Dr. Erion Dasho/
Çdo shqiptar i është gëzuar të shtunën dhe të dielën dy medaljeve olimpike. Nuk ka rëndësi nëse janë ose jo të parat në histori. Rëndësi ka ngritja dy herë e flamurit shqiptar, ata pak shqiptarë në stadiume me flamurë dhe thirrje mbështetëse për dy mundësit e ekipit tonë olimpik dhe, pse jo, gëzimi për shqiponjën e Dudajevit.
Shqiptarët që janë gëzuar çiltërsisht kur Brazili, Gjermania dhe Italia fitonin kupat e botës, nuk mund të mos gëzohen për fitoret e atyre që, në fund të fundit, përfaqësuan emrin, flamurin dhe prestigjin e Shqipërisë.
***
Problemi im dhe i shumë shqiptarëve të tjerë, nuk janë Islami dhe Çermeni. Ata gëzojnë sot frytet e talentit të tyre dhe punës së palodhur. Ata meritojnë çdo vlerësim dhe çdo shpërblim. Ata meritojnë mbi të gjitha mirënjohjen tonë që zgjodhën Shqipërinë si vend adoptiv.
Problemi ynë është, si gjithmonë, Borati. Duke qënë se beratasit e brezit tim janë mësuar që të vegjël me sportin e mundjes, në sajë të kampionëve të shumtë beratas të këtij sporti burrëror, krijova bindjen se si Dudajevi dhe Valijevi do të ishin fitues.
Duke njohur tashmë mirë edhe kryeministrin e vendit tim, Boratin, kisha bindjen tjetër se ai do të bënte çdo gjë për të përfituar nga këto fitore. Për fat të mirë, Çermeni dhe Islami nuk më zhgënjyen, sikundër, për fat të keq, nuk më zhgënjeu as Borati.
Në statusin e parë pas fitores së Çermenit, Borati deklaroi se fitorja ishte rezultat i olimpizmit të rilindur!!! Ishte edhe rezultat i kushteve “optimale” që ka krijuar qeveria e tij që atletët të stërviten!!!
Duke ndjerë gafën, në një status pasardhës, një status i gjatë dhe tejet konfuz, Borati u mundua t’u përgjigjej kritikëve. Si gjithmonë, justifikimet në këto raste nuk pijnë ujë, madje e përkeqësojnë më tej situatën. Midis argumenteve më “të fortë” të statusit të dytë ishin shpërblimet financiare që jep qeveria dhe përfshirja e sportistëve fitues në forcat e armatosura.
***
Borat!
Sporti dhe olimpizmi shqiptar nuk kanë rilindur! Përkundrazi! Edhe peshëngritja, i vetmi sport që ishte zhvilluar mbi baza të qëndrueshme, u shkatërrua gjatë qeverisjes tënde talebaneske. Dhe nuk arriti të çonte asnjë sportist në olimpiadë.
Notarët sot nuk e kanë një palestër ku të stërviten, por stërviten në sajë të pagesave të kripura të prindërve. Edhe bursat olimpike, sikundër ftesat për olimpiadë shpërndahen mbi baza nepotizmi.
Luiza Gega stërvitej rreth liqenit mes turmave të qenve të rrugës. Ajo nuk e pati asnjëherë një pistë vrapimi, një staf me fizioterapeut, masazhator, psikolog, mjek, nutricionist, etj., që do ta kishin bërë një kampione me talentin e saj edhe medaliste olimpike.
Shembuj të tillë janë të pafund, Borat! Ti dhe rilindësit e tu nuk keni krijuar asgjë për t’u mburrur në fushën e sportit dhe olimpizmit! Përkundrazi, keni shkatërruar!
***
Sikundër e përmenda edhe në titullin e këtij statusi, shqetësimi im shkon përtej olimpizmit dhe sportit.
Sepse, ashtu si mburresh sot me Islamin dhe Çermenin, ti mburreshe dje me Najadën, ndërkohë që shqiptarët vdisnin nga COVID-i. Mburreshe me Luljetën, ndërkohë që shqiptarët vdisnin në rrënojat e tërmetit.
Sepse në vitet e sundimit tënd, Borat, nuk u ndërtua vetëm sport pa kampionë, por edhe shëndetësi pa medikamente, pa pajisje dhe pa mjekë. Një shëndetësi që nuk të shëron, por që të vdes. U ndërtua një sistem arsimor që nuk mëson, por prodhon injorantë. U ndërtua një turizëm që një vit lulëzon e një vit vuan.
Prandaj, Borat, mos u mburr me miellin hua në mundje sot, por prano se i ke vënë kazmën jo vetëm sportit, por mbi të gjitha ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes, mbrojtjes sociale, etj.
I ke vënë kazmën Shqipërisë, Borat!
Dy medaljet olimpike nuk të shpëtojnë dot, Borat! Ti je i nëmur, Borat, bashkë me rilindjen tënde! Ju jeni e shkuara e këtij vendi dhe shqiptarët mezi presin që, për pak muaj, të të ndëshkojnë me votë!
Ti dhe rilindja jote nuk keni më të ardhme, Borat! Lëre mënjanë demagogjinë dhe gjej një avokat të mirë, Borat! Për atë do të kesh nevojë shumë shpejt…