

Julika Prifti/
Në 15 shkurt 1976, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë u dha premiera e operas “Zgjimi”. Qysh në fëmijëri, mua më pëlqente të shkoja në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ajo pjesë e Pallatit të Kulturës, me shkallët e gjera dhe kolonat e larta prej mermeri në gjithë anën ballore, me dritare të mëdha prej xhami, si asnjë ndërtesë tjetër në Shqipëri, kishte diçka solemne e madhështore që të bënte të ndiheshe sikur po hyje në një tempull të shenjtë arti. Më vonë e mendoja veten sikur po hyja në La Scala apo në Operën e Parisit a vende të tjera që i kisha parë vetëm në kartolina apo revista të huaja.
Aty ku kisha parë shfaqje opere e balete si dhe transmetimet e Festivaleve të Këngës në Radiotelevizion, natën e 15 shkurtit, do të shihja një vepër të lidhur drejtpërdrejt me krijimtarinë e babait. Do ketë qenë një përjetim i veçantë edhe për atë, si autori i dramës Mulliri i Kostë Bardhit, që kishte frymëzuar libretin e operës, ndonëse, si pjesë teatrale, ishte rrezikuar të mos vihej fare në skenën shqiptare.
Në kujtimet e tij për veprat skenike, Naum Prifti shënon se tek “Mulliri i Kostë Bardhit” trajtoi tentativën e grabitjes së kullotave verore të fshatit nga një bej i fuqishëm i krahinës, por “duke i sjellë ngjarjet pak më afër kohës sonë.” Pasi e dorëzoi dramën pranë Teatrit Popullor, autori kujton entuziazmin e aktorëve si Sandër Prosi për dialogët plot jetë dhe vërtetësi tek mjedisi i mullirit. Mirëpo pas disa ripunimeve për skenë, që nuk patën efektin e dëshiruar, Naumi shkruan se ju kthye dhe e përfundoi redaktimin e dramës së tij të dytë, të cilën, vendosi ta çoi për botim te buletini “Teatër.”
Pas botimit, Pandi Stillu, aktor dhe regjisor shqiptar nga Korça, i spostuar nga Teatri Popullor në Teatrin Aleksandër Moisiu, deshi të bashkëpunonte me kolegun Vangjel Heba për ta vënë në skenë në Durrës. Shfaqja u rrezikua në provën e përgjithshme, kur, sipas traditës komuniste, partiakët e besuar e gjykojnë veprën me parametra, që nuk kanë të bëjnë me kritere estetike dhe artistike. Pas mosmiratimit të dramës nga Sekretari i Kulturës i Durrësit Jorgji Sota, “në provën tjetër të përgjithshme erdhi Rita Marko. Me nofullat mbështetur mbi bërryla nuk ia ndante sytë skenës. Vetëm pas aktit të dytë e çtensionua duke mbështetur shpinën në kolltuk. Si korçar, ai i njihte ngjarjet e dramës, aq sa gjatë pushimit, iu tha kolegeve: “More, ai beu i dramës tëpkë si Maliq beu i Korçës.” Kështu, premiera u dha qysh të nesërmen në teatrin profesionist të Durrësit,” shkruhet në kujtimet e autorit.
Pikërisht kjo dramë e vazhdoi rrugëtimin deri në skenën e operës pasi mjeku dhe poeti pogradecar Mirush Markaj (Misto Marku) e pëlqeu shumë dhe shkroi libretin për një opera të re shqiptare. Opera “Zgjimi” është një nga krijimet skenike të kompozitorit Tonin Harapi. Realizuesit e saj ishin regjisori Luigj Gurakuqi, dirigjent Rifat Teqja, skenografi Hysen Devolli dhe kori nga Rozmari Jorganxhi. Në rolet kryesore interpretonin artistët e mëdhenj Lefter Besho, Pëllumb Katroshi, Fitore Mamaqi, Ibrahim Tukiçi, Zeliha Sina, Gjoni Athanas, Rozmari Jorganxhi, Gaqo Çako, Emine Gjata, Janaq Mici, Ramiz Kovaçi. #OperaHistori
Opera “Zgjimi” e 50 viteve më parë mbetet një kujtim i veçantë dhe i papërsëritshëm jo vetëm sepse i përket një periudhe të rëndësishme të artit shqiptar, por edhe si pjesë e krijimtarisë së babait. Ajo mbrëmje nuk ishte thjesht një ngjarje artistike. Ishte një takim intim mes familjes sonë dhe skenës së operës që i jepte një dimension tjetër veprës së tij përtej librave, ekranit dhe teatrit.
Sot brendësia e Teatrit të Operës dhe Baletit është rinovuar e tjetërsuar. Unë nuk mund të them për mirë a për keq. Por gjithsesi kur hyj në atë sallë, kur dritat zbehen dhe perdja fillon të hapet ngadalë, më duket sikur edhe babai është atje me mua. Në atë hapësirë, kujtimi i tij nuk është mungesë, është prani. Dhe opera “Zgjimi” i 15 shkurtit 1976 është një kujtim i rrallë për mua që shpalos lidhjet shpirtërore me artin dhe dashurinë atë e bij.
Foto: Naum Prifti dhe vajza Julika, vitet ’70, Tiranë
Fotot Opera Zgjimi, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.