
Prof. Dr. Monika Hasani/
Jeronim de Rada, ka hyrë në historinë tonë si figurë e atdhetar i ndritur, që punoi tërë jetën e vet për ringjalljen e Shqipërisë, për zhvillimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Misionin patriotik ai e realizoi duke punuar dhe kontribuar mjaft si krijues letrar, si filolog, historian, publicist. Botimet folklorike që ai bëri u hapën rrugën përmbledhjeve të mëpastajshme të folklorit shqiptar dhe shërbyen si nxitje për patriotët tanë të Rilindjes, që iu përveshën mbledhjes së folklorit. Idetë e veprave të tij gjuhësore e historike patën përhapje të gjerë ndër rilindasit, si te Samiu, Naimi etj.
Veprat poetike e veprat e tjera, të shkruara shqip me përkthim italisht ose vetëm italisht, si revista “Fjamuri i Arbrit”, veprimtaria e tij e palodhur, lidhjet me njerëzit më të shquar të botës letrare, shkencore e politike të kohës, bënë një punë të madhe për njohjen e propagandimin e popullit shqiptar e të çështjes së tij kombëtare. Ndër përpjekjet e tij madhështore për lëvrimin e gjuhës shqipe vend të veçantë zënë përpjekjet e tij për alfabetin e gjuhës shqipe.
De Rada si zgjidhje të problemeve që çështja e alfabetit shtronte, shihte përdorimin e shkronjave italiane dhe një shtesë me shkronja greke.
Në vitin 1871 “Gramatikën shqipe “ duke folur për alfabetin ai shkruan: “Në zgjedhjen e alfabetit përdorur prej nesh, qëllimi ynë i vetëm ishte ai, që të përfitojmë nga mjeti më i shpejtë ekonomik për shprehjen e përsosur të të gjithë tingujve”.
Ndërkohë De Rada bën përpjekje të herëpashershme për përmirësimin e alfabetit, të cilin përdorte ne shkrimet e veta. Në Revistën “Flamuri i Arbërit”, Viti i parë i botimit, numri i parë botuar në Corliano Calabri, 20 Qershor 1883, ai do të botonte një alfabet të përmirësuar, të plotësuar me shkronja shqipe dhe të pastruara nga shkronjat greke, përveç përdorimit të χ (hita) greke për shkrimin e bashkëtingëllores h shoqëruar me shembujt ilustrues : χee, raχ.
Në këtë botim vihet re edhe mungesa e paraqitjes së zanores y.
I njëjti alfabet do të botohej në “Fiamuri Arbërit” , viti i tretë i botimit Cozensa 15 tetor 1886. Ajo që vihet re është përsëri shmangia e shkronjave greke dhe zëvendësimi i tyre me shkronja shqipe të alfabetit latin. E vetmja shkronje greke që përdor autori është χ (hita greke) që shërben për realizimin e bashkëtingëllores fërkonjëse të aspiruar prepalatale h (χee).
Në gazetën e sipërpërmendur, në hyrjen e artikullit për “Alfabetin shqip” De Rada do te shprehej: “Për të paraqitur pjesën fonetike të shqipes së folur nga kolonitë i jemi përmbajtur më shumë alfabetit italian, kemi pranuar pak shenja artificiale si dhe ndonjë nga shkronjat greke”.
Me iniciativën e tij në vitin 1895 në qytetin e vogël Kalabrez të Korilianos u vendos ndër të tjera që të pranohej si alfabet i përbashkët për të gjithë arbëreshët, alfabeti i tij. Ky rezultat ishte fryt i një pune të palodhur disa vjeçare. Kujtojmë se qysh në parathënien e “Gramatikës shqipe” e vitit 1870 ai do të shprehej se “Një alfabet i përbashkët pret për t’u vendosur. Dhe një alfabet i tillë do të kihet, kur përsosmëria e librave shqip dhe themelimi i një shtypi shqiptar do ta bëjë të nevojshëm dhe do ta lehtësoj përdorimin”.
Në Kongresin Kombëtar të Korlianos De Rada shprehte mendimin që “të kemi një alfabet të thjeshtë dhe të lehtë për t’u mësuar”. Të gjithë pedagogët më të shquar të kohës përqafonin të njëjtën tezë; atë të përdorimit të alfabetit latin, i cili do të ishte më i lehtë për t’u mësuar. Me qindra artikuj politikë e pedagogjik të kohës të shkruar nga rilindësit si Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Pandeli Sotiri, Hoxha Tahsin, Mati Logoreci etj, do t’ia arrinin qëllimit për përdorimin e alfabetit latin, për ta përvetësuar më lehtë gjuhën amtare dhe për ta çuar me tej kulturën shqiptare”.
Sistemi i fundit alfabetik që ai paraqet është në “Abetaren e gjuhës shqipe” e aprovuar dhe përshtatur nga Kongresi Kombëtar në tetor të vitit 1895, botuar në Korliano, në vitin 1896. Në pjesën e parë të saj autori shtron një sistemin alfabetik të shoqëruar edhe me shembuj fjalësh për secilin tingull jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën italiane dhe latine.
Siç vihet re më poshtë autori dallon bashkëtingëllore të thjeshta dhe të përbëra, si dhe përpiqet të bëj një klasifikim të diftongjeve.
Veçojmë se në këtë botim De Rada ka reduktuar ndjeshëm përdorimin e shkronjave greke.
Konkretisht ai përdor χ (chita) për paraqitjen e bashkëtingëllores hj si dhe x për paraqitjen e dyshkronjëshit ks, si dhe δ( ) për bashkëtingëlloren dh, ζ (zita) për z χ-(hita) për paraqitjen e dyshkronjëshit hj, š për sh, ɗ (për dh), θ (për th)
Në hyrje të saj De Rada sqaron se:”Alfabeti i gjuhës shqipe është i përbërë nga shtatë zanore dhe nga 31 bashkëtingëllore të thjeshta të përfaqësuara nga një ose dy shkronja”. Në fakt ka edhe tri shkronjësha’.
Autori njeh këto zanore e bashkëtingëllore;
Zanoret
Zanoret janë a, e, ë, i, u, o, y. Apostrofi (‘) plotëson fonetikën e gjuhës. Zanoret a, e i, o, u kanë tingullin e gjuhës latine. Psh: dálj – esco ( në gjuhën italiane) – dal (në shqip sot), délj – esci ( në gjuhën italiane) – dil ( në shqip sot), dilj – vienni fuori ( në gjuhën italiane) – dil jashtë (shqip), dôla – sono uscito ( në gjuhën italiane) – dola ( shqip sot). Është intersante të japim edhe aryetimin e tij për përdorimin e shkronjës ë. Kështu sipas De Radës:
“Ë, i jep një tingull të veçantë hundor kësaj gjuhe, si psh: ēm –madre ( në gjuhën italiane) – mëma ( shqip sot), cē- che ( në gjuhën italiane) – që ( në shqip sot), ljënk – sugo ( në gjuhën italiane)- lëng ( në shqip sot). Kjo ë e cila paraqet thuajse më të shumtën e zërit në fjalë, është korespondente me ë e shurdhët të gjuhës frenge, psh: Ndërró – cambia ( në gjuhën italiane) – ndrysho (shqip sot), Ndjekjëta – la Rettitudine ( italisht) – drejtësia (shqip sot). Apostrofi (‘) dëfton vendin e ë së fshehur. Ja një shembull për këtë gradacion : Gapëm –aprimi (italisht) – hapëm (shqip), gapëni – aprite (inë gjuhën italiane) – hapni (shqip sot), gap’t – aperta (në gjuhën italiane) – hapur (shqip sot)”.
Bashkëtingëllore- Fjalë me bashkëtingëlloret e mëposhtme
Me bashkëngëlloren B- Bés – Fede (italisht) – bos (latinisht) – besim (shqip sot);
Me zanoren C- célj – açendi (italisht) – facies (latinisht) – ndez (shqip)
Me bashkëting.D- door –mano (italisht) – durus (latinisht) –Dorë (shqip)
Me bashketing. δ – δii –capra (italisht) –ador (latinisht) – dhia (shqip)
Me bashkëting. F – foolj – parla (italisht) focus (latinisht) – fol (shqip)
Me bashkëting. G –gaviδa –conchiglia (italisht) – vigil (latinisht) – guackë (shqip)
Me bashkëting. H –heer –ora (italisht) – hors (frëngjisht) – Orë (shqip)
Me bashkëting. J – jo –no (italisht) –janua (latinisht) –jo (shqip)
Me bashkëting. K –kii – costui (italisht) – kalendae (latinisht) – ky (shqip)
Me bashkëting. Gh- ghir – entra (italsiht) – magus ( latinisht) –hyr (shqip)
Me bashkëting. Gj – gjii –seno (italisht) –ghianda (latinisht) –gjoksi (shqip)
Me bashkëting. Kj – kjee – buoi (italisht) – kau (shqip)
Me bashkëting. Lj – ljót – lagrima (italisht) – Lot (shqip)
Me bashkëting. M –mua – a me (italisht) – mihi (latinisht) – mua më (shqip)
Me bashkëting. N – na – a noi (italisht) – nos (latinisht) – ne na (shqip)
Me bashkëting. R – ree –nube ( italisht) – re (shqip)
Me bashkëting. Rr – rrii –sto (italisht) – rri (shqip)
Me bashkëting. S- sii – ochio (italisht) – es (latinisht) –Syri (shqip)
Me bashkëting. T – tier –fila (italisht) – et (latinisht) – radhë (shqip)
Me bashkëting. χ- χiim –luogo precipite (italishtt) – vend i rastësishëm ( shqip)
Me bashkëting. V – vee –uovo (italsiht) –vezë (shqip)
Me bashkëting. Z – ziap –caprone (italisht) – cjap (shqip)
Me bashkëting. Zh- zhaϴur –scalzo (italisht) – zbathur (shqip)
Me bashkëting.ζ – ζémër –cuore (italisht) –zemër (shqip)
Me bashkëting. X – petaxu –balza in piedi (italisht) – brof në këmbë (shqip)
Tinguj të dy shkronjave që shqiptohen në një frymë
Ne- mencer –mancino (italisht) – Mëngjërash (shqip)
Ng – Ngaan – Giovanna (italisht) – Emër njeriu (shqip) djé – ieri (italisht) – Dje (shqip)
Mb- mbes –niptis bleej – compra (italisht) – blej(shqip)
Nd- ndeer – onore (italisht) – nder (shqip) pják – vecchio (italisht) – plak (shqip)
Ngh – nghá – cammina (italisht) – eci (shqip)
Ngk – ngkaagh – addosso – (italisht) – mbi ( shqip)
Ngj – ngjiej – inungi- (italisht) – ngjyej (shqip)
Nz – nzier – caçia fuori (italisht) – nxirr jashtë (shqip).
De Rada kujdeset të jap shembuj me qëllimin për të treguar karakterin monosillabik (njërrokësh) që reflekton gjuha shqipe me shembuj të shumtë për secilën shkronjë në ndihmë të teorisë së vjetërsisë së gjuhës shqipe.
Sipas shënimit që vetë De Rada jep:
“Këto shembuj, këto eksemplarë veç faktit që sjellin kombinim shkronjash në gjuhën shqipe, ofrojnë, le të themi sfondin monosillabik (njërrokësh) që reflekton aspektin e natyrës.
Gramatika vetë, pastaj ka ligje ku këto rrokje të pandryshueshme buisin në diskutime për prapashtesa emerore ose foljore, në mënyrën si bimët i ulin degët dhe gjethet e çara, shpalosin botën njerëzore në fjalim psh:
Dit giorno (italisht) –ditë (shqip); dit-a il giorno (italisht) – dita (shqip)
Dit- ie – di giorno (italisht) – Dite (shqip) – Dit –es – del giorno (italisht) – E ditës (shiqp) etj
Ljip – domanda (italisht) – pyet (shqip), ljipin – domando (italisht) –Pyes (shqip), ljip –ë –mi – domandiamo (italisht) – Pyesim (shqip)”.
Nisur nga varianti i fundit të alfabetit ( duke pasur parasysh variantet që kemi hasur nga kërkimet tona), të dhëna prej De Radës, dallohet se në këtë variant ai ka zëvendësuar zanoret greke υ dhe γ (variante të cilat i përdorte për të shprehur ë- në) me zanoren ë të shqipes, gjithashtu ai ka zëvendësuar σ me sh-në e shqipes, të vetmet shkronja, të cilat mbarten prej alfabetit grek janë θ (që zëvendëson th-në) ñ Δ (që zëvendëson dh-në) Ө dhe χ për realizimin e h-së ose hj-së.
Për sa më sipër duket qartë se përpjekjet e De Radës për krijimin dhe unifikimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe zënë një vend të rëndësishëm në historinë e alfabetit të gjuhës sonë dhe për unifikimin e një gjuhe letrare arbëreshe. Por, sikurse shprehet studiuesi i njohur arbëresh F. Solana; “Me gjithë përpjekjet e De Radës e të Skiroit për të krijuar një gjuhë letrare arbëreshe nuk u arrit një gjë e tillë. Sot vepra e De Radës mbete si një monument i së folmes së Shën Mitrit dhe zonës përreth”.
Prirja për të ruajtur dhe përdorur gjuhën shqipe me alfabet latin , për krijimin e një alfabeti për të gjitha kolonitë shqiptare të Italisë vihen re fuqishëm ajo do të ishte pararendëse e punës që do të bënin rilindësit për unifikimin e një alfabeti të përbashkët për të gjitha trojet shqiptare. Emra të fuqishëm të rilindjes sonë kombëtare si Sami Frashëri. Hoxha Tahsini do t’i përmbaheshin të njëjtës ide, asaj të De Radës: “Alfabeti duhet të jetë i lehtë dhe i thjeshtë për t’u mësuar, i pastruar nga shkronjat greke”.
Vepra madhështore e De Radës në gjuhësi, publicistikë, krijimtari letrare, studime te karakterit albanologjik pasur nga gjithë plejada e shkrimtarëve arbëreshë të kësaj periudhe do të jepnin ndihmesën e tyre për të ardhmen e gjuhës së shkruar shqipe, për krijimin e një alfabeti të vetëm. De Rada dhe arbëreshët e Italisë dhanë kontributin e tyre historik për përpunimin e alfabetit tonë të përbashkët (kujtojmë shkronjat ë/ gj,/ një/të cilat u sollën si risi në atë që sot e njohim si Alfabeti i Manastirit). Ky kontribut është pjesë e përpjekjeve të gjithë patriotëve dhe mendimtarëve të kohës, të cilët i paraprinë Kongresit të Manastirit, duke dhënë ndihmesë të çmuar për zhvillimin e gjuhës shqipe në lidhje të pandërprerë me gjuhën e folur popullore dhe duke bërë të mundur që gjuha shqipe me kalimin e kohës të zhvillohej në format e saj më të larta.