New York më 16 Qershor 2022 – Shpëtim Axhami Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit i shoqëruar nga përfaqësuesit më të lartë të Legalitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Ndrecë Gjergji dhe z.Sokol Kupi nipi i Gjeneral Abas Kupit vizituan Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ata u pritën nga Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu dhe Editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes zonja Veliu i falenderoi miqtë legalistë për punën në dobi të çështjes kombëtare dhe bashkëpunimin historik me Federatën Vatra. Kryetari i PLL z.Axhami theksoi rolin e Vatrës në retrospektivë të 110 vjetorit të themelimit, të rolit të Diellit si regjistër historik i shqiptarëve të Amerikës dhe përpjekjes së patriotëve të ndershëm vatranë për çështjen kombëtare. “Ne do ta mbështesim përherë Vatrën. Çdo shqiptar është krenar me historinë dhe rolin e Vatrës e Diellit. Vatra përfaqëson krenari kombëtare dhe identitare. U jemi falenderues për gjithçka që paraardhësit tuaj kanë dhënë për kombin tonë në histori dhe juve sot për përpjekjet që po bëni çdo ditë për ta mbajtur të gjallë flakën e dashurisë për atdheun dhe njëri-tjetrin” përfundoi z.Axhami. Në fjalën e tij legalisti 87 vjeçar Ndrecë Gjergji kujtoi bashkëpunimin historik të Vatrës me legalistët dhe Mbretin Zog. Ai solli në vëmendje figura të larta të Diellit e Vatrës për përkushtimin e tyre dhe devotshmërinë me të cilën punuan gjithë jetën për çështjen kombëtare.