-Bisedë e poetes atdhetare Makfire Canolli, banuese në Nju Jork, me prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë /
NE FOTO: Në familjen Canolli, nga e majta: Sejdiu, Dalina, Donjeta e Makfirja/
1.-Megjithëse e di që të sjell dhimbje në shpirt, e nderuara Maki, lutem, më trego shkurtimisht, se kur dhe si je larguar nga vendlindja? Cilët ishin prindërit tu?/
– Jam larguar nga Kosova në një kohë, kur populli shqiptar, me anë të protestave përpiqej me çdo kusht të mbronte atë pak autonomi, që e kishte dhe e cila na u muar me dhunë. Pra, ishte viti 1991, kur lashë Kosovën për herë të parë dhe mora një rrugë të panjohur, shkova drejt një bote tjetër, e cila quhet Perëndimi. Prindërit e mi (tashmë të ndjerë) ishin babai, Nazifi dhe nëna, Sabilja. Ishin një çift i mrekullueshëm, të cilët sollën në jetë 4 djem dhe 2 vajza. Unë jam fëmija më i vogël i tyre ose, siç e quajnë atje, “sugaresha”. Na rritën me shumë mund e sakrifica dhe u përpoqën të na edukonin në mënyrën më të mirë njerëzore e, mbi të gjitha, në frymën atdhetare.
Të parët e babait tim kanë jetuar në fshatin Maqedonc, në rrethinat e Sanxhakut. Por ata u detyruan t’i lëshonin me dhunë vatrat e tyre, sikurse qindra e mijëra shqiptarë të tjerë te asaj kohe. Pra, lanë shtëpi e katandi dhe ikën nga mundën, për t’i mbijetuar gjenocidit serbosllav të asaj kohe. Ata morën me vete vetëm emrin shqiptar ose, siç bëri gjyshi ynë i ndjerë, që na e la trashëgim për mbiemër, të cilin e kemi edhe sot, me qëllimin që kurrë të mos harrohen ato toka amtare shqiptare! Duke mos dashur të shkojë në Anadoll, siç vepruan mijëra shqiptarë të tjerë, ai vendosi të ndalet në pjesën verilindore të Kosovës, pikërisht në Malësinë e Gollakut, atje ku lindi babai im. Gjyshi kishte ndërruar jetë, kur babai ynë ishte 7 vjeç. Pra, jeta e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe në moshën 13-vjeçare, bashkë me nënën e tij, u detyrua të niset drejt Prishtinës, ku aty u vendosën që të jetonin përgjithmonë. Babai ynë ka qenë njeri me karakter burrëror e atdhetar, si dhe mik i ngushtë, bashkëpunëtor dhe përkrahës i vendosur i Adem Demaçit dhe shumë trimave të tjerë e luftëtarë të asaj kohe.
Në pranverën e vitit 1982, familja jonë ishte në shënjestër të UDB-së jugosllave.U zbulua edhe veprimtaria ilegale e 3 vëllezërve të mi, të cilët u burgosën, bashkë me shumë bashkëpunëtorë të tjerë dhe kaluan vite të tëra nëpër burgjet e rënda serbosllave. Nëna jonë u paralizua, një vit pas burgosjes së djemëve të saj dhe në vitin 1984, u nda përgjithnjë nga jeta në moshën 49-vjeçare. Ndërsa babai edhe pse pati shumë dhimbje, të paktën, zemra e tij duroi më gjatë. Ai u nda nga jeta në moshën 77- vjeçare, në fund të vitit 1997, kur lufta për çlirimin në Kosovë vetëm sa kishte filluar. Largimi im nga vendlindja ndodhi pikërisht 21 vite të shkuara. Por nuk filloi së pari me mua, se shpërngulja jonë familjare na kishte ndjekur ndër breza dhe ajo e ka zanafillën pikërisht atje, te Molla e Kuqe!
2.-Ku ke jetuar gjatë këtyre viteve, sa ju ka ndryshuar kjo shkëputje nga vendlindja dhe me çfarë veprimtarishë kryesore je marrë?
-Fillimisht, ishim vetëm unë dhe bashkeshorti im, kur e morëm rrugën e mërgimit dhe u nisëm për në Gjermani.Më pas, krijuam çerdhen tonë familjare, me ardhjen në jetë të dy vajzave tona të dashura, Donjetës dhe Dalinës. Atje jetuam gjerë në fillim të vitit 1998 dhe pala gjermane na ktheu në Kosovë, sepse ne nuk kishim leje qëndrimi të përhershme dhe me arsyetimin, se “në Jugosllavi është gjithçka në rregull!” E vërteta ishte, se në Kosovë lufta për çlirim kishte filluar. Pas dy ditësh, kur ne u kthyem në shkurtin e atij viti, ndodhi masakra e parë në zonën e Drenicës. Pastaj, ne qëndruam gjatë tërë luftës në Kosovë, pikërisht në vendlindjen tonë, Prishtinë. Më pas u detyruam që, si mijëra kosovarë, t’i lëshojmë vatrat tona dhe të largohemi nga toka amtare!
Më në fund, pas gjithë atyre vuajtjeve, kaluam në Maqedoni, ku qëndruam disa javë, te vëllezërit tanë matanë kufirit. Ata na pritën në vatrat e tyre aq ngrohtësisht dhe, pas disa javësh, na humbën shpresat se do të ktheheshim shpejt në Kosovë. Prandaj vendosëm të paraqiteshim në kampin e Stankovecit. Aty i mbushëm ca formularë dhe, mbas dy ditësh, ishte Amerika e para ajo, që e mori përsipër shpëtimin dhe strehimin tonë.
Nuk mund të them se, të qenit “e degdisur”, më ka ndryshuar. Por, më saktë, më ka vrarë thellë në shpirt. Kjo, për vetë faktin, se jeta në mërgim, larg atdheut, është sikur jeta e fëmijës, që rritet larg nënës së vet.
3.-Dëshiroj të di diçka më tepër për familjen tuaj…
– Kam burrin, Sejdiun, i cili jo vetëm që është një bashkeshort dhe baba shembullor, por është një mik dhe shok i ngushtë i imi, pra “krahu im i djathtë”. Pa përkahjen e tij, nuk do të isha kjo që jam. Po ashtu, nga fryti i kësaj dashurie, jam nënë e dy vajzave të mrekullueshme, Donjetës dhe Dalinës, të cilat po tregojnë suksese të njëpasnjëshme, aty ku jetojnë dhe po shkollohen. Si shperblim i këtyre arritjeve, ato shpesh herë janë nderuar me diploma të ndryshme. Ndër të gjitha ato diploma, 4 janë me te veçantat: Donjeta ka 2 diploma nga ish Presidenti Amerikan, Xhorxh V. Bush, duke u shpallur njëra ndër 10 nxënëset më të mira në shtetin e Nju Jorkut. Por edhe Dalina është nderuar me diploma të njëjta dhe ka marrë po atë vlerësim, si motra e saj, nga Presidenti Amerikan Barak Obama. Vajza e madhe është në Universitetin e Londrës, ku studion për juriste dhe, ndoshta, një ditë mund të jetë edhe pjesë e Senatit amerikan. Këto ditë, ajo ka ardhur përkohëisht te ne dhe na është mbushur me gëzim, jo vetëm zemra, por dhe tërë shtëpia.Ndersa vajza e vogël jeton me ne, ndjek klasën e 11-të të shkollës së mesme dhe dëshiron të studiojë për farmaci. Këto të dyja janë tërë pasuria jonë, më e madhja e më e çmuara në botë. Pa ato, jeta jonë nuk do të kishte kuptim. Janë të lidhura shumë me vendlindjen tonë, për vetë faktin se e flasin gjuhën shqipe shumë bukur dhe mezi presin të shkojnë në Kosovë, sepse larg saj e ndiejnë thellë mungesën e mjedisit të gjallë shqiptar.
4.-Cilat janë lidhjet tua me Bashkësinë Shqiptare, në qytetin ku jeton?
-Fatkeqësisht, në qytezën, ku jetojmë ne, nuk kemi shqiptarë. Më së afërti, i kemi disa miq, 45 milje larg. Ndërsa ata, me të cilët kam lidhje familjare, jetojnë 200 mile më larg.Takohemi, kur të na jepet mundësia, meqenëse këtu tërë jeta është: punë e gjumë. Keni qenë edhe ju vetë këtu dy herë, më 1993 e 1994, me nga një muaj e gjysëm, profesor i nderuar dhe e njihni, pak a shumë, jetën këtu. Kam edhe miq e mikesha të tjera, gjithandej në Amerikë, si në Teksas, Çikago, Miçigan, Pensilvania, Nju Jork, Nju Jeresy, Konektika etj. Mandej, kam të njihur të tjerë, poetë e shkrimtarë, të shpërndarë nëpër diasporë, por edhe në atdhe. Me ta, kam lidhur miqësi njerëzore dhe profesionale. Pothuajse me të gjithë, kam kontakte të përhershme. Më kanë përkrahur edhe moralisht, ku njeri ndër ata miq jeni edhe Ju, i nderuari prof. Murat. Më kanë ofruar edhe përkrahje për botimin e dy librave. Kështu, pas botimit të tyre, u bëra anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, këtu në SHBA, e këtij shpirti të gjallë të shqiptarisë. Pastaj kontakti miqësor i kalon shpesh herë kufinjtë e Amerikës, pra kam lidhje të mira edhe me shqiptarët e Skandinavisë, përmes valëve të Internetit. Njëri nga ata është pikërisht Radio Projekti, në Danimarkë, ku përveçse jam dëgjuese, bashkëpunoj rregullisht. Bile, një kohë, isha moderatore dhe shpresoj sërish, në një të ardhme të afërt, t’i kthehem emisionit tim, që e mbaja dhe titullohej, “Me krijuesit shqiptarë, në diasporë”.
5.-Çfarë të ka sjellë ose ke fituar nga emigracioni? Po, çfarë ke humbur, në këta vjet?
-Përfitimi i parë dhe më i madh, që na ka sjellë emigracioni, është shkollimi i vajzave tona dhe sukseset e tyre, që kanë siguruar gjerë më tani. Por shpresoj dhe besoj që ende kanë për të arritur në jetën në vazhdimësi.
Ndërsa, kam humbur çastet më të bukura familjare, që kanë ndodhur në Kosovën time ose edhe ato të hidherimit, siç ishte rasti, kur u nda përgjithnjë nga jeta babai, në vitin 1997. Në atë kohë isha në Gjemrani dhe nuk kisha asnjë mundësi të shkoja ta takoja dhe as të marrë pjesë në lamtumirën e fundit! Po ashtu, humbje për mua mund ta quaj edhe çastin e festën e shpalljes së Pavarsisë së Kosovës. Me lotë në sy i përcillja ato ngjarje përmes TV-së dhe nuk munda të isha aty afër. Pastaj, së fundmi, ishte pamundësia për të qenë në Shqipëri e në Kosovë, më 28 Nëntor 2012, në jubileun e madh të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
6.-Si i mban lidhjet me vendlindjen dhe me të afërmit, atje?
-Tashmë, është më lehtë, se sa para 20 viteve. Mbaj mend se, në atë kohë në Gjermani edhe pse ishim më afër, ku na ndanin nga vendlindja as dy orë të plota me aeroplan, kontaktet ishin shumë më të vështira. Qëndronim me orë të tëra për të telefonuar në familjet tona dhe, sapo e mirrnim linjen, ajo na shkëputej, sepse rrjeti ka qenë i dobët dhe, ndoshta, ishte pala serbe ajo, që i pengonte këto lidhje tonat. Gjatë asaj kohe, kemi pasur vetëm një emision në radio, në orën 23:00, ku i degjonim lajmet nga “Evropa e lirë”, përmes një radiolidhje të Zagrebit dhe ishte i vetmi burim informacionesh, në gjuhën shqipe. Më tej, përmes valëve satelitore u realizua që ta ndjekim TVSH-në, nga 2 orë në mbrëmje, çka ishte një gëzim i madhë për ne, në atë kohë. Ndërsa tani është shumë më lehtë. Edhe pse na ndajnë mijëra kilometra nga ajo tokë e bekuar, bashkë me Oqeanin Atllantik në mes, ndjehemi shumë më afër Atdheut tonë. Jo vetëm që e kemi telefonin, por edhe rrjetin e internetit, ku fatbardhësisht jo vetëm shkembimin e e-mailave, që mund ta bësh, por ke mundësi të flasësh qoftë drejtpërdrejt, me shkrim ose edhe ta shohësh në kamerë. Po ashtu, në TV kemi shumë kanale shqiptare ose edhe dëgojmë stacione të ndryshme radioje etj. Lirisht mund të them se brenda katër mureve të shtëpisë është mjedisi ynë shqiptar ose “Shqipëria e vogël”. Ndërsa, kur dalim jashtë, e kuptojmë se ndodhemi në Amerikë. Po ashtu edhe gjatë veres, kur kemi mundësi, jemi atje, në mesin e familjarëve dhe miqëve tanë të shumtë. Për fatin tonë të mirë, tani nuk kemi probleme udhetimi, sepse jemi nënshtatas amerikanë dhe vajtje-ardhjet i kemi të lehta.
7.-Siç e kam vëne re, sidomos nga publikimet në Internet, një lehtësim shpirtëror për ty ka qenë poezia…Kur ke nisur të shkruash dhe cilët janë librat tu të publikuar? Përshkruaji ata, sugurisht shkurt…
-Me poezi kam filluar që nga fëmijëria, pra, qysh në klasën e dytë fillore. Vërtet më ngjan, se kam filluar të bëlbëzoj poetikisht. Poezia ime e parë titullohej “Gjeli im plak”, të cilën fatkeqësisht nuk e kam, ashtu si shumë poezi të asaj kohe. Me rastin e bastisjes së shtepisë sonë nga punëtorët e sigurimit serbë të asaj kohe, kur vëllezërit e mi u burgosën dhe unë isha në moshën 11-vjeçare, fletoren time ata e morën, bashkë me shumë gjera dhe libra të tjerë. Në atë kohë, mësuese e imja ishte znj. Zejnije Syla, e cila jo vetëm që e zbuloi talentin tim, por më dha mbështetje morale dhe shpirtërore. Kështu, poezitë e mija i dërgonte për botim në gazetën “Rilindja” të asaj kohe, e cila dilte çdo ditë dhe çdo të martë e kishte shtojcën për fëmijë. Gjatë asaj kohe, poezitë e mia u vlerësuan shumë herë dhe kam marrë shpërblime nga vetë “Rilindja”. Por poezia ime nuk ka të ndalur as sot, ku tashmë ajo ka filluar edhe të “përqafohet” me tingujt e muzikës dhe të shëndrrohet në këngë. Kam shkruar tekstin e këngës “Th’rret Presheva” dhe “Jo, s’ka vdekë Bardhyl Osmani” (deshmor nga Presheva, komandant “Delta”), të cilat i interpreton shkëlqyeshëm këngëtari preshevar, Bashkim Halimi. Një këngë për Mitrovicën ia kam bërë dhuratë mikes sime të mirë, këngëtares Sebahate Berlajolli, e cila jeton ne Nju Jeresy dhe mori pjesë me të në Festivalin XXI të këngëve dhe valleve shqiptare, në Nju Jork. Ishte kënaqësi e veçantë për mua se, në vitin 2010, kam botuar dy libra me poezi. Njëri ishte për të rritur, me titullin “Gjurmë nëpër flakë”, të cilin ia kam kushtuar nënës sime të ndjerë. Por aty ka poezi edhe për luftëtarë e dëshmoraë të UÇK-së dhe poezi të tjera. Libri tjetër është për fëmijë, me titullin “I shes diellit akullore”. Po kështu, jam pjesëmarrëse edhe te dy libra të përbashkët, përgatitur nga Iliriana Sulkuqi, në atë me poezi, “Karvan dashurie”(kushtuar nënave) dhe në tjetrin në prozë, me titull “Në sytë e nënave”, me në krye znj. Vitore Stefa Leka.
8.-Çfarë planesh ke për të ardhmen, në fushën e krijimtarisë?
-Kam ca tregime reale dhe shpresoj që, në një të ardhme të afërt, ta botoj librin tjetër në prozë. Jam në kontakt me shumë krijues dhe miq, të cilat kane shprehur dëshirën dhe gadishmërinë të më ndihmojnë. Ndër ta, është edhe nipi i babait tim, shkrimtari i mirënjohur, Rushit Ramabaja. Po ashtu, kam nipin tjetër të babait, shkrimtarin dhe poetin Arif Demolli. Ata ishin idhujt e mi, që nga fëmijëria. Ndoshta, ajo dashuri dhe simpati ndaj tyre, kanë bërë që të përpiqem të jem në gjurmët e tyre. Pra, shpresoj të sjell poezi, tregime, libra dhe këngë të reja.
9.-Në fund të bisedës sonë, duke të falanderuar dhe uruar nga zemra çdo të mirë, vetjake e familjare, Maki, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër?
-Nëse më lejohet, do të “flisja” pak me vargjet e një poezie time. Ndërsa juve, profesor i nderuar Murat, ju falënderoj për kohën dhe vëmendjen, që ma kushtuat. Gjithashtu, u jam mirenjohëse për përkrahjen dhe mbeshtetjen morale, që më keni dhënë e më jepni, çdo herë!
JAM SHQIPTARE
Mua më quajnë kosovare,
por edhe unë jam shqiptare,
Kosova është vendlindja ime,
Shqipëria është Nëna ime.
Mërgimtare, më quajnë mua,
pse jetoj në dhe të huaj,
zemra ime dot s’e pranon,
shqiptare, thotë, jam me komb.
Pse jetoj larg Shqipërisë,
gjuhë e kulturë s’i kam braktisë.
Shqipëri e kam bërë shtëpinë,
aty kam Flamurin dhe çiftelinë.
Me mua është Gjergj Kastrioti,
Nënë Tereza e Isa Boletini,
Ismail Qemaili dhe Rugova,
Pajaziti e në mes shqiponja.
Ngado, që unë shkoj e vij,
marr me vete Shqipërinë,
s’e braktisi sa të jem gjallë,
se unë jam bija e sajë!
Tiranë-Nju Jork, 18 janar 2013
Agim says
Maki, e meriton nderin dhe respektin tuaj i dashur Prof. Murati. Ajo është me të vërtetë një poete atdhetare shëmbullore e cila në shtëpinë e saj në Amerikë ka krijuar një mjedis jetësor dhe poetik tërësisht shqiptar.
“Lirisht mund të them se brenda katër mureve të shtëpisë është mjedisi ynë shqiptar ose ‘Shqipëria e vogël’. Ndërsa, kur dalim jashtë, e kuptojmë se ndodhemi në Amerikë.” Thotë Maki.
Urime!
Agim says
“…Ngado, që unë shkoj e vij,
marr me vete Shqipërinë,
s’e braktisi sa të jem gjallë,
se unë jam bija e sajë!…”