![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/07/363319238_666868382148354_3576088202132879617_n.jpg)
Nikollë Loka/
Siç dihet, Rilindja Kombëtare qe një lëvizje e madhe atdhetare, mendore, kulturore, arsimore etj., që përshkoi të gjitha fushat e jetës shqiptare; qe një periudhë që karakterizohet nga rilindja e kombit dhe futja e tij në rrugën e përparimit si kombet e tjera të Evropës. Ajo përfshiu të gjitha sferat e jetës shpirtërore, morale, ushtarake, materiale etj., që gjeti edhe një pasqyrim të fuqishëm në fushën e arsimit kombëtar dhe të mësimit të gjuhës shqipe.
Kombi shqiptar ende vuante pasojat e administrimit osman, i cili nuk lejonte hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu rilindësit, duke analizuar të gjitha rrugëzgjidhjet e kësaj situate, arritën në përfundimin se aspirata e tyre për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mund të bëheshin realitet vetëm nëpërmjet dy rrugëve, që ishin në funksion të njëra-tjetrës: së pari, nëpërmjet luftës së armatosur; së dyti, nëpërmjet lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla, gjë e cila do të çonte padyshim në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, nën idenë se “…drit’ e diturisë përpara do na shpjerë…”, që ishte sintezë e ideve iluministe të rilindësve tanë(Kazazi, 2016).
Për të penguar shkëputjen e popujve ballkanikë nga shteti, në periudhën pas kryengritjeve të grekëve, bullgarëve, serbëve dhe vllehëve, atyre iu njohën disa veçori kulturore. Njëra prej tyre ishte edhe shkollimi në gjuhën amtare. Në realitet popujt jomyslimanë edhe më përpara e kishin shkollimin në gjuhët e tyre, ndërsa në këtë periudhë ata filluan ta shfrytëzonin këtë të drejtë për formësim kulturor dhe identitar. Parë në këtë këndvështrim, shqiptarët kishin mbetur prapa, në krahasim me popujt tjerë të Ballkanit(Yücedağ, Koç, 2020: 35). Aq më keq për shqiptarët se në tokat e tyre po hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare, sepse dekreti perandorak osman i quajtur Hatti-Humaiun ua lejonte ato(Mustafa, 2019). Në vitin 1892, në katër vilajetet shqiptare kishin më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe(Ditërrëfenjësi Kombiar, 1900:153-154).
Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjitha kombësive do t’u lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin turq, arnautë, kaurrë, latinë; por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte gjuha shqipe(Mustafa, 2019).
Edhe pas dekretit të Gjylhanesë, i cili në fushën e arsimit parashikonte që sistemi arsimor të organizohej në shkolla shtetërore, trevat shqiptare nuk përfituan asgjë, pasi shkollimi bëhej sipas përkatësisë fetare, vetëm në shkolla të huaja. Shkollat dhe mësimi i gjuhës shqipe ishin objekt i goditjeve të vazhdueshme nga ana e administratës osmane, ndërkohë që me kalimin e kohës edhe në trevat shqiptare “… u rrit nevoja për një arsim laik, shqip nga gjuha, kombëtar nga fryma dhe praktik për jetën” (Loka, 2020: 86).
Në vitet ‘50 të shekullit XIX e më pas, përpjekjet e shqiptarëve brenda atdheut u bashkuan me veprimtarinë e madhe e të gjithanshme të atdhetarëve në mërgim, të cilët po organizoheshin në shoqëri atdhetare, arsimore e kulturore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e mësimit shqip, për botimin e teksteve shkollore etj. Bashkatdhetarët në mërgim u vunë në shërbim të luftës për liri, të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar, me të gjitha mjetet e mundësitë e mbi të gjitha me dëshirën e tyre të zjarrtë. (Kazazi, 2016). Pas kushtetutës së vitit 1846, dhe si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Por, duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët shqiptarë myslimanë të kohës u munduan që edhe përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, si mjeti i përparimit dhe i ngritjes kulturore”(Mustafa, 2014). Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se pa emancipim kulturor nuk ka as vetëdije kombëtare, kështu që ata zhvilluan një sërë aktivitetesh, ku si synim kryesor kishin që karakteri politik të jetë i drejtuar në zhvillimin e arsimit dhe të shkollës kombëtare.
Nuk do të kishte kuptim të flasim për problemet e arsimit në shqip në periudhën e Rilindjes Kombëtrare pa vënë në dukje programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë fushë. Idetë dhe platforma arsimore e Lidhjes u bënë pjesë e përbërëse e shumë veprave, artikujve dhe fjalimeve të ideologëve të shquar të Rilindjes Kombëtare. (Kazazi, 2016). Sigurisht, Traktati i Shën Stefanit provokoi nacionalizmin shqiptar dhe farkëtoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila nuk i shkonte për shtat politikës hamidiane ndaj shqiptarëve, prandaj pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, mësimi i shqipes në shkollat publike, si dhe përdorimi i saj në korrespondencën zyrtare u ndalua kategorikisht. Gjatë vitit 1880, Porta e Lartë ndërmori një sërë goditjesh kundër “Shoqërisë së shkronjave”, duke mos lejuar më as botime librash, as ngritje shkollash shqipe. Vetëm dega e saj me qendër në Bukuresht u shpëtoi këtyre ndjekjeve dhe më vonë kjo degë do të mbetej ndër shpresat e vetme për realizimin e programit arsimor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(Kazazi, 2016). Në kushtet e terrorit osman, pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtaritë kulturore shqiptare vazhduan në Rumani (Bukuresht, Konstancë), Bullgari (Sofje), Austri (Klagenfurt, Vjenë) dhe Egjipt (Kairo). Në Bukuresht, shoqatat si: “Drita”, “Dituria” dhe “Shpresa” ishin të rëndësishme në përpjekjet e tyre për të ofruar mbështetje materiale për veprimtaritë arsimore shqiptare në krahinat osmane(Somel, 1997: 453).
Pas ndalimit të arsimit shqip, për interesa të shtetit osman, nga autoritetet u lejuan dy shkolla shqipe të Korçës, për djem dhe ajo për vajza, si kundërpeshë ndaj shovinizmit grek të Fanarit, që po cënonte interest osmane. Por rezulatetet e shkollave shqipe të djemëve e të vajzave në Korçë për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe veprimtaria e shkollave të fshehta shqipe, të hapura me shumicë në jug, e kishin shtuar shqetësimin e autoriteteve osmane dhe të Patrikanës së Stambollit. Si rrjedhim, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, shpërtheu një fushatë ndjekjesh, burgimesh dhe internimesh të mësuesve dhe veprimtarëve shqiptarë(Historia e arsimit, 2003:167-168). Autoritetet osmane arritën deri aty sa të mbyllin edhe dy shkollat e Korçës, që i kishin lejuar vetë vite më parë. Në qeshor të vitit 1902, pas 15 vjet pune ishte mbyllur Mësonjtoria Shqipe për djem. Vështirësi në këtë kohë po kalonte edhe shkolla shqipe e vajzave në Korçë. Pas urdhërit të Stambollit që ndalonte vijimin e kësaj shkolle nga nxënëset myslimane në vitin 1904, Porta e Lartë ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhës mësimi në këtë shkollë dhe në fillim të vitit 1907, nga Veziri i Madh u lëshua urdhëri për mbylljen e saj (Historia e arsimit, 2003:169-171).
Gjendja pati pak përmirësime edhe pas Revolucionit xhonturk. Sukseset e arritura nga zhvillimi legal i arsimit kombëtar në Shqipëri i shqetësoi së tepërmi turqit e rinj, të cilët përdorën kundër arsimit shqip çdo mjet, që nga shfrytëzimi i ndjenjave ffetare dhe intrigat e deri te dhuna e drejtëpërdrejtë. Siç shprehet një diplomat italian “dëshira e shqiptarëve për dituri e arsim dhe kërkesa e tyre e ligjshme për të mësuar në gjuhën amtare u quajt nga Komiteti xhonturk si një prirje seperatiste dhe u vu në shënjestër nga ana e tij”. Në fillim, pa dalur ende hapur kundër arsimit shqiptar, turqit e rinj vunë në veprim klerin konservator dhe elementët fenatikë e turkomanë për t’i larguar shqiptarët myslimanë nga mësimi shqip, duke përdorur parulla me karakter fetar, shoqëror e politik ai: “Shqipja të ban kaurr …të ban me shemb teqe e xhamija, me lon kuranin, agjinesën” etj. Ose thonin se “me anë të mësimit të shqipes feudalët shqiptarë synonin të mbanin nën zgjedhë fshatarët dhe të realizonin ambicjet e tyre politike”. Gjithashtu përhapeshin fjalë se “përkrahësit e mësimit shqip ishin kundër interesave shtetërore osmane dhe u shërbenin shteteve të huaja, sidomos Austro-Hungarisë dhe Italisë(Historia e arsimit, 2003:190-191).
Pasi dështuan për pengimin e arsimit shqip me anë të propagandas dhe fesë, autoritetet osmane në trevat shqiptare e hoqën pothuajse krejtësisht maskën që mbanin deri atëherë dhe filluan të zbatonin një kurs më të ashpër e më të hapur kundër lëvizjes arsimore shqiptare e përgjithësisht asaj kombëtare. Në maj 1909 u arrestuan 17 veta nga Struga, Pogradeci dhe Ohri, të akuzuar si agjentë të Sulltan Hamitit. Midis të arrestuarve nga Ohri ishin: Hamdi Bej Ohri, Xheladin Beu, kryetar i klubit dhe Mehmet Beu, të cilët ishin përpjekur për të çelur një shkollë shqipe në atë qytet. Akuza të paqena u bënë kundër Hafiz Ibrahim Dalliut të Tiranës, sepse u jepte mësim shqip vajzave. Në Tiranë, me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së Kushtetutës, xhonturqit organizuan manifestime kundër klubit kombëtar dhe mësimit të shqipes. Një gjendje mjaft e rëndë u krijua në Vlorë, ku u arrestuan dhe u internuan shumë atdhetarë(Historia e arsimit, 2003:191)
Pasi ndalimi i shkollimit shqip në kushtet e regjimit kushtetues xhonturk dukej si i pamundur, një nga mjetet kryesore që përdorin xhonturqit për të penguar përhapjen e mësimit e të shkollës shqipe ishte propagandimi i shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin turko arab, që përdorej edhe për gjuhën osmane(Historia e arsimit, 2003:192) Disa krerë e deputetë shqiptarë turkomanë, të mbrojtur edhe të ndihmuar nga qeveria xhonturke, formuan në Stamboll me 4 mars 1910 shoqërinë “Arnavud Mahfil maarif “ (Rrethi arsimor shqiptar, me senatorin dhe klerikun Haxhi Ali Elbasanin në krye. Qëllimi ishte të organizonin sa më mirë fushatën kundër alfabeteve kombëtare shqipe, të miratuar nga Kongresi i Manastirit. Dhe pas organizimit të “mitingjeve” në përkrahje të alfabetit arab, Ministria turke e arsimit dërgoi një telegram qarkore, me të cilën urdhërohej futja e alfabetit arab në mësimin e gjuhës shqipe në idadijet turke të Shqipërisë(Historia e arsimit, 2003:209-210) Një goditje tjetër kundër arsimit shqiptar u bë në Kongresin e xhonturqve të mbajtur në Selanik në maj të vitit 1909 ku komisioni që punoi për problemin kombëtar e kulturor të kombësive jo turke në Perandori doli me këto propozime: Të gjitha shkollat fillore të mbeten ashtu siç kanë qenë d.m.th. në gjuhën turke. Të gjitha gjimnazet ku mësimi nuk zhvillohet në gjuhën turke të mbyllën dhe nxënësit të kalojnë në gjimnazet turke. Mësimi në këto gjimnaze të zhvillohet vetëm në gjuhën turke(Myzyri, 1996: 27).
Në funksion të fushatës së tyre antishqiptare, xhonturqit nxorën ligje që penalizonin lëvizjen për arsimin shqip, si ligjet “mbi bandat” dhe “mbi shoqëritë”, miratuar nga Parlamenti turk në vjeshtë të vitit 1909. Sipas këtyre ligjeve, në Perandorinë Osmane ndaloheshin të gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre osmane. Në zbatim të këtyre ligjeve, autoritet xhonturke filluan me arrestime, internime e transferime patriotësh shqiptarë dhe pastaj vazhduan me mbyllje klubesh e shkollash shqipe(Historia e arsimit, 2003:207).
Në vitin 1909, fushata e reaksionit xhonturk që kishte synim çarmatosjen e shqiptarëve dhe mbylljen e klubeve e të shkollave shqipe u shtri në të gjithë vendin. Në vitin 1910 masat xhonturke u ashpërsuan dhe reaksioni xhonturke u vërsul kundër shkollave dhe klubeve shqiptare. Në Shkup u arrestua kryetari i klubit të atjeshëm Beqir Efendiu dhe mësuesi i gjuhës shqipe Bedri Pejani; në Manastir u arrestuan Fehim Zavalani dhe vëllezërit Kristo e Dhimitër Qirjazi etj; në Elbasan u arrestuan Kristo Dako e Lef Nosi; në Dibër Qamil Daci; në Tiranë Ibrahim Dalliu, Mahmut Furtuzi, Jusuf Elezi; në Durrës Nikollë Kaçorri etj(Myzyri, 1996: 293).
Dëshirat e forta të nacionalistëve shqiptarë për të patur arsim në gjuhën shqipe nuk u pranuan nga shteti osman. Perandoria Osmane ndoqi një politikë arsimore që synonte ruajtjen e dominimit osman në rajon, përçarjen e shqiptarëve dhe pengimin e formimit të vetëdijes kombëtare të tyre.
Literatura
– Avzi Mustafa, Përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni për arsim kombëtar në fund të shekullit XIX dhe në Fillim të shekullit XX, https://merbraha.com/perpjekjet-e-shqiptareve-ne…/
– Avzi Mustafa, Përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni për arsim kombëtar në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, https://pashtriku.org/dr-avzi-mustafa-perpjekjet-e…/
– Avzi Mustafa, Kontributi i ulemasë shqiptare në Maqedoni për shkollën dhe gjuhën shqipe, https://www.zaninalte.al/ 2014/03/ kontributi-i-ulemase-shqiptare-ne-maqedoni-per-shkollen-dhe-gjuhen-shqipe/
– Ditërrëfenjësi Kombiar, Sofje, mot i katërt, 1900.
– Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar (grup autorësh), vëllimi I; botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003.
– Hysni Myzyri, Arsimi Kombëtar Shqiptar (1908-1912), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë 1996.
– İsmail Yücedağ, Nurgün Koç Kërkesat e shqiptarëve për shkollimin në gjuhën amtare. (1) Dituria islame 354, maj 2020.
– Nikollë Loka.”Lëvizja kombëtare për shkollën dhe alafbetin shqip në Shqipërinë e Veriut”, në Studime historike, reçensione, publicistikë, botimet “Emal”, Tiranë 2020.
– Njazi Kazazi, Mësimi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ’20 të shekullit XX, https://www.zaninalte.al/ 2016/08/mesimi-i-gjuhes-shqipe-gjate-rilindjes-kombetare-e-deri-ne-fillimin-e-viteve-20-te-shekullit-xx/?fbclid=IwAR3m5y0rg Oa2dpOc0oMW6mRflAajrHsq8W8dT7shWrg-C5flLMaWzJZEgtI
– Somel, Selçuk Akṩin “Ottoman Islamic Education in the Balkans in the Nineteeth Century, Islamic Studies, Vol. 36, No. 2/3, Special Issue: Islam in the Balkans, (Summer/ Autumn 1997).