-Seancë solemne e Kuvendit në shënim të 25-vjetorit të Betejës së Koshares/
-Foto Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
PRISHTINË, 4 Prill 2024-Gazeta DIELLI / Përkujtohet Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para çerek shekulli, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës. Për nder të Betejës së Koshares, zhvillohen manifestime tradicionale në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar, si dhe me një minutë heshtje në nderim të të rënëve, ka filluar seanca e sotme solemne e Kuvendit, mbajtur për nder të 25-vjetorit të Betejës së Koshares.
Para deputetëve e para fjalën e mori presidentja Vjosa Osmani, e cila Betejën e Koshares e konsideroi pikë kthese për popullin e Kosovës kundër regjimit gjenocidal serb. Ajo tha se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore. Ajo tha se njëzet e pesë vjet më parë Kosova qëndroi në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendenca e regjimit gjenocidal i Serbisë për shfarosje të popullit të saj.
“Megjithatë, ditëm të mobilizohemi të gjithë në një front të përbashkët, gra e burra, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën tonë për liri dhe shtet. Sot, jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët dëshmuan shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë, për Republikën tonë”, theksoi presidentja Osmani, duke shtuar se kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik Ibrahim Rugova.
E para e vendit tha se luftëtarët e UÇK-së në Betejën e Koshares dëshmuan shpirtin vetëmohues për t’i dhënë gjithçka atdheut edhe gjënë më sublime të tyre, jetën.
“Teksa kujtojmë me nderimin më të thellë luftëtarët e Brigadës Agim Ramadani riafirmojmë përkushtimin që të punojmë fort për Republikën e Kosovës siç e deshën ata që ranë. Lavdi heronjve të Brigadës Agim Ramadani”, tha në fjalën e saj presidentja Osmani.
Kryetari Glauk Konjufca nga foltorja e Kuvendit tha se themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Koshares është një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirim nga Serbia. Kryetari i Kuvendit tha se ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, shtoi ai, Beteja e Koshares ia dha namin UÇK-së si një ushtri që ishte e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbo-jugosllave, duke e bërë atë tashmë të paaftë të garantojë kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Prandaj, jemi mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së e për të nderuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e saj, në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138. Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare”, tha kryetari Konjufca.
Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Albin Kurti tha se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares, përcjellë imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature.
“Aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së, si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë; i shohim të përfshirë me gryka artilerie edhe ushtarët shqiptarë të Divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hidhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej asokohe Jugosllavi e Milosheviqit”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti shtoi se liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtetformimit integral.
“Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti. Andaj nga Kuvendi i Kosovës sot u shprehim mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në luftimet e Betejës së Koshares, nga të cilët 380 u plagosën. Lavdi 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Pas fjalimeve të tre drejtuesve shtetërorë, kryetari Konjufca u kaloi fjalën përfaqësuesve të grupeve parlamentare.
Ne emër të GP të Vetëvendosjes, deputeti Enver Haliti, duke e cilësuar gjithshqiptare Betejën e Koshares, tha se emrat e 14 dëshmorëve të saj u shkruan me shkronja të arta ne historinë e luftës sonë të lavdishme. Ai shtoi se pjesëtarët e Brigadës 1938 të UÇK-së kishin një qëllim, thyerjen e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë, për t’i forcuar dhe furnizuar me armatim radhët e UÇK-së, e cila po vazhdonte luftën në gjithë territorin e Kosovës, për t’i dhënë goditjen e fundit forcave pushtuese serbe, nëpërmjet një ofensive tokësore.
“Prandaj me të drejtë kjo betejë është vlerësuar një ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së. Në ngjarje të tilla përkujtimore nuk mund të mos përmenden familje të tëra nga Tropoja, Hasi, Bajram Curri e Kukësi, të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, duke pritur e përcjellë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtëpitë e tyre, por edhe duke dhënë trima, të cilët e përqafuan uniformën e UÇK-së, për t’i dhënë Kosovës edhe jetën e tyre, duke rënë dëshmorë në përballje me forcat serbe”, tha deputeti Haliti.
Nga GP i PDK-së, deputeti Hisen Berisha, tha se Beteja e Koshares i dha një dimension të sigurt fitores së lirisë, ndaj krimit shtetëror dhe barbarisë serbe mbi shqiptarët, si dhe për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës. Ai tha se Kosharja mposhti “ushtrinë hyjnore” siç e cilësonte regjimi i Milosheviqit, duke ia marrë që në sulmin e parë Kazermën Ushtarake të Koshares, për të vazhduar me luftimet edhe për atë në “Qafë Morinë”, ndërkohë që shumë më herët, qysh në shtatorin e vitit 1998 ishte tërësisht neutralizuar Kazemra “Vujinoviç” në Trekufi.
Deputeti Berisha shtoi se Kosharja, në aspektin juridik-ndërkombëtar rrënoi me forcën e armës komponentën kryesore të shtetësisë së dhunshme dhe terrorizuese të Jugosllavisë, kufirin, që ndau padrejtësisht shqiptarët.
“Shkelja e gurit të kufirit nga këmba luftëtarit të UÇK-së ishte shkelje në padrejtësi historike. Duke shkelur kufirin vramë iluzionin e kriminelit Milosheviq dhe të gjithë ndjekësve të tij se do të mund të mbante ende ëndrrën gjallë, për të vazhduar të vrasë dhe dëbojë popullsinë civile shqiptare nga vatrat e tyre. Kosharja dinamizoi dhe rivitalizoi forcën e UÇK-së si feniks, që me beteja po mbillte lirinë në çdo shpirt dhe pëllëmbë toke të Kosovës”, tha deputeti Berisha.
Deputeti Anton Quni, në emër të GP të LDK-së tha se më 9 prill, para 25 vjetësh në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Koshare, në orët e hershme të mëngjesit do të fillonte operacioni për çlirimin e territorit të Kosovës. Deputeti Quni tha se për të arritur qëllimin përfundimtar strategjik, duhej arritur qëllimet operative dhe taktike, pra neutralizimi dhe shkatërrimi i caqeve ushtarake serbe, në njerëz, teknikë, objekte dhe instalime të tjera ushtarake.
“Në përpjekjen tonë për arritjen e qëllimit dhe në rezistencën e armikut për të ruajtur territoret e okupuara, do të zhvillohej një ndër betejat më epike dhe një ndër betejat më të përgjakshme. Nga 9 prilli deri më 15 qershor kur forcat serbe u tërhoqën përfundimisht, përjetuam shumë momente të vështira. Por, pas çdo vështirësie ne u gëzoheshim fitoreve. Çdo ditë ishim më të fortë e më të vendosur. Ne po përparonim çdo ditë e më shumë. Rritej numri i luftëtarëve, sigurohej armatimi dhe municioni, specializoheshin njësi të ndryshme, dominonim terrenin dhe bashkëvepronim më mirë, ndërsa përballë rreshtoheshin njësi masive të armikut. Por, përballë forcës sonë ato u neutralizuan dhe u demoluan”, tha ndër të tjera deputeti Quni.
Deputetja Time Kadriaj nga GP i AAK-së tha se po bëhen 25 vjet nga thyerja e kufirit shqiptar, që siç tha ajo, ka qenë ëndërr e çdo shqiptari, kufirit që ndau vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe.
Deputetja Kadriaj tha se Epopeja e UÇK-së, në fillim të muajit mars në Prekaz, ku ra për të mos vdekur kurrë Komandanti Legjendar Adem Jashari, për të vazhduar në Gllogjan me Epopenë e Dukagjinit dhe epopetë e tjera anekënd Kosovës, ishte kambanë alarmi se me regjimin e Beogradit nuk ka dialog dhe që e vetmja mënyrë për kundërpërgjigje është lufta e armatosur.
Ajo evokoi kujtime nga beteja e Koshares, përkatësisht shërbimi mjekësor që ekipi i mjekëve të luftës u ofroi luftëtarëve të plagosur.
“Secili hero dhe dëshmor i Kosovës ishte histori në vete. Ballë rrufesh ranë 114 dëshmorë të betejës, ndërsa 423 të plagosur ndanë jetën me vdekjen. Mijëra luftëtarë, mes të ftohtit e në acar e në diell përcëllitës ishin aty, për t’i dhënë Kosovës lirinë”, tha ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Kadriaj.