
Muzeu Historik Kombëtar/
Më 16 janar 1862, në Gjakovë lindi Bajram Curri, një ndër protagonistët kryesorë të lëvizjes kombëtare dhe proceseve shtetformuese shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Veprimtaria e tij politike filloi me angazhimin në Lidhjen e Pejës (1899). Ishte pjesëmarrës në Mbledhjen e Ferizajt (1908), mbledhje ku u kërkua rikthimi i kushtetutës osmane të vitit 1876.
Curri kontribuoi në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai mbështeti klubin “Bashkimi” të Shkupit në përpjekjet për përhapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e alfabetit të Manastirit.
Si komandant, ai udhëhoqi kryengritjet e viteve 1910–1912.
Pas shpalljes së Pavarësisë (1912), Curri u integrua në jetën politike të shtetit të ri. Në vitin 1920, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar.
Në zhvillimet e brendshme politike të viteve ’20 të shek. XX, ai u rreshtua me krahun liberal-demokratik, duke mbështetur Lëvizjen e Qershorit dhe qeverinë e Fan Nolit.
Jeta e tij u ndërpre më 29 mars të vitit 1925 në Dragobi, duke mbetur në historiografinë shqiptare si një simbol i qëndresës për bashkim, liri dhe organizim shtetëror.
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 367–368.