NGA ALBERT R. HABAZAJ/
Letërsidashësit nga kritika letrare shqiptare janë orientuar me letërsinë e viteve ’80-’85 të shekullit të kaluar. Vetëm pak bulëza të freskëta të viteve ’90 kujtohen si vegime dhe kaq. Duke lexuar librin e ri të Petraq Kotes, për mua më të plotin e tij, nuk e di se përse më erdhi nëpër mend një thënie e Kadaresë … “Madje krishtërimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav …”. Ka mbi 35 vjet që në Pemën e Krijimit, pikërisht (me apo pa dëshirën tonë) pashë në atë Fidanishte të Gjelber në Tiranë një syth të çelte freskët, shëndetshëm, pastër
Sot “portretin kam varur në muret e kohës” thotë miku im i vjetër. Unë e kundërshtoj:- Jo, Petraq, ti je tashmë një Gjethe e Gjelbër e Pemës së Krijimit që, nuk mund të thahesh asnjëherë, biles tashmë ngjyrat e gjelbëra te pena jote bëhen më të dukshme, që s’ka zot t’i fshijë, me kollaro a pa kollaro, sepse tullumbackë apo fyryfyçkë do të katandiset.
Miku ynë Petraq Risto evidenton që jemi grimca të pluhurit kozmik të Letrave në globin aq të vogël Njerëzor. Apo jo, Peço?
Ti, Kote je një identitet letrar i brezit tënd dhe më shumë se kaq . (Ndërkohë mosha 55 vjeçare është djepi i pjekurisë e përgjegjësisë qytetare për të mbajtur e rritur vlera në shërbim të njerëzve, për t’u fisnikëruar shpirtin atyre, për t’u zbukuruar ndjenjat, për t’u rrezatuar virtytet, për t’i bërë mirë shoqërisë ,kombit e qytetërimit në tërësi).
Edhe pse mos ekzistenca e kritikës letrare për grupmoshën tonë të krijimit ka lënë apo ka tentuar të lerë gjurmët e shpërfilljes apo të paktën të heshtjes ndaj Vlerës Letrare, ti, Petraq Kote e ca të tjerë si ti, që guxojnë me mend në krye, i thatë kohës: Unë jam! Të kam pritur, o kohë të vije tek unë. Di t’i them dhe vetes më fal, se pena ime i përket të nesërmes .
Me dhembje dhe dinjitet ti e thua veten sinqerisht, sepse “E thëna“ perëndia shqiptare e artit të fjalës është hyjnorja jonë për nesër, sepse ti di të gjunjëzosh edhe perënditë, sepse siç shkruan ti, i Miri i Penës:“Në gjunj i ulem vetëm Atdheut “…Më rritën në formë pushke /në duart e atdheut,/të vrisja armiq..
Por…eh…Endërr e keqe…Realiteti ynë i ashpër…Betonizimi i ndjenjave, i gjakut, i shpirtit nuk mundi të realizohej deri barbari.
Atëherë”nëna…”na pastroi me lotët e nderit …” e “ndoshta kam marr formën e librit “ thua ti vërtetësisht.
Petraq Kote,ti je poet që në shfaqje. Sytë e tu burojnë vargje jete, qëndrimi yt gurgullon poezi dinjiteti, trupi yt emeton krijim ilirik të paimagjinueshëm, ndërkohë shpirti yt është gurrë qytetarie e vjershërimit elitar .Ti je poet modern, biles po e përsëris me gërma të mëdha shtypi: PETRAQ KOTE ËSHTË POET MODERN NË SHQIPËRI. Libri yt me 159 faqe e mbajti, e mban dhe do ta mbajë syrin e mendjes e shpirtit tënd në harmoni ngjyrash e aromash me artin tënd e për këtë arsye, me vëllazëri poetike urimi im të vjen nga Vlora i ngrohtë: Të lumtë pena, Poet e mjalt prodhoftë dhe pesëdhjet vjet të tjera për të ëmbëlsuar në breza shqiptarët që do të vijnë, njerëzit që do të jetojnë!
Edhe pse e lexova, unë do ta kem hapur gjithnjë librin tënd, do të lexoj një poezi, dy ,tre, do ta mbyll prapë, do t’i rikthehem përsëri, por gjithmonë me kënaqësi e respekt, sepse vërej arritje në formë, edhe në përmbajtje, në figurat stilistike dhe në shëndetin e qëndrueshëm të poezive, për gjerësinë e thellësinë, për gjeografinë e hapësirat që rrok e mbi të gjitha për guximin artistik që u jep atë dinjitet të hijshëm krijimeve të tua, sa që edhe poetë me emër të përmendur do t’i kishin zili.
O Poet! Ti s’shkruan, s’mund, do para, nuk jemi ne apo s’ka lindur akoma ajo lloj kritike pa frerë krerësh me kollaro? Nërkohë krijimi yt është shprehje kyçe e poezisë sonë, më saktë identifikimi i asaj që kritika s’flet, s’shprehet. Ti je krijues dinjitoz, më vjen mirë që po ta them disa herë këtë vlerësim apo më saktë evidentim, konstatimin tim, sepse më kujtohet E.Kanti kur shprehej: ”Individi pa dinjitets’mund të prodhojë vepra dinjitoze.”
Libri yt, miku im i respektuar thot ëshumë gjëra, ka botë, ka jetë, ka dashuri, ka dhembje, ka vizion dhe identitet. Jep mesazhe të pastra e të mëdha njerëzore dhe qytetare. Ti asnjëherë nuk më ke folur për poezitë e tua. Interesant! Tani më vjen ndërmend. Askurrë nuk më je mburrur për çke shkruar e për ç’ke botuar. Dhe unë e di që ti shkruan bukur dhe shumë miq të lartë që ke t’i kanë vlerësuar krijimet e tua.Që te “Kënga e Marrë”, “Ranë Kambanat”, “Humbja”, “Muza”, “Këngë e parrëfyer”, “Këngët e Motmotit”, “Ngjarje ndër Muzakë” (vëll.1, vëll.2), “Mirë se erdhe Lamtumirë!…”, “Gjerana”, “Nesër” apo një nga librat me cilësi artistike të lartë jo vetëm të autorit, por edhe të krijuesve të Principatës Letrare Vlorë Fier, Lushnjë Berat, Rrogozhinë, vëllimi poetik “Portretin kam varur në muret e kohës, botuar nga Shtëpia Botuese “Globus R” ti, Petraq Kote je cilësuar si antidogmatist që “rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura…” Bukur ta ka gdhendur profilin artistik Prof. Agim Vinca, kritik i shquar i poezisë dhe poet i njohur kosovar, me origjinë nga Veleshta e Strugës.
Petraq! Kur mbarova librin tënd “Mirë se erdhe Lamtumirë!”, shkrova në shënimet e mia për librat e veçantë që lexoj këto radhë: “Një shërbim i madh po i bëhet poezisë së sotme shqipe me “Mirë se erdhe Lamtumirë”. Poeti P. Kote që rri zgjuar mbi vargjet e reja, shpreh ide të fuqishme poetike me dritë e tejdukshmëri. Që në poezinë e parë, atë për Atdheun dalloj stilin e tij të veçantë. Si një nga përfaqësuesit e mirë të krijimit hyjnor ai është tokësori i vërtetë i asaj të bekuare penë, që ngec, se thahet po e shpërdorove…Në 160 faqe libër pashë poezi në lëvizje, poezi të vrullshme, poezi të natyrshme, njoha ekzistencialistin e formatuar për të mos u tutur. Ndjehem mirë kur lexoj Petraq Koten. Ai bazamenton poezinë e re të brezit. Poezia e tij është mali i detit tim…
E këto mendime estetike të thjeshta nuk t’i shpreha asnjëherë gjatë bisedave. Apo jo, miku im.
Për të tjera gjëra kemi folur së bashku, për poezinë e kohës, për të nesërmen e saj, për shqetësimet që ajo ka…
Ndërsa rishfletoj “Portretin…” vërej se shpesh herë shfaqet dhe një bulëzim origjinal i Uollt Uitmanit.
“…mëzet e reja më hanë barin e shpirtit”, shkruan ti. E “Kur flet libri, autori duhet të hesht…” shkruan filozofi gjerman Friedrich Nietzsche (Fridrih Niçe).