NGA EUGJEN MERLIKA/
11 korriku, me votimin “bullgar” të reformës së drejtësisë, duket se qe një përjashtim i rrallë. Kryetari i Shtetit, të cilin reforma e detyron të propozojë emrat e gjyqtarëve që do t’i nënështrohen vetingut, tregohet i shqetësuar, mbasi i mungojnë dekretet plotësuese të ligjit për reformën. Për pasojë nuk din se çfarë kriteresh duhet të zbatojë për caktimin e atyre emrave. Kryetari i komisionit për reformën, i cili duhej t’i kishte gati, në vija të përgjithëshme, ata dekrete, mbasi ka gati dy vjet që merret me atë punë së bashku me bashkëpuntorët e tij, duket si i shastisur nga “zbulimet” e Opozitës mbi veprimtarinë e vëllait të tij. Simbas saj, ai ishte i prekur nga një mandat arresti, i lëshuar nga organet e drejtësisë të Venezuelës, një Vend model i sprovës së fuqisë shkatërruese të ideve komuniste, të cilat në pak vite janë t’afta të katandisin në gjëndje urije edhe shtetin më të begatë të Amerikës Latine.
Opozita e cila, mbas shumë dredhash jo vetëm politike e juridike, për ndonjë çështje edhe me të drejtë, si pasojë e trysnisë së pashembullt për logjikën e thjeshtë të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në çastet e fundit t’asaj dite “historike”, pranoi “konsensusin” e votoi njëzëri reformën. Ajo votë u përshëndet meentuziazëm nga të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, duke krijuar idenë se, më së fundi, mbas një të katërt shekulli dështimesh në zbatimin e ligjëshmërisë, veçanërisht në fushën gjyqësore, u krye hapi i nevojshëm që do të bëjë Shqipërinë një shtet të së drejtës, në të cilin korrupsioni dhe paligjshmëria nuk do të kenë më të drejtë qytetarie. Duket si njëëndërr sa e bukur, po aq e vështirë për t’u besuar, edhe se nunët e saj në pagëzim janë ambasadorët e SHBA dhe BE.
Pa u thelluar në këtë rast n’arsyet, rrethanat apo motivet që sollën në këtë gjëndje të rëndë të drejtësisë e politikës shqiptare, që bëri të domosdoshme jo bisturinë, por sëpatën e shteteve perëndimore e që e kanë burimin në strategjinë e fshehtë të tjetërsimit të sistemit, të hartuar në fjalimin famëkeq të Ramiz Alisë në byronë politike të PKSH, në tetor 1989, një farë mosbesimi, përsa i përket rezultateve të pritëshme, bëhet i detyrueshëm. Për të krijuar besimin duhet një zotim i përgjithshëm, jo thjesht për të dënuar ndonjë gjyqtar qëështë pasuruar me ryshfetet e marra për të dhënë vendime të padrejta, por për të ndryshuar mendësinë zotëruese të këtyre viteve, të përmbledhur në moton “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”, me të gjitha mjetet e mënyrat për t’u vënë në jetë. Por çfarë besimi mund të frymëzohet nga ata që e përqafuan me bindje dhe e bënë synimin kryesor të veprimtarisë së tyre postulatin e Ramiz Alisë, të cilët sot veshin qyrkun e “reformatorit”, për t’u ligjëruar në sytë e përfaqësuesve të SHBA apo të BE ?
Ai zotim kërkon një minimum bashkërenditje të bindjeve e veprimeve, një minimum respekti të ndërsjelltë. Në kundërshtim me këtë kërkesë tënevojshme, jemi të pranishëm në një garë të shfrenuar padish të ndërsjellta, të cilat shprehen pothuajse çdo ditë, jo vetëm nga zëdhënësit, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të PD apo PS, në moskokëçarjen e përgjithëshme të institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë këtu edhe prokurorinë. Simbas padive të PD, qeveria shqiptare, kryesisht Kryeministri Edi Rama dhe ministri Tahiri, janë vetëm “baronë të drogës” të cilët, nëpërmjet sejmenëve të tyre në funksione tëndryshme, kryesisht n’organet e rendit, e kanë kthyer Shqipërinë në një mori plantacionesh me kanabis, nga shitja e të cilit nxjerrin fitime përrallore. Një realitet i tillë do t’i bënte t’u dridheshin eshtrat në varre të gjithë atyre që, njëqind vjet më parë, u munduan të krijonin Shqipërinë e pavarur.
Pohimet e ditëve të fundit të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, apo të kreut të departamentit të sigurisë t’asaj partie, Enkelejd Alibeja, të mbushura me shifra e me emra, edhe sikur t’ishin 50 % të vërteta, duhet të ngrinin në këmbë të gjithë shqiptarët, duke filluar nga Kryetari i Shtetit tek qytetari më i thjeshtë, përfshirë edhe oganet e drejtësisë. Imazhi i një shteti, në të cilin Kryetari i Qeverisëështë pronar i paligjshëm i tokave të mbjella me kanabis që çohet fshehtas n’Evropë, jo vetëm duhet të jetë i papranueshëm për secilin shqipfolës, kudo që të ndodhet, por duhet të bëhet një problem edhe për organizmat ndërkombëtare si NATO apo BE, me të cilat ajo qeveri mban lidhje.Ҫuditërisht nuk vërehet asnjë lloj kundërveprimi dhe kjo gjë më duket e papranueshme.
Imazhin e Shqipërisë mundohen t’a ruajnë të pastër qindra mijra qytetarë në territorin e saj, apo në botën e madhe. Nuk kanë të drejtë Lulzim Basha, Edi Rama, Edi Paloka, Saimir Tahiri, apo kolegë të tyre të politikës t’a përdhosin para shqiptarëve e para botës.Organet e Prokurorisë dhe Kryetari i Shtetit, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kanë për detyrëmorale dhe shtetërore të nxjerrin të vërtetën në shesh. Nuk duhet ndonjë gjë e veçantë për të zbuluar se ku qëndron kufiri mes së vërtetës dhe gënjeshtrës në këtë batërdi akuzash e në këtë mori përbaltjeje, jo vetëm të personave të zënë në gojë, por edhe të emrit të vetë Shqipërisë. Heshtja dhe moskokëçarja, si i tyre ashtu edhe i shoqërisë civile, janë një barrë e rëndë në ndërgjegjen e secilit. Nëse janë të vërteta pohimet e eksponentëve të lartë të PD, jo qeveria teknike që kërkon drejtuesi i saj, por dorëheqja e këshillit ministror e proçedimi simbas ligjit bëhen veprime të domosdoshme për t’u mëtuar nga shqiptarët. Nëse nuk janë të vërteta ata zotërinj duhet të paditen për shpifje kundër autoritetit të Shtetit e për njollosje të figurës së tij.
Në të mirë të imazhit të Shqipërisë, nuk duhet të ketë rrugë të mesme, aq më pak indiferentizëm e kthim koke nga ana tjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse politikanët tanë nuk e njohin aspak etikën e profesionit të tyre, sa që arrijnë në të tilla humnera poshtërimi, detyra e përbashkët kundrejt atdheut tonë dhe emrit të mirë të tij na detyron të mos jemi spektatorë të thjeshtë. Le shumë për të dëshëruar qëndrimi i kryeministrit dhe ministrave të tij kundrejt padive që u bëhen. Së pari ata janë qytetarë, të cilët, para akuzash “të paqena”, duhet të kundërveprojnë në përputhje me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë, ndërsa si njerëz me pushtet e kanë për detyrë që imazhin e tij t’a ruajnë të pastër. Mungesa e kundërveprimit apo të një të tilli shumë të vakët, kundrejt padive, tërthorazi i ligjërojnë ato. Habit fakti që ministri i brëndshëm “indinjohet” nga një shprehje pa rëndësi që një deputete i drejton një polici rrugor, por nuk kundërvepron aspak ndaj akuzave që i bëhen atij vetë si njeri i lidhur me krimin e organizuar, madje si pjestar e drejtues i tij!!!
Në këtë amulli idesh, qëndrimesh e veprimesh, në këtë atmosferë helmi, kundërshtie e guerriljeje politike, vihet në mëdyshje e gjithë ecja jonë drejt synimeve evropiane që, fatmirësisht, mbeten të pranuara nga të gjithë segmentet e jetës politike e nga shumica dërmuese e qytetarëve. Temperatura e lartë e kësaj fund vere politike çorodit mëndjet, sa që arrihet në veprime të njëanëshme e të pajustifikuara, si nga ana logjike ashtu edhe institucionale, siç ishte rasti i shpalljes si “i paligjshëm” nga ana e PS i dekretit të Presidentit për rivotimin e kryetarit të bashkisë së Peshkopisë.
Në këtë vorbull politike që nuk duhet të pengojë veprimtarinë e Kuvendit në plotësimin e reformës në të gjitha shtojcat e saj, deri në fillimin e zbatimit praktik, bie në sy aktivizmi i përshpejtuar i Kryetarit të PD, që “paralajmëroi dje nxitjen e revoltave popullore në rast se maxhoranca nuk do të pranojë kushtin e Opozitës për krijimin e një qeverie teknike”. Z. Basha edin mirë se një qeveri, në një Vend demokratik, ndërrohet kur nuk ka më votbesimin e parlamentit, gjë që tani për tani nuk është e vërtetë. Sigurisht Opozita e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha rrugët e mundëshme ligjore për të fituar dhe akuzat e përditëshme që i bëhen Qeverisë, mund të jenë një bazë e fortë për të kërkuar ndryshimin e saj. Ato padi nuk më duket se përbëjnë ende “pisqollën tymëse”, që do t’a vinte me shpatulla për muri kryeministrin, jo për peshën e tyre të padiskutueshme, por për vërtetimin e fakteve që paraqiten. Deri sa të mos ketë një pohim të organeve të Prokurorisë, që do të vërtetonte paditë e PD-së, Basha nuk duhet të mobilizojë masat e përkrahësve të tij në veprime që joo vetëm do të krijonin njëmjedis të panevojshëm për çastin, por do të krijonin një preçedent që nesër mund të kthehej kundër tij, në hamëndjen e një fitoreje të mundëshme të zgjedhjeve t’ardhëshme.
Mendësia e shtrëngimit të ngjarjeve nëpërmjet të logjikës së forcës, në një formë apo një tjetër, e cila ka kushtëzuar pjesën dërmuese të jetës politike të Shtetit të pavarur shqiptar, nuk duhet të jetë ende zotëruese në kohën tonë. Shqetësimi për të patur “zgjedhje të lira e të ndershme” është më se i ligjshëm, e duhet të jetë i tillë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Fakti që ende mbas 25 vjetësh ne nuk kemi arritur t’i kemi normale ato, tregon sa të vonuar jemi në proçesin e ndërtimit të demokracisë sonë. Në këtë drejtim ka mjaft për të bërë, duke filluar nga parimi i përbërjes së KQZ-së, që nuk duhet të jetë një organ politik me përfaqësues të caktuar nga partitë, por një institucion gjyqtarie e paanëshme e përbërë nga juristë, në vartësi të Kryetarit të Shtetit apo të Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon të parit, mendoj se është e domosdoshme të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së tij, duke kaluar në votimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve, për t’a paisur atë me autoritetin e duhur e të pakushtëzuar në ushtrimin e tagreve të tij. Madje në zgjedhjen e tij duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata që jetojnë jashtë shtetit, të cilët duhet të kenë të drejtën të paraqesin edhe kandidatët e tyre, pa kufizimet që politika shqiptare i ka vënë diasporës në këta vite.
Dihet se politika nuk është një vazo e artë ku jetojnë idealet, por një kazan ku vlojnë interesat, por mbi to duhet të ketë një synim të përbashkët për cilindo që merr rrugën e saj : përfytyresa e Atdheut, ideja e paraqitjes së tij në bashkësinë e Kombeve. Asaj ideje duhet t’i kushtojmë të gjithë një pjesë të shqetësimeve, të përpjekjeve, të vullnetit, të veprimeve tona.
Gusht 2016