Pritet tjetër përkeqësim i motit në 48 orët e ardhshme. Kryeministri Rama kërkon ndihmën e Bankave për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet në jug Kërcënimi nga moti i keq nuk është lënë ende pas krahëve, ndërsa sot u shënua dhe viktima e parë. Një grua 38 vjecare në Pogradec, humbi jetën ndërsa u rrëmbye nga rjedha e lumit që kishte dalë nga shtrati. Dy ditët e ardhshme pritet të rëndojnë situatën e cila 24 orët e fundit pati një përmirësim për shkak të ndërprerjes së reshjeve. “Moti nuk do të jetë aspak i favorshëm as 48 orët e ardhshme dhe sipas parashikimeve meteorologjike duhet të presim më të keqen”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.
Dëmet e shkaktuara në zonat e jugut janë të konsiderueshme, ndonëse ende nuk ka një bilanc të qartë. Kryeministri Edi Rama u takua sot me drejtuesit e bankave që veprojnë në vend për të kërkuar edhe mbështetjen e tyre ndaj fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e që kanë marrë kredi për aktivitetin e tyre. “Kërkesa jonë ishte e qartë: Të gjithë këta kredimarrës duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Për të bërë të mundur që në ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj bankave”. Kryeministri u shpreh se kishte marrë përgjigje pozitive nga Bankat të cilat së bashku me autoritetet dhe guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, do të hartojnë një marrëveshje të posacme për fermerët kreditorë.
Pas vizitës së djeshme në zonat e prekura nga përmbytjet, presidenti Nishani sot e vlerësoi problematike gjendjen e krijuar. Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve për nevojën ose jo të sjhpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai la të kuptohej se po të kishte qenë kompetencë e tij do ta kishte bërë një gjë të tillë, duke vlerësuar megjithatë pozitivisht masat e marra deri më tani. “Institucionet përgjegjëse të emergjencave, të shpëtimit të jetës së njerëzve, por dhe të komunikimit ishin pranë njerëzve, ishin marrë masa dhe pikërisht dhe për shkak të marrjes së këtyre masave nuk ka pasur humbje të jetës së njerëzve”, deklaroi presidenti Nishani.
Por opozita vazhdon të këmbëngulë se situata nuk është aspak e favorshme dhe se qeveria nuk ka një plan të qartë masash dhe se sipas saj kërkon me cdo kusht të shmangë zhdëmtimin e banorëve.“Kryeministri ka treguar se ka një dhe vetëm një shqetësim: si të mos u japi dëmshpërblimin banorëve. Por kërkesa jonë nuk ka të bëjë vetëm me dëmshpërblimin. Ka të bëjë me faktin se gjendja e emergjencës është pikërisht ajo që aktivizon planin e emergjencës, shtabin qendror të emergjencës, planin konkret të masave, fondet speciale të emergjencës së shtetit. Eshtë e vetmja gjendje që na kualifikon në sytë e Qendrës operacionale europiane për ndihmë”, theksoi kryetari demokrat Lulzim Basha.
Por kryeministri përsëriti sot dhe një herë se “ne nuk do t’i shmangemi asnjë detyrimi që do të burojë nga inventari real i dëmeve. Sikundër, ne do të mobilizojmë forcat dhe burime si asnjëherë më parë për t’iu gjendur pranë njerëzve në kurimin e plagëve imediate dhe për të kuruar dhe shëruar plagët që rrezikojnë të dëmtojnë edhe ekonominë e gjithë atij territori në afatmesëm”, u shpreh zoti Rama.