
Rilindësi, studiuesi i trashëgimisë kulturore të arbëreshëve, gazetari, poeti, publicisti, filologu e mësuesi, themeluesi i letërsisë arbëreshe Jeronim de Rada ndërroi jetë më 28 shkurt të vitit 1903.
Jeronim de Rada lindi më 19 nëntor 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki në Kalabri. Në Napolin e vitit 1834, De Rada, një i ri rreth të 20-tave që studionte drejtësi, e ndiente nga larg Shqipërinë. Në mësimet e para që mori në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës apo leximet e para shqip, ai e ndiente veten më shumë të lidhur me të shkuarën kombëtare shqiptare.
De Rada ishte nismëtari i letërsisë moderne shqiptare. “Botimi i Këngëve të Milosaos” në vitin 1836, jo vetëm që shënoi fillimin e një faze të re në letërsinë shqipe, por i hapi shtegun europianizmit që do të karakterizojë veprat e autorëve të mëvonshëm.
Në vitet 1847-1848, De Rada botoi “Rrëfimet e arbrit”, që përmblidhte katër novela në vargje, ku ideja patriotike shprehej me lirizëm të theksuar. Në drejtimin e kësaj figure qendrore të periudhës së Rilindjes u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”. Ai ngriti përmes penës së tij çështjen shqiptare.
Nga viti 1861, De Rada nisi një fazë e re, ku shfaqet si një nga figurat më në zë të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) ai botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare.
Në vitet 1890, De Rada përfundoi poemat “Skënderbeu i pafan” (që konsiderohet një nga veprat më të mira) dhe “Gjon Huniadi”.
Më 1878-n De Rada përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Ai i dha një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare me revistën “Flamuri Arbrit”, që e botoi në vitet 1883-1885.
De Rada është nga të parët studiues të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine.
Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro të Provincës së Kozencës, i dyti (1897) në Lungro, provincë e Kalabrisë.
De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Në Itali janë botuar tashmë mbi 10 vëllime të veprës së De Radës që përfshijnë jo vetëm krijimtarinë poetike, por edhe atë gjuhësore, politiko-filozofike, letërkëmbimin etj.
Studiuesi i veprës së tij akad. Matteo Mandalà shkruan se “De Rada ishte një idhull për të rinjtë e kohës. Nismëtar dhe organizues tubimesh shkencore dhe kulturore, nxitës botimesh që përndryshe do t’i kishim humbur, mbledhës i palodhur dhe studiues i këngëve popullore, De Rada ishte një vizionar i madh që arriti të parashikonte historinë e aspiratat e Shqipërisë si askush tjetër”.