Lufta e Dytë Botërore është një përiudhë komplekse, posaçërisht e vështirë për t’u studiuar në Shqipëri, për shkak të rezistencës së faktorëve politikë diktatorialë, hendekut të madh në mes një historiografie vendase së ngurtësuar mbi shabllone njëdimensionale, me arritjet bashkëkohore në Perëndim, lidhur kjo me tipin e Shkollës që rezistoi me kokëfortësi antishkencore në tranzicion ndër ne, bazuar mbi gjysëm të vërteta, me fiksime njëdimensionale dhe me pamundësitë praktike për një kohë të gjatë në aksesimin e arkivave dhe bibliotekave të huaja.
Në artikullin e sotëm do paraqes 1.një përkufizim mbi Kohën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipni; 2. të shpjegoj pse kjo kohë ka pasur një rendësi vendimtare dhe afatgjatë në jetën shtetnore, në aspektin nacional, të lirisë për të gjithë, vlerave demokratike të promovuara nga Aleatët Perëndimorë gjatë dhe pas luftës, ndërprerjes së zhvillimit normal të shtetit, shoqërisë, arsimit, kulturës, shkencës dhe konsijancës brendshme të nacionit, të përjetuar në këtë kohë shndërrimesh të pangjashme për Shqipërinë e pazhvilluar; 3. të tregoj pyetjet kërkimore mbi të cilat ndahen studiuesit sot dhe arsyet pse përgjigjet e këtyre pyetjeve normale në studimet bashkëkohore në Perëndim, shmangen nga historiografia deskriptive e vëtë-zyrtarizuar ndër anët tona; 4. Çfarë duhet të bëjmë ne për ta pasur një Hartë të Pranueshme nga pikëpamja shkencore të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore?
Sfida e shpjegimit të LDB
Shqipëria në LDB ishte viktimë e dy agresioneve të shteteve fashiste dhe uzurpimi ushtarak të pushtetit, përkundër linjës shtetformuese të ndërtimit të autoritetit shtetëror. Në këtë kohë, Shqipëria humbi subjektivitetin në të drejtën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë edhe përgjegjësinë. Përndryshe, rikthimi i kësaj njohjeje, pas luftës prej anës së uzurpuesve komunistë të pushtetit, ka qenë një sipërmarrje që është ripërtërirë me vështirësi dhe asnjëherë nuk ia ka dalë të përftojë legjitimitet nga dy Aleatët Perëndimorë Antifashistë, SHBA dhe Britania e Madhe.
Koha e LDB në Shqipni është koha e Thyerjes së Zhvillimit dhe e evolucionit Normal të Shoqërisë Shqiptare, kryer nga dy pushtime të njëpasnjëshme të huaja dhe nga uzurpimi komunist i pushtetit në Tiranë dhe kryeqendrat e trevave shqiptare periferike, pas nëntorit 1944 dhe në vijim. Është koha e Luftës Antifashiste, por edhe një ballafaqimi civil ardhur për shkak të qasjeve të ndryshme politike mbi përballimin e sfidës; është koha e një prapësimi regresist, ndërrimit kualitativ të brezit ndërtimor të institucioneve.
Thyerja historike ka qenë shumëdimensionale dhe është përjetuar ndër komunitetet përbërëse të kombit shqiptar, në elitën e tij qendrore dhe rajonale, me pozicionime politike jo të qëndrueshme, shpesh herë të përkundërta, brenda të njejtëve grupe sociale dhe të njejtëve personalitete, për shkak se bëhej fjalë për një përiudhë shndërrimesh të dhunshme të rendit politiko-institucional, që godisnin marrëveshjen e parë historike të formësimit të Shtetit dhe Kombit në epokën moderne, qendrimin tradicional të shtetit ndaj çështjes kombëtare.
Këto pozicionime u orientuan në mënyrë të vetvetishme drejt njërit ose më shumë, prej elementeve pesë-valentë qëndrimesh të këtyre individëve ose grupeve shoqërore: Akomodim, Bashkëpunim, Rezistencë Nacional-Çlirimtare, Luftë Civile dhe Uzurpim Bolshevik të Pushtetit.
Kjo do të thotë se për të mbijetuar në atë kohë, një individ, një grup shoqëror, një fis, një familje, një krahinë e Shqipërisë së prapambetur, të paformësuar dhe të pa konsoliduar ende shtetërisht, do të duhej të përqafonte dhe të rreshtohej në njërin nga qëndrimet e mësipërme, dhe më së shumti, në dy nga ato: me Akomodimin me kushtet e reja, ose me Rezistencën ndaj okupatorit.
Nga pikëpamja përmbajtësore :
1.LDB përban për Shqipninë dhe kombin shqiptar nji kohë kulmore në aspektin e jetës shtetnore, lexue kjo nga pikëpamja e nderpremjes të trefishtë institucionale të linjave të paracaktueme nga kombformuesit; Në harkun kohor të viteve 1939-1946, Shqipërisë i është dashur të ndryshojë disa kontekste politike dhe korniza kushtetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal dhe të pangjashëm sistemi, të kundërt me marrëveshjen ndërkomunitare mbi Shtetin.
2. LDB asht koha e nji lëvizje nacional-çlirimtare me spektër të gjërë antifashist, si aspiratë e rinisë shqiptare të asaj kohe, formimit të disa lëvizjeve me këtë qëllim, duke filluar nga LANÇ, e nisur në start, me 16 shtator 1942, si organizatë gjithpërfshirëse, pjesë e vetëofruar e koalicionit antifashist botnor, e zhveshur në rrugën e vet gradualisht, me kujdes dhe programim, nga ky objektiv për të sjellë lirinë për të gjithë, drejt një organizate sektare, e drejtuar kundër çdo arritjeje pozitive që me mundim dhe largëpamësi elita pararëndëse kishte krijuar, si edhe gradualisht kundër Aleatëve Perëndimorë Antifashistë. (është fjala për përdorimin e pushtetit komunist në Shqipëri nga sovjetikët përmes jugosllavëve, në Incidentin e Kanalit të Korfuzit ishte përplasja e parë e përgjakshme mes Lindjes dhe Perëndimit, realizuar me dorën e Enver Hoxhës). LDB, është koha e formësimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që mbajti barrën kryesore të luftës për liri, por edhe e lëvizjeve të tjera nacionaliste, një pjesë e të cilave vijuan rrugën e nisur gjatë pushtimit fashist italian edhe në kohën e okupacionit gjerman, deri kur armët e vllazënve u drejtuan kundër tyre. Në rrjedhën e fundit të luftës, PKSH, duke punuar nepërmjet LNÇ/ FNÇ, ia doli ta shndërronte forcën e vet politike, në të vetmen lëvizje efektive të qëndresës në Shqipëri, për shkak të ngurrimeve të nacionalistëve dhe bashkëpunimit të disa prej tyre me gjermanët. Aleatët, të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë, ndihmuan lëvizjen aktive të rezistencës, partizanët e LNÇ të kontrolluar nga PKJ.
3. Dështimi i nacionalistëve për t’u bashkuar aktivisht në luftë në kohën e pushtimit gjerman, me Aleatët, i hapi rrugën PKSH për të ardhur në pushtet përmes FNÇ-së, organizatës së pastruar në vitin 1944 nga nacionalistët, dhe për të rizvogëluar shtetin në kufijtë e vitit 1921 (duke lejuar rishkëputjen e “Tokave të Lirueme” nga shteti), dhe duke rindërtuar shtetin e vogël por me parime të kundërta, me ata që vendosën etërit e vërtetë të Shqipërisë 1912-1921.
4. Kjo përiudhë ësht e rëndësishme nga pikëpamja studimit të fenomenit të rrënimit të strukturës së një shteti të ekuilibruar kulturalisht e krahinarisht, mbi një konsensus të faktorëve përbërës të nacionit, shuarjes të vlerave perëndimore të kushtetutës dhe kartës së lirive civile, laicizmit përfekt, ideologjisë rilindase mbi të cilën ishte vendosur sistemi i edukimit;
5. Siç çdo thyerje e rëndë ndërkombëtare, zhvillimet e luftës me pasoja mbi Shqipërinë, çelën spontanisht nji përpjekjeje shprese për ribamjen e shtetit në kufijtë nacionale. Kishte brenda saj një tingëllim të “Orës së Shqipnisë”, si aspiratë e nji kombi të penguem historikisht nga faktorë të jashtëm dhe jo vetëm, në rrugën për të jetue në nji shtet nacional si të gjithë vendet e tjera ballkanike; Fatkeqësisht ndertimi i shtetit nacional më 1941, qe veç një endërr e shkurtër 4 vjeçarë. Përpjekja e organizuar të Klasës Intelektuale shqiptare, e përfaqësuar nga Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte, për mbrojtjen e Shqipërisë së Vërtetë, të themeluar atë kohë, në Konferencën e Paqes, për shkak të pilotimit të udhëheqësisë vendase ushtarakisht dhe diplomatikisht nga jugosllavët dhe sovjetikë, u rrënua menjëherë: Kosova, Dibra, Malësia dhe Ulqini u lëshua nga klika e Enver Hoxhës.
6. Fundi i LDB është koha e ardhjes së një lirie të çuditshme me 29 nëntor 1944, e shoqëruar me ndëshkim fizik dhe moral të padallimtë, ndaj Shqipërisë që Priste në Heshtje Ristabilizimin, Ruajtjen e shtetit nacional si një e drejtë e përcaktuar, Vijimësinë e Elitës Shtëtformuese, Ruajtjen e balancave dhe strukturës së burimeve njërëzore administrative dhe politiko-përfaqësuese; Brenda pak javëve në fundin e vitit 1944, ndodhi rrënimi i udhëheqësisë shtetërore të paraluftës, si dhe përforcimi në krye të së majtës shqiptare në luftë, i një lidershipi të ndërvarur robërisht nga Netowork-u Moskvit dhe agjenda sovjetiko- jugosllave, e cila determinoi plotësisht kahun, rrugën që ndoqi ky vend në fundin e vitit 1944 dhe gjatë vitit 1945, në planin nacional, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.
7. Është Koha e Rishkëputjes së Kosovës nga Shteti dhe e Ribashkimit të tretë me Serbinë, me kontribut të pafshehur dhe të dokumentuar edhe nga rekordet e sotme të AQSH, të Divizioneve të UNÇSH; Shqipëria nentorit të vitit 1944, do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943, nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi dhe Rexhep Mitrovica, njërëzit më atdhetarë të Shqipërisë: ajo do të jetë tanimë një Shqipëri pa Kosovën, pa Dibren, pa Ulqinin, Hotin dhe Grudën, që bash në këtë kohë i kaluan tiznisht Jugosllavisë si detyrim përulës i ekipit që erdhi në fuqi në Tiranë, ndaj Beogradit, një Shqipëri me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas deri në shtator 1946. Koncepti i Kombit në përfundim të kësaj lufte, me zhdukjen nga referenca ndërtimore e konventave themeluese shtetërore dhe lënien e pambrojtur të trevave të banuara nga shqiptarët në Ballkan prej anës së “fitimtarëve”, pëson hapa prapa në aspektin e emancipimit dhe unitetit.
8. Lufta civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturën e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe nën një pozicion krejtësisht të nënvendosur politik, përfaqësues dhe vendimarrës. Epiqendra e pushtetit pas 29 nëntorit të vitit 1944 u vendos nën kontrollin e grupimit politik krahinor të Enver Hoxhës
9. Në mënyrë të veçantë goditja e ngadhnjyesve ka qenë më e mprehtë dhe rrënimtare mbi komunitetin katolik dhe udhëheqësit kishtarë e laikë, ndaj të cilëve, shteti i drejtuar nga Enver Hoxha ndërmori një plan të posaçëm goditjeje të diferencuar rrënuese, të ngjashëm me një plan të ‘goditjes e zgjidhjes finale’ asgjësuese, në tejkalim të nevojave për ruajtjen e pushtetit dhe sigurimit të mbijetesës së rendit legal, që vendosën me forcë në fuqi. Bëhet fjalë për një krim të kulluar, të paprovokuar, të kryer me objektiv të qartë dhe të planifikuar paraprakisht, ndaj pjesës më të emancipuar të shoqërisë, lidershipit të Rilindjes, Shtetformimit, Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Vetëdijës Nacionale;
10. Nga rrjedha e luftës në Shqipëri dhe brenda kohës së LDB, me pahir, jo si zgjedhje demokratike, afërmendsh si zgjedhje e anës së duhur të historisë, filloi aderimi i shtetit tonë tanima të cunguar sërish, në një aks shtetesh që komandoheshin në Moskë: ndodhi e pabesueshmja: Rusia doli tanimë në Kanalin e Otrantos me satelitin e saj të ri, Shqipërinë e Çliruar nga Fashizimi, por e kapërthyer nga një grup rishtarësh që nuk ndaleshin para asgjëje. Bëhej fjalë për një dalje ushtarake, por edhe për formësimin e një modeli shteti sovjetik mu përballë frontit ndarës që po kristalizohej, në mes Lindjes dhe Perëndimit; Dhe kjo jo si programim ndërkombëtar siç mund të pretendohet nga disa studiues përhere zyrtarë, por si vetofrim i diktatorit të pilotuar në kushtet ndërkombëtare që e lejonin. Shqipëria ishte një vend i parëndësishëm deri atëherë për Aleatët Perendimore, që u la spontanisht të shkonte në Lindje.
Të gjitha këto rezultate që ju ofrova, që janë produkt i punës kërkimore të studiuesve perëndimorë, i gjeni në çdo studim bashkëkohor, po qe së aksesoni në një Bibliotekë Perëndimore për disa muaj, nuk ia kanë dalë të pranohen zyrtarisht nga historiografia shqiptare, me debat shkencor të munguar, me Këshilla Shkëncore jo funksionale dhe të përdoruara me meskinitet, mediokritet dhe përdorim privat, përkundër arsyes publike. Sa më sipër tregon se, në vendin tonë nuk ka ekzistuar vullneti për korigjim shkencor të themeltë.
Temat e Luftës së Dytë Botërore dhe e fillimeve të kohës së Luftës së Ftohtë janë ende sot në Shqipërinë bashkëkohore, një debat kryesisht politik i radhës së parë dhe krejt më pak një debat studimor, për shkak të regjimentimit të shoqërisë sonë, por edhe nivelit të prapësuar të studimeve historike në përgjithësi, në krahasim edhe me vendet rreth e qark nesh, që ia kanë dalë të hyjnë prej së vërteti dhe gjerësisht ndër burimet arkivore dhe studiojnë literaturën bashkëkohore, që të hap sytë me kuptu gjendjen ku ndodhemi, kapërthimin formalist të shkencës, prapambetjen uluritëse të shkollës që përgatit studiuesit.
Sot jemi me 16 shtator 2024, në 82 vjetorin e Konferencës Antifashiste të Pezës, në vigjilje të 80 vjetorit të largimit të ushtrive gjermane nga Shqipëria, çlirimit të vendit dhe vendosjes së diktaturës njëkohësisht, dhe mund të themi, se Kornizat e vjetra të njohjes së përiudhës së LDB, përcaktuar symbylltazi nga historiografia komuniste shqiptare, duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim. Ka ardhur momenti për të kuptuar se Struktura e Brendshme e Shkrimit të Historisë në Shqipërinë Shkencore të Izoluar nga Perëndimi, rezultoi të jetë vetëm e përkohshme: e gjithë struktura e ndërtuar asokohe, pasi hyri fillimisht në krizë, ka rënë gradualisht dhe sot ne po kërkojmë riformatim, riorganizim, rizbulim dhe rishpjegim mbasi kërkohet një reference bashkëkohore për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë
Gjithsesi, hapësira publike shqiptare ende nuk është e lirë, por është edhe e pa sponsorizuar për kërkim indipendent shkencor. Ajo hapësirë karakterizohet nga llogorizimi politik i debatuesve, mbetja nën paradigmat e komunizmit, ose të revizionizmit sipërfaqësor të një pjesë të “historianëve të përjetshëm zyrtarë”. Kjo ka krijuar konfuzion dhe vështirësi për publikun që priret nga e vërteta dhe posaçërisht për nxënësit shqiptarë në mësimin e historisë.
Pyetja që bëjnë njërëzit sot është se, a ekziston një histori e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore dhe e vendosjes së diktaturës për Shqipërinë?
Publiku kërkon shkrimin e një historie të drejtë, që priret të shpjegojë realitetin shqiptar në tërësi, Luftën Nacional Çlirimtare, Luftën Civile, Kolaboracionizmin në përmasën reale, në tipologjitë, në thelbet e veta dhe variacionet; Procesin çlirimtar partizan, por edhe tejkalimin e pajustifikueshëm të objektivave të rezistencës, që në kohën e luftës nga ana e LNÇ; Përdorimin e të drejtës së rezistencës kundër fashizmit dhe aspiratës për liri, kryesisht për objektiva të pushtetit, për eliminimin e elitës së vjetër dhe shkatërrimin e plotë të shoqërisë drejtuese të Shqipërisë, të kryeqendrave të saj tradicionale.
Si është studiuar Historia e Shqipërisë deri më tash?
Shqipëria dhe bota shqiptare gjatë dhe pas LDB është studiuar nga historiografia e vendit të izoluar, si histori e një kombi të ndarë në pjesë territoresh, qëndrimesh dhe rrjedhash dhe fatkeqësisht kjo vazhdon edhe sot. Një vend dhe komb i ndarë në fragmente, i privuar nga një ndërlidhje efektive dhe me padijeni për strukturat institucionale, që krijuan shtetin dhe unitetin nacional në harkun kohor të viteve 1913-1939, prodhoi zyrtarisht edhe një dije historike me dy vektorë të ndryshëm për qënien nacionale: një në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë, pavarësisht ndërvarësisë së sotme të krijuara nga nevojat e diplomimit në Tiranë. Të dyja të pasakta dhe të shtrëmbëruara në raport me dijen zyrtare të para vitit 1939, për shkak të varësive të epërme.
E kam thënë dhe dua të përsëris se historia duhet të shkruhet si një sistem i tërë, dhe jo më si një histori e përbërë vetëm nga një copëz me interes politik dhe propagandistik, ose një copëz territor shqiptar. Historia nuk mund të ndërtohet më vetëm si një histori e shkëputur e një vendi nga bota mesdhetare dhe e paprekur nga faktorët imponues të fuqive të mëdha të kohës, por si Histori e Shqipërisë që përfshin “Shqipërinë e Vjetër” dhe territoret shqiptare të riintegruara në shtetin shqiptar të ndërtuar nga italianët dhe gjermanët okupatorë (1941); Si një histori e të gjithë komponentëve politikë, sociale, krahinorë, kulturorë dhe jo vetëm si histori e lëvizjes komuniste; Si histori e një vendi të vogël, të paprambetur me rritje të ndërprerë nga imponimi i faktorëve të Fuqive të Mëdha të kohës dhe qarqeve shoviniste të vendeve fqinjë ballkanike. Një fragment kohor i një historie nacionale, përfshirë në një kornizë të përgjithshme të historisë europiane të përiudhës së LDB dhe fazës menjëherë pas saj, i kuadrit të rindërtimit të balancës fillestare të LF.
Për rrjedhojë, studimi jonë nacional, nuk mund të shkëputet nga paradigmat gjeneraliste mbizotëruese të historiografisë botërore mbi të njëjtën periudhë dhe shkollat studimore.
Dhe në qoftë se kjo logjikë qendron, qasjet njëdimensionale të përdorura deri më tani, mendoj se janë të pamjaftueshme dhe të çojnë në rezulate, së paku të përcipta, për të mos thënë larg të vërtetës.
Shkollat historiografike dallohen nga mënyra se si u japin pergjigje pyetjeve të tilla si
Kush është përgjegjës për pushtimin italian të Shqipërisë?
Cilat janë disa nga veçoritë e pushtimit italian të Shqipërisë?
Si shpjegohet thyerja e plotë e njerëzve me pushtet para agresionit të 7 prillit dhe kolapsi i plotë i shtetit?
Cili ka qenë vendi i Shqipërisë në Komunitetin Perandorak Romak?
A ishte ai pushtim një zaptim dhe nënshtrim klasik, apo një sistem i protektoratit?
Cila ka qenë shkalla e autonomisë së autoriteteve shqiptare të qeverisë kukull në Perandorinë Fashiste?
Cilat janë tiparet e kolaboracionizmit në LDB?
A ishte kolaboracionizmi shqiptar tipik, apo mbart dallime në raport me atë të vendeve perëndimore dhe atë të vendeve ballkanike? Si shpjegohet, që kuislingët shqiptarë, jo vetëm që nuk ndërmorën fushata antisemite, por kryen edhe mbrojtje ndaj popullsisë me origjinë hebreje brenda territorit të tyre sovran?
A ka pasur në Shqipëri Luftë Civile?
Cili është raporti në mes Luftës për Çlirim dhe Luftës Civile?
A ka pasur në Shqipëri një ndarje të brendshme klasike mes forcave politike rreth qëndrimit ndaj Aleatëve Antifashiste?
Pse forcat tradicionaliste, elita e vendit mbajti një qëndrim përgjithësisht akomodues dhe herë-herë bashkëpunues e negocues me ‘arkitektët’ italianë të pushtimit?
Si mund të klasifikohet qëndrimi i ekipit drejtues vendas në kohën e pushtimit gjerman?
Si shpjegohet që në Shqipërinë e okupuar nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste qeveritë vendase nuk kanë ndjekur politika antisemite, madje zyrtarisht kanë marrë në mbrojtje hebrejtë?
A është Shqipëria e LDB vendi ku skemat ndarëse ndër kampe politiko-ushtarake mund të aplikohen rigorozisht, apo kemi të bëjmë me një rast të posaçëm?
Si duhet kuptuar qëndrimi në bllok jo armiqësor i popullsisë shqiptare të ‘Tokave të Lirueme’, ndaj italianëve dhe gjermanëve?
A u çlirua mirëfilli populli shqiptar me 29 nëntor 1944, duke u përfshirë si shtet i trojeve etnike, në botën e lirë, demokratike, të ekonomisë së tregut të lirë dhe i pavarur nga fuqia moskovite?
Cilat kanë qenë forcat kryesore motivuese që ndikuan në shkatërrimin e shtetit shqiptar në rrjedhën e vitit 1944, që krijuan vakumin institucional, kaosin social, rrënimin e elitës themeluese dhe kapjen e mbajtjen e pushtetit prej komunistëve?
A ishin interesat komuniste jugosllave për rimarrjen e ‘Tokave të Lirueme’ në vitin 1941, në shtetin e tyre të viteve 1945- 1946, një faktor vendimtar në fuqizimin e komunistëve brenda antifashizimit në Shqipëri dhe fshirjen e plotë të linjave kombëtare pararëndëse? Pse Shqipëria, kuptuar si Shteti i Vjetër, përfshihet nga historiografia perëndimore ndër Kombet e Robëruara të varuna nga Kremlini që në fillimet e Luftës së Ftohtë?
Pa i dhënë përgjigje bazuar mbi studim këtyre pyetjeve që janë themelore për historiografinë botërore, ne nuk mund të ndërtojmë një Hartë të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore, nuk mund t’i japim një kuptim botës shqiptare të viteve 1939-1945, nuk mund të themelojmë një të Kaluare të Re mbi Luftën e Dytë Botërore dhe post-luftën në trevat shqiptare, nuk mund të arrijmë në produkte shkencore konkurenciale dhe të pranueshme në debatin bashkëkohor.
Po ashtu ne nuk mund të shkruajmë një historisë të besueshme, pa shpjeguar kontekstet historike nepër të cilat kaloi vendi ynë aq intensivisht në 6 vite rrënimtare, pa kuptuar formacionet kulturore përbërëse, mjediset sociale të ndërtuara në kontekste të diferencuara historike dhe civilizuese, të krahinave etnografike të Shqipërisë, të veçantive religjioze të kompozitave të shoqërisë sonë.
Në qoftë se ne sot sërish nisemi nga parimi se konkluzionet e arritura 40 vite më parë, ende përbëjnë referencë; në qoftë se përdorim të njëjtën dhe të vetmen metodë, dhe të njëjtat burime të ofruara për përdorim të detyrueshëm; ose nisemi nga udhëzimi për kryer lëmime revizioniste por në asnjë rast rishkrim post -revizionist dhe tradicionalist, ne me siguri do të vijojmë të vonojmë me dritëshkurtësi mbërritjen e të vertëtës, por kurrë nuk do ia dalim të jemi të besueshëm dhe të pengojmë mbërritjen e bashkëkohësisë studimore në vendin tonë.
A mundemi ne të vazhdojmë të shpjegojmë si një bllok unik jetën shqiptare në çdo segment të territorit, të qyteteve pole kulturore, të fiseve dhe të krahinave me tradita të veçanta etnografike dhe përkatësi të ndryshme religjioze, që në shumë raste kanë pasur dhe kanë, konceptime të ndryshme për identitetin shqiptar dhe ardhmeninë, pa përdorur një metodë gjenetike, duke iu shmangur arsyetimit të zbatuar me urdhnim nga historiografia vendase?
Unë mendoj që jo.
Nevoja për të kuptuar ngjarjet, personazhet, posaçërisht disa prej figurave të mëdha të shtetformimit, qëndrimet e tyre respektive, të pashpjegueshme deri më tash me metodat hulumtuese të historiografisë leniniste, dikton përdorimin starteve të tjera, hermeneutike dhe kritike në studim. Pa përdorimin e tyre ne nuk mund shpjegojmë mënyrën e mendimit, të arsyetimit dhe vlerësimit të ngjarjeve nga ana e përsonazheve më të spikatura fondatore të shtetit, që janë etiketuar deri më tash si mirëfilli kolaboracionistë, ironikisht në anën e gabuar të historisë, dhe njëkohësisht për t’i vendosur ata përballë kundërshtarëve politikë, që i kanë denigruar deri vonë.
Po ashtu, duke qenë se në harkun kohor të viteve 1939-1945, Shqipërisë i është dashur të ndryshojë disa kontekste politike dhe korniza kushtetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal sistemesh, për të shqyrtuar fillin e ndërlidhjes dhe vazhdimësisë mes dy epokave përmes tre fazave thyerjeje që kaloi ky vend, është e nevojshme të kryhet vlerësimi i kornizave institucionale të krijuara në vitet 1939, 1943 dhe 1945/46, të kryhet krahasimi i pasojave politike, shoqërore dhe humane që rezultuan pas gjithë këtij destabiliteti shtetërorë. Dhe studimi nuk mund të realizohet pa ndjekur një metodë vlerësimi historiko-juridik, që është gjegjësisht një metodë krahasuese.
Kjo sepse kemi të bëjmë me vendosjen e tre sistemeve juridiko-institucionale, që janë të ndryshme për secilën fazë të kohës së LDB.
Kemi të bëjmë me tre qasje të dallueshme ndaj të ardhmes së vendit dhe orientimit ndërkombëtar të elitave që dolën në krye. Dhe në fund fare, kemi edhe tre grupe udhëheqësie, që ndërrohen në Shqipëri, në prill 1939, në shtator 1943 dhe në nëntor 1944. Grupi i fundit ishte pa asnjë lidhje me të gjithë elitat pararëndëse dhe me program tërësisht të kundërt me strukturën ideologjike dhe politike kombëtare mbi të cilën u ndërtua Shteti Shqiptar.
Dhe Shkolla Jonë Zyrtare ende nuk e ka realizuar një kërkim mbi një bazë të tillë.
E Kaluara Tradicionale e prodhuar nga Etërit e Ndaluar të Kombit, nuk duhet të konsiderohet më si diçka e huaj dhe armiqësore në vitin 2024, por më tepër si një pjesë e horizontit jetues, në të cilin ne gjendemi dhe si nevojë e ecjes bashkërisht si komb unitar, i bashkuar në shtyllat më themelore të së shkuarës së miratuar bashkarisht.
Kornizat e vjetra të njohjes së përiudhës së LDB, përcaktuar mbylltazi nga historiografia komuniste shqiptare duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim.
Përvoja shqiptare historiografike e përiudhës së djeshme, që jetoi padrejtësisht edhe në tranzicionin e Shqipërisë drejt demokracisë, që pësoi edhe rigjallërim në momente të caktuara, për një seri rrethanash politike, ekonomike dhe jetësore, besoj se nuk do të duhet të jetë më pikë reference për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë dhe nuk do të përbëjë më skemën ndërtimore të historisë zyrtare të Shqipërisë.
Në dekadën e tretë të shekullit XXI, ne duhet të jemi një vend, një komb, me histori, shkollëformim, histori tekstuale, komunikim letrar të standardizuar e të konsoliduar, bazuar mbi rezultate të verifikueshme të kërkimit shkencor, dhe të mos e përjetojmë gabimisht vetvetën, si një komb me një sistem dijeje, të vërtetash historike dhe shkollë, të lulëzuar në kornizat e vetëm 80 viteve të fundit, mbasi kjo mund të konsiderohet më si një dukuri progresiste dhe as të dobishme.
Romeo Gurakuqi
Instituti i Historisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë