…- Emocione dhe lotë gjatë promovimit të romanit/
Tiranë, 31 Janar / Duartrokitje, emocione dhe lotë shoqëruan sot promovimin e librit më të fundit të autorit Isa Alibali, të titulluar, “Përtej mjegullës ka dritë”.
Në aktivitetin e zhvilluar në ambjentet e tejmbushura të sallës “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave ishin të pranishëm familjarë e të afërm të autorit, studjues, shkrimtarë si dhe mjaft personalitete të fushave të ndryshme në vend.
Në promovimin e librit të Isa Alibalit ishte e pranishme edhe një prej personazheve të dramës së vërtetë të romanit, i cili përveç dramës së dashurisë, trajton paralelisht edhe probleme të mprehta të jetës së shoqërisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste.
Si rrallë here në një promovim libri, të gjithë të pranishmit u përlotën nga historia e dashurisë së ndaluar dhe të vuajtur nga Visari dhe Ana, personazhet kryesorë të romanit, histori kjo që u interpretua shkurtimisht si një monolog nga aktorja dhe këngëtarja e njohur Justina Aliaj, e cila i emocionoi të gjithë të pranishmit në rrëfimin e saj 8 minutësh marrë nga subjekti i librit.
Gjatë promovimit të librit “Përtej mjegullës ka dritë”
Gjithashtu edhe përshëndetja e Ajkanës, vajza e personazhit kryesor të librit, Visarit, krijoi një atmosfere mjaft prekëse në sallë, ku ndër të tjera falenderoi autorin që publikoi historinë e vërtetë të Visarit dhe Anës, histori kjo që qytetarët e Shkodrës e njohin, por jo në versionin e vërtetë dhe integral siç e trajton ky roman.
Romani ka në qëndër të tij figurën e Visarit, një student i ri në Poloni i cili u pengua të sjellë në Shqipëri bashkëshorten polake dhe djalin e tij pas vitit 1961, periudhë në të cilën marrëdhëniet mes dy vëndeve u ndërprenë për arsyet politike të kohës.
Por në roman përshkruhet me shumë emocion edhe vujtjet shiprtërore të pjestarëve të familjes së tyre.
Mbi të gjitha “Përtej mjegullës ka dritë”, pasqyron përpikmërisht historinë e vërtetë e aspak të trilluar nga autori Alibali, i cili në veprën e realizuar në 10 vite punë, nuk e mohoi faktin që edhe duke e shkruar historinë, e ka përjetuar si një histori personale.
Autori Isa Alibalit gjatë fjalës
“Në 10 vjet punë kam përjetuar një ngarkesë emocionale tejet të madhe, dhe duke e lexuar e kam vuajtur shumë librin”, u shpreh autori i 8 librave Isa Alibali, i cili shtoi se nxitjen apo frymëzimin për ta shkruajtur librin, e ka gjetur tek vetë jeta dhe historia e vërtetë e personazheve.
“Jeta e çdo njeriut është një roman” u shpreh i emocionuar Alibali, “dhe po ua lë ju ta gjykoni romanin tim i cili flet për historinë e atyre studenteve të ashtëquajtur ‘Grupi i Agjentëve Polak’, që u dënuan me 1 shekull burg, e vuajtën në çdo lloj forme duke filluar që nga ajo shpirtërore e deri tek internimet e torturat nga më të ndryshmet”.
Ndërkohë që një panel i përbër nga emra si Leonard Zisi, Dedë Shkurti, Zija Vukaj, Tanush Mulleti dhe moderatorja Alma Hoti, shprehën mendimet dhe gjykimet e tyre lidhur mbi veprën më të fundit të Isa Alibalit, dhe të gjithë thuajse njëzëri vlerësuan origjinalitetin që shoqëron veprën e gjallë, e cila është mjaft tërhqëse.
“Romani duhet përkthyer në Polonisht, dhe duhet të bëhet edhe skenar filmi, sepse i përmban edhe të gjithë komponentët artistikë”, propozoi në fjalën e tij, intelektuali Leonard Zisi me vlerësimin që i bëri veprës.
Libri “Përtej mjegullës ka dritë”
“Romani sjell jetën e një pjesë të shoqërisë shqiptare, drama dhe tragji-komedia e quajtur ‘Përtej mjegullës ka dritë’, sjell edhe një mesazh të madh dashurie për jetën, familjen dhe Shqipërinë” u shpreh nga ana tjetër inxhinieri dhe pasionanti i letërsisë, Dedë Shkurti.
Ndërkohë Zija Vukaj e cilësoi veprën e Alibalit si një prurje letrare e cila përmban një sfond artistik të kohës dhe që vjen me një teknikë letrare që përdor lirine si kryefjalë të romanit.
“Romanin e kam lexuar me një frymë, dhe mund të them se vetëm një i pa shpirt nuk loton nëse lexon romanin, i cili nuk të lejon të shkëputesh prej tij asnjë çast”, u shpreh edhe Tanush Mulleti gjatë fjalës vlerësuese mbi romanin e mikut të tij, Isa Alibali.