Në nderim dhe në kujtim të tij, përgatiti për botim Anton Çefa/
Njërin krah të pulëbardhës e mbushte jugu/
tjetrin krah tramundana./
Në gojë të dallgëve e reve/
klithja e zogut digjej nën shira.
Mbi mua e nën mua shpirti
apokaliptik i një perëndie të egër.
Gjeni e poezisë buzëqesh
dhe sundoje tani kaosin.
***
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka
Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
rrah brigjet e errëta këtu.
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
Tregomë një va ku të kaloj.
Ti i njeh guvat e vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
ku të kaloj Akerontin
dhe të arrij.
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
***
Perëndia e shqiptarëve
Kot – luftë.
Kot – vdekje.
Kot – shpresë.
Perëndia e shqiptarëve akoma mendon…
Demagogë idealet.
Tragjike liritë.
Komike shpresat.
Perëndia e shqiptarëve mvrenjtet,
shtriqet,
akoma mendon.
S’e thotë që s’e thotë
një fjalë perëndie . . .
***
Gjiri i papirë
Në çdo gjysëm sekonde vdes në botë një fëmijë . . .
Një arkivol i vogël, gjysma e sekondës . . .
T’u flas senateve, parlamenteve,
burrave të shteteve?
Si fëmija që heq gishtin prej goje,
me gisht t’u tregoja një gjysmë sekonde
që kundron brenda një varri ?
Do të doja prej zemrave të nënave
të shkulja rrënjët e errëta të dhimbjeve,
që ndjell gjiri i papirë.
Dhe ju, duke shkelur mbi gjysma sekondash,
pse të shkoni në varreza fëmijësh,
ku trëndafilët ngatërrojnë fjalët e para –
të jetës apo të vdekjes?
***
E sajoi reja zogun
E sajoi reja zogun e furtunës.
Sa ndjeu prekjen e krahut mbi valë,
u drodh deti im.
E qeshi e qau me dhimbje stërkalash.
Tani zgalemi tek unë godet,
rreh sqepin e fortë në shkëmb,
fjalë për fjalë rrokjëzon
shpirtin e tij.
Nuk është i bindur zogu,
a e kujton deti
dhe unë .
***
Si s’të desha pak më shumë . . .
Unë e desha përtej vdekjes,
ashtu dashurova unë.
Edhe prap s’ja fal dot vetes :
Si s’e desha pak më shumë. . .
Pak më shumë ku shpirti thyet,
t’i them ndarjes: – Prit, ca pak . . .
të gënjejmë mallin që s’shuhet,
kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
atje ku nisë “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes Zotave:
« Si s’të desha pak më tepër . . . »
***
Si mund të kalohet Llogaraja pa ty
Si mund të kalohet Llogaraja pa ty?
Me një kokërr portokalle në dorë,
Llogaraja si mund të kalohet pa ty . . .
Të pengohesh nëpër folera yjesh
të zgjosh e të trembësh zogjt’ qiellorë
që fluturojnë e fshihen fundeve të detit . . .
Një dhimbje bardhësie të kaltër,
njerëzore gjer në përjetësi!
Në duart e mia,
ky dallgëzim qiellor i deteve,
si dikur drithërimë e përmallshme e ijeve
të tua imcake.
Ky mall i përjetshëm Llogaraje
më mbeti në sy.
Akrokeraunet
Vazhdojnë punën e tyre të përhershme:
prodhojnë vetëtima.
***
Mjellma e Liqenit të Ohrit
E uli qafën e brishtë
tek brinjë e Orionit.
Derdhur e tëra prej malli.
Mbi konstelacione yjesh
e fatesh lundron,
hutim i bardhë, mospërfillës i liqenit.
Befas shpirti i natës ndizet,
shkrumohet në këngën e saj.
Brerimë e lotëve shuan,
atje përposh,
prushanën e ndezur të Mjellmës Boreale.