
Asllan Bushati/
Këto ditë në Shqipëri e Itali, ka shumë diskutime pro e kundra për një marrveshje midis Kryeministres Italiane Meloni dhe atij shqiptar Rama. Brendia e saj është lehtësimi i menaxhimit të emigrantëve të Afrikës veriore që zbarkojnë cdo ditë në Itali dhe ndihmesa që Shqipëria mund ti jap Italisë për këtë problem. Mendohet se prurjet mund të jenë gati mbi 3 mijë në muaj ose 36- 39 mijë në vit. Pritja e emigrantëve do të bëhet në Portin e Shëngjinit dhe vendosja në Gjadër deri sa të qartësohet koha dhe vendi i azilimit ose i këthimit në vendin e origjinës. Shpenzimet thuhet se do të mbulohen të gjitha nga pala italiane.
Ndihmesa për pritje emigrantësh të kërcënuar, është një e drejtë humane e njohur dhe e pranuar botërisht. Ne shqiptarët jemi vetë popull që kemi emigruar që në lashtësi e deri në ditët e sotme. Por në rastin konkret ka shumë pikpyetje të natyrës politike, juridike, konstitucionale, mjedisore, etike, fetare etj, për të cilat duhet të flasin specialistët e fushave përkatëse. Unë do të ndalem vetëm tek disa aspekte që kanë të bëjnë me ceshtje të sigurisë kombëtarë të Shqipërisë.
Deri tani për këtë problem nuk kemi dëgjuar akoma të prononcohet Presidenti i Republikës Shqipërisë, ku me kushtetutë as NATO-ja që është obrella e mbrojtjes së vendit, nuk mund të kryej asnjë veprimtari stërvitore apo luftarake pa dekretin e kreut të shtetit. Atëherë pse ky problem jo i vogël mbahet i fshehtë (nga Rama e qeveria e tij) që nga vizita e Melonit në Shqipëri dhe anashkalohet Presidenti? Pse shqiptarët duhet të merrnin vesh copëza (fragmente) të marrveshjes nga masmedia italiane dhe asnjë fjalë nga ajo shqiptare? Pse u përjashtu nga negocjimi Ministria e Jashme, kur me kushtetutë vetëm ajo (me autorizim të Presidentit) mund të negocionte draftin deri në formën përfundimtare?
Porti Shëngjinit dhe tërësisht aeroporti i Gjadrit janë akoma objekte ushtarake. Si mund të lidhet marveshje me një shtet tjetër për dy objekte ushtarake pa u krijuar një komision me ekspertë ushtarak (me autorizim të Presidentit)?
Para disa kohësh unë kam patur rastin të diskutoj me të ndjerin Ish Senatorin John McCain dhe më pas edhe me kongresmenin Dana Rohrabacher (me kërkesën e tyre), rreth perspektivës ushtarake të këtyre dy objekteve si dhe Bazës Ushtarako- Detare të Sazanit e ndoshta edhe të një objekti madhor në Bizë të Martaneshit. Jam i bindur se këto janë të regjistruara diku në sektorët e planifikimit të SHBA-së. Pyetja ime është: Kryeministri i Shqipërisë a e ka diskutuar më parë me aleatin tonë strategjikë dhe NATO-n këtë marrveshje që përfshinë dy objekte të rëndësishme ushtarake në teritorin shqiptar?
BE-ja ka krijuar një legjislacion të gjërë e specifik për pritjen, trajtimin dhe akomodimin e emigrantëve i cili është pranuar nga të 28 vendet antare. Pyetja shtrohet kjo marrveshje midis Italisë e Shqipërisë a është konform këtij legjislacioni, sepse deri tani BE-ja nuk ka shprehur as simpati e as mbështetje?
Kjo masë e madhe njerzish (3-5 mijë) gjithë të rinj në moshë, a mendohet se janë të gjithë nevojtarë azilimi, familjar të ndershëm, apo mos brenda tyre mund të ketë edhe terroristë të mirshtërvitur nga terrorizmi ndërkombëtar e që do të përbënin rrezik edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë?
Jashtë problemeve të sigurisë, për të cilat ka më shumë se ato që janë përmendura më sipër, do të kemi edhe një problem fetar. Dihet se zona Shëngjin –Gjadër është hasirë e banuar historikisht me besimtar katolik në mbi 90 përqind. Pyetja shtrohet duke ardhur 3-5 mijë emigrantë muslimanë me zakone, tradita e koncepte shumë të ndryshme për jetën në raport me vendasit, a mos do të na cfaqen prishje të ekuilibrave ndërfetarë të cilat brenda shoqërisë shqiptare janë të shkëlqyera?
Marrdhëniet tona me italianët janë shekullore. Aktualisht në Itali punojnë e jetojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë. Ai vend është këthyer për to në atëdheun e tyre të dytë, ashtu sic shumë italianë punojnë e jetojnë në Shqipëri. Por kjo nuk e bën Edi Ramën perandor, sulltan ose mbret të tokave shqiptare që ai të bëjë me to si me pronën personale pa pyetur askënd. Ndaj opozitat në Shqipëri dhe Itali ka kontestime për këtë marrveshje. Shpresojmë që fodullëkut të tepruar të Kryeministrit ti vihet fre në Presidencë, Parlament e deri në Gjykatën Kushtetuese. Interesat e tij personale nuk mund të vihen mbi ato të Shqipërisë.