KONSULLATA E KOSOVES DHE KOMUNITETI I ARTISTEVE SHQIPTARE PERKUJTUAN NE NEW YORK AKTORIN HOLLIVUDIAN ME ORIGJINE SHQIPTARE, BEKIM FEHMIU/
Nga BEQIR SINA, New York City
EW YORK CITY : Tre vite nga vdekja, dhe 77 vite nga ditëlindja aktori Bekim Fehmiu kujtohet në Amerikë, në një mbrëmje përkujtimore. Me rastin e ditëlindjes së tij (1 qershor 1936), dhe përvjetorit të tretë(15 qershor 2010) të ndarjes nga jeta të aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu, Konsullata e Përgjithëshme e Republikës të Kosovës në New York, në bashkëpunim me komunitetin e artistëve shqiptaro-amerikanë organizoi një mbrëmje përkujtimore në nder të aktorit të madh. Kjo mbrëmje për jetën dhe veprën e këtij artisti shqiptar, u mbajtë mbrëmë në Studion Fadil Berisha, vetëm një bllok larg nga Broadway – bulevardi i “Hollivudit” të Nju Jorkut, ndërsa e moderojë bashkëshortja e aktorit të njohur të komunitetit Luan Bexheti , zonja Rejhan Ismani-Bexheti
Shumëpersonalitete të nderuara të komunitetit tonë, diplomatë, artist, aktor, muzikant, gazetar, biznesmen, veprimtar dhe aktivist të shquar, televizionet e komunitetit shqiptaro amerikan, gazetat e komunitetit, u mblodhën së bashku për të kujtuar jetën dhe veprën e këtij gjiganti të kinematografisë, përmes diskutimeve, video klipeve dhe filmave në të cilat artisti magjik Bekim Fehmiu ka aktruar magjishm.
Në këtë “Mbrëmje Homazh” për aktorin shqiptar me famë botërore ka qenë i pranishëm edhe Ministrii për Kulturë Rini dhe Sport (MKRS), zoti Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, të cilët gjenden në New York në kuadër të pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin e Tretë Ndërkombëtar mbi Sportin për Paqe dhe Zhvillim, që po mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, nën organizimin e OKB-se dhe KON-it. Uran (Selimi) Fehmiu nipi i aktorit Bekim Fehmiu, dhe aktoria Leze Qena, të cilët e përshëndetën shkurtimisht me kujtime këtë mbrëmje kushtuar legjendës së kinemasë Bekim Fehmiut.
Përvjetori i tretë i vdekjes së Bekim Fehmiut dhe shtatëdhjetë e shtatë, vjetori i ditëlindjes së tij, u shoqërua me një Koktejl në Studion Berisha me verën Stone Castele e pronarit Rustem Geci , ku muret e së cilës përreth kanë qenë të mbushura me fotografi të skenave të filmave në të cilët ka luajtur ylli i kinematografisë. Ndërkohë që në ekranin e madh me vido-projeksion shfaqeshin insrete nga filma ku aktori me nam ka qenë protagonist, përgatitur nga producenti Adem Belliu.
Ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës, tregojë qëllimin se përse ata kishin zgjedhur qershorin për të përkujtuar artistin tonë të madh, sepse, tha ai në këtë muaj ai ka lindur (1936) dhe ka ndërruar jetë (2010) .
“Kjo mbrëmje përkujtimore, tha ai është modeste, kundruall gjurmëve të pashlyeshme që personaliteti i Bekim Fehmiut ka lënë, jo vetëm në kinematografinë, por edhe në jetën dhe krenarinë kombëtare të secilit prej neshë .” Këtë mbrëmje e bëjnë edhe më domethënëse, sipas Sejdiut, prania e shumë personaliteteve të shquara, ku ai veçojë familjarët e Artistit Bekim Fehmiu, nipin Uranin dhe, sigurisht, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të RKS, z. Memli Krasniqi dhe Kryetarin e KOK-së, zotin Besim Hasani, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë Dritan Mishto
“Ne kemi poashtu, tha ai një privilegj të veçantë që kemi ne mesin tonë , përveç familjarëve edhe disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë shqiptare, në Kosovë dhe diasporë , do veçoja artisten tonë me nam znj. Leze Qena, të cilët kanë patur fatin e madh të njihen dhe bashkëpunojnë personalisht me Bekim Fehmiun.”
Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, në fillim të fjalës së tij ka treguar një histori personale shumë interesante nga fëmijëria tij me Artistin Bekim Fehmiu,
” Emri i Bekim Fehmiut, tha zoti Sejdiu tejkalon përmasat kombëtare dhe rajonale. Ai ka bërë emër që nuk do e shlyel asnjëherë pluhuri i harresës, në botën e filmit dhe kinematografisë. Ai ka aktruar në shtatë gjuhë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe së bashku me aktor të njohur si: Ava Garnder, Irena Papas, John Huston, Claudia Cardinale, James Coburn dhe të tjerë. Por për ne, emri i Bekim Fehmiu ka një vlerë dhe simbolikë edhe më të madhe, sepse ai ka lartësuar emrin dhe krenarinë tonë kombëtare në përmasa globale. Në vitet e 1960′ dhe 1970’ta, kur në kinematografinë e ish-Jugosllavisë filloi të ngritet furishëm ylli i quajtur Bekim Fehmiu, emri shqiptar asoconte me stereotipin e sharragjiut apo furragjiut. Ishte Bekim Fehmiu që theu keto klishe paragjykuese dhe i tregoi, së pari fqinjëve e pastaj edhe botës se ne jemi një komb i madh, pikërisht sepse kemi dhënë dhe mund të japim artist të mëdhenjë . Dhe nuk ishte vetëm preardhje e tij shqiptare, por edhe fakti se ai ka mbrojtur identitetin e tij shqiptar me këmbënguljen e një artisti dhe krenarinë e një shqiptari; siç patë dëshmuar në vitin 1987 kur në shënjë proteste për shkak të politikës disktriminuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, barktis teartrin e Beogradit dhe karrierën artistike përgjithësisht.” tha Ambasadori Bekim Sejdiu.
Në fund të fjalës së tij Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, falënderoj pjesëmarrsit dhe një falënderim të veçantë për fotografin Fadil Berisha, për faktin se vendosi në disponim falas studion e tij për organizimin e kësaj mbrëmjeje. Zoti Sjediu falënderoj edhe aktorin Luan Bexheti dhe bashkëshortën e tij, Rejhanën, për përkrarhjën organizative dhe stafin e Konsullatës, sidomos Konsullin Zajmi që kishte bartur barrën kryesore organizative.
Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës Memlin Krasniqi tha se Kosova së fundmi ka akorduar çmimin me emrin e Bekim Fehmiut dhe ishte kënaqësi që në edicionin e parë të këtij çmimi trofeu ti jepej një miku të Bekimit një njeriu që e kishte ndjekur hap pas hapi dhe të cilin e kishte dhe shok edhe mik edhe model , Faruk Begollit.
“Fehmiu ka patur një vlerë të madhe në skenën tonë kulturore përkundër faktit që shpesh përmendet se ai veproi në të shumtën e kohës jashtë Kosovës dhe në kinematorgrafinë e vendeve të ndryshme, porse ai me të vërtetë krijoi një model të artsitit rreth të cilit për vite me rradhë në Kosovë janë edukuar breza të tërë të artistëve para së gjithash në Akademinë e Arteve të Kosovës. Prandaj unë mendoj se ne të gjithë si shoqëri duhet ta nderojmë jo vetëm në datat e caktuara por gjithmonë. Janë të shumtë ata të cilët në Ballkan do kishin dëshirë ta kishin Bekim Fehmiun të vetin por ai parasëgjithash është i yni, e më pas është i të gjithëve sepse ai me punën e tij ishte një njeri universal.”
Folësi kryesorë, gazetari Hys Shkreli, vëllai i Azem Shkrelit, poetit të madh të letërsisë shqipe të shekullit XX, tha se:” Bekim Fehmiu aktrojë jetën, aktrojë edhe vdekjen. Simolikisht, ai gjatë jetës vdiq shumë herë dhe gjithnjë u ngritë. Me vdekjen, ai shkojë, mirëpo ne e takojmë çdo ditë, nga faqet e gazetave revistave, librave e deri tek ekrani dhe çdo ditë flasim me të. Fehmiu, nuk vrau vehten, siç u tha, Bekimi nuk e vrau Bekim Fehmiun: Atë e vrau koha e ligë.”
Shkreli u shpreh se vdekja e Fehmiut, nuk ishte ndarje, nuk ishte vdekje, por ishte një protestë, ishte revoltë, vullkan. Mbasi, disa vite para vdekjes, ai zgjodhi heshtjen si armë, mirëpo edhe heshtja e tij fliste. Filmat e tij flisnin për një talent të pashëmbult, kurse heshtja për një mllef, pakënaqës e pezëm në ngjarjet që zhvilloheshin rreth tij, si në jetën personale ashtu edhe në ambientin e rrethin ku jetonte.
Bekim Fehmiu lindi e vdiq ne Qershor, tha Shkreli, shpirti i tij shkojë lartë në qiell, tek pushojnë yjet, kurse trupi rrodhi lumit shqiptar të Prizrenit për të u bashkuar me det e detra të kulturave të botës, ashtu siç rrjedhte filmi i tij dikur.
Në fund Shkreli konkludoi duke thënë se:”Në Kohën kur në Kosovë e Shqipëri po përpiqemi të hyjmë në Evropë, kariera e Bekim Fehmiut nxitë e inspiron në këtë udhëtim. Sepse, në Europë nuk hyhet vetëm me nënshkrime marrveshjesh, traktatesh,e liberalizim vizash. Në Europë, më së pari hyhet me kulturë. E Bekim Fehmiu, na bëri europjanë atëhere kur Europën e kishim shumë larg. Atëhere kur Europa na kishte harruar tërësisht” theksojë gazetari dhe poeti Hys Shkreli..
Aktrimi si një ‘mision dhe bekim’
Gazetari i RTK në Amerikë, Sulejman Gashi, duke folur për aktorin shqiptar me prejardhje nga Kosova, Bekim Fehmiu, i cili në kulmin e karrierës së tij do të konsiderohej si aktori më i njohur në Perëndim nga ish Jugosllavia dhe Evropa juglindore, me disa projekte mjaft të suksesshme filmike në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, tha se ai do të mbetet edhe në historinë e Hollywood-it dhe kinematografisë amerikane.
“Në komentet e ndryshme në Kosovë, tha zoti Gashi, pastaj në hapësirën e asaj që dikur quhej Jugosllavi, në të gjitha republikat tani shtete të pavarura, fjalia më e dëgjuar ishte ‘aktori më i madh, më i suksesshmi, më i miri i hapësirës sonë.’
Shqiptaro-amerikanët, vijojë Gashi, e kanë ndjerë dhembjen e ndarjes parakohe dhe tragjikisht nga jeta të aktorit që ishte krenari e tyre kombëtare. Ashtu siç ka deklaruar me një rast Bekimi se ‘me punën time doja të fisnikëroj popullin tim’ ai e arriti këtë duke na bërë të mburremi me emrin e tij, ndërkaq për veten e vetë ai shkoi në përjetësi sublime kur thotë ‘për mua aktrimi ishte një punë misionare dhe një bekim.’ Ashtu edhe ishte.”
Skenografi e piktori Andis Gjoni, regjizor i njohur, në atdhe e komunitet, për gazetën tonë thotë:” Sa më tepër kalon koha aq më tepër vlera merr figura e aktorit të shquar shqiptar Bekim Fehmiu të cilin e kujtojmë sot në tre vjetorin e ndarjes nga jeta. Në të vërtetë artistët e mëdhej kurrë nuk ndahen nga ne, ata i kemi në mes tonë me filmat dhe veprat që na kanë lënë. Kur shikon morinë e filmave dhe roleve të realizuara nga ky aktor botëror emocionohesh dhe mbushesh me krenari për talentin e shpirtit shqiptar të cilin më së miri arriti ta përcillte ky kolos i skenës dhe ekranit. Eshtë e vërtetë që pothuajse të gjitha rolet ai i realizoi jashtë kufijve të trojeve shqiptare, kjo si pasojë e kushteve politike të kohës, por nëse kemi parasysh kontekstin në të cilin u zhvillua jeta e këtij artisti mendoj se do kishte qenë një humbje shumë e madhe sikur ai mos kish patur mundësi të shpërfaqte ashtu siç diti talentin dhe karakterin e një mjeshtri të madh kudo që ishte. Përpara figurës së këtij artisti ne sot përkulemi me nderimin më të madh. Ashtu siç e pati jetën Bekim Fehmiu e pati edhe vdekjen, me një largim sa të dhimbshëm aq edhe spektakolar, në fund të fundit gjeniu nuk mund të gjykohet ai vetëm mund të falenderohet” tha Gjoni.
Aktori shqiptar që i dha fund jetës në shtëpinë e tij . Në 15 qershor të vitit 2010 ai u vetëvra në moshën 74-vjeçare. Bekim Fehmiu lindi më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Ka jetuar në Shkodër dhe Prizren, për të vazhduar studimet dhe karrierën në Beograd. Ai ka aktruar në 41 filma deri në vitin 1998. Ka pasur role në shqip, serbokroatisht, spanjisht, anglisht, në gjuhën frënge, italisht dhe maqedonisht. Fehmiu ka lënë një përshtypje të madhe me stilin e tij prej një intelektuali të madh dhe një aktori që ka ditur ta bëjë edhe jetën e tij një lojë.