Nga Prof. Murat Gecaj/
Së bashku me z.Sadulla Zendelin-Daja, studiues dhe zv.kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI –Albani”-Suedi, morëm pjesë në përurimin e veprës së arbëreshit, prof.dr. Matteo Mandela, “Lekë Matranga: njeriu, koha, vepra” (Rreth botimit kritik të varianteve- dorëshkrim e të shtypur- të veprës, “E mbësuame e krishterë-1502”).Tubimi u organizua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave dhe merrnin pjesë: akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, poetë e shkrimtarë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të tjerë. Gjithashtu, ishin kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti-Akademik dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, prof.dr. Luan Malltezi. Në fjalën e hapjes, prof.dr. Valter Memisha, nga Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, theksoi se kjo vepër i kushtohet librit të dytë të historisë së shqipes së shkruar. Ai u botua vetëm 40 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, hartuar nga një autor i Horës së shquar Arbëreshe. Me atë janë marrë studiues të ndryshëm shqiptarë, si Kolë Ashta, Selman Riza, Dhimitër Shuteriqi e të tjerë. Ndërsa punimi i prof. Mandelasë është më i plotë e më përfshirës, duke u ndriçuar shumica e çështjeve, që kanë mbetur të hapura ose të pazgjidhura, nga studiuesit paraardhës. Me këtë rast, folësi shprehu edhe nderimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë arbëresh, prof. Francesko Altimari. Ndërsa dr. Gëzim Gurga, i cili diskutoi në këtë tubim përurues, ka bërë mjaft shqipërime të kësaj vepre.Me interes u ndoqën edhe diskutimet rreth kësaj vepre të prof. Mandelasë, paraqitur nga akademikët Et’hem Lika e Floresha Dado, prof. Shaban Sinani, prof.Anila Omari e prof. Evalda Paci. Një studim rreth kësaj vepre kishte dërguar edhe prof.dr. Bardhyl Demiraj. Ata nënvizuan se vepra e Matrangës paraqet një realitet gjuhësor të kohës dhe libri i Mandelasë, për të cilin punoi me ngulm 20 vjet, është një model i studimeve albanologjike. Në mbyllje të diskutimeve, autori prof. Mandela i falënderoi folësit e pjesëmarrësit dhe shprehu mendimin se lipset një rilindje në studimet e autorëve të vjetër të shqipes.Në hyrjen e librit të tij, venë në qarkullim nga SHB “Ombra GVG”-Tiranë, ai ka shkruar se interesi për studimin e veprës së Matrangës i kishte lindur qëkur ishte student, në vitet 1980-1984, pra gjatë kërkimeve të zhvilluara prej tij në Arkivin historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales. Për herë të parë, libri u botua në Itali, në vitin 2004. Autori bëri krahasimin e të dhënave të mbledhura prej dy burimeve: arkivore dhe tekstore. Atij iu desh të kapërcente edhe studimin e botimit të shtypur, që rëndohej më shumë nga e vetmja ksombël, që njihej deri atëherë dhe që ruhej në Bibliotekën e Vatikanit. Po kështu, ai u përball edhe me vështiraësi të tjera, të cilat i kaloi me vullnet e këmbëngulje. Në këtë punë mjaft të frytshme, ai pati bashkëpunim e shkëmbim mendimesh me disa studiues të njohur arbëreshë, të cilëve iu drejtua me mirënjohje.
***
Matteo Mandala është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i studimeve albanologjike, në Universitetin e Palermos-Itali. Janë të njohura disa vepra dhe studime të tij, një pjesë e të cilave ndodhen edhe në Bibliotekën Kombëtare-Tiranë. Përveç veprës, që përmendëm më lart, shënojmë këtu se ai është autor i disa librave dhe studimeve të rëndësishme për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe, në veçanti dhe atë shqiptare, në tërësi.
Me studimete e tij filologjike, ka arritur të zgjidhë çështjen e Kodikut të Kieutit, të botimit shkencor të veprës së Xhuzepe Skiroit e të veprës së Gavril Darës, si dhe të shumë autorëve të tjerë arbëreshë. Disa muaj më parë, ai përuroi në Tiranë veprën tjetër të tij, “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti Italian i Kulturës, Tiranë dhe shtëpia botuese “Naimi”.
Tiranë, 26 tetor 2013