
Valdete Cenalia Dida/
Kisha hyrë brenda atij burgu duke lexuar librin e Ermira Xhomaqit kushtuar gjyshit të saj “Abdulla Ramit-Përtej harrimit”, më dukej vetja sikur isha brenda një globi të ftohtë dëbore, rrethuar nga telat me gjemba, ku burgu ishte një parajsë komuniste, duke parë e dëgjuar rënkimet, torturat që u bëheshin të burgosurve që njiheshin si “armiq të popullit”, ku Abdulla Rami përkthente ose shkruante vargje, duke ia përshtatur vuajtjeve, në burgun famëkeq të Burrelit.
“Të mirët dënohen me vdekje e shkatërrim
Me ligj të turpit të zi
Gjithë këto mënxyra e thajnë shpirtin tim
Që shkriu posi qiriu”.
Abdulla Rami i lindur në Tatzat të Delvinës më 20 Maj 1908, u shkollua në Liceun Franko-Shqiptar në Korçë 1927-1931 dhe ishte bashkënxënës me diktatorin Enver Hoxha në liceun e Korçës, ku pikëpamjet e tyre të kundërta, xhelozia e diktatorit nuk kursyen vënien në pranga menjëherë pas vendosjes së regjimit totalitar në Shqipëri. Ai do të shkollohej në Montpellier të Francës gjatë viteve 1936-1940 për Drejtësi, ku Abdulla Rami do të analizonte diktaturat dhe regjimet totalitare pseudo-demokratike që kishin degjeneruar në diktaturë. Gjyqtari i ri kërkonte të zëvendësonte legjislacionin e trashëguar nga e kaluara me legjislacion të standarteve Perëndimore, por hasi sharrën e kohës së komunizmit.
Rami po mundohej t’i kushtonte vëmendje ndërtimit të një Shqipërie të Lirë Demokratike, Etnike dhe bashkim ndërkombëtar. Ai ishte i brymosur me idetë demokratike të Evropës Perëndimore ku dhe ishte shkolluar, por idetë e tij përplaseshin me idetë bolshevike dhe revolucionare të Lindjes.
Abdulla Rami ishte sekretar dhe një ndër organizatorët e Ballit Kombëtar, që mendonte bashkëpunim me Partinë Komuniste me anë të “Marrëveshjes së Mukjes”për një Shqipëri Etnike, por kjo gjë nuk do t’i pëlqente PKSH më në krye Enver Hoxhën. E mohuan këtë marrëveshje ku çoi dhe përçarjen mes tyre. Kryetari i “Balli Kombëtar” Mit’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe u vendos në SHBA, por, Abdulla Rami nuk pranoi të arratisej ku thoshte “nuk kanë pse të më arrestojnë”. Por arrestimi i Abdulla Ramit ndodhi më 16 Dhjetor 1944, ku ishte vetëm 37 vjeç, sepse kishte përhapur idetë e “Ballit Kombëtar”dhe u cilësua si“armik i popullit”, duke ia shkatërruar përfundimisht karrierën e juristit të diplomuar në Evropën Perëndimore.
“Qysh asnjë s’do mbesë historinë të vajtojë
Të martirëve të copëtuar
Binjakëve, grave të ve, kujtimin t’u rehatoj
Nga xhelatët e mallkuar”
Epoka e errët e socializmit, vuajtjet e pafundme të të gjithë familjarëve të të burgosurve, ajo kohë po shuante çdo ëndërr dhe ndjenjë njerëzore, që të shkulnin me rrënjë këtë dhimbje që e fshihnin në heshtje, ku ajo heshtje harrohej ku nuk flitej asnjë fjalë, por, Rami vazhdonte të përkthente duke ia përshtatur vuajtjeve të tij me burgun e tmerrshëm të Burrelit:
“Kur bijtë e tu lidhur me hekur
Në bodrumet e errëta dergjen e rënkojnë”
Të gjithë këto intelektualë të shkolluar jashtë siç ishin: Abdulla Rami, Abaz Omari, Gjergj Kokoshi, Sulo Klosi, Enver Zazani, Jusuf Vrioni, Andre Xega, Niko Leza, ishte një histori që dëshmonte për një energji njerëzore mbytur me një lehtësi kriminale nga“fitimtarët”nën diktaturën e Enver Hoxhës.
Formimi, zgjuarsia, intelektualiteti i Ramit dhe i shumë të bashkëstudentëve dëshmoi faktin e intelektualëve të formuar në Evropën Perëndimore që përfunduan në internime, ekzekutime si kundërshtarë të ideologjisë komuniste që hodhi në humnerë të gjithë inteletualet e pafajshëm nga regjimi i Enver Hoxhës, që nuk kishte përfunduar asnjë shkollë por mori pushtet absolut duke eliminuar një nga një të gjithë kundërshtarët, ku rruga e vëllezërve Rami e shumë intelektualëve u kryqëzuan për fatin e tyre të keq me atë të Enver Hoxhës në liceun e Korçës dhe me pas u vunë në kryq prej tij. Abdulla Rami brenda qelisë shprehte dhimbjen me anë të shkrimeve:
“Qëndresa e tyre heroike
U gdhend në muret e qelive pa dritë
U rrahën, u vranë me keq se bagëtitë
Pushuan mendjet e arta.
Qershiza e Burrelit ferr, u bë shtëpi varr
Për qindra e qindra mëmdhetarë
Si nëna, gra, motra priten rrënjët e saj
E lot të nxehtë derdhen, lot që kurrë s’u thanë
Ato lot që s’u thanë si të nënë Halimes, gruas Gjyrxhie e vajzave të tij Thëllënxës, Rufies e Fatmires.
Megjithëse gjithë jeta e tij i shkoi nëpër burgje e internime, por mësuam për një intelektual që kishte mbetur në harresë, ku ishte burgosur dhe internohej nga një qytet në tjetrin ngaqë “bërtiste” se kishte ide ndryshe nga qeveria e ferrit komunist. Faleminderit Ermira që n’a e solle të përshkruar kaq bukur dhe në mënyrë të dhimbshme jetën e një intelektuali siç ishte Abdulla Rami.