(Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes: 25 nëntor 1913 – 25 nëntor 2013)/
Shkruan:ZYBA HYSEN HYSA/
Po të lexoje dikur librat e Petro Markos pa kapakë, pra, të mos e dije se janë të tij, do mendoje se ishte një shkrimtar i huaj, kjo jo për faktin se nuk trajtonte tema shqiptare, por ai kishte një stil jashtëzakonisht të ndryshëm nga të gjithë shkrimtarët e kohës, një stil që unë e admiroja pafundësisht. Për mua, si vajzë e re për atë kohë që zhytesha në lexime pafund, i vetmi dhe i vetmi shkrimtar shqiptar që lexoja me ëndje dhe që e kërkoja me ngulm, ka qenë Petro Marko.
Nëse Lasgush Poradecin mund ta quajmë përfaqësues të poezisë moderne, Petro Markos i shtohet edhe të qenit përfaqësues i denjë i prozës moderne shqiptare.
Të kesh frymë moderniste në poezi, prozë, pikturë, muzikë… do të thotë që në radhë të parë të jesh me pikëpamje moderne, shkurt duhet të jesh modern, edhe më shkurt: të jesh krejtësisht natyral, të jesh vetvetja e kush ishte kështu, mbeti kështu, sepse nuk mund të ishte ndryshe.
Krijuesit i dallon jo thjesht emiri, se emrin ia vendosin pasi lind, por shpirti i tyre, i cili pulson që në embrion, në mitrën e nënës, se një njeri me prejardhje fisnike, kurrë nuk mund ta shesë shpirtin, se të shkruash me direktiva, do të thotë të shkruash me logjikë të ftohtë, pa e distiluar në shpirt, do të thotë të shkruash për të lartësuar emrin duke shitur shpirtin.
Nuk më kujtohet se në cilën gazetë ishte një thënie për komente (në internet), ku afërsisht shtrohej pyetja, se a mund të krijojnë letërsi moderne, shkrimtarët e letërsisë së realizmit socialist dhe unë kam dhënë një përgjigje, afërsisht kështu (nuk më kujtohet fjalë për fjalë), se ata që shkruan letërsinë e realizmit socialist, ishin të tillë që e shkruan, pra nuk kishin pikëpamje moderne, nuk kishin prejardhje fisnike e për pasojë ata u kthyen në një farë mënyre diktatorët e shpirtit tyre dhe fshirësit të emrave të krijuesve që nuk mundeshin të ishin ndryshe e nuk mund të shkruanin ndryshe, që nuk mund të shkelnin mbi shpirtin e tyre fisnik. Nuk po më kujtohet, se ku e kam shkruar këtë: “Emrat e krijuesve të realizmit socialist u lartësuan duke ngrënë shpirtin e vet dhe “mishin” e shokëve.”
Petro Marko, më shumë i ndaluar, se i lejuar, është një emër që u lartësua duke u përplasur me portën e hekurt të diktaturës komuniste e pse ai ka qenë një luftëtar i lirisë…. Ai u lartësua duke u ngjitur drejt majës me këmbë e duar, i sfilitur, i përgjakur, por i papërlyer, i pastër si uji i detit në Dhërmiun e vendlindjes së tij. Oh, që pena ime nuk mund ta shprehë atë që unë kam në shpirt për Petro Markon, për një autor që kurrë nuk e kam njohur personalisht, por sigurisht unë kam qenë me të e ai ka qenë me mua, ne kemi qenë të dy në vallëzimin e muzës së pastër ashtu siç na e dërgonte Zoti, ne kemi qenë të dy mes gurëve të mullirit të diktaturës komuniste që u bluam për shumë kohë, por na bëri mirë, se ruajtëm shpirtin të pastër, se nuk është krijuar deri më sot ndonjë instrument që të vrasë shpirtin po nuk e dorëzove vetë atë, apo, po nuk e mori vetë Zoti që na e ka dhënë e krijuesit e realizmit socialist duhen mëshiruar, se dorëzuan gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu, shpirtin, dhe, duke mbetur pa shpirt, u shndërruan në makineri “moderne” në shërbim të diktaturës. Oh, që edhe për këta nuk ka forcë pena ime të përshkruajë errësirën që pushtoi zemrën e tyre dhe egërsinë egoiste, saqë ishin gati të firmosnin vdekjen e poetëve, burgosjen, persekutimin, internimin… e krijuesve fisnikë dhe natyralë po u them, se as ata nuk e dinin se ishin modernë, ata ishin vetvetja, por përsëri them që pena ime nuk ka forcë të përshkruajë dhimbjen dhe keqardhjen për ta që u detyruan me dhunë të ndryshonin, të shërbenin, se të shërbeje diktaturës, do të thoshte, të vrisje pa mëshirë shpirtrat e lirë të krijuesve. Zoti i ndihmoftë për t’u falur mëkatet, se edhe oqeani të kthehet ujë i bekuar, nuk ua lanë dot krimet në diktaturë. “Njeriu që përulet përpara radhës së fetisheve pompozë arrin të bëjë karrierë në botën konvencionale, së cilës i sakrifikon personalitetin e tij, gjen atë që meriton… Duke u tallur me ta, njeriu i lirë është një zotni natyror i të gjithë shërbëtorëve që e adhurojnë. Duke respektuar virtytin dhe meritën më parë, se radhën dhe influencën, të rinjtë do të mësojnë të shpëtojnë nga robëria morale, duke u emancipuar drejt forcimit për të qëndruar në këmbë mbi këmbët e tyre….” (Isuf Luzaj)
Shkrimtari, poeti, piktori, muzikanti… në kohën e muzës nuk mendon sa i madh do të bëhet, sa vlera do të ketë krijimi i tij, ai nxiton me vrapin e erës për të nxjerrë atë çka shpirti s’mund ta mbajë më brenda vetes, ai shpëton nga ngarkesa që i ve Zoti për ta shkarkuar në fletë, mbi telajo, në pentagrame… që njerëzia të ketë mundësi të fitojë sa më shumë kënaqësi hyjnore… për t’u bërë sa më shumë njerëz…
Ja… i madhi Petro Marko, biri i Dhërmiut hyjnor, ku zoti duhet të ketë qenë në muzë kur e krijoi… Fatlumë janë ata që kanë pasur fatin të lindin aty, të rriten nën muzikalitetin e puthjeve të valëve mbi breg, apo me atë Shshshshshsh… si një fishkëllimë gjarpër shullëri të ujëdetit në ranishtën rruzare si dhe në bubullimat e stuhive të dallgëve mbi shkëmbinj… e, një ndër këta fatlumë, ishte Petro Marko, modeli i Dhërmiut për bukuri trupore dhe shpirtërore, ku valët ledhatuese të muzës e përkëdhelën gjithë jetën e dallgët e stuhive diktatoriale e përplasën pa mëshirë, por ai ishte shkëmb Dhërmiu, ku shekujt e kanë goditur me dallgët antishqiptare, ai mbetet lapidar mbi breg për të treguar vitalitetin shqiptar dhe forcën e një shpirti fisnik.
Këto fjalë shpirti që hedh në letër për një martir, siç ka qenë Petro Marko, e kanë marrë udhën që në vitet e hershme, kur s’isha e zonja të përcaktoj e të vlerësoj krijimtarinë e autorëve, atëherë kur unë isha një vajzë e thjeshtë që nuk njoha lodra femërie si gjithë tjerët, por dilja poshtë shtëpisë lexoja e lexoja pafundësisht “Lulja dhe Shega”, “Kozeta” “Ariu gjeti një llullë”… dhe më pas në rininë e hershme të parin roman, kam lexuar “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, mund të kem lexuar edhe tjerë, por ky më ka mbetur në mend dhe ai që më nguli në vend për ta lexuar me një frymë, ishte “Hasta la Vista”, ku personazhet kryesorë, Anita me Gorin, u skalitën në zemrën time si Romeo dhe Zhuljeta në tragjedinë me të njëjtën titull të Villiam Shekspir, këtë e ka bërë dora e Petro Markos, me një krijimtari krejtësisht natyrale e pa futur në turbinat e shtetit.
Duke qenë vetvetja, edhe pse kërkojnë të jenë pak të përshtatshëm, sidomos atëherë kur të kërcënohet jeta, përsëri ai nuk mund të dalë nga vetja. Kështu pas një kritike dhe ndalimi ai mendon “të ndryshojë” dhe dërgoi për botim romanin “Çuka e shtegtarit” por përsëri u ndalua e për herë të parë ai nuk u hidhërua, se e kuptoi që askush nuk mund t’i ndryshonte shpirtin.
Poeti dhe shkrimtari gjithë jetën bën intervistë me veten dhe po të kishte ndonjë “cip” të vendosur në trurin e tij, do kuptonim se sa të shqetësuar janë dhe është e çuditshme, se asnjëherë nuk shqetësohet për vete. “O njerëz, u vjen ndopak keq për poetin/ Që gjumin vret për hallet e tua…?/ Shqetësohuni për të/ Për hallet e tij/ Askush s’u zgjua…!”
Kjo është e vërteta e krijuesve, e poetëve… të cilët janë vërtet poetë e vërtet njerëz me shpirt të madh, me një shpirt që nxë gjithë hallet e popullit, me një shpirt aq sa të brishtë dhe naiv, po aq i hekurt dhe “rebel” ndaj padrejtësive. “Përse më përzgjodhi zoti poete?/ Të përballoj dhembjen që ndjej në shpirt/ Gjithë dhembjet e njerëzve i thith me etje/ Në vargje poezie ua kthej në dritë…”
Dhe Petro Marko, jo vetëm e imagjinonte intervistën me veten, ai i hidhte në letër që brezat të merrnin në dorë librin nga më të arrirët e kohëve “Intervistë me Vetveten” , intervistë që njeriu e bën për të shkarkuar peshën e rëndë të dhembjeve të popullit të tij, të krahinës së tij, ku dhe gurët e drurët kanë folur shqip, dhe valët e detit këndojnë labçe, dhe plisat po ti shtrydhësh kullojnë gjakun e të parëve për liri…
Vrasja më e dhimbshme për një krijues është ta ndalosh të shkruajë, të derdhë atë që i vlon në shpirt, se atëherë ai kthehet në një vullkan që ndizet nga brenda dhe llava përplaset në muret e shpirtit e kthehet përsëri në shkulin e pandalshëm të muzës, por a ka më të tmerrshme se t’i fikësh gazin e librit, gaz që ngjason me kënaqësinë e nënë pas lindjes që merr foshnjën në prehër? Unë që jam nënë dhe shkrimtare që i kam përjetuar edhe ndalimin, edhe lindjen, edhe gazin e librit, nuk jam në gjendje ta përshkruaj lumturinë e krijuesit kur merr në dorë librin e tij pasi del nga botimi e kush mund ta mendojë helmin e rrëmbimit të këtij gazi prej ndalimit pa mëshirë nga ata që kishin rritur shtatin e karrierës së tyre me frymën e “shenjtë” të Partisë, ashtu siç e rrëmben vdekja foshnjën nënës lehone. Këto ka përjetuar Petro Marko pas botimit të librit “Një emër në katër rrugë”, ku e lejuan të botohej dhe në mes të gazit familjar, u ndalua me urdhër nga… bile u vendos që të paguheshin dhe shpenzimet e Shtëpisë Botuese, për të cilën iu desh të shiste sendet e çmuara të familjes. Më pas u përjashtua dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Me Petro Markon është lozur si macja me miun, ku e lejonin të botonte, ku e bllokonin e kjo u bë e zakonshme për krijimtarinë e tij dhe jeta e tij u përfshi nga një klimë e paqëndrueshme, ku sapo nxirrte kokën dielli, fillonin vetëtimat dhe bubullimat me rrebesh dhe stuhi, të cilat e mësuan me durimin e së keqes, por kurrë nuk i vranë shpirtin e pushtuar me dëshirë për të shkruar.
Petro Marko, mbetet shkrimtari modern i kohës diktatoriale, vepra e tij do jetë vepër për gjithë brezat që do vijnë, se kurrë nuk u bë shërbëtore e politikave, por misionare e popullit për ta parë jetën ashtu siç na vjen, krejt natyrale, siç edhe vinte gjithë krijimtaria e tij në natyralizmin e vet.
Petro Marko, autor i rreth 20 veprave dhe me tituj mirënjohje si: “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Penda e Artë”, “Qytetar Nderi i Vlorës” dhe urdhri “Nder i Kombit”, mbetet një luftëtar i paepur i lirisë dhe një figurë e rëndësishme për letërsinë shqiptare dhe një shëmbëlltyrë e qëndresës përballë diktaturës komuniste, ai ishte modern, se s’mund të ishte ndryshe, se ishte vetvetja.
E paharruar qoftë jeta dhe vepra e tij!