• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Loja e diellit për mbrojtjen e qiellit shqiptar

August 30, 2021 by s p

Nga Nue Oroshi /

Rrezatimi i diellit shpeshherë përzihet me retë e zeza që shpërndahen në një lartësi të vogël qiellore, për ti ndalur njerëzisë rrezet e diellit. Pa rrezet e diellit njerëzia është e boshatisur dhe e ftohur nga akullnajet e ftofta që për shkak të ndërrimeve klimatike kanë filluar shkrirjen.Sikur në notimin e qiellit që i le në heshtje planetët e tjera kur i lëshon në thellësinë e Tokës, rrezët e diellit. Njerëzia fillojnë lojën e sirenave pa e parë fare vetëdijësimin dhe pa i futur në levizje shqisat e ndëgjimit dhe të pamjes që janë ndalur për një moment pranë panteonit magjik. Sikur rrezet e diellit të kishin depërtuar më herët në qiellin shqiptar, toka shqiptare do ta kishte shkëlqimin e duhur. Por këto rreze nëpër periudha të ndryshme historike i penguan pushtuesit e ndryshëm të cilët na sollën prapambeturinë dhe na e lanë pa e rrezatuar Shqiptarinë. Në pshtjellimin e mbështjellësit magjik të trurit diçka nuk është duke funksionuar gjatë lëvizjeve shqiptare të cilat po e fillojnë me proklamimin e kombtarizmit e po përfundojnë në prehrin e ish pushtuesve. Pa i ndërruar rolet politikanët shqiptar po lëvizin nëpër ujërat e turbullta thua se karrika e pushtetit po i prishë pushtetarët.Jo ata nuk i prishë karrika e pushtetit por lakmia për famë e pasuri.Loja e diellit për mbrojtjën e qiellit i ka pshtjelluar lëmshin e trurit thua se e vërteta po ngec dhe nuk po ka fare hapësirë përkundër të pavërtetës. Një dallim i madh ekziston në mes të mitit dhe realitetit. Një shoqëri që jeton me mite ende nuk e ka zgjidhur çështjen e të qenurit komb apo shtet. Kombet dhe shtetet moderne nuk bazohën në mite por në ngjarje reale historike.Historia duhet të shkruhet sikur se ka ndodhur jo sikurse kanë dëshirë politikanët te këtë ndodhur që ende janë në ndikimin e miteve dhe mitologjisë.E vërteta për të ekzistuar sipas parimit të së vërtetës historike i qon kombët përpara.Edhe ne shqiptarët duhet të mësohemi ta shkruajmë historinë me forcën e argumentit, të lëmë mitet dhe mitologjitë se ato asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e orientimit të shqiptarëve.Nga pamja apo këndveshtrimi i përpjekjeve ne mes të modernes dhe ruajtjes së një realiteti intelektuali duhet ta zgjedh ruajtjën e realitetit për të vendosur bazat e një realiteti modern në shoqëri. Çdo shoqëri e cila nuk e ka një piksynim se ka duhet te shkon dhe kah e ka të vendosur busullën e orientimit është shoqëri e cila është e humbur në shkretëtirë. Humbja në shkretirë pa e gjetur orientimin përmes busullës i ngjanë nxënjes së “kalikagjës” kur binin dikur mjegullat e mëdhaja në trojet shqiptare dhe kur nuk shihej në dy metra. Atëherë nuk kishte as diell dhe nuk shihnim as qiell. Loja e diellit për mbrojtjën e qiellit  i jep shkëlqim rrezeve të dritës të cilat janë duke ecur përmes metodës ngre e mos këput. Mësimi për të arritur plleshmërinë në veprime nuk i ngjanë atij modeli për të cilin flasim por i ngjanë punës se çka bëjmë dhe si veprojmë. Sa herë që në ironinë e fatit lidhen penjët me një nyje të fortë gjithmonë dalin djem dhe vajza të cilat i zgjidhin nyjën e perit e cila nyje nuk ka te bëj më nyjën e plleshmëris por ka të bëj më nyjën e dashurisë qiellore toksore,detare e malore për dheun e mëmëdheut apo atdheut. Këtu mbyllet loja e diellit për mbrojtjen e qiellit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Loja e diellit, Nue Oroshi, politika shqiptare

HESHTJA E POLITIKËS SHQIPTARE QË RIVRET TË ZHDUKURIT E DIKTATURËS KOMUNISTE

August 23, 2021 by s p

Nga Dr. Besim NDREGJONI

23 gushti është “Dita e Shiritit të Zi(Black Ribbon Day) dita zyrtare europiane e kujtesës së krimeve të stalinizmit, komunizmit, nazizmit, dhe fashizmit!  Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit  me ato të fashizmit si krime kundër njerzimit. Europa çdo 23 gusht kujton dhe nderon krimet e komunizmit të fashizmit. Politika shteterore shqiptare përdor Harresën! Harresa është fenomeni që nuk i shërben paqes , lirisë, por diktaturës. Duhet ta pohojm  me keqardhje se gjatë tre dekadave ndaj krimeve të komunizmit, politika shterore ka heshtur,  dhe më e keqja  politika ka tentuar, vazhdon të tentoi e shtrembëroi çeshtjen e viktimave të komunizmit , sipas interesit dhe trillimeve të çastit duke bërë premtime, por asnjë vullnet  as dëshirë  për tu përballur  me të  kaluarën komuniste , as me krimet e regjimit Stalinist  të Enver Hoxhës.Jemi mësuar me talljet , me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe , të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikës shqiptare post tranzicjon. Fatkeqësisht garda e vjetër komuniste  me mentalitetin e sundimit , ka mbizortuar  për tridhjet vjet shqiptarët në këtë tranzicjon sa të vështirë por dhe të pështirë nga ata që drejtuan politikën e tranzicionit. A mund të ndihen të qetë shqiptarët në këtë ditë kujtese europjane ku mbi 5000 shqiptarë janë pushkatuar dhe  ju janë zhdukur kufomat. Dhe këto kufome janë hedhur në  lumin e Drinit  të Kirit janë baltosur në Maliq, Beden, Burrel, Gjirokastër, 300 fëmijë kan vdekur urie në kampin famkeq të Tepelenës, dhe jan zhdukur në Vjosë. Në vijën kufitare, vriteshin djemte e rinj, dhe ju zhduknin kufomat. Sot nuk flitet në Shqipëri,si në europë dhe të kujtohen e  nderohen viktimat. Shqipëria nuk ka ditë kujtese si Europa me gjithë bilancin tragjik të krimeve komuniste që i jan ba popullit shqiptar nga regjimi  komunistë, përkundrazi politikanët shqiptar janë të qetë, respektojnë xhelatët, ju japin pensione maramendse, familjet e të zhdukurve i kan degdisur nëpër bote. Shtypi shqiptar gazetat nuk meren me sakrificat sublime të të zhdukurve, por me hartimet e shkarravinat mbi jetën e diktatorit dhe bisedat e tij me xhelatet se si të  mbante sundimin e tije me krime.”Pushteti politik” i vendosun në pluralizëm  ka tradhtuar  njënën nga detyrat ma themelore të qeverisjes: Zbatimin e drejtsisë kundra krimit komunist. Në këtë pike nuk ka vend diskutimi. Ne respektojmë reformën në drejtsi dhe Sh.B.A. se shteti amerikan e nderon dhe e kujton 23 gushtin, kurse Shqipëria nuk i bashkohet Europës por kremton ditën që u vendos regjimi gjakatar i diktatorit Enver Hoxhës. Dhe sot nga kjo ditë kujtese i bëjmë thirrje Ambasadores Yri Kim, drejtsia të filloi me krimet makabre të komunizmit.Me leju kriminelët komunistë të jetojnë pa dhane llogari të krimeve monsturoze që kan kryer mbi popullin shqiptar don të thotë me mohu ekzistencën e këtyre krimeve, don të thotë se nuk ka pasur rezistencë antikomuniste, nuk ka pasë të arrestuar të torturuar, statistikat janë në arkivën e shtetit 36.000 shqiptare të denuar si kundërshtarë politikë të regjimit. 50.000 familje të internuar për motive politike,  mbi 7000 të pushkatuar për motive politike, mbi 5000 shqiptarë tëpushkatuar e  zhdukur kufomat. Kjo don të thotë me mohuar vuajtjet e familjeve tona që u shtypën pa mëshirë. Kjo don të thotë me mohuar sakrificat e nanave, motrave , bijave , bashkshorteve tona, të femnës shqiptare që i dha dimensionin  ma fisnik rezistencës sonë antikomuniste. – don të thotë të zhytesh në botën e krimit , ku gjithçka lejohet dhe askush nuk përgjigjet.Eshte vonë ti hetojmë e gjykojmë kriminelët komunite thonë politikanët shqiptar, ju sjellim në vëmendje se jo më larg se me 2 gusht 2021  prokuroria gjermane konfirmoi se do të nis proçesin gjygjësor ndaj një roje të një kampi përqëndrimi nazistë. Roje i thjesht jo komandant, sepse komandanteve u a ka dhënë faturën me kohë.  Roja është  100 vjeç. Për  gjermanët dhe europianët  nuk është vonë,  dhe krimineli që kreu krime kundra njerzimit nuk është kurrë plak. Është kriminel dhe duhet denuar. Nuk e  bëjnë për hakmarrje, as denazifikim, por për drejtsi. Retorikat e dekomunistizimit shqiptarve që provuan krimin komunistë , nuk ju mjafton, as hartimet që i bëjnë këta politikan shqiptar 30 vjecar, nëpër rrjete sociale duke u deklaruar si europian me statuse dhe jo me ligje. Krimet kan autoret e vrasjeve nga njeriu para se ti denoi Zoti. Drejtsia do ta ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë  po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq  me emrime  në majat e pushtetit. Sot kjo ditë kujtese europiane,  na obligon se duhet një strukture e re  e posaçme  si ajo në Gjermani në vitin 1958  dhe e ka fuksionale dhe sot,  për të hetuar  e ndjekur penalisht si kriminelët naziste dhe komuniste. Jo me Spaka e struktura drejtsie që marrin urdhëra politike. Duhet future thellë bisturia e drejtsisë   në ndërgjegje.Sot kjo dite detyron që të gjinden eshtrat e të zhdukurve, dhe jo institucjone shtetrore formale marrin qindra mijra euro dhe mjaftohen me një seminar, sikur po kërkojne eshtrat. Sot kjo ditë kërkon të ngrihet në Tiranë parcela e të zhdukurve të komunizmit, të caktohet dita e kujtesës siç ban Europa. Detyra e shtetit shqiptar, është ti tregoi të vërtetën e krimit komunist brezave që nuk e dine, Drejtsia shqiptare të penalizoi ligjërisht autoret e vrasësve, dhe kujtesa të ruhet si shenjtëri ndaj martirve dhe të zhdukurve.! Dhembja do të jetë më e forte se konvulsioni periodic  në ditën e përkujtimit të martirve por do të jetë një dhembje që na ndan forte. Shqiptarët që besuan tek vlerat e lirisë,  dhe ata që kan paturpësinë të mbrojnë kriminelët  dhe krimet e komunizmit, duke i glorifikuar  apo përdorur  me metoda  moderne  duke i relativizuar. Atë ditë që martirët do të fitonin drejtsinë , Shqipëria ka fituar lirine dhe paqen! Harresa rivret çdo ditë martirët.

Dr. Besim NDREGJONI

Filed Under: Opinion Tagged With: Besim Ndregjoni, diktatura, politika shqiptare

A po fillon një epokë e re post kësaj klase politike?

March 8, 2018 by dgreca

1 skender_mulliqi-1

Nga Skender Mulliqi/

Kosova po hyn  në epokë të re të post kësaj klase politike .Një klase politike e cila nuk i realizojë  gadi as kerkesat elementare të qytetarëve, dhe besimin dhënë ,një klase politike e cila u zhyt në krim të organizuar dhe korrupcion , në keqpërdorime , në pasurim të pa ligjshem…Gjatë këtyre viteve të fundit partitë  janë duke përjetuar kriza të thella edhe strukturore .Qendruan gjatë në pushtet dhe shumë gjatë  nuk punuan mirë  .Bëhët fjalë për keqpërdorim të pozitës, për keqperdorime të buxhetit, për mos zhvillim ekonomik, për mos avansim të proceseve demokratike.Përsonat e caktuar në hiearkinë më të lartë shtetërore e partake u pasuruan në menyrë marramandese në kurriz të qytetarëve ,të cilët po përjetojnë ditë dhe netë shumë të vështira ekonomike -sociale , të sigurisë ,  krizë morale e kriza të tjera.Praktikisht këta u tregun lojtarë të dobët politikë, u treguan së janë lakmitarë për pushtet apsolut si në komunizem.Punuan më shumë për vete, për familjët e tyre , për militanë partiakë …Këta nuk e meritojnë më  të jenë në eshalonin e parë politik.Disa duket së shpejt do të  largohen nga pozitat e larta qe i kan .Shumë kënd e ka kapur frika së kur të largohen të fuqishmit nga pushteti, nuk do të kënë më mundësi të qendrojnë në pozitat e larta shteterore e partake .Si pozita ashtu edhe opozita ia ruajtën mirë shpinën njera -tjetrës.Opozita në fakt është për ta kontrolluar punën e pozitës për këtë gjë nuk e bëri mirë .Dhe, natyrisht kur nuk kemi opozitë të fortë pushteti vrapon pas keqpërdorimeve ,pas realizimit të interesave individuale.Këta nuk besuan në demokraci dhe as në pluralizëm. Gjendja në shoqëri dhe rruga nëpër të cilën po kalon është bërë rrugë e mbushur më plotë rreziqe. Nuk është veshtirë më deshifru situaten pse kemi një shumicë që po jetojnë në varfëri.

Votuesit nuk i kan menduar mirë punët , duke i votuar rregullisht strukturat e njejta partiake të cilat struktura si bartëse të pushtetit që ishin, qytetareve si kundëshpërblim për  besimin e dhënë , u dhan pak më shumë së një kore bukë! I lanë shumë familje më kuleta të zbrazëta, më frizhidera të zbrazët, I lanë më valigje të gatshme për ta braktisur vendin, duke mos i llogaritur këtu afër 20 përqind të popullatës të cilët po jetojnë sikur të ishin në Etiopi, e jo në zemer të Evropës.Nuk kemi drejtësi dhe as ligje të cilat po e mbrojnë ashtu si duhet  njeriun e thjesht të këtij nënqielli.Ata të cilët kan menduar së do të kemi shtet të rregulluar, të zhilluar,  jetë më të mirë , shumë keq janë mashtruar.Kjo gjendje mund të zgjat më shumë që dikush ka mundësi të prêt. Askush nuk po mendon që këtë klasë politike  ta dergon në Allkatrazin famkeq , por që të skajohën duke iu lëshuar rrugë forcave progresive sigurisht së po. Largimi i tyre vullnetarë    do të ishte akti më moral i tyre .Pushteti nuk është i përjetshëm për askënd në këtë botë, siq nuk është e përjetshme  as vet jeta. Shumë  nga këta njerëz në krye të politikës  i ka shkelë koha.Shpjegimi  për këtë është i panevojshem.Veprimet për të shpëtuar demokracia e cila po vdes janë bërë të ngutshme, sikur që janë  bërë të ngutshme ndryshimet për të mirë në këtë vend. Demokracia  dhe sistemi shumpartiakë pluralist janë  garë politike, e jo luftë, ku dominojnë para së gjithash vlerat, ku dominon e mira karshi të keqës …

Filed Under: Analiza Tagged With: ERE E RE, politika shqiptare, Skender Mulliqi

PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE POLITIKA SHQIPTARE

August 20, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

11 korriku, me votimin “bullgar” të reformës së drejtësisë, duket se qe një përjashtim i rrallë. Kryetari i Shtetit, të cilin reforma e detyron të propozojë emrat e gjyqtarëve që do t’i nënështrohen vetingut, tregohet i shqetësuar, mbasi i mungojnë dekretet plotësuese të ligjit për reformën. Për pasojë nuk din se çfarë kriteresh duhet të zbatojë për caktimin e atyre emrave. Kryetari i komisionit për reformën, i cili duhej t’i kishte gati, në vija të përgjithëshme, ata dekrete, mbasi ka gati dy vjet që merret me atë punë së bashku me bashkëpuntorët e tij, duket si i shastisur nga “zbulimet” e Opozitës mbi veprimtarinë e vëllait të tij. Simbas saj, ai ishte i prekur nga një mandat arresti, i lëshuar nga organet e drejtësisë të Venezuelës, një Vend model i sprovës së fuqisë shkatërruese të ideve komuniste, të cilat në pak vite janë t’afta të katandisin në gjëndje urije edhe shtetin më të begatë të Amerikës Latine.

Opozita e cila, mbas shumë dredhash jo vetëm politike e juridike, për ndonjë çështje edhe me të drejtë, si pasojë e trysnisë së pashembullt për logjikën e thjeshtë të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në çastet e fundit t’asaj dite “historike”, pranoi “konsensusin” e votoi njëzëri reformën. Ajo votë u përshëndet meentuziazëm nga të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, duke krijuar idenë se, më së fundi, mbas një të katërt shekulli dështimesh në zbatimin e ligjëshmërisë, veçanërisht në fushën gjyqësore, u krye hapi  i nevojshëm që do të bëjë Shqipërinë një shtet të së drejtës, në të cilin korrupsioni dhe paligjshmëria nuk do të kenë më të drejtë qytetarie. Duket si njëëndërr sa e bukur, po aq e vështirë për t’u besuar, edhe se nunët e saj në pagëzim janë ambasadorët e SHBA dhe BE.

Pa u thelluar në këtë rast n’arsyet, rrethanat apo motivet që sollën në këtë gjëndje të rëndë të drejtësisë e politikës shqiptare, që bëri të domosdoshme jo bisturinë, por sëpatën e shteteve perëndimore e që e kanë burimin në strategjinë e fshehtë të tjetërsimit të sistemit, të hartuar në fjalimin famëkeq të Ramiz Alisë në byronë politike të PKSH, në tetor 1989, një farë mosbesimi, përsa i përket rezultateve të pritëshme, bëhet i detyrueshëm. Për të krijuar besimin duhet një zotim i përgjithshëm, jo thjesht për të dënuar ndonjë gjyqtar qëështë pasuruar me ryshfetet e marra për të dhënë vendime të padrejta, por për të ndryshuar mendësinë zotëruese të këtyre viteve, të përmbledhur në moton “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”, me të gjitha mjetet e mënyrat për t’u vënë në jetë. Por çfarë besimi mund të frymëzohet nga ata që e përqafuan me bindje dhe e bënë synimin kryesor të veprimtarisë së tyre postulatin e Ramiz Alisë, të cilët sot veshin qyrkun e “reformatorit”, për t’u ligjëruar në sytë e përfaqësuesve të SHBA apo të BE ?

Ai zotim kërkon një minimum bashkërenditje të bindjeve e veprimeve, një minimum respekti të ndërsjelltë. Në kundërshtim me këtë kërkesë tënevojshme, jemi të pranishëm në një garë të shfrenuar padish të ndërsjellta, të cilat shprehen pothuajse çdo ditë, jo vetëm nga zëdhënësit, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të PD apo PS, në moskokëçarjen e përgjithëshme të institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë këtu edhe prokurorinë. Simbas padive të PD, qeveria shqiptare, kryesisht Kryeministri Edi Rama dhe ministri Tahiri, janë vetëm “baronë të drogës” të cilët, nëpërmjet sejmenëve të tyre në funksione tëndryshme, kryesisht n’organet e rendit, e kanë kthyer Shqipërinë në një mori plantacionesh me kanabis, nga shitja e të cilit nxjerrin fitime përrallore. Një realitet i tillë do t’i bënte t’u dridheshin eshtrat në varre të gjithë atyre që, njëqind vjet më parë, u munduan të krijonin Shqipërinë e pavarur.

Pohimet e ditëve të fundit të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, apo të kreut të departamentit të sigurisë t’asaj partie, Enkelejd Alibeja, të mbushura me shifra e me emra, edhe sikur t’ishin 50 % të vërteta, duhet të ngrinin në këmbë të gjithë shqiptarët, duke filluar nga Kryetari i Shtetit tek qytetari më i thjeshtë, përfshirë edhe oganet e drejtësisë. Imazhi i një shteti, në të cilin Kryetari i Qeverisëështë pronar i paligjshëm i tokave të mbjella me kanabis që çohet fshehtas n’Evropë, jo vetëm duhet të jetë i papranueshëm për secilin shqipfolës, kudo që të ndodhet, por duhet të bëhet një problem edhe për organizmat ndërkombëtare si NATO apo BE, me të cilat ajo qeveri mban lidhje.Ҫuditërisht nuk vërehet asnjë lloj kundërveprimi dhe kjo gjë më duket e papranueshme.

Imazhin e Shqipërisë mundohen t’a ruajnë të pastër qindra mijra qytetarë në territorin e saj, apo në botën e madhe. Nuk kanë të drejtë Lulzim Basha, Edi Rama, Edi Paloka, Saimir Tahiri, apo kolegë të tyre të politikës t’a përdhosin para shqiptarëve e para botës.Organet e Prokurorisë dhe Kryetari i Shtetit, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kanë për detyrëmorale dhe shtetërore të nxjerrin të vërtetën në shesh. Nuk duhet ndonjë gjë e veçantë për të zbuluar se ku qëndron kufiri mes së vërtetës dhe gënjeshtrës në këtë batërdi akuzash e në këtë mori përbaltjeje, jo vetëm të personave të zënë në gojë, por edhe të emrit të vetë Shqipërisë. Heshtja dhe moskokëçarja, si i tyre ashtu edhe i shoqërisë civile, janë një barrë e rëndë në ndërgjegjen e secilit. Nëse janë të vërteta pohimet e eksponentëve të lartë të PD, jo qeveria teknike që kërkon drejtuesi i saj, por dorëheqja e këshillit ministror e proçedimi simbas ligjit bëhen veprime të domosdoshme për t’u mëtuar nga shqiptarët. Nëse nuk janë të vërteta ata zotërinj duhet të paditen për shpifje kundër autoritetit të Shtetit e për njollosje të figurës së tij.

Në të mirë të imazhit të Shqipërisë, nuk duhet të ketë rrugë të mesme, aq më pak indiferentizëm e kthim koke nga ana tjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse politikanët tanë nuk e njohin aspak etikën e profesionit të tyre, sa që arrijnë në të tilla humnera poshtërimi, detyra e përbashkët kundrejt atdheut tonë dhe emrit të mirë të tij na detyron të mos jemi spektatorë të thjeshtë. Le shumë për të dëshëruar qëndrimi i kryeministrit dhe ministrave të tij kundrejt padive që u bëhen. Së pari ata janë qytetarë, të cilët, para akuzash “të paqena”, duhet të kundërveprojnë në përputhje me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë, ndërsa si njerëz me pushtet e kanë për detyrë që imazhin e tij t’a ruajnë të pastër. Mungesa e kundërveprimit apo të një të tilli shumë të vakët, kundrejt padive, tërthorazi i ligjërojnë ato. Habit fakti që ministri i brëndshëm “indinjohet” nga një shprehje pa rëndësi që një deputete i drejton një polici rrugor, por nuk kundërvepron aspak ndaj akuzave që i bëhen atij vetë si njeri i lidhur me krimin e organizuar, madje si pjestar e drejtues i tij!!!

Në këtë amulli idesh, qëndrimesh e veprimesh, në këtë atmosferë helmi, kundërshtie e guerriljeje politike, vihet në mëdyshje e gjithë ecja jonë drejt synimeve evropiane që, fatmirësisht, mbeten të pranuara nga të gjithë segmentet e jetës politike e nga shumica dërmuese e qytetarëve. Temperatura e lartë e kësaj fund vere politike çorodit mëndjet, sa që arrihet në veprime të njëanëshme e të pajustifikuara, si nga ana logjike ashtu edhe institucionale, siç ishte rasti i shpalljes si “i paligjshëm” nga ana e PS i dekretit të Presidentit për rivotimin e kryetarit të bashkisë së Peshkopisë.

Në këtë vorbull politike që nuk duhet të pengojë veprimtarinë e Kuvendit në plotësimin e reformës në të gjitha shtojcat e saj, deri në fillimin e zbatimit praktik, bie në sy aktivizmi i përshpejtuar i Kryetarit të PD, që “paralajmëroi dje nxitjen e revoltave popullore në rast se maxhoranca nuk do të pranojë kushtin e Opozitës për krijimin e një qeverie teknike”. Z. Basha edin mirë se një qeveri, në një Vend demokratik, ndërrohet kur nuk ka më votbesimin e parlamentit, gjë që tani për tani nuk është e vërtetë. Sigurisht Opozita e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha rrugët e mundëshme ligjore për të fituar dhe akuzat e përditëshme që i bëhen Qeverisë, mund të jenë një bazë e fortë për të kërkuar ndryshimin e saj. Ato padi nuk më duket se përbëjnë ende “pisqollën tymëse”, që do t’a vinte me shpatulla për muri kryeministrin, jo për peshën e tyre të padiskutueshme, por për vërtetimin e fakteve që paraqiten. Deri sa të mos ketë një pohim të organeve të Prokurorisë, që do të vërtetonte paditë e PD-së, Basha nuk duhet të mobilizojë masat e përkrahësve të tij në veprime që joo vetëm do të krijonin njëmjedis të panevojshëm për çastin, por do të krijonin një preçedent që nesër mund të kthehej kundër tij, në hamëndjen e një fitoreje të mundëshme të zgjedhjeve t’ardhëshme.

Mendësia e shtrëngimit të ngjarjeve nëpërmjet të logjikës së forcës, në një formë apo një tjetër, e cila ka kushtëzuar pjesën dërmuese të jetës politike të Shtetit të pavarur shqiptar, nuk duhet të jetë ende zotëruese në kohën tonë. Shqetësimi për të patur “zgjedhje të lira e të ndershme” është më se i ligjshëm, e duhet të jetë i tillë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Fakti që ende mbas 25 vjetësh ne nuk kemi arritur t’i kemi normale ato, tregon sa të vonuar jemi në proçesin e ndërtimit të demokracisë sonë. Në këtë drejtim ka mjaft për të bërë, duke filluar nga parimi i përbërjes së KQZ-së, që nuk duhet të jetë një organ politik me përfaqësues të caktuar nga partitë, por një institucion gjyqtarie e paanëshme e përbërë nga juristë, në vartësi të Kryetarit të Shtetit apo të Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon të parit, mendoj se është e domosdoshme të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së tij, duke kaluar në votimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve, për t’a paisur atë me autoritetin e duhur e të pakushtëzuar në ushtrimin e tagreve të tij. Madje në zgjedhjen e tij duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata që jetojnë jashtë shtetit, të cilët duhet të kenë të drejtën të paraqesin edhe kandidatët e tyre, pa kufizimet që politika shqiptare i ka vënë diasporës në këta vite.

Dihet se politika nuk është një vazo e artë ku jetojnë idealet, por një kazan ku vlojnë interesat, por mbi to duhet të ketë një synim të përbashkët për cilindo që merr rrugën e saj : përfytyresa e Atdheut, ideja e paraqitjes së tij në bashkësinë e Kombeve. Asaj ideje duhet t’i kushtojmë të gjithë një pjesë të shqetësimeve, të përpjekjeve, të vullnetit, të veprimeve tona.

Gusht 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE, politika shqiptare

POLITIKA SHQIPTARE KA QENË PËRRALLË…

November 29, 2013 by dgreca

NGA ZYBA HYSEN HYSA/

Ka kohë, që sipas analistëve të mirëfilltë dhe të opinioneve të ndryshme thuhet: “Populli është një hap para politikës…” gjë që edhe unë po këtë mendim kam dhënë duke heshtur, por pas zgjedhjeve të reja dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së re, më është krijuar ideja që politika të paktën e ka arritur hapin e popullit.

Që të japësh një mendim të tillë dhe ta publikosh atë, është përgjegjësi, por nëse ish kryeministri qe komunist me tesere partie në xhep e të instaluar diktaturën në tru, kryeministri i ri, Edi Rama është ndër demokratët e parë  e pse bir komunisti, por jo komunist, i rritur me frymën e re demokratike, me një shpirt artisti dhe me një kulturë të gjerë trashëguar nga familja, mendoj që ganxhat e diktaturës nuk ia kanë mbërthyer trurin si një komunisti të sprovuar siç ishte Sali Berisha, që për fatin e tij të keq dhe më shumë të popullit, ai nuk mund të ndryshonte si me sustë, por ai as që u përpoq të ndryshonte edhe pas kaq vitesh, se kompleksi i inferioritetit ndaj ndërkombëtarëve të bën gogël në dorën e tyre dhe kështu e pse koha është ajo që laton mendimet, transformon bindjet dhe nxit lindjen e ideve shoqëruar me fuqi të reja shpirtërore për realizimin e tyre, koha për të nuk ecte… e për pasojë eci mbi shina që nuk e dërguan në stacionin tonë…

Politika e viteve që shkoi qe llorë, pra ashtu siç përzihet bora me baltën (kështu i themi ne nga Librazhdi), ku nuk dallojnë më as bora, as balta dhe kjo politikë ka qenë një llorë që përzihej pandalshëm nga ish diktatura dhe ish antishqiptarët ndërkombëtarë.

Nëse do të ecë përpara vendi ynë e nën shembullin tonë, gjithë kombi, duhet që këtë vend ta udhëheqin të rinjtë me moshë dhe mendësi të reja demokratike, gjë që e shikojmë të pasqyruar tek përbërja e qeverisë së re me kryeministër Edi Rama.

“… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe…” (Demokraci…! Unë e dija…)

Unë kurrë nuk kam qenë e rreshtuar në asnjë formacion politik, por nëse një politikan, një parti politike, politika në përgjithësi, shqetësohet për hallet e popullit, sinqerisht, jo politikisht, apo për diplomaci, unë e ngre zërin deri në kupë të qiellit, që ta dëgjojnë të gjithë dhe të reflektojmë të gjithë, të mbështesim qeveritë tona për të ecur para drejt zhvillimit dhe ardhmërisë kombëtare, sipas kushteve në të cilën po kalojmë duke mos harruar finalen e bashkimit kombëtar, jo me “platformë” bashkimi dhe në të njëjtën kohë shkatërrimi bën kërdinë, siç ka ndodhur deri më tani.

Nuk mund të pretendojmë, që kjo u arrit me një ndërrim karrigesh, nga PD në PS, kurrsesi! Kjo, mendoj unë u arrit si rezultat i dështimit të politikës 23 vjeçare PD – PS dhe vetë koha e solli si një domosdoshmëri futjen tashmë drejt aplikimit të elementeve demokratike në Shqipëri.

Në një shkrim publikuar disa muaj më parë: “Demokraci…! E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi të mos vish tani.”, ku fillon: “Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë dhe është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj, janë futur diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.”

Ndaj u entuziazmova nga mënyra e festimit të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, me një qetësi natyrale, ku qeveria vinte grupe – grupe dhe me autoritet qeveritar kreu “ritet” e përhershme, ashtu qetë, pa deklarata e klithma që ta bëjnë sheshin të ulërasë, por na bënë, të paktën mua, që kur e takova Edi Ramën, si gjithë tjerët, më dolën fjalët: “Kur profetët i do vendlindja, ka mbarësi…”, se dihet historikisht, profetët kurrë nuk i ka dashur vendlindja, se ata nuk janë kuptuar me mendimet e tyre, se kanë qenë të avancuara për masat, por në Shqipëri është një specifikë e veçantë tani, se historikisht, njerëzit e mençur, patriotët i kemi dënuar, internuar, burgosur, vrarë e masakruar, jo vetëm ata, por gjithë familjen dhe fisin. Mbase kjo ka bërë që populli të jetë një hap para politikës, se politika diktatoriale i mohoi “profetët” e kombit tonë, apo i përmendte veç si emër, për besueshmëri në popull, por kurrë nuk i vuri në poltronin e duhur.

Në shkrimin e botuar në gazetën “dielli” dhe në shumë faqe interneti e gazeta “Fjalët e Ismail Qemalit ende janë si një zile zgjimi për çdo shqiptar…”, kam shkruar: “Duke e parë historinë nga ky këndvështrim vit pas viti festa e 28 nëntorit nuk do të organizohej me brohoritje, por me heshtje zije dhe me angazhime për të zbardhur të vërtetat e historisë së fshehur të rrjedhjes së ngjarjeve antikombëtare, ngjarje që për fat të keq, sot disave u duken normale…”, mbase kjo mënyrë organizimi u bashkua me mendimet e mia të publikuar tri ditë më parë, ndaj bëri që të ngazëllehem dhe me këtë xixë ngazëllimi u shpreha në këtë mënyrë, dhe hodha në statusin tim të Facebooku – t: “Sot takova Kryeministrin Edi Rama dhe papritur thashë: “Kur profetin e do vendlindja, ka mbarësi…” dhe duke më shtrënguar dorën më tha: “Të shpresojmë!” Një festim madhështor; homazh dhe projekt për të ardhmen, pa fjalime, pa ulërima tek sheshi, pa skenarë… një mrekulli dhe unë përsërit fjalën e Kryeministrit: “Të shpresojmë!”

Dihet, Facebooku është një rrjet social, që të zbërthen dhe kuantet e shpirtit, të cilat nuk ka mundësi t’i shikojë njeri me sy të lirë, aty përmes rubrikës: “Çfarë ke në mendje?” zbërthehet njeriu mendërisht dhe shpirtërisht dhe ky publikim pati shumë pëlqime, por për çudinë time reagime nga njerëz që e mbajnë veten të letrave shqipe, që për fat të keq, janë mësuar që të “kakarisin” pasi t’i ushqejnë për të dhënë shpërblim, pra të gazetarëve që dinë të bëjnë fresk politikave të veçanta, unë përkundrazi, kurrë dhe kurrë nuk kam bërë fresk dhe nuk kam përfituar kurrë nga politika, por si krijuese dhe si patriote unë shkruaj dhe jap mendimin tim të lirë e kushdo të shprehë mendim të lirë, kjo është elementi i parë i demokracisë dhe kjo duhet të vijë në radhë të parë nga krijuesit, gazetarët, intelektualët, gjithë njerëzit që kanë dëshirën e mirë për të bërë diçka për të ndryshuar këtë HUTI të politikës sonë shqiptare llorare.

Politika është si legjenda, ku përveç elementeve fantastikë, fut dhe elemente realë për t’u bërë e besueshme, por politika shqiptare deri më tani ka qenë përrallë, pra veç fantazi dhe populli priti të kapet pas një elementi real, por nuk gjeti dhe u zhgënjye e për pasojë do e ketë të vështirë të besojë dhe atyre pak elementëve realë të legjendës që sapo ka filluar. Duhet të besojmë, por jo për një kohë të gjatë, se Nastradini e gënjeu popullin, kur tha “Po i bie violinës” e në të njëjtën kohë sharronte kyçin e dyqanit, por dhe i përgatiti e tha: “Këngën do e dëgjoni nesër!” Kështu, këto janë melodi që na ngazëllejnë, por kjo s’do të thotë që ne të vallëzojmë në delir deri në dehje e pa ndryshueshmëri mendimesh, ndryshe do të vazhdojmë të lerosemi në llorën e politikës sonë, se populli, shoqëria civile e udhëhequr nga inteligjenca bën të mundur që një qeveri të quhet demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: perralle, politika shqiptare, Zyba Hysa

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT