
Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/
Në një farë kuptimi Ukraina është viktima e fundit komunizmit sovjetik, e një të kaluare që nuk kalon. A do të kishte qënë e mundur që, mbas tridhjetë vitesh të mbarimit të luftës së Dytë botërore, një Gjermani të ishte e udhëhequr nga një ish kolonel I Gestapos, i njohur si I tillë? Vetëm ajo mundësi sjell ndër mënd një film të Mel Brooks. Ndërsa, mbas tridhjetë vitesh të fundit të komunizmit, në krye të Rusisë është Vladimir Putin, një ish kolonel i KGB-së.
Do të thotë e një gjëje, që ndoshta nuk është e njëjta gjë e Gestapos, por pa dyshim i shëmbëllen mjaft: siç e din mirë sot Ukraina e, para saj, një palë Vëndesh ku n’atë kohë Putini u zotua të bëjë tokën e djegur.
E shkuara sovjetike nuk kalon, është gjithmonë aty, për një arsye vendimtare. Ndërsa nazizmi e fashizmi çuan Vëndet e tyre në rrënimin më të plotë, regjimi komunist u njëjtësua me më të madhin sukses të përfytyrueshëm të Shtetit rus. I cili më 1945 qe në gjëndje të shtrinte zotërimin e tij në gjithë Evropën Lindore e në gjithë Ballkanin deri në Adriatik.
Një e shkuar që nuk ka mbaruar kurrë
Është kujtesa tepër e gjallë e këtij triumfi të vërtetë kombëtar – të rigjelbëruar çdo vit nga festime të fuqishme për të përkujtuar fitoren në atë që quhet “lufta e madhe atdhetare” – që i ndalon shumicës së opinionit publik rus të metabolizojë në mënyrë kritike të shkuarën komuniste, të shkëputet një herë e mirë prej saj, e të përqafojë me bindje demokracinë. Rusia e thellë është e hipnotizuar nga e shkuara, e deri sa të mos lirohet prej saj, fatalisht do të vazhdojë të besojë në ekuacionin, që në njërën anë ve madhështinë kombëtare e në tjetrën komunizmin me njerëzit e tij dhe metodat e tyre.
Mbani parasysh: është kaq i fuqishëm ky mekanizëm i tërheqjes e njëjtësimit ndërmjet Vëndit e regjimit sa që ai është i vlefshëm sot edhe për shumë perëndimorë. Të cilët, nëse në zemrën e tyre edhe tashti ushqejnë simpati për komunizmin (ose për atë që ata e besojnë të tillë), atëherë janë të prirur të shohin pak a shumë me një simpati të heshtur lëvizjet e Rusisë së sotme e të kryetarit të saj.
Treni i bashkëkohësisë
Që janë përfundimi i një historie të gjatë. E pa-aftë të hipë në trenin e bashkëkohësisë e të industrializimit, Rusia e Tetëqindit mendoi se mund të ruante, pavarësisht nga ajo, rolin e saj të një fuqie të madhe evropiane duke u mbështetur mbi faktorin, që ishte zbuluar vendimtar për të patur atë rol me fitoren mbi Napoleonin më 1812: pafundësinë e hapësirës së saj e të masave njerëzore të përmbledhura në të. Një hapësirë gjeografike, por njëkohësisht edhe ideologjiko – fetare: të gjithë hapësirën e krishterimit ortodoks për të cilin Moska mbahej si rojtare.
Atë që ajo u kujdesua t’a zgjeronte e t’a fuqizonte duke mbështetur kryengritjet që shpërthyen në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë nga popullsitë sllavo-ortodokse të Ballkanit kundër perandorisë otomane. Qe kështu që Rusia (në kufijtë e së cilës, duhet kujtuar, ishte edhe Polonia) u bë fuqia e madhe zotëruese e gjithë zonës lindore evropiane nga Egjeu deri në Balltik.
Qe një fuqi e madhe botërore, duke mbajtur parasysh edhe zotërimet e saj në zemrën e Azisë. Të nesërmen e luftës së Parë botërore, ajo pa se ishte zvogëluar fuqimisht ai rol, veçanërisht n’Evropë, por ambiciet e saj botërore megjithatë u ruajtën në jetë në sajë të hapësirës së re ideologjiko-politike, të përfaqësuar nga komunizmi. Në pritje të 1945: Rusia e atij viti, që kishte arritur në Berlin, në Vjenë e në Vlorë, ishte në fakt një Rusi me Evropën në këmbët e saj. Nga Paqësori e nga Karakorumi, një det i pafund tokash e popujsh nën urdhërat e Moskës, trysnonte një Evropë të vogël perëndimore. Një fuqi e pa-anëshme marramendëse nën flamurin e kuq të komunizmit.
Por hapësira e pafund e fuqisë ruse mbetej një hapësirë e vjetëruar dhe koha punonte pa mëshirë kundër saj. Kundër asaj hapësire arkaike të tokës e të numërave, nga ana tjetër po rritej në mënyrë të papërmbajtëshme, hapësira në një farë mase jo materiale e tekno-shkencës, e mallrave e konsumeve, e shpejtësive dhe komunikacioneve, hapësira e të drejtave, e bashkëpunimit dhe e lirisë së Perëndimit.
Vështrime të ngushta
Hapësira e bashkëkohësisë. Ndërkaq Rusia nuk arrinte n’asnjë mënyrë të kapërcente dobësitë e saj historike: besnikërinë ndaj një përftimi despotik të pushtetit, mospërputhjen me vlerat e individualizmit dhe shtrirjen pasuese të privatit, me pazotësinë e prodhimit të mallrave, pra me mungesën e madhe kronike në të gjitha fushat. Një shëmbje që qe një katastrofë e vërtetë gjeopolitike, ndikimin psikologjik të së cilës ndoshta ende nuk e kemi kuptuar mirë. Mbas viteve 1989-1991 copa shumë të mëdha të perandorisë u shkëputën nga Moska, duke u shpallur të pavarura. Rusia u gjënd n’Evropë me kufij të tërhequra mbrapa me qindra kilometra, n’Azi me mijra: pra, në një pjesë të madhe, pa armën e saj tradicionale të hapësirës, të këtij parimi të madh politik njëjtësues.
Megjithatë në dhjetëvjeçarët pasues klasa drejtuese ruse, e pastaj Putini, në vënd që të kuptonte arsyet e prapambetjes ruse e të kërkonte t’i shëronte duke u vënë në rrugën e reformave të brëndëshme, të një modernizimi rrënjësor e të gjërë të Vëndit, kanë qëndruar të palëvizshëm kundrejt ndryshimit përparues të botës për rreth, që i linte gjithmonë e më larg, gjithmonë e më mbrapa: të fuqishëm vetëm në zotërimin e armëve primitive të gazit e të raketave.
Në Lindje, në shpatullat e tyre rritej pa masë (e rrezikshmërisht) fuqia tepër moderne dhe tregtare, por edhe ushtarake e Kinës, e drejtuar në sektorët më të përparuar të teknikës e të industrisë. Të njëjta ndryshime të mëdha ndodhnin në Ballkan, në hapësirën sllavo-ortodokse evropiane që Moska ishte mësuar t’a quante zonën e saj të zgjedhur të ndikimit. Laiçizimi masiv në veprim, përveç prestigjit dhe joshjes vërshuese të modelit politik, shoqëror, kulturor, harxhues të perëndimit evropian e të Shteteve të Bashkuara, kanë shfarosur shpejt çdo kujtesë të vjetër.
Prej kohësh Praga e Sofia, Moldavia e Rumania, opinionet e tyre publike, nuk frymëzohen më prej asgjëje që vjen nga Moska; dëshira e tyre mbizotërues është vetëm një: pjesëmarrja në Bashkimin evropian. Faji i pashlyeshëm i Ukrainës, sigurisht ka qënë ai i të qënit simboli më i dushëm i kësaj ikjeje të përgjithëshme nga Rusia, vërtetimi i shkërmoqjes së fuqisë e aftësisë tërheqëse të saj.
E këtë Putini nuk ka arritur t’a pranojë: që Rusia të jetë katandisur në praktikë në Moskovien plus Siberinë. Por faji është i tij e i asnjë tjetri, mangësisë së aftësisë e largpamësisë të drejtimit të tij. Sepse më së fundi ai ishte dhe mbeti një ish kolonel i mjerë e i dështuar i KGB-së.
“Corriere della Sera”, 9 mars 2022 Përktheu Eugjen Merlika