Në afërsi të Kërçovës u bë përurimi i fillimit të ndërtimit të autostradës nga Kërçova – Ohër – Strugë. Autostrada me një gjatësi prej 57 kilometrash do të jetë sipas standardeve moderne; Me gjerësi prej 23 metrash, nga dy korsi në secilin drejtim dhe hapsirë për t’u ndalur makinat. Do të ketë 19 mbikalime dhe nënkalime, 22 ura si dhe një tunel prej rreth dy kilometrash.
Zëri i Amerikës bën të ditur se projekti do të kushtojë 274 milionë Euro dhe do të realizohet nga kompania kineze “Synohidro Corporation Limited”, por në punime do të ketë mjaft kompani dhe punëtorë nga Maqedonia.
Autostrada që pritet të përfundojë pas katër vjetësh do të shkurtojë rrugën e tregtarëve dhe turistëve nga Maqedonia për në Shqipëri. Bizneset shqiptare dhe maqedonase e mirëpresin ndërtimin e kësaj pjese të autostradës që do t’ua lehtësonte atyre rrugën për në portin e Durrësit.
Por nuk ka përfunduar takimi pa një incident pasi kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari u largua në shenjë pakënaqësie nga ceremonia, ku merrin pjesë kryeministri Nikolla Gruevski dhe pjesëtarë të qeverisë së tij, për shkak të mungesës së mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në tabelat që shënonin fillimin e punimeve të autostradës.