
Paulin Zefi/
Subjekti i veprës është i bazuar pikërisht te “Kuvendi i Besëlidhjës së Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore është dy herë më e lartë se sa figura normale njerëzore, 3.7 m. Ajo mishëron tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe ruan në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës. Portreti i përjetësuar në bronz paraqet një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur ai thirri dhe organizoi “Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës”, por jo një portret të një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij në pikturat, gravurat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Po ashtu, portreti fizik i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufinjtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike. Kryevepra në fjalë mishëron portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe nxjerr në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike (politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake etj. Elementët e uniformës ushtarake dhe disa detaje të tjera, për një pjesë të të cilave i kam dhënë autorit sugjerimet e mia si historian, pasqyrojnë në mënyrë besnike atë çfarë ndeshim në burimet historike dhe kryesisht te veprat e jetëshkruesve klasikë të kryeheroit. Për nga mënyra e veçantë e kompozimit dhe cilësia e realizimit, në të njëjtën lartësi me statujën qëndron edhe piedestali i saj i stilizuar. Përballë paraqitet hijshëm Emblema e Kastriotëve me “Shqiponjën dykrenare” dhe mbi të shkruhet me germa prej bronzi: “GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU. 2 MARS 1444.” Në dy pjesët anësore të piedestalit janë kompozuar dhe realizuar në mënyrë besnike emblemat e princave që morën pjesë në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, të cilat paraqiten në basoreliev të mbivendosura në formë të shkallëzuar dhe të gërshetuara me njëra-tjetrën. Kritikët e artit e kanë vlerësuar këtë punim artistik si një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteteve në vazhdim, mund të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar me tre emra: “Qyteti i pavdekshëm”, “Lezha e Besëlidhjes” dhe “Lezha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.”