
Sildi Koqini/
Më 27 shkurt 2025, në ambientet e “Tirana Internacional”, në një aktivitet, të organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, që përkon me 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar Qamil Buxheli. u zhvillua promovimi i librit monografik të shkrimtarit Arben Iliazi për jetën dhe veprën e këtij personalitetit të letrave shqipe.
Mes pjesëmarrësve të shumtë nga komuniteti cam dhe elitat entelektuale të Tiranës e Durrësit, studiues e profesorë të njohur, e pranishme në këtë takim ishte edhe e nderuara, bija e Qamil Buxhelit, profesore Mila Buxheli: “Ndihem e nderuar si pjesëmarrëse e takimit mbresëlënës, për promovimin e librit të publicistit dhe poetit të njohur Arben Iliazi, kushtuar krijimtarisë së tim eti, shkrimtarit Qamil Buxheli.
Me këtê rast përshëndes dhe falënderoj përzemërsisht për gjestin fisnik, organizatorin e takimit, z. Alket Veliu dhe Fondacionin Çamëria “Hoxha Tahsini”, sepse mundësuan organizimin e këtij takimi. Gjithashtu urimet më të mira janë për Arben Iliazi, autorin e librit “Qamil Buxheli, mjeshtër i madh i humorit dhe satirës”. Libri është shkruar me shumë dashuri e profesionalizëm. Edhe pse ështe një studim modest, autori shquhet për analiza të sakta të veçorive të krijimtarisë letrare të Buxhelit. Uroj dhe besoj që libri do të pritet mirë si nga lexuesit, ashtu dhe nga kritika. Falënderoj përzemërsisht pjesëmarrësit e shumtë në këtë takim të këndshëm. Ju uroj te gjithëve shëndet, mbarësi e suksese! U mbledhshim vetëm për gëzime”!
Profesor Ymer Çiraku, me shkrimet e tij periodike nëpër vite, ka ndriçuar këtë figurë të madhe të letërsisë. Qamil Buxheli është vlerësuar nga kritika letrare si një nga të mëdhenjtë e humorit në letërsinë shqipe, tha në këtë takim prof. Çiraku. “Në letërsi, ai iu përkushtua specifikisht zhanrit të humorit dhe satirës, që përbën një vështirësi më vete suplementare, pasi pushteti totalitar në filozofinë e vet, e refuzonte oponencën, ose e pranonte atë vetëm si lustër demagogjike dhe të orientuar. Shkrimtari, pati jo pak konseguenca, që u shfaqën me heqje veprash të tij nga qarkullimi, me kritika në forumet e larta partiake të kohës, me shkarkime nga funksione zyrtare, e deri dy herë largime nga vendbanimi në Tiranë.
Kontributi i tij në revistën “Ylli”, është i njohur në përkrahjen e talenteve te reja, përmes botimeve nga krijimtaria e tyre, në përcjelljen e debatit letrar, në botimin e krijimeve cilësore, duke anashkaluar jo me pak kurajo edhe disa tabu ideologjike. Mund të thuhet se proza humoristike buxheliane mbart si ndikim, diçka nga fabulat groteske dhe shpotitë therrëse të natyrës sociale të humoristit të njohur turk Azis Nesinit. Ashtu si dhe nga fryma e aventurave aq të sinqerta e plot peripeci të Shvejkut të Hashekut. Këto pikëtakime të begata, vinin sepse krahas talentit të lindur, ky krijues i madh i humorit e satirës, zotëronte edhe një kulturë të gjerë letrare e më shumë se kaq. Mjaft nga veprat e humoristëve dhe satiristëve me famë botërore, ai i lexonte drejtpërdrejt në origjinal: në frengjisht, italisht e rusisht. Kultura e tij solide dhe e pasur letrare e jetësore, dëshmohej edhe në debatet publike e në bisedat e lira mes miqsh, ku ndërthurreshin hijshëm logjika e argumentit me një parfum humori, që s`i ndahej për asnjë çast. Mjaft prej batutave të tij anektodike, të mençura e të guximshme, vazhdojnë edhe sot që të qarkullojnë, shpesh edhe si anonimat.
Një përshëndetje e veçantë erdhi nga z. Agron Calliku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Durrës, i cili lexoi dhe një poezi të tij kushtura Çamërisë, duke ngjallur mjaft emocione. Shkrimtari Qamil Buxheli ishte njeri me shije të përparuara estetike, me një vetëdije krijuese për t’u admiruar, me një talent dhe inteligjencë të rrallë, tha zoti Calliku. Ai krijoi tekste komike me vlera të larta, larg humorit vulgar e banal, mbështetur në humorin e shëndoshë të traditës popullore, duke e pasuruar atë me elemente të një traditë të re, me mesazhe të fuqishme dhe forma të reja shprehëse dhe estetike.
I nderuari, redaktori i librit, Prof. Pandeli Koçi, poet e shkrimtar, një mik i hershëm, dashamirës dhe mbështetës i madh i Qamil Buxhelit, mes të tjerash tha:”Po përkujtojmë sot një nga figurat më madhore të letë rsisë dhe artit shqiptar, të kulturës shqiptare, krijues i kalibrit të madh, me një thelb të pavdekshëm. Libri i Arben Iliazit është shkruar me shumë dashuri dhe profesionalizëm. Nuk është thjesht një ese, por një studim i mirëfilltë.
Vepra e Buxhelit ka përmasa të pakrahasueshme me shumë krijues të tjerë shqiptarë. Ai shkroi shumë dhe ishte një kryemjeshtër i vërtetë i humorit dhe i satirës. Emri i tij do të përmendet gjatë gjithë historisë së letërsisë, pasi vepra e tij nuk kishte vetëm nivel të lartë artistk, por edhe një thelb kombëtar. E kemi adhuruar Buxhelin qysh në fëmijëri, tha Dr. Virion Graçi, shkrimtar dhe studiues i njohur, i cili mbajti kumtesën : “Qamil Buxheli për faraonët dhe firaunët”. Duke lexuar librin e Arben Iliazit për Qamil Buxhelin, në 100 vjetorin e lindjes, m’u gjallëruan mbresat që kam nga leximet e këtij autori të madh të humorit, kudo ku i gjeja shkrimet e librat e tij, në librari, në biblioteka, në faqet e revistës javore “Hosteni”, në përmbledhje tregimesh të zgjedhura humoristike; gjeje në skica/skeçke, nëanekdota, nëfjalë të urta me bishtdhe në histori të palexuara, të qarkulluara gojarisht nga njëri te tjetri sipas modelit mbrojtës: Kështu ka thënë Qamil Buxheli. Me sa duket, kishim nevojë për guximin e tij dhe për gëzimin që të shkaktonte e shpotia e tij, ironia rrezëlluese. Qamil Buxheli është i pari dhe i fundit autor deri tani që ka vepër të plotë letrare në llojin e satirës, duke qenë njëherësh pionier dhe kulm: është autor i romanit të parësatirik, kultivoi tregimin humoristik dhe mbetet mëprodhimtari deri sot; kultivoi tregimin e shkurtër dhe anekdotën dhe mbetet i patejkaluar, sikurse është i shquar për reportazhet problemore, skicat letrare. Paradoksalisht, krijimtaria e tij satiriko-humoristike lulëzoi përgjatë seriozitetit solemn të regjimit diktatorial, në periudhën ku censura, autocensura, liria e fjalës, liria krijuese në çdo dimension, ishin kodifikuara nga shteti dhe entet e tij botuese, ishin të kontrolluara maksimalisht nga autoritetet zyrtare që me artin i lidhte kryesisht vija e ideologjike e partisë-shtet dhe punësimi komod në Tiranë, nëpër redaksi – si garantues të bionomit harmonik propagandë-krijimtari, ndërsa të qeshurën nuk e donin, i frikeshin po aq sa organeve të dhunës e të sigurisë. Me Q. Buxhelin ndodhi si me shkrimtarët e mëdhej: instinkti krijues, vullneti i pakompromis për të mirën, për të bukurën, për të drejtën dhe të vërtetat domethënëse jetësore e ndihuan t’i sfidojë kufizimet dhe dogmat e epokës së tij, të ngrihet me gjuhën e satirës kundër veseve, mangësive, vaniteteve individuale e atyre grupore. Besoj, lexuesit e shumtë, sa herë do ta kujtojnë Q. Buxhelin, do të buzëqëshin dhe do të bëhen më të matur, më të pjekur, më të fisnikëruar
Studiuesi dhe shkrimtari Ahmet Mehmeti, tha se Qamil Buxheli nuk e hoqi kurrë nga goja origjinën e tij. Kur i kujtoje vendlindjen – Pandalejmonin, qënia e tij merrte psikologjinë e dhembshur të fëmijës para lodrave të moshës. Që në luftë nisi të shkruante vjersha, por edhe përralla, të cilat vetë autori i kujtonte me nostalgji. Qysh në vjershat dhe elegjitë e para u dukën shkëndijat e talentit që po vinte, një talent jo si të tjerët.
Në vitet e hershme të rinisë, kur ishte 18 vjeç, si pjesëmarrës i betejave të Mezhgoranit, ka shkruar poezi me figuracion të pasur, siç është ajo kushtuar Asim Zenelit (korrik 1943), e cila u bë këngë me titull “Një zë po del nga Gryk’e Mezhgoranit”, dhe “Kënga e Ali Demit” (1944).
Dy këngët e tij, si dhe ato të përmbledhura në “Këngë partizane” (1943) padyshim janë ndër krijimet më të mira të epikës atdhetare që trashëgojmë nga ajo periudhë. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Qamil Buxheli ka shkruar edhe poezi për Çamërinë, ku motivi kombëtar, përkatësisht tema e luftës për çlirim kombëtar nga pushtuesit e ndryshëm, është dominues në segmentin e një pjese të etnisë, si pjesë integrale e asaj lufte. Mjaft të sjellim në vëmendje vjershën “O Çamëria trime”.
Në mbyllje, autori i librit Arben Iliazi, tha: Të shkruash për Qamil Buxhelin është një sipërmarrje e vështirë dhe me risk, pasi pesha specifike e tij është e madhe. Qamil Buxheli është një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit, ndonëse e shkruar në shekullin XX, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e letërsisë shqipe. Në këtë libër jam përpjekur të argumentoj dhe të them se Buxheli krijoi me duart e tij një kozmos letrar. Buxheli e mbante në gji gjithë universin njerëzor, historik, politik e social të Shqipërisë. Ai është një luks për ata që e kanë shijuar ndjeshmërinë e humorit të tij. Rrallë shkrimtarë kanë ndenjur kaq bukur mbi truallin e humorit si Qamil Buxheli. U drejtohemi me një thirrje institucioneve të vendit, që t’ia botojnë të plotë veprën e tij shumëdimensionale. Botimi i plotë i veprës letrare dhe publicistike është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor. Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha, nderon veten. I ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet”.