NGA VISAR ZHITI/
Janë vërtet në shtëpinë e tij, por larg, në Romë…
Sot, në ditën e lindjes së Gjergj Kastriotit, dua të flas prapë për atë që njihet tashmë si “Palazzo Scanderbeg”, – shtëpia autentike e Gjergjit tonë. Është midis Quirinale-s, Presidencës se Italisë dhe “Fontana di Trevi”, të famshmes, ku mblidhen turistë nga e gjithë bota. Dhe rruga aty mban emrin e Tij “Vicolo Giorgio Castriota – Scanderbeg”. Mbi portë është afresku me portretin e Skenderbeut dhe mbishkrimin: Princ i Epirit, jo vetëm sugjestionues për ne, por dhe me vlera për historinë.
Dëshmohet se kur vinte Skenderbeu në Romë, në Selinë e Shenjtë, për punët shtetërore në mbrojtje të Atdheut dhe Europës Perëndimore, rrinte te kjo shtëpi, vërtet e Tij, nderkohë sot pasuri e trashëgimisë kulturore italiane, e mbrojtur me ligj, që dhe nëse ndërron pronar apo dhe funksion, duhet të mbetet siç është, strukturë e kujtesës, si para 5 shekujve, kështu e përgjithmonë, sa të jetë Roma.
Sa herë kemi shkuar atje familjarisht, donte dhe djali, kur ishte i vogël na tërhiqte nga duart për atje, edhe kur na vinin miq, e vizitonim bashkarisht. A nuk ruan diçka të fortë, prindërore, të hershme? – thoshim.
Nuk po zgjatem me rrëfime, por po flas prapë për trarët e saj, që kur më shpjeguan se janë po ata të para 5 shekujve, shtanga. Po ata trarë qē rrinin mbi kryet e Skënderbeut, kur shkruante këtu mbi skrivani, ato ka parë me sytë e tij, kur i ngrinte lart, dhe e dinte Ai se për çfarë i lutej Qiellit.
Një si xixëllimë, si ndeshje sysh a mendim të pashqitshëm, e kam ende: ja, Italia e mrekullueshme, që e vetme ka 60 % deri 70 % të të gjithë thesarit të kulturês botërore, ruan trarët e Skënderbeut tonë. Të atij që na bëri çatinë e Kombit. Ç’mrekulli! Por dhe mbrojti Perëndimin, kulturën e tij. Kishte Skenderbe, pa pati dhe Leonardo Da Vinç e Mikelanxhelo e Makiavel…
Kur punoja në ambasadën tonë në Romë, kam bërë propozime e kërkesa me shkrim që kjo ngrehinë hijerëndë, tashmë hotel, të blihej nga shteti shqiptar apo të shkëmbehej, dhe aty të mund të vendoseshin ambasadat tona, e Shqipërisë dhe e Kosovës në Itali, edhe në Vatikan, madje ka vend dhe për një Qender Kulturore Shqiptare, nga që është pallat i madh…
Me mallengjim kujtoj perpjekjet e italianit, mikut tonë, që s’është më, Costanzo D’Agostino, që Shtëpia e Skenderbeut të kthehej në identitet.
Mjafton t’i shohesh ata trarë dhe merr fuqi…
Shihja Qiellin dhe unë. Falna, o Zot, se ne veç po prishim, lutesha në heshtje, nuk dimë çfarë bëjmë… dhe shtoja: apo ca dhe e dinë…