
Rilind Dauti, Shkup/
Festat kombëtare janë ditët kur përkujtohen ngjarjet historike të një populli dhe janë shkak për rimbushje të baterive të patriotizmit. Kur këto ditë bëhen festa zyrtare, njerëzit jo vetëm që e ndjejnë kënaqësinë e të mos shkuarit në punë por edhe kanë më shumë mundësi të reflektojnë mbi peshën e asaj dite historike, kurse festimet publike me zbukurim të qytetit dhe koncerte në shesh çojnë te rritja e homogjenitetit në popull, që ja, ka diçka që na bashkon përkundër asaj se u përkasim perspektivave të ndryshme politike.
Kur festa zyrtare bie të premten ose të hënën, këtë fundjavë të zgjatur njerëzit e shfrytëzojnë për ekskursione në qytetet tjera, apo për pushime të shkurta në mal, liqe, ose det, me çka ndihmohet edhe ekonomia përmes shpenzimeve në gastronomi dhe hotelieri.
Të gjitha këto dobi hetohen më së shumti në festat zyrtare që janë në muajt e verës, ndërsa për ironi të fatit, të gjitha festat zyrtare me taban kombëtar, shqiptarët i kanë në vjeshtë dhe dimër!
Këtu mbi të gjitha është fjala për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, që është festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Vetëm një ditë më pas, në RSH festë zyrtare është edhe 29 Nëntori, Dita e Çlirimit (të Shqipërisë londineze nga okupatori gjerman), që për shqiptarët në Shkup, Prishtinë, etj. nuk ka ndonjë rëndësi, por edhe brenda Shtetit Shqiptar ka shumë nga spektri i djathtë që refuzojnë ta festojnë.
Por nëse 29 nëntori është datë përçarëse, ndërsa për shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë nuk ka rëndësi të madhe, 28 Nëntori – Dita e Flamurit, është festa kryesore edhe për shqiptarët në pjesët e Shqipërisë që pa vullnetin e tyre janë lënë jashtë Shtetit Shqiptar. Kjo fatkeqësi ka bërë që ata të mos e shijojnë 28 Nëntorin si ditë jopune, por në vend të kësaj kanë festa tjera zyrtare. Në Kosovën ahtisariane e kanë 17 Shkurtin, ndërsa shqiptarët nën Maqedoninë e Veriut e kanë 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit.
Pra, për nga stina, 17 shkurti dhe 22 nëntori po ashtu janë në muajt e ftohtë. Nëntor, nëntor, nëntor, shkurt.
Fatmirësisht, në historinë tonë kombëtare e kemi një ngjarje madhështore me dy data të mundshme që njëra prej tyre të shpallet festë kombëtare (dhe festë zyrtare aty ku ka mundësi). Bëhet fjalë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Data që e njohim të gjithë është 10 qershori 1878 kur u mblodh për herë të parë ajo që më vonë do të njihet si Lidhja e Prizrenit, dhe kjo datë është njëra mundësi, por është një datë tjetër që është kandidate edhe më e mirë që të shpallet si festë kombëtare: 2 korriku 1878.
Kjo datë ka rëndësi sepse pikërisht në këtë datë lindi kombi shqiptar!
Është e vërtetë se edhe më herët shqiptarët kanë pasur subjekte të forta autonome gati se në nivelin e shtetit (si Pashallëqet e Shkodrës dhe Janinës), apo janë çuar në kryengritje të mëdha (si Kryengritja e Dervish Carës), por këto nuk kishin shtrirje në të gjithë Shqipërinë dhe nuk kishin karakter kombëtar. Tek me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit do të luftohet për tërë Shqipërinë si atdhe i kombit shqiptar.
Kur populli merr dimension politik, atëherë shndërrohet në komb. Dhe pikërisht kështu ndodhi me popullin shqiptar kur delegatët e mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë e miratuan Statutin e Lidhjes së Prizrenit, dokument ky që kishte karakter kombëtar, me çka lindi kombi shqiptar. Me këtë dokument u përpiluan objektivat kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. U themelua Komiteti Kombëtar me të drejtë për formimin e nën-komiteteve të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, me të drejtë që të organizonte një ushtri të armatosur dhe t’i mobilizonte me detyrim burrat e aftë për armë, të mblidhte tatime dhe taksa, dhe t’i dënonte dezertorët nga Lidhja Shqiptare (Shih: Jusuf Buxhovi, “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”). Kështu që, më 2 korrik 1878, u krijua protoshteti i parë kombëtar shqiptar që, sikur gjërat të shkonin më mbarë, në ato kufij të gjerë herëdo-kurëdo do të shndërrohej në shtetin e pavarur shqiptar.
Po ashtu, përparësia tjetër ndaj 10 qershorit 1878 është se kjo mbledhje ishte shumë e cunguar sepse kishte mungesë të plotë të delegatëve nga Vilajeti i Shkodrës ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Ndërkaq, më 1 dhe 2 korrik 1878 kishte përfaqësim shumë më gjithëpërfshirës të Shqipërisë, me 96 delegatë nga Vilajeti i Kosovës (ku hynin edhe territoret e pjesëve që prej 1879 do të jenë në Vilajetin e Manastirit), 26 delegatë nga ai i Shkodrës, dhe 20 nga Vilajeti i Janinës.
Kështu që, 2 korriku 1878 kur u miratua Statuti (ose 1 korriku 1878 kur filloi mbledhja) duhet të shpallet festë kombëtare (për të gjithë shqiptarët) dhe festë zyrtare (aty ku ka mundësi).
Në listën e stërgjatë të festave zyrtare në Republikën e Shqipërisë kanë gjetur vend festat pagane të Ditës së Verës (14 mars) dhe Viti i Ri Persian (Nevruzi, 22 mars) por nuk ka gjetur vend Lidhja Shqiptare e Prizrenit!
Çfarë idiotizmi!
Nëse duket se do të ishte e tepërt që listës së gjatë të festave zyrtare t’i shtohet edhe ndonjë datë e rëndësishme nga Lidhja e Prizrenit, atëherë pa asnjë problem do të mund të sakrifikohet njëra nga dy “festat” pagane të lartpërmendura. Po ashtu, 8 Dhjetori – Dita Kombëtare e Rinisë (festë zyrtare prej 2009 e këndej) mund të përkujtohet edhe pa qenë ditë jopune!
Kështu që, pa asnjë problem 2 korriku i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të mund të ishte festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ndërsa sa u përket shqiptarëve në(n) shtetet fqinje, ata do të mund t’i bashkëngjiteshin festës edhe pa qenë ditë jopune, siç veprojnë edhe me 28 Nëntorin.
Shënimi i ndonjë date kyçe të Lidhjes së Prizrenit nuk do ta zëvendësonte 28 Nëntorin. Shumë kombe tjera si ditë jopune i festojnë dy apo më tepër festa kombëtare. Këto ditë përbëjnë faza të ndryshme në rrugën drejt pavarësisë së plotë, apo edhe revolucione të dështuara. Për shembull, Maqedonia e Veriut, përveç 8 shtatorin e vitit 1991 kur e shpalli pavarësinë nga Jugosllavia, si festë zyrtare e shënon edhe 2 gushtin e vitit 1903 kur shpërtheu Kryengritja e Ilindenit dhe kur u shpall Republika e Krushevës (që u shtypën vetëm 10 ditë më vonë), dhe 2 gushtin e vitit 1944 kur u shpall republika maqedonase në kuadër të Jugosllavisë.
Bullgaria ka tre festa kombëtare që e shënojnë rrugën e tyre drejt pavarësisë: 3 marsin e vitit 1878 – “Dita e Çlirimit” – që e shënon themelimin e Principatës së Bullgarisë në kuadër të Perandorisë Osmane, 6 shtatori i vitit 1885 – “Dita e Bashkimit” – kur kjo principatë u bashkua me Rumelinë Lindore, dhe më në fund 22 shtatorin e v. 1908 si Dita e Pavarësisë (kur e shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane).
Ka edhe shumë shembuj të tjerë të shteteve që i shënojnë si festa zyrtare dy apo më tepër data të rëndësishme kombëtare, ndërsa kampione absolute është Malta me plot 5 festa kombëtare që shënohen si festa zyrtare.
Ajo që duhet përkujtuar është se 28 nëntori 1912 nuk erdhi papritmas por është faza përfundimtare e përpjekjeve 35-vjeçare të shqiptarëve për ta siguruar ekzistencën e tyre fizike nga kanosja prej fqinjëve, për mbrojtjen e Shqipërisë nga rënia nën pushtimin e fqinjëve, dhe për krijimin e një subjekti politik kombëtar shqiptar (qoftë autonom apo i pavarur).
Lidhja e Prizrenit është kulmi i këtyre përpjekjeve të periudhës para pavarësisë, dhe është turp që asnjëra nga datat kyçe të saj të mos jetë festë zyrtare!
Është fat që 28 Nëntori shënohet si Dita e Flamurit e jo si Dita Kombëtare, dhe ky “boshllëk” mund të plotësohet me 2 korrikun 1878 të Lidhjes së Prizrenit. Kështu, Ditën Kombëtare, ose që sipas shembullit të kombeve tjera mund ta quajmë Dita e Unifikimit Kombëtar, do ta festonim me parada, pikniqe, koncerte, fishekzjarre, dhe aktivitete tjera në të nxehtin e këndshëm të fillimit të verës! Ajo që për amerikanët janë fishekzjarrët dhe BBQ për 4 korrik, për kombin shqiptar do të ishte festa madhështore më 2 korrik!