Nga JAN BREMMER
“Corriere della Sera”, 9 korrik 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Ishte një opinion I përhapur në Shtetet e Bashkuara se presidenti Donald Trump kishte zbatuar një përballim shumë t’ashpër me Kinën, por çuditërisht të butë me Rusinë. Kritikët e tij e kanë paditur se lufta e taksave doganore e vërsulur kundër Kinës, do të kishte qënë aq sulmuese sa që do të përfundonte në një vetëplagosje. Të tjerë thonin se Vladimir Putin e kishte në dorë Trump-in për arsye të panjohura. Me zgjedhjen e Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, të njëjtët opinionistë kanë parashikuar se presidenti I ri do t’I kish përmbysur këto qëndrime. Simbas tyre Biden-I do të kishte kërkuar një afrim me Kinën për të gjetur mundësinë e një bashkëpunimi më të frytshëm, ndërsa do të kishte fshikulluar Putinin për ndërhyrjet e tij në politikën amerikane e për lejimin e kriminelëve informatikë rusë të mbanin peng ndërmarrjet amerikane me qëllim mitmarrjeje.
Por nëse shkojmë për të shqyrtuar me hollësi zgjedhjet politike të kryera nga adminisrata e re, duke lënë mënjanë retorikën e rastit dhe twitet kërcënuese të dy kryetarëve të qeverive në vetë të parë, zbulojmë se ai përimtim është përmbysur krejtësisht. Biden-i u tregua shumë më i papajtueshëm me Kinën se sa ka qënë ndonjëherë Trump-i, dhe nuk ka fshehur simpatitë e tij për Putinin e Rusinë. Le të shkoqisim provat. Mbasi e kish ftuar për drekë udhëheqësin kinez Xi jinping në residencën e tij të Mar-a-Lago-s, për t’u njohur me njëri tjetrin, Trump-i kishte ndjekur udhëzimet e këshilltarëve të tij që e shtynin të tregohej më luftarak kundrejt fuqisë në ngjitje. Por interesat e tij kufizoheshin në dy sektorë. I tmerruar nga defiçiti i peshores tregëtare amerikane kundrejt Kinës dhe i tërhequr nga mundësitë politike që i paraqiteshin, Trump-i nuk nguroi të shpërthente një luftë tregëtare. Ka mbështetur gjithashtu veprimet më energjike të qeverisë së tij për të ndaluar zhvillimin teknologjik të Kinës – dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që rrjedhin prej tij – duke praktikuar shtrëngesa mbas shtrëngesash kundër Huaweit, gjigandit të teknologjisë kombëtare kineze. Trump-i e të tijtë kanë folur shumë pak për dhunimin e të drejtave njerëzore kundër popullsisë myslimane të rajonit kinez të Xiniangut, megjithë ndonjë sanksion pa rëndësi dhe kontrollit mbi eksportimet – po ashtu sikurse edhe mbi krizën e demokracisë në Hong Kong. Shumë pak është bërë për të ftuar së bashku aleatët evropianë e aziatikë për të përpiluar një strategji të bashkërenduar që të synonte ndalimin e ndërhyrjeve gjithënjë e më agresive të Kinës përtej kufijve të saj.
Presidenti Biden, nga ana e tij, sheh në Kinën kërcënimin kryesor për demokracinë dhe liritë vetiake, po ashtu sikurse edhe për sigurinë kombëtare amerikane. Qeveria e tij nuk ka bërë asnjë hap mbrapa në luftën tregëtare të nisur nga Trump-i. Taksat e sanksionet mbesin në vëndet e tyre, për të shfrytëzuar skajshmërisht fuqinë negociuese të SHBA me Kinën në të tjerë sektorë e për të ngritur nivelin e lojës janë vendosur edhe kontrollet mbi eksportimet. Nëse takimi i parë ndërmjet Trump-it dhe Xi Jinping-ut është zhvilluar në një pritje në atmosferën e ngrohtë të Jugut të Floridës, qeveria Biden ka organizuar një takim të nivelit të lartë të Vendeve të Quad-it që i kundërvihen Kinës – Japonia, Hindia dhe Australia – më parë se të ngrinte një tryezë bisedimi me funksionarët kinezë në Alaskën e akullt. Presidenti i ri u zotua gjithashtu të përputhë qëndrimet amerikane mbi Olimpiadën dimërore të Pekinit 2022 me ata të Bashkimit Evropian, të Mbretërisë së Bashkuar, Australisë dhe Kanadasë . Ndërsa Trump-i ankohej se Kina i kishte rrëmbyer Shteteve të Bashkuara vënde pune në industri, Biden-i ka lëshuar programin “Blij amerikane”, pikërisht për të nxitur ndërmarrjet amerikane të rikthejnë vëndet e punës n’atdhe. Nëse Trump-i ka paditur Kinën se ka infektuar botën me “virusin kinez”, Biden-i ka kaluar në veprim dhe ka kërkuar një hetim për të ndriçuar t’ashtuquajturën teori të aksidentit të laboratorit, që do të shpiegonte prejardhjen e pandemisë. Kush priste që Biden-i do të kishte riqepur marrëdhëniet me Kinën, pashmangmërisht ka mbetur i zhgënjyer. Era e bashkëpunimit ka mbaruar, ky është komenti i fundit i një këshilltari të ngushtë të Biden-it për gjëndjen aziatike.
Edhe zgjedhjet politike të Trump-it dhe të Biden-it kundrejt Rusisë kanë pështjelluar pritjet dhe parashikimet. Trump-i ka shprehur shpesh fjalë lëvduese për Vladimir Putinin, por si qeveria e tij e po aq antarët e partisë republikane në Kongres, kanë mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt me të përsa i përket sjelljes luftarake të Rusisë. Gjatë viteve të Trump-it sanksionet janë ashpërsuar. Ish presidenti ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, me një rëndësi të madhe strategjike. Qeveria e tij ka miratuar shitjen e raketave kundërtanke Ukrainës, duke e ditur mirë se shënjestrat kryesore të tyre do të kishin qënë tanket ruse. Trump-i ka përforcuar praninë e trupave amerikane n’Evropën Lindore, një nder i posaçëm në dobi të presidentit polak Andrzej Duda, gjithmonë i rrjeshtuar me Trump-in kundër Putin-it. Qe Trump-i ai që tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga traktati Inf me Rusinë (mbi armët bërthamore me rreze të mesme veprimi), duke mos pranuar të zgjaste as marrëveshjen Start mbi pakësimin e armëve strategjike).
Joe Biden, edhe se e kishte përcaktuar Vladimir Putinin “një vrasës”, kundrejt Rusisë ka vepruar me më shumë maturi se sa Trump-i. Duke synuar të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme me Rusinë, për të mundur t’i besojë politikës së jashtëme detyrën për të përballuar kërcënimet kineze, Biden-i nuk ka humbur kohë për të zgjatur traktatin Start dhe për të shfuqizuar sanksionet që rëndojnë mbi ndërmarrjen ruse të zotuar në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream. Kur Putini u ul në tryezën e bisedimeve me Biden-in në Gjenevë me ftesën e këtij të fundit, Biden-i mbajti një qëndrim të përzemërt, pavarësisht nga sulmet informatike ruse kundër një naftësjellësi amerikan dhe miratimit të heshtur të Rusisë ndaj ndërhyrjes së Bjellorusisë në uljen e një aeroplani të linjës evropiane për të arrestuar një disident.
Nga e gjitha kjo duhen nxjerrë tre mësime. I pari, fjalët janë një gjë, veprimet një tjetër. Duhet kujdes kur të parat zëvendësojnë të dytat! Dy: kryetarët e Shteteve dhe qeveritë e tyre, jo detyrimisht bashkëndajnë të njëjtën vijë politike. Trump-i do të kishte dashur të krijonte marrëdhënie më të përzemërta me Rusinë, por nuk ka marrë asnjë mbështetje nga bashkëpuntorët e tij. Së fundi, ndryshimet në politikën e jashtëme shpesh pasqyrojnë ndryshimet që ndodhin në botë.
Është më e dukëshme sot, në krahasim me katër vite të shkuara, se Xi Jinping synon të ndjekë një politikë të prirur nga një kombëtarizim i egërsuar. Përparimet e Kinës në fushën teknologjike, sulmet e saj kundër demokracisë së Hong Kongut, provat e fundit të përndjekjes në Xiniang dhe trysnia ushtarake mbi Taivanin kërkojnë një përgjigje të vendosur nga ana e Washingtonit e aleatëve të tij. Për çastin, qeveria Biden synon të shuajë reflektorët mbi Rusinë, për të përballuar drejt për së drejti marrëdhëniet gjithënjë e më kundërshtuese me Kinën.