Presidenti Thaçi: Me çdo kusht do t’i ruajmë marrëdhëniet me SHBA-në/
-Komunikata nga Presidenca e Kosovës për takimin me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në/
PRISHTINË, 27 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot kanë zhvilluar një takim me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, si dhe me drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley.Komunikata e dërguar në mbrëmje nga Presidenca bën të ditur se, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj me zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, John Erath dhe Brad Berkley, kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në.“Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin sa më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, ka thënë presidenti Thaçi./b.j/
-“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha në takim kryeministri Haradinaj/
PRISHTINË, 27 Shkurt 2019- Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë, në Presidencën e Republikës së Kosovës, sot pasdite përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, janë takuar së bashku me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Komunikata për media e dërguar mbrëmjen e sotme nga Qeveria thekson se, kryeministri Haradinaj në takim ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.
“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, ka theksuar se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./b.j/