të zhdukej nga sënduku. Shërbyesit e kishës që kujdeseshin për mirëmbajtjen e sëndukut dhe të eshtrave të shënjtorit, mbetën të shtangur, kur ata e gjetën derën e kishës të shqyer dhe kapakun e sëndukut të hapur. Në sënduk mungonte koka e florinjtë.
Variantet për grabitjen e kokës së florintë të Shën Kozmait kanë qenë të shumta, por më i besueshëm mbetet ai i përfolur nga shumica e banorëve vendas se koka e florinjtë e Shën Kozmait ka përfunduar si objekt zbukurimi në kryeqytetin austriak,Vjenë, apo është shkrirë për t’u shëndruar në objekte të tjera zbukurimi prej floriri. Dhe kjo për faktin se në këtë vit në fshatin Kolkondas janë dukur për disa ditë mbeturinat e një formacioni ushtarak austriak, të cilat të raskapitura nga luftimet me formacionet luftarake italiane, në ditët e fundit të luftës së parë botrore, ishin tërhequr në këtë zonë për t’i shpëtuar shpartallimit të tyre të plotë. Në përbërjen e këtij formacioni ka qenë edhe një arkeolog austriak, i cili me sa duket kishte të dhëna të sigurta se në sënduk ndodhej edhe koka e florinjtë, me vlera të pallogaritshme, të cilën ai e përvetsoi fshehtas për ta çuar në kryeqytetin e vendit të tij, në Vjenë.
Kisha në Kolkondas “monument kulture”
Siç e përmëndëm edhe më sipër, kisha e Shën Kozmait, e ngritur nën kujdesin e Ali Pashë Tepelenës, kishte vlera monumentale dhe arkitektonike. Ajo dallohej për finesën e ndërftimit e në veçanti për ikonostasin e saj, i cili pasqyronte të gjithë jetën e Kozmait nga Etolia, deri në vrasjen e tij. E gjithë kjo ikonografi, ndryshe nga ikonostaset e tjerë të gdhendur në dru, ishte derdhur në metal. Kjo e bënte atë edhe më intersante.
Për këto vlera kisha e Shën Kozmait, në fshatin Kolkondas, ishte shpallur “monument kulture”. Ajo kishte marrë statusin e mbrojtjes nga shteti. Kisha e Kolkondasit ishte kështu një ndër gjashtë objektet e kultit të shpallura si “monument kulture” në rrethin e Fierit, ku bënin pjesë edhe dy kisha të tjera në Libofshë, kisha e Kurjanit, kisha e Apolonisë si dhe kisha e Hoxharës, e cila datohej si më e vjetra në rreth. Për mirëmbajtjen e tyre ishin caktuar edhe kujdestar, por në të gjitha rastet ato qendronin të mbyllura. Në këto kisha nuk lejohej të futej askush e aq më shumë ndalohej zhvillimi i ceremonive fetare, pasi feja ishte e ndaluar ato vite me ligj në Shqipëri. Askush nuk dinte se çfarë kishin në ambjentet e tyre të brendëshme këto objekte kulti. Kujdestarët, të cilët merrnin një shpërblim qesharak prej 1000 lekësh të vjetra në muaj, u kishin vënë dyerve nga një kyç gjysmë të ndryshkur, duke u kujdesur vetëm për anën e jashtëme të tyre. Por edhe ky shërbim ishte gjysmak. Në më të shumtën e rasteve këto momumente ishin mbuluar nga ferrat e drizat, apo edhe ishin gjysmë të rrënuara.
Për kishën e Shën Kozmait ishte caktuar si kujdestar Rrapi Saqellari, nga fshati Rreth-Libofshë, i cili edhe pse ishte një kooperativist i thjeshtë, e kishte pasion njohjen e të kaluarës historike në zonë. Megjithatë edhe ai si gjithë të tjerët, i kishte vënë derës së kishës një dryn të madh, duke u kujdesur vetëm që kisha të mos dëmtohej nga ana e jashtëme. Dikur pranë kishës ka patur edhe një manastir, i cili ishte rënuar prej kohësh. Edhe godina e kishës së Shën Kozmait ishte e mbuluar nga ferrat e shumta dhe asaj i dallohej vetëm çatia me tjegulla gjysmë të nxira nga koha.
“Turisti” grek në Kolkondas
Disa muaj para se Papuliasi, atëhere ministri i Jashtëm grek, të bënte të parën vizitë në Shqipëri në krye të një delegacioni qeveritar, në qytetin e Fierit ka ardhur nga Greqia një ”turist” grek. Sipas praktikës të atyre viteve, tre ditë më parë nga ana e Komitetit të Marrdhënieve me Jashtë, i cili merrej me pritjen, programimin dhe përcjelljen e të huajve të paktë që vizitonin vendin tone, njoftohemi me telegram se do të vizitonte Apoloninë “miku” grek. Dita e vizitës binte të shtunën, që atëhere ishte ditë pune.
Zakonisht pë vizitorët grek që do të vizitonin Apoloninë, ne tregonim mjaft kujdes për t’u vënë shoqërues specialist të bërthamës arkeologjike, që e njihnin shumë mirë historinë e këtij qyteti të lashtë, pasi jo rrallëherë nga ana e grekërve bëheshin debate për kohën e ngritjes së këtij qyteti në antikitet si dhe përzjerjen e ndërthurjen e kulturës autoktone me atë helene në Apoloninë e shekullit të V dhe të IV para lindjes së Krishtit. Në mjaft raste si shpjegues në Apoloni ngarkonim arkeologun e njohur, Neritan Ceka, i cili në ato vite ishte me punë si arkeolog në Fier. Por meqënëse Neritani ishte larguar nga Fieri, caktuam si shpjegues dhe shoqërues përgjegjësinë e bërthamës arkeologjike, Skënder Muço. Si rregull ai e priti “mikun” grek në hotel turizmin e Fierit, ku edhe do të pinin kafenë e mirseardhjes.
Skenderi e priti atë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe rreth ores 20 më njofton edhe mua se vizitori grek nuk kishte ardhur. Ndodhte edhe kështu. Nuk ishin të pakta rastet kur programet nuk realizoheshin për arsye të ndryshme. I thashë Skënderit që të shkonte në shtëpi, pasi kaq ishte detyra jonë.
Por “miku” vjen në Fier, i shoqëruar nga një përkthyes, të nesërmen, pra ditën e dielë. Për këtë “ndryshim” programi ne nuk ishim njoftuar, prandaj dhe nuk kishim marrë asnjë masë për ta pritur atë. Ai qendron tek sheshi para hotel turizmit në Fier dhe nxjerrë një hartë, që më vonë mësuam se ishte harta e zones së Libofshës, ku ndodhej edhe kisha e Shën Kozmait. Qytetarët, kurreshtarë për këtë njeri të huaj me mjekër të zezë, i afrohen dhe e pyesin se çfarë kërkonte. Por pa marrë përgjigje, pranë tyre afrohet një operativ sigurimi, i cili shpërndan turmën e kurreshtarëve. Ai i kërkon shpjegime përkthyesit, i cili e prezanton atë si “mik” të Shqipërisë dhe ndërkohë i kërkon ndihmë për të gjetur rrugën që të çonte në fshatin Kolkondas, në zonën e Libofshës.
Pa e zgjatur operativi e shoqëron të huajin për në shtëpinë e Sotir Meços, një pensionist, i cili e njihte shumë mire atë zonë, pasi më pare kishte shërbyer edhe si mësues. Sotiri e fton të huajin në shtëpi dhe e pret sipas zakonit me shumë respekt e përzëmërsi. Së bashku ata shkojnë deri tek kisha e Shën Kozmait, në fshatin Kolkondas.
Vizitë në kishën e braktisur
Ashtu siç pritej “turisti” grek u skandalizua nga gjëndja të cilën ndodhej kisha e Shën Kozmait në fshatin Kolkondas. Ajo ishte mbuluar nga ferrat dhe shkurret, aq sa nuk dallohej fare nga jashtë. “Turisti” nisi të fotografojë nga të gjitha anët ambjentin përreth kishës. Me ndihmën e Sotirit, i cili e shoqëroi atë nga Fieri, thirrën edhe kujdestarin e monumentit, Rrapi Saqellarin, i cili pas një ngurimi, u bind që të hapte derën e kishës. Gjendja brenda në kishë ishte edhe më alarmande. Askush nuk e kishte hapur atë derë qysh prej vitit 1967, kur instuticionet fetare në Shqipëri nuk lejoheshin të vizitoheshin nga besimtarët.
Dyshemeja e kishës ishte mbushur me llome, prurje dherash prej lumit të Semanit, që rridhte ngjitur me murt e kishës. Po kështu edhe stolat, ku qendronin besimtarët gjatë ceremonive fetare, ishin gati të kalbur. Në ballë të dhomës së madhe, afër ajodhimës, ishte një sënduk gjysmë i kalbur, i ngrënë nga mola e me shumë brima. Sipër sëndukut ena e qelqit, ku ishte vendosur dora e djathtë e Shën kozmait, ishte nxirë nga koha.
Sapo konstatoi këtë gjendje “miku” grek shrepi aparatin fotografik, duke mos lënë asnjë detajë pa fotografuar brenda asëj dhome të kredhur në errësirë të plotë. Pasi mbaroi këtë mision, pa folur dhe pa bërë asnjë koment, “turisti” grek që atë ditë u kthye në Tiranë dhe prej andej, pa e përfunduar vizitën e mëtejshme të tij, u nis për në Greqi.
Protesta greke
Ne nuk kishim asnjë informacion për këtë vizitë të mikut grek, kur mua me urgjencë më thërrasin në Komitetin e partisë të rethit dhe kërkojnë llogari për ngjarjen. Mbeta edhe vetë shtangur, por edhe i trembur, pasi dihej që atëhere partia të bënte gjëmën. Aty mora vesh se pala greke kishte bërë një notë të fortë proteste, duke e vlerësuar si skandal gjendjen në të të cilën ndodhej kisha e Shën Kozmait.
U shjegova se seksioni ynë në komitetin ekzekutiv të rrethit nuk kishte asnjë dijeni për kër këtë vizitë, e cila ishte bërë në rrugë private. Vizitori grek kishte ardhur në Fier jo atë ditë që e prisnim ne dhe vizitën në Kolkondas e kishte bërë pa dijeninë tonë. Me kaq unë i shpëtova ndëshkimit, por ata që pa dashje e çuan mikun grek në kishën e Shën Kozmait, nuk i shpëtuna dot një analize edhe më të gjerë e me pasoja.
Pas kësaj ndodhie ne hartuam një program të gjerë masash pë masash për mirembajtjen e kishes së Shën Kozmait. Së pari u interesuam për të parë se çfarë ruhej në atë sepete të ngrënë nga mola. Dhe jemi befasuar kur konstatuam se brenda saj ruheshin eshtrat e Shën Kozmait. Kjo befasi erdhi për shkak se këtë nuk e dinte as vetë kujdestari i kishës, pasi dihej se me prishjen e objekteve të kulteve në vitin 1967 u dha urdhër që të gjitha eshtrat e shënjtorëve e të klerikëve që ishin varrossur në ambjentet fetare, u zhvarrosën dhe u likujduan në forma të shumta, deri në hedhjen e tyre në hedhjen e tyre në rrjedhën e lumenjëve. Kështu ka ndodhur me klerikët myslimanë, me klerikët katolikë dhe ata ortodoksë. Por çuditërisht eshtrat e Shën Kozmait, edhe pas këtyre reprazaljeve të paimagjinueshme, kishin shpëtuar pa u prekur.
Menjëherë thirrëm një antropolog, i cili pasi i disefektoi ato, i rregulloi dhe i sistemoi brenda atij sënduku gjysmë kalbur. Natyrisht eshtrave u mungonte koka, e cila siç shpjeguam edhe më sipër ishte varrosur në fshatin Mujalli. Pas këtij veprimi nisi edhe puna për mirëmbajtjen e kishës së Shën Kozmait. Fillimisht u rregullua ambjenti i jashtëm i kishës, duke e pastruar atë nga ferrat, shkurret e barishtet. Po kështu ambjentet e brendëshme të kishës jo vetëm që u pastruan nga llumrat e shumtë, por ajo u lye disa duar me gëlqere të bardhë. Kujdes u tregua edhe për rregullimin e varrit fallso përbri murit të kishës. U bën edhe riparime e rregullime të çatisë si dhe i stolave prej druri, që shërbenin për t’u ulur besimtarët gjatë proçesit të ceremonive fetare.
Policia në ruajtje të eshtrave
Pas protestës të pales greke, kujdesi për rujatjen e eshtrave të Shën Kozmait, u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme deri edhe të frikëshme. Themi të frikëshme, pasi tashmë ishim të trembur se mos dikush i rrëmbente ato dhe atëhere merrej me mend se çfarë pasojash do të kishim ne. Për këtë qëllim kërkuam edhe ndihmën e policisë, e cila i mori ato në rujatje. Në kishën e Shën Kozmait u vendos një patrullë policie, e cila shërbente me tre turrne.
Por edhe policia me sa duket ishte në hall: iashte e pasigurt në ruajtjen e eshtrave. Për të dalë nga kjo situatë, krerët e policisë në Fier, vunë në jetë një farsë, e cila është sa praktike, aq edhe qesharake: Ata i tërhoqën eshtrat në Fier, ndërkohë që formalisht vazhdonin të bënin roje në kishën e Shën Kozmait, duke dhënë kështu përshtyjen fiktive se po ruanin eshtrat e shënjtorit grek. Duket që edhe vetë rojet nuk e dinin se ku ishin eshtrat e Shën Kozmait. Një gjë të tillë e dinin vetëm drejtuesit e policisë në Fier. Ishte kjo një praktikë e njohur e atyre viteve të shtetit diktatorial. Frika për të mos patur ndonjë protestë tjetër nga ana e qeverisë greke, me të cilën po përvijoheshin atëhere marrëdhënie të mira, i kishte detyruar organet tona që të sajonin edhe tragjikomedi të kësaj natyre, ndërkohë që gadishmëria ishte shumë e madhe që nëse do të kishte njoftim për ndonjë vizitë të papritur të pales greke, eshtrat urgjentisht do të çoheshin në kishën e Kolkondasit.
Aksion për asfaltimin e rrugës
Aty nga fillimi i muajit nëntor të vitit 1987 në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Fierit erdhi urdhëri që të shtrohej me asfalt rruga nga kthesa e Mbrostarit, ku mbaronte rruga nacionale automobilistike që lidhte Lushnjen me Fierin, deri në Rreth-Libofshë, me një gjatësi rreth 10 kilometra. Rruga ekzistuese ishte e shtruar me zhavorr, plot gropa e gunga, aq sa ishte e pamundur të udhëtoje në stinën e dimrit. Më e pakalueshme ishte sidomos pjesa e rrugës që përshkonte fshatin Petovë. Në shumë raste edhe makinat e tipit “zis”, që rrallëherë përshkonin këtë aks rruge, ngecnin në baltë, apo rrëshkisnin në të tatpjetën e qendrës së fshatit.
Për të realizuar këtë detyrë u ngrit një shtab pune në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Në këtë shtab u thirrën të gjithë drejtorët e drejtorive të sektorit të naftës në Fier. Ishin dhjetë ndërrmarrje ndërmjet të cilave ajo e rërrave bituminoze, e shpim Shfrytëzimit, e prodhimit në Patos e Marinzë, e ndërtim-montimit, e nxjerrjes së gazit e tjera. Sejcilës prej tyre iu caktua detyrë që brenda 15 ditëve të shtronte nga një kilometër rrugë me asfalt. Urdhëri ishte i prerë dhe kategorik. Natyrisht në atë mbledhje nuk u tha pse duhej shtruar ajo rrugë me aq urgjencë, duke u kufizuar me shprehjen “ky është urdhëri i dhënë nga lart”.
Puna filloi që të nesërmen e asaj mbledhjeje. Të gjitha makineritë e rënda u përqëndruan sipas një ndarjeje që u bë për sejcilën ndërrmarrje. Rërra bituminoze zbrazej në anë të rrugës dhe dhjetra puntorë e shpërndanin atë me lopata. Aksioni u quajt politik dhe mjaft i rëndësishëm. Duhej shfrytëzuar çdo minutë kohë, pasi shirat po vinin vërdallë. Dhe ç’është e vërteta ato ditë ishin si me porosi: Gjatë atyre dy javëve nuk ra asnjë pike shi.
Fshatarët e zonës mbetën të shastisur nga ky “aksion” i beftë. Natyrisht që ishin edhe të gëzuar që së fundi rruga e tyre po asfaltohej, edhe pse ky ishte një asfalt vetëm sa për të kaluar radhën. Po ata nuk e dinin një gjë të tillë. Atyre iu tha, sipas propagandës të asaj kohe, se “klasa puntore po u dhuronte rrugën e asfaltuar”. Vetëm disa ditë para vizitës të delegacionit grek, ata muarën vesh të vërtetën se kjo rrugë po asfaltohej vetëm sa të kalonin të dërguarit e qeverisë greke për në kishën e Shën Kozmait. Kjo rrugë nuk e pati jetën të gjatë: ashtu siç u shtrua me urgjencë, ashtu edhe u prish me urgjencë. Cilësia e punimeve të saj ishte shumë e dobët.
Rruga u asfaltua deri në degëzimin që të çonte tek kisha e Shën kozmait, pa mbritur deri në qendër të fshatit rreth-Libofshë. Kjo pë arsye se rruga deri tek kisha, afro 1 kilometër, ishte rrugë dheu dhe nuk mbante asfalt. Ajo u sheshua me traktor, duke evituar gropat e shumta dhe togjet e dheut.
Pritja e delegacionit grek
Delegacioni grek mbëriti në Shqipëri më 9 dhjetor të vitit 1987. Ai kryesohej nga ministri i Jashtëm grek, Karolos Papoulias. Në përbërjen e tij ishin edhe tre ministra të kabinetit Papandreou. Dhe konkretisht: Ministrja e Kulturës dhe e Shkencës, Melina Merkouri, ministri i Planifikimit dhe i Punëve Publike, Evangelos Kouloumbis si dhe ministri i Tregtisë, Panayiotis Roumeliotis. Delegacioni grek, më i madhi i ardhur deri atëhere në Shqipëri, shoqërohej nga 30 bisesmenë të fushave të ndryshme si dhe nga dhjetra gazetarë të shtypit të shkruar e të medias elektronike në Greqi.
Delegacioni grek qendroi tre ditë në Shqipëri. Në programin e tij, në rrugën e kthimit për në Greqi, ishte përfshirë edhe vizita në kishën e Shën Kozmait. Për ta pritur delegacioni grek, u ngarkua kryetari i Komitetit Ekzekutiv në rretin e Fierit, Dhimitër Brisku. Ai do të qendronte në pritje në Mbrostar, në kthesën e rrugës që të çonte në Libofshë. Mua m’u caktua si detyrë që të prisja tek kisha e shën Kozmait, duke qenë se mbaja përgjgjësi edhe për kujdesin e mirëmbajtjen e monumnenteve, statusin e të cilit, ashtu siç e kam theksuar edhe më lart, e kishte fituar edhe kisha e shënjtorit grek.
E vërteta është se ne kujtonim që delegacioni grek, pas vizitës, mund të kërkonte riatdhesimin e eshtrave të Shën Kozmait. Ne jo vetëm që e prisnim një propozim të tillë, por ishim edhe mjaft të gatshëm që eshtrat të dërgoheshin në Greqi, pasi boll telashe kishim patur deri atëhere për ruajtjen e tyre. Natyrisht që të mos tregoheshim “kaq bujar ” para delegacionit grek, ishim pergatitur që kërkesës së palës greke t’i kundërpërgjgjeshim edhe me një kërkesë nga ana jonë, për të qenë kështu “të barabartë” ndërmjet palëve. Pasi kishim studjuar situatën, kishim konstatuar se në Athinë ndodhej vendvarrimi i Jani Vretos, i njohur për veprimtarinë e tij politike gjatë viteve të Rilindjes tone Kombëtare, i cili është shprehur se nëse ata (grekërit) do të vazhdojnë të ngrenë pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale …, atëhere “do të dridhen varret e etërve, vëllezërve…”. Ai kishte lindur në fshatin Postenan të Leskovikut në vitin 1822 dhe kishte vdekur në vitin 1900. Kërkesa për kthimin e eshtrave të tij në Shqipëri do të shtrohej nga ne, sapo pala greke të artikulonte kërkesën e vetë. Kjo do të ishte dhe kundërpërgjigja nga ana jonë, natyrisht pa e kundërshtuar palën greke.
Gadishmëria e traktorëve me zinxhirë
Siç theksuam edhe më lart, rruga e asfaltuar me urgjencë nuk shkonte deri tek kisha e Shën Kozmait. Afro 1 kilometër rrugë ishte në gjendje skandaloze. Frika ishte e madhe sidomos po të fillonte të binte shi. Atëhere rruga do të shndërrohej në një baltovinë ferri dhe makinat do të ngecnin në vend.
Për “fatin”tone të mire, ajo ditë dhjetori shkëlqente nga një diell që rrallëherë ndeshet në ditët dimërore. Megjithatë frika jonë ishte shumë e madhe. Për të dale nga çdo situate e papritur, në parcelat në të dy anët e rrugës u vendosën 3-4 traktorë me zinxhirë. Traktoristët u porositën që të bënin sikur punonin, ndërkohë që po të fillonte shiu, ata do të merrnin urdhër që të tërhiqnin makinat nëpër rrugën e baltosur. Kjo do të bëhej si rastësisht për t’u ardhur në ndihmë miqëve grekë.
Në mënyrë që të evitohej edhe numëri i shumtë i makinave, në Kolkondas nuk do të vinte i gjithë delegacioni grek, duke përjashtuar në radhë të pare bizesmenët, që shoqëronin delegacionin. Po kështu u thjeshtua shumë edhe numëri i gazetarëve, duke lejuar vetëm disa kamermanë që të pasqyronin këtë vizitë. Megjithatë numëri i tyre nuk ishte i paktë. Bile neve na u duk shumë i madh, duke marrë parasysh që atëhere në Shqipëri eksistonte vetëm një television, ai shtetërori.
Megjithë marrjen e këtyre masave, nuk doli nevoja e vënies në funksion të planit “rezerve”, pasi dita nuk ndryshoi dhe shiu ishte i vonuar ato ditë dhjetori.
“Shfaqja” e Merkourit dhe indeferenca e dy ministrave grekë
Që në orët e para të mëngjesit sheshi para kishës së Shën Kozmait atë ditë qe mbushur me dhjetra fshtatarë të zonës së Libofshës. Natyrisht ndërmjet tyre kishte dhe shumë agjentë të policisë sekrete, të cilët ruanin pjesmarrësit nga ndonjë “incident” me palën greke. Godina e kishës ishte lyer dhe pastruar më së miri. Pjesa e brendëshme e dyshemesë ishte gërryer nga llumrat e lumit Seman, duke nxjerrë në dukje pllakat e shtruara të gurit në ngjyrë gri. Po kështu ishin lyer edhe ndënjëset e drurit, ndërkohë që sënduku me eshtrat e Shën Kozmait ishte ai i mëparshmi: Gjithë vrima nga të ngrënët e moles. Sipër sëndukut qendronte ena e qelqit me falangat e gishtrinjëve të dorë së dhjathtë të priftit shenjtor. Sënduku qendronte në krye të dhomës, afër faltores së priftit.
Delegacioni grek mbëriti në sheshin e kishës rreth orës 11. Fashtarët e pranishëm e pritën atë me duartrokitje. I pari që shkeli derën e kishës ishte kryetari i delegacionit, minitsri i Jashtëm grek Karolos Papoulias. Ai zbriti tre shkallët e kishës dhe që nga dera vijoi rrugën për tek sënduku i eshtrave me një përulje të lehtë të kokës. Sa u afrua tek sënduku, u përul edhe më shumë e me një gjest fisnikërie, puthi enën e qelqtë mbi sënduk. Të njëjtin veprim kryen edhe dy ministrat e tjerë grekë, Kouloumbis dhe Roumeliotis. Në ambjentin e kishte rënë një heshtje e rëndë, e cila po bëhej e padurueshme edhe nga dritat e shumta të bliceve si dhe të ndriçuesëve të operatorëve televizivë.
Ndërkohë salla u drodh nga një veprim shokues i ministres të Kulturës dhe Shkencës, Melina Merkouri. Si të ishte në një skenë teatri, ajo që tek dera u shtri barkazi e duke ecur rrëshqanthi iu afrua sëndukut të eshtarve të Shën Kozmait. Të gjithë të pranishmit mbajtën frymën.
Ashtu, duke u hequr zvarrë, Merkouri hapi kapakun e sëndukut dhe me një ngadalsi filmike, nisi të puthë me radhë të gjitha eshtrat që gjendeshin në sënduk. Veprimi i saj elektrizoi sallën. Askush nuk pëpëtinte. Dëgjohesdhin vetëm kërcitjet e aparateve të xhirimit dhe shkrepjet e aparateve fotografikë.
Por kishte dhe dy veta që e ndiqnin këtë skenë me një indiferentizëm të madh e gati fyes. Sapo Merkouri iu afrua sepetes, dy ministrat grekë, Kouloumbis dhe Roumeliotis u tërhoqën, duke u ulur në poltronat e kishës, pas shpinës të të pranishmëve në atë salle të vogël mk kishe. Njëri prej tyre, pak i shkurtër, me një fytyrë pak të thatë e me mustaqe, gjatë gjithë kësaj kohe vështronte jashtë derës, pa e kthyer kokën nga “shfaqja” emocionale e ministres Merkouri.
Jani Vreto dhe Kozmai
Pas përfundimit të ceremonialit, ashtu siç prirtej, e mori fjalën ministri i jashtëm grek, Karolos Papouliasi. Me një oratori të kulluar, ai nisi të fliste për veprimtarinë e Kozmait nga Etolia, duke e vlerësuar atë si një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes greke e të përhapjes së helenizmit në disa vende të Ballkanit e më gjerë.
Por pa e mbaruar mire fjalën ministri grek, e mori fjalën Dhimitër Brisku, i cili po me ato epitete vlerësoi veprimtarinë patriotike të Jani Vretos, duke theksuar se edhe ai kishte bërë përpjekje titanike për të zgjuar ndjenjat tona kombëtare e për përhapjen e gjuhës shqipe në vendin tone. Qellimi ishte i qartë: Do të vendosej kështu ekuilibri ndërmjet dy figurave për shkëmbimin e eshtrave midis dy vendeve tona, nëse një gjë e tillë do të kërkohej nga pala greke.
Por pritja jonë shkoi dëm. Papouliasi nuk bëri asnjë kërkesë për marrjen e eshtrave të priftit grek. Kjo na befasoi, sepse ne ishim pergatitur për kthimin e këtyre eshtrave, ruajtja e të cilave na kishte hapur shumë telashe. Megjithatë kujtuam se kjo kërkesë do të përsëritej më vonë, ndoshta edhe në rangje të tjera qeveritare.
Të pezmatuar nga ky shgënjim, muarëm rrugën e kthimit për në qytetin e Fierit, ku do të pihej edhe kafeja e mirseardhjes të delegacionit grek në këtë qytet.
Eshtra e munguar
Ndalesa në turizmin e Fierit ishte mjaft e shkurtër. Gjatë pirjes së kafesë, u prezantua një histori e shkurtër e qytetit të Fierit dhe e rrethinave të tij. Papouliasi e kishte njohur edhe më pare këtë qytet. Para dy vjetëve, kur ai kryente funksionet e ministrit të Jashtëm Plotësues në qeverinë greke, kishte bërë një vizitë private në Fier. Atëhere Papouliasi kishte ardhur për të takuar mikun e tij të vegjëlisë, aktorin e estradës së Fierit, Fuat Boçin, me të cilin kishte qenë fqinj në fshatrat e Pogonit, nga ishte edhe vetë Papouliasi.
Por kjo atmosfere e qetë gati u acarua, sapo delegacioni grek, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm i atëhershëm shqiptar, Reis Malile, u dukën në hollin e jashtëm të hotel turizmit “Apolonia” në Fier. Në mënyrë të beftë dy ministrat e jashtëm, Papouliasi dhe Malile, sapo dualën në holl, u ndodhën në një dare të forte “rrethimi” nga më shumë se 40 gazetarë grekë. Gazetarët këmbëngulnin në një pyetje të vetme: Sipas informacionit që ata kishin marrë, rrezultonte se Shën Kozmait i mungonte një eshtër. Ku ishte ajo?
Pyetja u drejtohej dy ministrave të jashtëm, pa specifikuar se për cilën eshtër bëhej fjalë, kur dihej që këtyre eshtrave u mungonte koka. Reis “Malile po rrekej të shpjegonte se që nga vdekja e Shën Kozmait kishin kaluar më shumë se 200 vjet e gjatë kësaj kohe kishin ndodhur edhe mjaft ndryshime të rrjedhës së lumit e transformime të releivit. Gjirthashtu edhe varri kishte ndryshuar disa here për shkak të rrjedhës së lumit Seman, i cili kishte ndryshuar shtrat, duke gjarpëruar here nga njëri krah e herë nga krahu tjetër.
Por gazetarët ishin të pakënaqur nga përgjigja. Duket ata prisnin përgjigje tjetër. Dara sa vinte dhe ngushtohej rreth dy ministrave. Atëhere me qetësi të plotë e mori fjalën Papouliasi.
“Zotërinj” tha ai “Ju e dini se programi ynë është mjaft i ngjeshur. Dhe këtë më mire nga të gjithë e kuptoni dhe e vlerësoni ju gazetarët. Ndërsa përsa i përket pyetjes tuaj, duhet të dini se ajo eshtër ka qenë dhe mbetet në token tone.”
Me të shprehur fjalën e fundit, gardhi i gazetarëve u ça si me urdhër. Delegacioni vijoi rrugën e tij për të kryerë edhe vizitën e fundit të programuar: Drejt Përmetit, në varrezat e të rënëve grekë gjatë luftës së dytë botërore.
Edhe pse pala shqiptare nuk reagoi ndaj kësaj deklarate të dyshimtë, ne mbetëm të shokuar, duke parë njëri tjerin në sy, por pa guxuar të thoshnim ndonjë fjalë. Kompetencat tona ishin të kufizuara.
Kozmai nga Etolia shënjtor , apo misionar?
Tashmë, pas më shumë se 20 vjetëve, shohim sinkronizimin e plotë të veprimtarisë së Shën Kozmait me shprehjen e Papouliasit se “eshtrat e tij janë në tokën tone.” Për cilën tokë bëhet fjalë? A mos vallë moskërkimi i eshtrave të Shën Kozmait ka lidhje me traditën e vjetër ballkanase, se atje ku ka varrin i vdekuri, atje është edhe kufiri ndarës ndërshtetëror?
Që këtej dalin edhe mjaft pika kontakti të Kozmait nga Etolia me atë veprimtari shumë shekullore të disa qarqeve greke për të ashtuquajturën autonomi të Vorio-Epirit e pretendimet greke për disa zona jugore në kufirin shqiptaro-grek. Nga shumë këndvështrime nuk është e vështirë të arrihet në përfundim se edhe Kozmai nga Etolia, më shumë se sa shënjtorë duhet të ketë qenë një misionar grek, që ka punuar nën petkun e murgut shetitës për të realizuar qellimin e zgjerimit të kufirit grek deri në rrjedhën e lumit Shkumbin.
Lidhur me këtë përfundim do t’u referohemi disa momenteve kryesore të shtjelluara më lart.
Biografët grekë theksojnë se Kozmai nga Etolia ka bërë shumë përpjekje për të hapur qindra shkolla greke deri në thellësi të tokës shqiptare. Këtë e theksoi në fjalën e tij edhe vetë ministri i Jashtëm grek, Papouliasi, gjatë vizitës së tij në kishën e Shën Kozmait, kur kishin kaluar më shumë se 200 vjet nga vdekja e tij, me shprehjen se “ai i ka eshtrat në token e vetë”. Ky sinkronizim i të njëjtës linjë nuk është pa qëllim, duke provuar se Kozmai punonte jo thjeshtë për të hapur shkollat greke. Jemi në ato vite kur si populli grek, ashtu edhe ai shqiptar, ishin nën sundimin e Portës së Lartë dhe nëse Kozmai nga Etolia do të luftonte për të hapur shkollat greke thjesht në teritorin helen, atëhere meritat e tij në shërbim të popullit të vetë do të ishin të padiskutueshme. Por fakti që ai të gjithë veprimtarinë e tij e ka përqëndruar përgjatë kufirit greko-shqiptar deri në thellësi të tokës tonë, hedh shumë hije dyshimi për shënjtërinë e tij.
Eshtë fakt që Kozmai u jepte përparësi ngritjes së shkollave greke edhe duke prishur kishat. Shëmbulli më tipik është shënuar në Himarë, kur në vitin 1777 vetë Kozmai prishi kishën dhe në vend të saj ngriti një shkollë greke. Duket ai e kishte kuptuar se vlera e një shkolle ishte shumë herë më e madhe se vlera e një kishe për helenizimin e një populli me kombësi jo greke. Në fund të fundit kishat shërbejnë vetëm si faltore, ndërkohë që shkollat kanë vlera të pallogaritshme për të ardhmen e një kombi. Ky veprim nuk është gjë tjetër, vç refleksion i parimit “ më parë agresion kulturor e më pas pushtim ushtarak”. A nuk u veprua kështu edhe pas 250 vjetëve kur në Himarë, në mënyrë tinzare, u ngrit shkolla greke, edhe pse popullsia në këtë krahinë është autoktone shqiptare?
Vetë biografët e shumtë grekë e pranojnë njëzëri se Kozmai nga Etolia shërbeu për më shumë se 35 vjet si një murg shetitës. Ai nuk u emërua as në detyrën e priftit nga Patriarkana e Stambollit, nga varej kisha greke. Ai nuk u ngarkua të shërbente as edhe në një kishë ortodokse, qoftë në lindje, qoftë në perëndim. Pyetja është mjaft e thjeshtë: Cili ishte misioni i këtij murgu shetitës, ndërkohë që kishat deri vonë, edhe në Shqipëri, ndjenin mungesën e priftërinjëve? Deri më sot askush nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje.
Në shumë raste Kozmai, siç pranojnë biografët e tij, nuk pranohej për të psallur lutjet e tij në disa vende, përfshi këtu edhe qytetet greke. Për më shumë ai ka qenë i survejuar si një person i dyshimtë, jo vetëm nga Porta e Lartë, por edhe nga autoritetet ruse e ato veneciane. Do të mjaftonin vetëm këto fakte që mbi atë të binin shumë hije dyshimi për aktivitetin e tij si misionar i një qëllimi jo thjeshtë fetar. Këto dyshime kanë çuar edhe në acarimin e Kozmait me vëllanë e tij, i cili në atë kohë shërbente në një postë të lart të hierarkinë kishtare ortodokse.
Po kështu fakti që Kozmai i merrte porositë vetëm nga patriaku i Stambollit dhe nga askush tjetër, është mjaft domethënës për të vënë në dukje se ai vinte në Shqipëri me një mision të veçantë e tepër sekret.
E së fundi duhet pranuar se Kozmai nga Etolia ishte i gatshëm të jepte edhe jetën në tokën shqiptare. Biografët theksojnë se kur njerzit e Kurt Pashës i komunikuan vendimin për ta ekzekutuar, ai u ndje shumë i gëzuar që do të varrosej në këtë vend. Edhe me këtë fakt dëshmohet se Kozmai ishte i vetëdijshëm se varri i tij do të shënonte kufirin me shtetin grek, ashtu siç kanë pretenduar me shekuj qarqet më shoviniste në shtetin fqinj. A nuk e dëshmoi këtë edhe vetë delegacioni grek, i cili nuk artikuloi asnjë kërkesë për të marrë eshtrat e tij? Një gjë të tillë nuk e kanë bërë as qeveritë e mëpastajme greke, ndërkohë që dihet se për personalitete të spikatura interesimi i qeverive përkatëse është shumë i madh për t’i marrë ato në vendin e tyre të lindjes.
Të gjitha këto, qoftë edhe duke i vlerësuar të ndara nga njëra tjetra, do të mjaftonin për të hedhur hijen e dyshimit se cili ishte Kozmai nga Etolia, të cilin duhet pranuar se vetë populli i zones së Myzeqesë e ka respektuar sa ishte gjallë dhe e përjetësoi “të shënjtë” pas vdekjes së tij.
Ndoshta edhe për këtë do të duhen më shumë studime e hulumtime në arkivat e kohës.
Dikur greket derguan shen gozmain dhe sot atulaton.