
Monda Mara/
Këtë herë me veprimtarinë e zhvilluar në Brescia nga FNAI, mbështetur nga konsullatat tona në Milano: e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe praninë e këshilltares së provincës Suela Plaka. Pasditja letrare – artistike kushtuar 16- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën drejtimin e regjizores Valbona Xibri dhe kujdesin e Petrit Aliajt, ishte një ndërthurje elementësh.
Në fillim tingujt muzikorë. Grupi “Gjurmët”, që kishin ardhur enkas nga Aleksandria, me paraqitjen e tyre na dëshmuan edhe një herë se rrënjët tona të lashta janë testamenti ynë më i mirë.
I pranishëm me librin e tij “Roli i diplomacisë së Shqipërisë në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës” dhe autori Arflet Selmani. Prezantimi, që m’u besua mua, në një material të përgatitur në bashkëpunim me prof. Ndue Shabakun, synoi dhënien e një fotografie historike për të mbërritur deri në shpalljen e pavarësisë. Duke shpresuar se biseda jonë i përmbushi pritshmëritë, dua të përgëzoj autorin për punën e zellshme dhe hulumtimin në lidhje me temën e trajtuar.
Çaste emocionuese dhuroi interpretimi i shkëlqyer i aktorit dhe regjisorit të teatrit “Skampa” Eduart Stavri Çala, të cilin patëm fatin ta kishim midis nesh. Mjeshtëria e tij, transmetoi te të pranishmit një ndjesi të veçantë dhe rrëmbeu duartrokitjet e tyre. (Në kolazh do të gjeni dhe një pjesë nga ky interpretim.)
Mbase nuk do të kishte kuptim kjo veprimtari pa rrëfimin e njërit prej ish- luftëtarëve të UÇK-së, Fasli Vehapi, që me thjeshtësi deklaroi se nuk ka bërë gjë tjetër, veç detyrës.
Më tej, si për të na dëshmuar se jemi në rrugë të mbarë, erdhi dhe interpretimi i disa poezive me motiv patriotik nga nxënëset tona, lindur në mërgim. Dhe unë mendoj se pikërisht te ky brez, që po rritet larg atdheut, gjejmë frymëzimin dhe motivin për t’i kushtuar kohën dhe rëndësinë e duhur festimeve të tilla.
Së fundmi personalisht për mua këto lloj organizimesh janë edhe një mundësi për t’u takuar me miq: të vjetër apo të rinj. Konkretisht këtë herë me veprimtaren e palodhur Nereida Xhakolli, Drita Gega Qokaj, presidenten e Shoqata Alba Calcinato Miranda Bruci, poetin Sabit B. Bajraktari, presidentin e Associazione Albanese Beselidhja Rovereto Dashamir Kertusha, Gege Tuci, Anton Mirditori, Jasin Dauti Sherif Nuredini e shumë të tjerë, me të cilët ndamë bashkë disa orë të çmuara të pasdites.