Përtej flijimit, Atdheu/
Nga Anton Çefa/
“Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për Atdheun,/
dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës/
për fëminë e saj . . . Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë,/
asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë.”/
Mithat Frashëri/
Filli i fjalës /
Fëmijë,/
Ia kërkova fillin fjalës:/
Përtej bukurisë, qielli./
Përtej dashurisë, nana.
Përtej flijimit, Atdheu.
Përtej vetvetes, emni.
Atdheu
Lule të trëndafilta elbaroze
Bien mbi ballin tand,
Kundërmim gjethesh e bari të blerë.
Në folenë e buzëqeshjes tande,
Gugatë nji jetë n’shperthim.
Dhimbje që grafullon në shpirt.
Nemitem para bukurisë
Dhe para gjithkohësisë sate.
*
Ma i madhi mister
Rri fshehur në truallin tand,
Etje e dhimbjes
Dhe e mallit
Që shtohet në rrjedhë të stinëve.
*
Le të buisin mbi ballin tand pergjithmonë
Stinët e blerta të jetës !
Le të shkëlqejnë mbi sytë e tu
Drita e fosfortë e një ardhmenije të lumtur !
Le të shperthejnë nga goja yte
Veç aromë gladiolash ! *
Shqiperi, ti dhimbje, dashuri e mall
Shqiperi, ti dhimbje e thekshme,
Shqiperi, ti dashuri e përjetshme,
Shqiperi, ti mall i pamatun,
A ndigjon, ti, zanin e erës
Si dikur,
Ulurimat, britmat ?
Mos harro !
Kurr mos harro
Krimin që nuk njihte vllanë,
Rrënkimet e ajrit,
Shiun që pikonte gjak prej qielli,
Mos harro natën e gjatë
Me putrat e randa të errësinës !
Fal,
Po mos harro!
* * *
Shqiperia në kryqëzim të kohëve
1912
Atdheu u nis në rrugën e tij
Të dritës,
Të Flamurit.
U dridh nga gëzimi dora e shejtë e Plakut
Dhe i dha fluturimin valëvitës shqiponjës
Dhe shtizës dridhjen.
Shtizë që nuk qëndron si duhet
Në kryqëzim të ernave e kohëve.
1913
U çanë qielli e malet
Mbi teh të ndarjes,
U nis lumi e bjeshka,
Kullat, kasollet e zemrat u nisën.
Loti i bigëzuem i Shqiponjës
Kulloi dhimbje,
Prizreni mbeti diku
Dhe Vlona në emnat e fëmijëve.
1944
E mundem pushtuesin
Tani të mos na ftohet gjaku
Pa përgjakun veten tonë.
Në skenë të kohës
Shkëlqen kamë e Makbetit
Dhe ne
Autorë dhe aktorë të nji tragjedije
Të turpshme.
1945 – 1990
Natë me shti gishtat ndër sy,
Por duhet me i thanë mëngjes,
Mëngjes me diell, bile.
Oh sa t’i merrka dielli sytë!
Ecim përpara , me hapin lart, marshojmë,
Me kangë në gojë, në buzë!
S’e dijmë ku shkojmë,
Por të gjitha rrugët të çojnë atje . . .
. . . n’greminë.
1991
Deri në indin e ndjenjës së trazueme
Shijon ankthin e pritjes së stërzgjatun
E me duert e vrugueme të ditëve
Drejt mugullimit të dritës
Pikëzon shtegun e bardhë
Të andrrës së madhe.
Shpirtnat
Të humbun prej kohësh
Zgjohen në kërkim t’vetvetes.
1997
Me duer mizore
Nekrologjinë i ban Flamurit
Vlona.
Shpirti i Shqiponjës dihat
Në buzë të honit.
Shqiperia sot
“Pa demokratë nuk ka demokraci”
- Fukuyama
“Ma të zi se komunistat janë vetëm komunistat
antikomunista”
Vaclav Havel