“Nuk është e paktë koha që na është dhënë, është e shumtë ajo që kemi humbur” – Seneka
Nga Eugjen Merlika
Kaluan dhjetë vite nga ai mëngjez i ngrohtë i 26 korrikut të 1996-ës kur, nga një breshëri automatiku, ndërroi jetë drejtori i përgjthshëm i burgjeve të Shqipërisë, Bujar Kaloshi. Vitet kaluan por emocioni dhe dhimbja mbetën të njëjta për ata që e panë të rritej e të burrërohej në kampin e Gradishtit, por jo vetëm për ta. Kujtimi i tij mbeti i gjallë edhe për ata që e njohën në atë kohë që shërbeu në një detyrë sa të vështirë aq edhe delikate.
Bujari ishte bir i kampeve të internimit, të atyre qëndrave që hierarkia komuniste i kishte projektuar për të varrosur jetët, shpresat dhe ëndërrat e breznive të pasardhësve të atyre që nuk e kishin dashur komunizmin. Mallkimi e gjëma do të rëndonin pa mëshirë deri në “pafundësi”, deri sa të jetonte sistemi.
Bujari ishte një nga të parët fëmijë që lindnin në kampet e Lushnjës, te cilat kishin zëvendësuar Tepelenën në strukturat makabre të strategjisë së shfarosjes të “klasave të përmbysura”. Rridhte nga një familje e njohur e Dibrës. Babai i Tij, Xhevdeti, ishte një kollos me fuqi proverbiale për brezin e tij. Nëna e tij, Shkurta, ishte një grua e heshtur dhe e urtë. Ishin nga ata njerëz, pragmatikë e guximtarë, që e merrnin jetën ashtu si t’u vinte, pa i bërë lak problemeve të saj, por duke u përleshur çdo ditë me to.
Në kushtet tejet të vështira të jetesës ky çift nxori në jetë katër fëmijë, i rriti me mund e sakrifica, me mungesa nga më të ndryshmet, por me një pasuri të madhe si trashëgimi: shëmbullin e ndershmërisë vetiake e të respektimit të normave shoqërore të moralit njerëzor. Bujari qe i pari e mbi shpatullat e tij të njoma, që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, rënduan më shumë sakrificat sepse ai deshi të marrë një pjesë të barrës së prindërve.
Në Gradisht, ku Bujari u rrit, u shkollua e filloi punën, jetonin shumë t’internuar që kishin qenë pjesë e elitës intelektuale të Shqipërisë. Prej tyre ai huazoi etjen për dije, dëshirën për librat, për horizontet e pakufishme të kulturës. Këto bënë që, në thellësi të qënies së tij, të kultivohej një farë idealizmi të cilin e nxori në dukje dhjetori 1990 kur ai, me të gjithë entuziazmin rinor u zhyt në betejën për fitoren e demokracisë. Rasti e solli që shpejt të njihte Dr. Sali Berishën e rezultati qe një besë e fortë, si ato të qëmotit. Këtë besë e mbajti dhe e mbrojti deri në frymën e fundit, deri në mëngjesin tragjik të 26 korrikut 1996.
Bujar Kaloshi nuk u fut në PD me llogari për të ardhmen, me synimin për të fituar pozita, para e privilegje. Ai u fut me entuziazmin dhe naivitetin e idealistit, të të riut që mendonte se kishte ardhur çasti fatlum i fitores së lirisë mbi tiraninë, të ndershmërisë mbi poshtërsinë, të së mirës mbi të keqen. Në ata çaste ai nuk mori parasysh rreziqet, nuk u tremb, nuk bëri shumë llogari për veten, por shkoi përpara duke ushqyer në përfytyresë pamjen e ndryshuar të Shqipërisë së re, të Shqipërisë demokratike dhe evropiane. Atij iluzioni ai i fali gjithshka, forcat, guximin, vullnetin, shqetësimet e mendimet, besimin në të ardhmen. Kjo qe merita e tij më e madhe, qe plazma që formonte personalitetin e tij gjithënjë në rritje.
Ndoshta ishte ky personalitet që shtyu Kryetarin e atëhershëm të Shtetit të ngulmonte t’a bindëte Kaloshin të pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë. Burgjet kishin qënë vëndet më tipike e shëmbullore të laboratorit të përbindshëm të diktaturës komuniste, dëshmitarët më elokuentë të krimit pa cak të regjimit. Emërimi në krye të tyre të një djali të ri të rritur në internim ndoshta ishte një nga gjetjet më të mira të Dr. Berishës në atë kohë. Kaloshi e mori përsipër atë detyrë dhe ajo u bë për të sinonim i qënies së tij. Qe korrekt e i guximshëm në zbatimin e asaj detyre. Në rrugën e tij hasi mjaft pengesa e vështirësi të mëdha që trashëgoheshin nga praktikat e vjetra dhe njerëzit e tyre. U përpoq të ndryshojë stil pune e njerëz e, gjatë këtij misioni, krijoi miq e armiq. Bujari ishte i ndërgjegjshëm për këtë, por për të ishin të huaja kompromiset e pandershme dhe shkelja e idealeve. I qëndroi me fanatizëm besnik kësaj rruge, por duke nxjerrë në pah edhe vetitë e tij njerëzore. Punën e tij e kryente me një besim të madh tek partia ku bënte pjesë, tek politika e saj, tek drejtuesi i saj. Ndonjë miku të së shkuarës që i shprehte mosbesimin e tij për veprimet dhe politikën e PD-së i përgjigjej me frymën e besimit në shmangien e të metave dhe të optimizmit për t’ardhmen….
Pranvera dhe vera e vitit 1996 ishin të ngarkuara me tension të lartë. Në mars kishte ndodhur atentati në supermarketin VEFA në qendër të Tiranës, ku humbi tragjikisht jetën Vera Dume, një vajzë që vinte nga një tjetër vënd internimi, nga Grabiani, ku kish kaluar, e dënuar, pesëmbëdhjetë vite të jetës së saj. Vendi jetonte në dehjen e fitimit të parave pa mundim. Pjesa më e madhe e kursimeve të shqiptarëve ishin grumbulluar në kompanitë “rentiere”, që premtonin e jepnin interesa marramendëse. Votimet e qershorit, me parregullsitë e tyre dhe tërheqien e socialistëve në ditën e votimit, nuk ndihmuan në kthjellimin e ideve. Shqiptarët përkundeshin në ëndërrat e pasurimeve të lehta dhe i ngjanin udhëtarëve të Titanikut, që vazhdonin të dëfreheshin nën tingujt e orkestrës, ndërsa anija mbytej.
Krimi i organizuar, mbas fitimeve prrallore në sajë të trafiqeve të paligjëshme, kërkonte t’imponohej në jetën shoqërore e politike. Vrasja e Bujar Kaloshit ishte shprehje e kësaj prirjeje dhe paralajmëruese ogurzezë e kataklizmës, që do të vinte mbas disa muajsh, me shëmbjen e Shtetit dhe kthimin e Shqipërisë në vitin zero.
Nga ato kohë të zymta kaluan dhjetë vite. Bujari, Vera e të tjerë viktima të terrorizmit shqiptar mbeten ende plagë të hapura jo vetëm për familjet e tyre, por për të gjithë ata shqiptarë që duan t’a shohin Atdheun e tyre një vend normal, në gjëndje të frymëzojë besim e shpresë. Drejtësia shqiptare nuk arriti dot t’u japë qytetarëve qetësinë e të jetuarit në një Vënd ku krimi dënohet dhe viktima mbrohet e dëmshpërblehet.
Sot përsëri re të zeza lundrojnë në qiellin e Shqipërisë. Kuvendi i saj, zemra e veprimtarisë politike të Shtetit, na paraqet një pamje tepër trishtuese: në vend të njerëzve të përkushtuar çështjeve të përparimit të Atdheut e arritjes së synimeve madhore të tij, shohim “politikuca” profesionistë të interesave vetiake që, në emër të Kushtetutës, janë gati të ligjësojnë paudhësitë më të mëdha, që nuk njohin as parimet më fillestare të edukatës njerëzore, që tempullin e vullnetit politik të popullit të tyre e kanë kthyer në një treg, ku hyhet e dilet simbas qejfit, ku flitet si të vijë për mbarë larg kodit etik të domosdoshëm, ku tregohet fuqi fizike në vend të argumentave.
Seanca e fundit e Kuvendit, me pamjet e saj skandaloze të një huliganizmi tepër të rëndomtë, është një faqe turpi për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Shokët deputetë të Opozitës duhet të mbajnë parasysh se, për fat të keq, përfaqësojnë jo vetëm një pjesë të shqiptarëve që i kanë votuar, por dhe një pjesë të imazhit të Shqipërisë në botë. Ai Kuvend, i kthyer në një stallë derrash nga një dhunë e pajustifikuar, nuk nderon asnjërin prej nesh e besoj se asnjë prej nesh nuk e meriton këtë paraqitje. Më shumë dëshpëruese bëhet kjo gjëndje kur vihet re se këtë skandal, në kufijtë e vandalizmit më të keq, e shkaktojnë deputetë relativisht të rinj në moshë.
I kam besuar me bindje idesë se ndërrimi brezor do të sillte normalitetin në politikën shqiptare. Me keqardhje të thellë konstatoj se paskam gabuar, se këta të rinj, sot drejtues të partive të Opozitës, nuk i lenë asgjë mangut etërve të tyre shpirtërorë. Madje këta janë më agresivë (kush guxonte të fyente apo t’i turrej Kryetarit të Kuvendit në kohën e diktaturës?) ndoshta sepse jetojnë në një tjetër periudhë ku kolltuku nuk mund të jetë i përhershëm, siç ishte për brezin parardhës. Këta “zotërinj”, që evokojnë vazhdimisht 1997-ën si një medalje trimërie në biografinë e tyre, a thua se flasin për kohën e Skënderbeut, harrojnë se ai vit, me bëmat e tij të zeza, mund të krahasohet vetëm me “vitin e mbrapshtë” 1914, për dëmet që i ka shkaktuar Shqipërisë. Ata dy vite na kanë larguar më shumë se gjithë historia jonë nga rruga e zhvillimit dhe qytetërimit. Një përsëritje e përvojave të tyre do të ishte një goditje fatale e projekteve të integrimit të Shqipërisë n’Evropë.
Duke kujtuar me dhimbje të thellë sot Bujar Kaloshin, martirin e rënë në mrojtje të idealeve të demokracisë shqiptare, uroj që fundi i tij tragjik të zgjojë tek secili prej nesh zërin e ndërgjegjes, vetëdijen e përgjegjësisë para fateve të Vendit tonë.
Gusht 2006
Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011