Drita Gjongecaj
17 Qershor, 2023/
Në mbyllje të edhe një viti tjetër shkollor, nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, prindër e mësues kaluan një ditë festive nën peisazhin e bukur dhe ambientet e Saxon Woods Park në Westchester, NY.
Ata që gëzonin më shumë ishin natyrisht fëmijët. Ata luanin në grupe në këndin e lojërave (playground) që vetë parku ofron, si dhe me lojëra të tjera të organizuara në grupe. Ajo që i entuziazmoi më shumë fëmijët ishin vizatimet e figurave të ndryshme në fytyrë (face painting) sipas preferencës së tyre. Ishte pikërisht Prof. Mirjana Lukic, drejtuese e procesit mësimor në “Children of the Eagle”, njëkohësisht Pedagoge në dy kolegje prestigjoze që përgatitin mësuesit e ardhshëm në New York, ajo që me shumë thjeshtësi dhe durim “vizatoi” fytyrat e bukura engjëllore të më të vegjëlve.
Fëmijëve iu ndanë edhe certifikatat e përfundimit të programit vjetor të gjuhës shqipe dhe historisë e kulturës kombëtare. Për më tepër, atyre iu shpërndanë edhe lodra të ndryshme përfshi canta shkolle apo makina llogaritëse (calculators) që së shpejti do t’i përdorin në vitin e ri shkollor.
Të rriturit gëzuan nën tingujt e muzikës dhe shkëmbyen biseda të ndryshme. Në mes tyre dallonin mësuesit jo vetëm nga shkolla shqipe por edhe nga shkolla publike të New Yorkut, si dhe të tjerë që janë në procesin e certifikimit në profesionin e mësuesisë.
Midis nesh ishte edhe Albanian Culture TV që për mbi 25 vjet ka ndjekur dhe pasqyruar jetën e komunitetit tonë në NY e më gjerë dhe që arsimimit i kushton vemendje të vecantë.
Gjejmë rastin të falenderojmë me mirënjohje Organizatën AAWO Motrat Qiriazi, si dhe z. Tush Musaj, aktivist dhe suportues i shkollave shqipe, për partneritetin dhe mbështetjen në organizmin me sukses të piknikut të tretë vjetor të fundvitit shkollor 2023.
Padyshim, falenderimi më i madh mbetet për mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” që punojnë gjatë gjithë vitit me përkushtim me nxënës të moshave të ndryshme. Falë punës së tyre, identiteti ruhet, dhe gjuha, kultura, traditat përcillen brez pas brezi.