
I nderuar z. Mirakaj,/
Më lejoni së pari të ju dëshiroj shëndet dhe mbarësi juve dhe familjes suaj. U ndjeva i befasuar nga forma e tillë e komunikimit, duke mu drejtuar përmes një letre publike, sepse ne njifemi, ke pasur mundësi të më kontaktosh në telefon, në zyrat e Vatrës apo edhe ne zyrën time private.
Duke qenë se njifemi, edhe prindërit tanë janë njohur në kohëra të vështira për kombin tonë, vendosa të ju përgjigjem sepse e di se kush isha, kush jam, cfarë kam kontribuar dhe e di saktë cfarë jam duke bërë dhe cili është drejtimi im.
Duke e lexuar paragrafin e parë të letrës suaj, dhe duke ju njohur gjatë kohë, mu krijua përshtypja se këtë letër e ka shkruar dikush tjetër. Së pari ne respektojmë kanunoren, normat dhe rregulloret e organizatës sonë dhe procedojmë në kuadër të kësaj kornize dhe jo në bazë të dëshirave dhe tekeve të individëve që ju i apostrofoni në letrën tuaj. Unë si kryetar dhe strukturat e organizatës sonë kemi legjitimitet të plotë, veprojmë dhe punojmë në bazë të rregulloreve në fuqi, ne nuk biejm pre e ambicieve, pretendimeve e as thashethemeve dhe shpifjeve të individëve që punojnë dhe veprojnë jashtë kanunores dhe rregullativës së Vatrës. Procesi zgjedhor i Kuvendit të fundit zgjedhor të Vatrës ishte tejet transparent dhe demokratik, i tërë procesi është i faktuar me procesverbal zyrtar dhe video inqizim, që është provë e mjaftueshme edhe për përballje para drejtësisë amerikane. Unë jam i hapur, transparent dhe kam guxim dhe kurajo për të gjitha alternativat e mundshme.
Kur përmenda shpifjet tendencioze dhe propagandën qëllimkeqe dhe pa asnjë argument, të gjitha këto i keni “qëndisur” në paragrafin e dytë të letrës suaj, me apo pa vetëdije, dhe vërtetë befasohem se si njerëz me një përvojë dhe aktivitet ndër vite manipulohen apo edhe “informohen me bindje” nga një qendër telallësh të njohur për mua dhe Vatrën, një pjesë e të cilëve edhe kanë marrë përgjigjie adekuate nga gjygjësori i vendit ku jetojmë dhe veprojmë.
Z. Mirakaj, sa për dijeninë tuaj, ngritja ime profesionale dhe akademike ka emer dhe mbiemer, ka adresë dhe dëshmi institucionesh me dokumentacion zyrtar dhe akreditimi konform normave të parapara ligjore të shtetit ku jetojmë.
Në ceremoninë e mbrojtjes së tezës master me titull “Lidershipi”, kanë marrë pjesë dhe kanë mbajtur fjalë personalitete eminente nga Kosova, Shqipëria, SHBA-të e në vecanti emra të nderuar të komunitetit shqiptar në SHBA si: David Phillips, Gjeneral Brigade Luciano Salvatore, Ambasadori Lublin Dilja, Prof. Dr. Berim Ramosaj (Këshilltar i Presidentit Rugova), Fran Shkreli, Naum Prifti, Lekë Gojcaj, Agim Rexhaj, Vehbi Bajrami, Mhill Velaj, Shkumbin Tetaj dhe shumë të tjerë, për të gjitha këto janë dëshmitë me foto e video dhe të publikuara në mediat shqipe të kohës në SHBA. Pra jam transparent, kam faktet dhe dokumentacionin si dhe dëshmitë që i faktojnë këto që po ju shkruaj tani publikisht. Unë nuk merrem me “teori konspirative se po qarkullojnë disa informata në disa qaqrqe“, por ju dëshmoj me fakte dhe me dokumentacion se kush jam, dhe cfarë kredencialesh akademike kam.
Sa i takon tezës sime të doktorratës, është publike dhe transparente si kristali. Kam mbrojtur tezën e doktorratës në Universistetin Publik – ULSIT në Sofje, universitet publik i një shteti anëtar të Bashkimit Europian, ku mentor e kam pasur një nga profesorët më eminent të shkencave të sigurisë në atë shtet, Profesor Denchev dhe komentor një emer të shquar nga kjo sferë, David Phillips nga Columbia University, dhe prezent ishin mbi 25 personalitete të shquara nga bota akademike, ish Kryeministra, ish Ministra, zyrtarë dhe ish zyrtarë nga institucionet amerikane, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë si dhe përfaqësues diplomatik të SHBA-ve në atë shtet. Edhepse nuk kam nevojë fare ti jap askuj sqarime, sepse është shekulli 21 dhe gjërat në kohërat bashkëkohore janë lehtë të verifikueshme, ju bëra publike për të parën dhe të fundit herë, me transparencë të plotë dhe argumente për arritjet e mia akademike.
Unë jam një biznesmen që më punë të palodhshme për më shumë se tre dekada në SHBA (dhe ju e dini mirë këtë), punoj dhe afaroj suksesshëm dhe kam menaxhuar dhe përfaqësuar kompani – magnate me kapital qindra miliona dollarë. Është më se e vërtetë që kam deklaruar për atë investim dhe kam qenë udhëheqës i një kompanie prestigjioze në fushën e energjisë, ku kemi bërë të gjitha pregaditjet e nevojshme për ndërtimin e një Termocentrali në Kosovë që ishte investim 800 milion dollarë, e që do të punësonte 1500 njerëz, por që fatkeqësisht nuk u lejua nga administrata e OKB-së së asaj kohe, dhe fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite nuk u ndërtua një Termocentral në Kosovë për të cilin Kosova, ekonomia e saj ka nevojë të madhe. Jam krenar që isha në krye të një investimi të tillë dhe jam përpjekur për të mirën dhe prosperitetin e vendit dhe popullit tim. Për këtë projekt kanë qenë të informuar të gjitha autoritetet nacionale dhe lokale të Kosovës.
Për hirë të njohjes që kemi dhe konsideratës që kam ndaj juve, nuk do lëshohem në detale të tjera të një letre (që më le përshtypje që është shkruar nga dikush tjetër), sepse ju më njifni mirë. Por po ju rikujtoj se:
1. Kam qenë pjesë e proceseve kombëtare që nga viti 1989 në Amerikë;
2. Isha në cdo organizim, demonstratë apo eveniment tjetër për suport moral, organizativ dhe material;
3. Parapagues i rregullt së bashku me tërë familjen Berisha i Fondit të 3 përqindëshit të Republikës së Kosovës;
4. Mbështetës i luftës për liri, me dëshmi e fakte, (Familja Brisha në luftën e fundit clirimtare i ka dhënë lirisë së Kosovës pesë dëshmorë të kombit);
5. Mbështetës dhe nxënës besnik i filozofisë Rugoviste;
6. Përfaqësues i parë zyrtar i Presidentit Rugova në Zyrën e Senatorit Bob Dole;
7. Pjesëmarrës, kontribues dhe besimtar shpirtëror në ceremonitë e Lumturimit dhe Shënjtërimit të së Shënjtes Nënë Tereza;
8. I pari kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA”, që takoj Atin e Shënjtë në Selinë e Shënjtë në Vatikan, i shoqëruar nga mbi 100 vatrane e vatranë që ishte një nga momentet më krenare të jetës sime;
8. Kontribues me mijëra dollar gjatë 20 viteve të fundit për Shoqata humanitare, aksione humanitare dhe familje në nevojë në Kosovë dhe më gjerë;
9. Më shumë se tre dekada mbajtja e lidhjeve me Senator, Kongresmen dhe peronalitete tjera ne Washington DC.
10. I sukseshëm në rrafshin familjar, biznes dhe në ngritje profesionale dhe akademike në rretha aspak të lehta për vite me radhë;
Jam i bindur që ju i dini mirë të gjitha këto (vetëm disa angazhime dhe kontribute të mija ndër vite), dhe me këtë përgjigjie publike ndaj letrës suaj publike lidhur me disa cështje që i keni ngritur, e mbylli këtë debat sepse janë mjaft gjëra private dhe personale që ju trajtoni në këtë letër. Megjithatë unë vendosa të ju përgjigjem publikisht dhe me adresime, fakte, argumente, emra dhe institucione, ju dëshmova edhe njëherë së kush jam dhe nga jam i orientuar. Do vazhdoj me përkushtim, përgjegjësi dhe dashuri të madhe të kontriboj në Vatrën tonë, në funksion të afirmimit të vlerave tona kombëtare në të gjitha fushat duke respektuar në plotni kanunoren dhe legjislacionin e vendit ku jetojmë dhe veprojmë. Prandaj me këtë përgjigjie publike, për mua ky debat është i përfunduar, përndryshe do të jem shumë strikt dhe i vendosur që secilën tendencë qëllimkeqe dhe shpifje në drejtim të emrit tim ta ndjeki me të gjitha mekanizmat dhe rrugët ligjore të shtetit ku jetojmë dhe veprojmë.
Me konsideratë,
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,
Dr. Elmi Berisha