OPINION Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Për të kuptuar se ku jemi 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës le t’i përballim pohimet e Perikliut me realitetin shqiptar. Le të vendosim përballë Perikliun me burrështetasit tanë. Për nga koha që ka rrjedhur postperikliut, do të duhej që burrështetasit tanë t’i jepnin leksione atij, por ndodh e kundërta. Perikliu i biri i një gjenerali athinas ishte një burrështeti, orator dhe strateg gjatë periudhës të artë të qytetit, e cila mban emrin e tij e njihet si Shekulli i Perikliut, kur lulëzoi demokracia dhe vendi e Athina u quajt kryeqyteti i botës intelektuale, artistike e politike. Ai lindi e jetoi rreth 5 shekuj përpara lindjes të Krishtit, dmth rreth 2500 vite më parë.
Tuqididi për shkak të ndikimit të madh që kishte tek athinasit e thërriste “Qytetari i parë”. Tuqididi do të mbante edhe fjalimin në përcjelljen e fundme që iu bë Perikliut, i cili mbetet edhe sot si njëri prej kulmeve të oratorisë, ku midis të tjerave thotë:”Bota e gjithë është një varr për njerëzit e famshëm; ata nuk nderohen vetëm prej kollonave të mermereve dhe mbishkrimeve në vendet e tyre, por në vendet e huaja në vend të varreve memoriale prej guri ata jetojnë në zemrat dhe mendjet e njerëzve.“
Perikliu ishte edhe populist, por jo demagog. Në kohën e tij pati një lulëzim të paparë të arteve dhe letërsisë. Perikliu do të mbështeste ndërtimin e shumë veprave të Akropolit, përfshi edhe Partenonin, që edhe sot e kësaj dite mbeten krenaria greke. Këto projekte i dhanë qytetit namin e mirë, dhe krijuan mundësi pune e jete të mirë.
Fjalimet e Perikliut si orator janë të famshme. Unë këtu po sjell fjalimin ku ai i drejtohet athinasve, në vitin 461 para Krishtit, që i ka rezistuar mrekullisht dy milenarëve e gjysëm, dhe tingëllon sikur Perikliu po e mban sot për të shpëtuar Greqinë nga kriza. Këtë fjalim e ka përkthyer në mënyrë brilante intelektuali i njohur Daniel Gazulli, i cili nuk ka shumë kohë që është larguar nga kjo botë. Përkthimi është bërë në një gegnishte shumë elegante dhe ka një tingull shumë të bukur në shqip. Kam bindjen se këtë përkthim Gazulli duhet ta ketë bërë për t’i dhënë model politikës shqiptare, e cila ka kohë që nuk lexon asnjë libër dhe nuk kujdeset po ashtu as për kulturën dhe as për vlerat.
Në fjalimin e tij Perikliu definon demokracinë në Athinën antike atje ku edhe ajo lindi. Fjalimin e tij unë po e vendos në një plan krahasues me realitetin shqiptar sot, për të parë se ku jemi.
Perikliu thotë: “Në Athinë qeveria jonë favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj ajo quhet demokraci.” E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu thotë: “Ligjet këtu sigurojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë” – E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu thotë: “Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të tjerët, dhe thirret që t’i shërbejë Shtetit, por kjo jo si një previlegj për të, por si shpërblim për meritat” – E unë pyes- a ndodh kështu në Shqipëri? –
Perikliu thotë: “Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo rreziku.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu thotë: “Ne na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. Ne na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme.” E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu thotë: “Një njeri që nuk interesohet për Shtetin na e konsiderojmë të parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të kontribojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të gjykojmë për te.” – E unë pyes – ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e demokracisë.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? Perikliu thotë: “Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të jetë vetëm fryt i vlerave.” – E unë pyes – a ndodh kështu në Shqipëri? –
Këtë pyetje jua drejtoj edhe ju. A ndodh kështu në Shqipëri?“