Sokol Paja/
Piknik madhështor i Shoqatës Atdhetare Kraja në New York. Rreth 2 mijë patriotë të Shoqatës Kraja u bashkuan si një familje e vetme me patriotë të tjerë shqiptarë që jetojnë në New York. Kjo shoqatë është formuar që në vitin 1991 në New York, USA me synim mbajtjen gjallë të lidhjeve shpirtërore e tradicionale mes patriotëve krajanë që jetojnë në Amerikë dhe vendlindjes së tyre në Krajë. Sami Kanaqi, kryetari i shoqatës Atdhetare Kraja u shpreh për Diellin e Vatrës se ky ishte një piknik tradicional vjetor që organizohet me qëllim ruajtjen e traditave kombëtare, ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtjen e gjuhës, forcimin e lidhjeve shpirtërore të patriotëve krajanë. “Ju shpreh mirënjohje dhe falenderim secilit nga zemra. Ky Piknik me pjesëmarrje të jashtëzakonshme është një festë dhe gëzim i veçantë për të gjithë ne si shoqatë e komunitet. Pjesëmarrje e sotshme tregon sesa të përkushtuar janë patriotët krajanë për të ruajtur vazhdimësinë e rrënjëve tona patriotike” u shpreh për Diellin e Vatrës Sami Kanaqi. Në këtë piknin të përvitshëm organizohen lojëra sportive, gatime tradicionale shqiptare, muzikë popullore shqiptare, promovohet identiteti shqiptar nëpërmjet botimeve të librave historikë, promovim i pikturave, punimeve të ndryshme nga anëtarët e shoqatës. Është një organizim mbarëfamiljar nga Shoqata Atdhetare Kraja ku secili nga patriotët gatuan diçka, sjell diçka, kryen një shërbim. Është një punë e shkëlqyer vëllazërisht, një model organizimi model dhe për organizatat e tjera. Shoqata Atdhetare Kraja ka marrë pjesë gjithmonë masivish në të gjitha aktivitetet patriotike si festa e Flamurit, Pavarësia e Kosovës, Parada Shqiptare dhe organizime të tjera atdhetare në New York, Uashington, New Jersey etj. Hamid Alaj, studiues dhe kontributor prej shumë kohësh në shoqatën Kraja ndër të tjera tha: “Karekteristikë e këtij pikniku mund të veçohet pjesëmarrja masive e komunitetit krajan e më gjërë, organizimi në një nivel të shkëlqyer e aktiviteteve të shumta, ceremonive e garave sportive, kërcimi i valles krajane nga grupi i valltareve dhe valltarëve nën udhëheqjen e Nadia Hoxhës dhe Hanna Demirit që e bënë këtë piknik madhështore në të gjitha drejtimet. Mirënjohje dhe Safet Doçit dhe ekipit të grill për punën. Selit falenderim nga zemra për angazhimin. Po ashtu u regjistruan edhe shumë antarë te rinj dhe një numër i konsiderueshëm i donatorëve e treguan fisnikërinë dhe dorën e mirësise për të ndihmuar shoqatën e tyre të zemrës” citoi studiuesi Alaj për Gazetën Dielli. Shoqata Atdhetare Kraja kryen një aktivitete bamirësie, patriotike dhe edukative në vendlindje duke promovuar talentet nëpërmjet dhënies së bursave për studentët. Mirënjohje patriotëve krajanë për organizimin dhe veprimtaritë e shkëlqyera në dobi të komunitetit dhe çështjes kombëtare.