-Kryetari i Kuvendit, Veseli takon deputetët suedezë anëtarë të Asamblesë së NATO-s. Delegacioni suedez i shprehën përkrahje të plotë aderimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike/
PRISHTINË, 31 Maj 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim grupin e deputetëve të Parlamentit suedez, anëtarë të Asamblesë së NATO-s, të cilëve u printe Björn von Sydow, me të cilët diskutoi për prioritetet e Kuvendit kosovar, me theks të veçantë, për çështje të sigurisë.
Delegacioni suedez i shprehën përkrahje të plotë aderimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke vënë në pah rëndësinë e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Kryetari Veseli, në takim me asamblistët suedezë, foli për zhvillimet në Kuvend dhe theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për realizimin e axhendës eurointegruese, zhvillimin ekonomik si dhe sundimin e ligjit.
“Kosova është e vendosur për të thelluar paqen në rajon, të kontribuojë për mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë, duke u bërë pjesë e mekanizmave të sigurisë siç është aderimi në NATO”, theksoi kryetari Veseli./b.j/