Enver Memisha/
Përse dështoi inisiativa e vlonjatëve per ngritjen e varrit të Ismail Qemalit në Vlorë në vitin 1922 dhe në vitin 1929? Sikur të mos merrnin pjesë fare qarqet e tjera vetëm me ndihmat e tona do ta ngremë shtatoren Ismail Qemalit, deklaronin vlonjatë.
Ismail Qemal Vlora i njohur thjesht si Ismail Qemali ka qenë nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, botues, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i Shtetit Shqiptar. Ismail Qemali ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më pas shërbeu si Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë nga 1912 deri në 1914.
Ismail Qemali lindi në Vlorë më 24 Janar 1844 dhe kaloi në amëshim më 26 Janar 1919 në Peruxhia, Itali. Që kur kaloi në amëshim paria e Vlorës, ngulte këmbë që varri tij të vendosej në qendër të qytetit.
Komanda italiane që mbante të pushtuar qytetin e refuzoi kërkesën e parisë me arsyetimin se nuk ishte hartuar akoma plani rregullues i qytetit, kështu që vlonjatët dhe shqiptarët e varrosën Babanë e Kombit në Kaninë nga kishte origjinën familja e tij.
Kështu varrimi i Ismail Qemalit në Kaninë u bë, sikurse u tha, në kundërshtim me dëshirën e parisë së Vlorës, e cila ngulte këmbë që varri të vendosej në qendër të qytetit.
Por edhe më pas, vlonjatët, në vazhdimësi, kanë bërë përpjekje për ta çvendosur varrin e Ismail Qemalit nga Kanina në qendër të qytetit, përpjekje kanë bërë edhe personalitete si Luigj Gurakuqi në vitin 1923 etj.
Përpjekjen e vlonjatëve të vitit 1922.
Këtë vit paria e Vlorës i kërkoi prefektit z. Zenel Prodani t’i kërkonte qeverisë ngritjen e varrit monumental të Ismail Qemalit në qendër të qytetit të Vlorës duke deklaruar se Vlora do të ndihmonte me shumen më të madhe për shpenzimet e varrit.
Dihet se më 2 dhjetor 1922, Ahmet Zogu u emërua kryeministër duke mbajtur në të njëjtën kohë edhe postin e ministrit të brendshëm, i cili pas kërkesës së prefekturës së Vlorës ka lëshuar një qarkore me të cilën fton gjithë bashkitë dhe nëpunësit të ndihmojnë në këtë inisiativë atdhetare të prefekturës së Vlorës.
Mirëpo që në fillim u pa se shuma e shpenzimeve për çvendosjen e eshtrave të Ismail Qemalit nga Kanina në Vlorë dhe ngritja e varrit monumental nuk mund të përballohej nga bashkitë, prandaj Ministria e Brendshme me shkresën nr. 1063 datë 20.12.1922 i shkruan prefekturës së Vlorës: “Po shohim se ndihma që po u kërkohet bashkive për ngrehjen e monumentit të Ismail Qemalit asht e rëndë dhe na duket se nuk bazohet në fuqinë financiare të popullsisë.
Pra në është se monumenti në fjalë ka me u krijue me një shumë aq të rëndë sa të shkaktoi mërzin e popullit, qeveria do të jetë e shtërnguar me dhanë vetëm ndihmën e saj morale.
Për mos me dhanë shkak kësaj vepre lutemi statujën në fjalë ta bëni me shpenzime ma të pakta dhe në se kjo gja s’asht e mundëshme të gjeni një mënyrë të pëlqyeshme, ta lini për një kohë tjetër që vështirsia ekonomike të jetë kaluar”.
Prefektura e Vlorës nën presionin e parisë së vlonjatëve me shkresën nr. 277 Res. Datë 22.12. 1922 i shkruan Ministrisë së Brendshme: “Përgjigje e telegramit nr. 1063 datë 20.12.1922. Monumenti nuk kushton më tepër se 3000 deri 3500 napolona. Bashkive të tjera shumat e ndihmave s’ja u kemi caktuar ne, vetëm i kemi ftuar për të marrë pjesë. Të katërtën e shumës në fjalë ka për ta siguruar bashkia e populli i Vlorës, i cili këtë nisiativë e priti me një entuziazëm aq të madhe e të sinqertë sa sikur të mos merrnin pjesë fare qarqet e tjera vetëm me ndihmat e tyre do ta ngrinin.
Prandaj masat e fillimit u muarën, dhe regjistrimi i ndihmave po vazhdon. Nga ana tjetër nga shumë bashki të nënprefekturave kemi marrë përgjigje se janë tue caktue e shënue ndihmat.
Asht për tu përmenduar se qarkorja e asaj ministrie që fton gjithë nëpunësit në këtë ndihmë këtu ka bërë përshtypjen më të mirë.
Pra arsyet e parashtruara na shtynë në vazhdimin e nisiativës duke ju lutur asaj ministrie që mos ta kursejë përkrahjen e duhur dhe për tu bamë shembull bashkive të tjera na paralusim e presim ndërmjetësimin mbi caktimin e ndihmës të bashkisë së Tiranës. Zavëndës i prefektit Z. Prodani”.
Më 28.12 1922, Ministria i kthen përgjigje prefekturës: “Pëlqehet veprimi i asaj prefekture”
Prefekti Zenel Prodani (1886 – 1969) ishte nga Kolonja, kishte kryer gjimnazin e Korçës dhe që nga viti 1905 deri në vitin 1942 ka qenë nëpunës i lartë i shtetit. Në vitin 1922 emrohet zv/prefekt në Vlorë dhe po këtë vit emrohet prefekt. Në janar të vitit 1924 ai trasferohet në Berat dhe në vend të tij do të emrohet prefekt në Vlorë atdhetari Halim bej Jakova (1878 – 1927).
Nuk e dimë se përse kjo inisiativë atdhetare e vlonjatëve e perkrahuar nga prefekti Prodani nuk u realizua. Ndofta mungesa e stabilitetit të qeverive, pasi Ahmet Zogu do ta ushtronte detyrën e kryeministrit nga 4 dhjetor 1922 deri më 5 mars 1924, ndofta ndërrimi i prefektëve, por edhe gjendja e vështirë ekonomike e lanë inisiativën e vlonjatëve të pa realizuar.
Përpjekjet e vitit 1929.
Skluptori i njohur Odise Paskali ka shkruar në kujtimet e tij: “Me 1929 kisha botuar në revistën “Studenti shqiptar” të Torinos një projekt për varr monumental Ismail Qemalit.
Nga mesi i vitit 1930 në një udhëtim në Tiranë, më thirri Eqrem Libohava, ministër i pallatit dhe më tha se mbreti Zog dëshironte të ndërtonte me shpenzimet veta (por që në fakt nuk shpenzoi vete asnjë grosh) një varr madhështor për Ismail Qemalin dhe me ngarkoi të përgatitja një projekt si do e gjykoja me të përshtatshëm. Paraqita një vizatim dhe çmimin 40 mije franga ari. Me tha ta reduktoja me kosto më të vogël. Paraqita një të dytë për 25 mijë franga. Më tha se nuk duhej abuzuar nga mirësia e lartmadhërisë se tij, prandaj mos të kushtonte me shume se 10 mije franga. Ndërkaq për ngatërresë dhe mbase për interes ndërhyri skulptori italian De Markis, që jetonte në Tiranë, si organizator sportiv dhe mu kërkua prej ministrit të oborrit një maket plastik dhe një fragment në madhsi natyrore.
Ne Ekspozitën e Miqve to Artit të vitit1931 kisha dhe maketin e varrit të Ismail Qemalit dhe fragmentin portret të Flamurtarit në allçi në madhësi të monumentit. Lidha kontrate për 10 mijë franga ari. Ne parlamentin e kohës, zëdhënësi Zogut, Lalë Krosi, deklaroi botërisht se: “Naltmadhënia kishte dhëne 20 mije (siç) franga ari një skulptori për ndërtimin a varrit madhështor të Ismail Qemalit” (Odise Paskali. Në “Gjurmë jete”, Tiranë 1986, f. 70)
Prefektura e Vlorës i shkruan Ministrisë së Brendshme me shkresën nr. 9356/III datë 2.2.1929:
“Pergjigje shkteses Nr. 6174 D. 10/XII/28. Kemi nderin te ju njoftojme se për gjatë kësaj kohe, Titullari i kësaj Prefekture personalisht u interesue për hartimin e skicave si të varrit qi do të bahet në Kaninë ashtu dhe të Monumentit të Ndyrit Ismail Kemal Bej Vlonës, i cili do të vehet në Sheshin e Flamurit të këtij Qyteti, po n’at vend ku në vjetin 1912 i Ndyri pati ngrehun Flamurin Kombtar për të parën herë.
Mbasi qi këtu nuk ka skulptor dhe arkitekt u shtrenguem qi me anë të ingjinierve si të Bashkisë ashtu dhe atyre të privatve e të shoqninave të huja të pregatisim skicat, të cilat me pako të posaҫme si mbas deshirës dhe urdhnave të Nalt Madhnisë së TIJ për pelqim paraqiten asaj P.T. Ministri.
Shtojm se per shpenzimet e monumentit qi do ngrehet ne qytet, jemi te mejtimit qi të ju dahet Bashkinave të Shtetit të cilat do të jenë në gjendje të paguejn nji perqindje në proporcion të budgeteve të tyre nji shumë të hollash prej Fr. ari 20000.
Kjo shumë do të jetë vetëm për monumentin; sa për varrin do të ҫilet kredija nga fondet qi din ajo P.T. Ministri.
Siҫ do të shifet nga skicat relative se për varrin, qi do të bahet në Kaninë janë dy kopje, njëra me germën (A) mund të kushtojnë 1000 (njimie) napoliona, mbasi qi kjo do të ketë ma tepër gur mermeri ku i ka dhanë shënim dhe me Nr. I me ngjyrë të kuqe.
Numrat 2-3-4- jane gur artificial ҫimento etj. siҫ kemi ba shenimet në nji liste të veҫante e cila bashkanjitet.
Germa (B) mund te kushtoje ma pak, mbasi qi do të kena ma pak mermer e ma shum gur artificial, ҫimento e tjerë.
Këto ҫmime nuk janë ekzakte, por janë parapa në nji menyrë aproksimative.
Monumenti qi do të bahet në sheshin e flamurit mund të kushtojnë aproksimativisht 1000 napoliona se fytyra e trupit t’Ismail Kemal Beut qi do të vehet mbi monument do të jetë prej bakerrit dhe do të shemblleje përgjithësisht fotografisë së tij dhe lypset të bahet prej nji skulptori me eksperiencat e nevojshme.
Shpresojm se këtu nga ingjinieret e huej qi gjinden do t’a marrin në sipërmarrësi; n’asht se do të pëlqehen ofertat e tynë dhe në raste të kundërt duhet qi t’angazhohet nji njeri kompetent për kompletin si të varrit ashtu dhe të monumentit. Me nderime Prefekti (firma)”
(AQSH. Fondi 152. Viti 1929. Dosja 514, cituar nga Gazeta “Shqiptaria.com”, Tiranë dt. 11.3.2012
Në këtë kohë prefekt në Vlorë ka qenë Ismet Kryeziu (1888 – 1952) dhe jo Abedin Nepravishta siç thuhet në gazetë)
Kur u ngrit varri monumental i Ismail Qemalit në Vlorë?
Do kalonin dhjetë vjet nga inisiativa e vlonjatëve e vitit 1922. Në vitin 1932, ish Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, tashmë Mbret i Shqiptarëve nuk e kishte harruar inisiativën e vlonjatëve si dhe inisiativën e tij të vitit 1929. Kështu që zyrtarisht Mbreti mori nismën për ngritjen e varrit monumental të Ismail Qemalit, organizimi iu ngarkua prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishtës.
Kështu më 28 nëntor 1932, u bë trasferimi i eshtrave të Ismail Qemalit nga Kanina në Vlorë.
Para se arkivoli të vihej në varr, i dërguari i posaçëm i mbretit, gjenerali Leon de Ghilardi, zbuloi monumentin e luftëtarit mbuluar me një napë të zezë.
Pasi u zbulua monumenti, gjeneral Ghilardi mbajti një fjalë, në të cilën tha ndër të tjera: “Me respektin më të thellë, duke kujtuar edhe një herë veprën patriotike të Ismail Qemalit, përpara hijes së tij të prekshme dhe të kujtimit të tij të paharrueshëm, përulem edhe depozitoj këtë tufë lule. Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!”
Pas fjalës së tij u krye ceremonia e varrimit dhe mbi varr u vendosën gjithë kurorat me radhë. Pas varrimit fjalën e mori ministri i Arsimit, Hilë Mosi, i cili në rininë e tij i kishte qëndruar afër Ismail Qemalit. Ai tha ndër të tjera: “Vëllezër shqiptarë, Sot mbushen plot njëzet vjet që kur se Ismail Qemali, një nga bijtë më të çmuar të kësaj Vlore trime, mu këtu në këtë shesh shpalli vetësundimin e Shqipërisë edhe valëviti në ajrin e lirë Flamurin tonë të shenjtë kombëtar”.
Pas Hilë Mosit foli kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri, fjalën e të cilit gazetat nuk e kanë riprodhuar.
Më pas fjalën e mori prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta, i cili lexoi dhe mesazhin e mbretit drejtuar Bashkisë së Vlorës, në të cilin thuhej: “Me kënaqësinë më të madhe marr pjesë në gëzimin e popullit të Vlorës, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë. Sakrificat që ka bërë populli i Vlorës për pavarësinë dhe për mbrojtjen e Atdheut, janë fakte patriotizmi të paharrueshme. Siguroni popullin kreshnik të Vlorës se bashkë me patriotin e madh të Kombit tonë, Ismail Qemalin, të gjithë dëshmorët janë gjallë në shpirtin tim”. (Shih gazetën “Besa” 1932)
* * *
Ali Asllani përveç aktivitetit të tij politiko- atdhetar dhe si dhe krijimtarisë letrare do mbetet i vlerësuar dhe i njohur për vlonjatët dhe shqiptarët si Kryetar Bashkie edhe për ndërtimin e dy monumenteve: “Shtylla e Flamurit Kombëtar” ngritur në Sheshin e Flamurit, aty ku u ngrit Flamuri më 28 nëntor 1912 dhe “Kulla e Sahatit” të dyja skic idetë u përgatitën prej tij dhe inagurimet u bënë në vitin 1938, kur ai ishte kryetar i bashkisë së Vlorës. Sahati përveç anës funksionale ka edhe vlera artistike dhe për këto arsye në vitin 2006 Ministri i Kulturës dr. Bujar Leskaj e ka shpallur monument kulture.
Më 1972 u ngrit në Sheshin e Flamurit në Vlorë, një tjetër monument kombëtar, Monumenti i Pavarësisë, vepër e përbashkët e skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, në qendër të së cilës qëndron Ismail Qemali me patriotë të tjerë.
Varri Monumental i Ismail Qemalit është shpallur monument nacional që në vitin 1932, nga Ministria e Arsimit të asaj kohe. U rishpall monument kulture nga Rektorati i Universitetit Shtetëror me vendim nr. 6, datë 15.01.1963.
Përshkrimi: Mbas vdekjes së tij në rrethana të mistershme në Peruxhia të Italisë, Isamil Qemali u varros fillimisht pranë Teqesë së Kaninës në vendin ku janë varrosur historikisht pinjollët e familjes Vlora. Me qëllim për të krijuar një vend simbolik për nderimin e themeluesit të shtetit Shqiptar, rreth vitit 1932 u vendos që eshtrat e tij të prehen në vendin ku ishte ngritur flamuri në ditën e shpalljes së Pavarësisë, në qendër të qytetit të Vlorës, ku dikur ngriheshin sarajet që lindi Ismail Qemali. Për projektimin dhe ngritjen e një varri monumental, që do të shërbente si monument përkujtimor u caktua skulptori i shquar Odise Paskali, i cili në vitin 1929 kishte botuar një projekt për një varr monumental, në revistën “Studenti shqiptar” të Torinos. Varri u ndërtua me pllaka guri të marra nga pllaja e Ujit të Ftohtë dhe të punuara me kujdes nga disa mjeshtra korçar të përzgjedhur nga vetë skulptori. Mbi varr autori vendosi Flamurtarin, që paraqet një luftëtar lab me kostum kombëtar i cili përfaqëson popullin të vetdijshëm që bën rojë pranë varrit të atdhetarit të madh, i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Përurimi i këtij monumenti u bë më 28 Nëntor 1932 nga ministiri i Arsimit, poeti Hil Mosi, i cili e shpalli monument nacional. (Nga shtypi)