…TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS/
SHËNIM: Të premtën, disa media në Amerikë dhe në Shqipëri botuan një letër që thuhet se është e nënshkruar nga ish-kongresisti Joe Dioguardi drejtuar Kryetarit Bashkiak të Tepenës, në të cilën ai shprehet së është, “I shokuardhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë soj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”, shkruan DioGuardi dhe sipas letrës së botuar në gazetën Dielli në Nju Jork, ish-kongresisti i kërkon Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës që të, “tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës… dhe zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë”, citohet të ketë shkruar Dioguardi në atë letër.
Me të vërtetë e kam të vështirë të besoj se kjo letër është përpiluar dhe nënshkruar nga Z. Dioguardi, por për derisa ai nuk e përgnjeshtron një gjë të tillë, atëherë ai duhet të jetë përgjegjës si dhe autori vet i kësaj letre. Se pse Z. Dioguardi me këtë rast u bashkohet manipulimeve dhe falsifikimeve komuniste të historisë, është absolutisht e pabesueshme dhe e pa kuptueshme për mua. Është e turpshme se, Z. Dioguardi e di më së miri se mbështetjen më të madhe financiare, politike dhe morale, gjatë 30-viteve të fundit dhe më heret, ai e ka pasur, pikërisht nga bijtë edhe bijat shqiptaro-amerikanë të shumë të përndjekurve nën regjimin e Enver Hoxhës. Dhe tani të këthehet e të përgnjeshtrojë madje edhe ekzitencën e një kampi famëkeq siç ishte kampi i Tepelelnës? Të pyes cilindo se mund t’i tregojnë për vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre të përndjekura, disa prej të cilëve kanë vuajtur në kampin e Tepelenës.
Në letrën e tij, Z. Dioguardi kundërshton krahasimin e kampit të Tepelenës me kampin nazist në Aushwitzit në Gjermani, por duket se Z. Dioguardi nuk e di se ishte vet ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman i cili kishte bërë një krahasim të tillë, pikërisht për trajtimin e tmershëm që u bëhej të internuarve në kampin e Tepelenës. E vërteta është se ishte ambasada gjermane në Tiranë dhe Fondacioni gjerman Adenauer, ata të cilët mundësuan botimin e skicave (disa më poshtë) të ish-të përndjekurit Lek Previzi nga kampi i Tepelenës. (Shih artikullin më poshtë). Për më tepër, ambasada gjermane në Tiranë, si asnjë tjetër, e ka dalluar veten gjatë 20-viteve të fundit duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të përballen seriozisht me krimet e së kaluarës komuniste.
*Shkrimi dhe skicat më poshtë botuar një vit më parë, hedhin pak dritë mbi debatin e tanishëm të shkaktuar nga letra e Z. Dioguardi, dërguar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës.
***
PIKTORI I KAMPEVE TË VDEKJES TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS
Frank Shkreli/
Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht ai kampi famëkeq i Tepelenës.
Në Foto: Lek PREVIZI/
Ditët e fundit më ra në dorë numri i posaçëm i Revistës “Kuq e Zi”, një revistë euro-shqiptare online me kryeredaktor Lekë Pervizin, e cila botohet në Bruksel që prej vitit 1993. Thuhej në editorialin e numrit të parë të revistës “Kuq e Zi” se botimi i saj, synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëm shekulli të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.” Jo të gjithë dolën të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën Lindore, por ata që patën fatin të mbijetojnë mundimet dhe terrorin enverist – dëshmitarë të gjallë të atyre krimeve anti-njerëzore – sot janë në gjendje, që në emër të bijve dhe të bijave më të dalluar të kombit, të “rrnojnë për me tregue”, vuajtjet dhe vlerat reale të atyre viktimave të komunizmit shqiptar, me qëllim, “për me çue në vend nderin e kulturës dhe të historise shqiptare”.
Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi. Për veten dhe bashkëvuajtësit e tij në kampet komuniste të Enver Hoxhës, Z, Previzi ka shkruar se, “Jemi dëshmitarë përjetues të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën.
Këto iu nënshtruen falsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijravjeçare”.
Dëshmitari i gjallë i këtyre vuajtjeve e terrori, sidomos në kampin e Tepelenës, ku ai vetë ka kaluar dënimin si i pa dëshiruar i regjimit komunist, Lekë Pervizi vazhdon, për më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, të “rrnojë” dhe të “tregojë”, për vuajtjet e veta e të familjes së tij të ngushtë si dhe të bashkëvuajtësve të tij si vëllezër e motra shqiptare, kundërshtarë politikë të regjimit enverist. Z. Pervizi e ka dokumentuar me shkrime dhe si rrallë kush tjetër, për të mos thënë, ndoshta si askush tjetër para tij që vuanin në ish-burgjet dhe kampet komuniste të Evropës Lindore – edhe me vizatime në copa letrash — përshkroi jetën e përditshme në kampin e Tepelenës dhe vuajtjet e tmerret që ai dhe të tjerët kanë pësuar në kampin famëkeq aty.
Numri i fundit i posaçëm i revistës, “Kuq e Zi” u kushtohet pikërisht këtyre vizatimeve të piktorit të ish-burgosur Lekë Pervizi, një testament i rrallë ky, në këtë formë, i mundimeve dhe vuajtjeve në kampin e terrorit të Enver Hoxhës, në Tepelenë. Duke i shikuar ato fotografi të vizatuara në ish-kampin e Tepelenës nga Leka, njeriu normal ndjen një shpërthim zemërimi pothuaj të papërmbajtur dhe pyet veten se, si është e mundur që njeriu, të veprojë në këtë mënyrë, kundër njeriut, e për më tepër, shqiptari ndaj shqiptarit. Në një komunikim me Z. Pervizi, pasi lexova numrin e posaçëm të revistës online që më kishte dërguar, e pyeta se pse ka pritur gjithë këto vite që t’i botojë këto vizatime për publikun. Ja edhe shpjegimi i historisë së botimit më në fund, në një album të posaçëm. Ai më shkruan se i mbante vizatimet për vete, në disa copa letre, sa për kujtim, megjithëse i kishte botuar herë pas here në revistën “Kuq e Zi”, që prej fillimit të daljes së saj në vitin 1993 e në vazhdim, por shton se nuk u kujtua kush që t’u jepte rëndësinë që meritonin. Z. Pervizi i jep kredi për botimin, më në fund, të vizatimeve një miku të tij, edhe ai i ish-përndjekur politik – i cili ishte në dijeni të vizatimeve të tij në kampin e Tepelenës. Në një mënyrë ose në një tjetër, lajmi për ekzistencën e vizatimeve të Z. Pervizi shkoi në veshët e zyrës së Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, në Tiranë, e cila i botoi vizatimet nëpërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, me drejtor Agron Tufa, shprehet Z. Pervizi.
Ishin gjermanët pra, ata që mundësuan botimin e këtyre vizatimeve me një album të posaçëm me titullin, “Rrathët e Ferrit”. Leka shkruan se gjermanët e kishin ftuar për një javë, ndërsa kishin organizuar një mbledhje me aktivitet të posaçëm në kazermat e rrënuara në Tepelenë, ku ishin ekspozuar vizatimet e tij të zmadhuara, ku ndër të tjerë, kishte marrë pjesë dhe Ambasadori gjerman në Tiranë dhe drejtori i Fondacionit ‘Konrad Adenauer’. “Kështu nepërmjet atyne vizatimeve të shpëtueme kot prej meje (mjaft kishin humbë), u ba i njohun kampi i Tepelenës, ashtu siç ishte i ndërtuem që e keni pa dhe ju në revistën, por që i të cilit kamp nuk ekzistonte asnjë fotografi, se ku, e si ishte. As nuk dihej se si funksiononte e si ishin stivosun të internuemit brenda atyne kazermave vigane”.
Kjo u bë shkas edhe për mbledhje të tjera dhe tashti po mendohet që të krijohet aty një muze, e të ngrihet një memorial, më shkruan Leka. “Merreni me mend, i dashun mik, se kishin kalue 25 vjet që askush s’donte të ia dinte për atë kamp famëkeq të Tepelenës. Prandaj vizatimet dolën me vonesë, kur duhet të ishin ba të njohuna botënisht që në vitet e para pas shembjes së diktaturës. Kaluen gjashtë presidentë e disa qeveri, që as u shkonte mendja fare dhe as që e donin daljen në shesh të mizorive të komunizmit mbi qenie njerëzore (shqiptare) të pafajshme”, përfundon ai shpjegimin e tij, që pati mirësinë të më dërgonte në lidhje me vonesën e botimit të këtyre vizatimeve dokumentuese dhe historike me vlerë të madhe, nga një dëshmitar i gjallë i jetës dhe krimeve që bëheshin në kampin e Tepelenës nga regjimi komunist kundër popullit të vet. Megjithëse Lekë Pervizi me modesti thotë se, nuk e bëri publikimin e këtyre vizatimeve me qëllim që të “delte si burë i mirë”, ai shpreh mirënjohjen e tij dhe falënderon gjermanët, të cilët me interesimin e tyre, e bënë të mundur daljen në shesh të këtyre vizatimeve historike nga jeta dhe e krimet në kampet shqiptare të përqendrimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat Z. Pervizi thotë se, “Ambasadori gjerman në Tiranë i kishte krahasuar me Auschvitzin, për trajtimin mizerabël që iu bahej të internuemve, pavarësisht nga përmasat strukturale më të vogla, por për nga përmasat kriminale të mëdha.” Në një artikull dje nga Përparim Halili, botuar në gazetën Telegraf të Tiranës thuhet se, dosjet e kampit të Internimit dhe të kryengritjes antikomuniste së Zhapokikës në Tepelenë janë zhdukur më 1991. Për më tepër Z. Halili shkruan se strukturat e kampit të Tepelenës janë hedhur për dhe, siç duket, në përpjekje për të zhdukur çdo provë i ekzistencës së kampit të tmerrit duke shtuar se “Në vitet 1994-1995 mbi varret e 175 (fëmijëve “armiq” të moshës deri në 12 vjeç) dhe 789 të rriturve të vdekur në kampin e Tepelenëns, ish-qeverisja e viteve 1993-1995 ka ndërtuar pallate banimi për strehimin e ish-të dënuarve politikë dhe kolektorin qendror të ujërave të zeza të qytetit, pa bërë zhvarrimin që u kërkua me protesta prej familjarëve të viktimave”. Përparim Halili shkruan gjithashtu se “dosjet e kampit të Tepelenës janë zhdukur qysh në korrik të vitit 1991”.
Unë kam shkruar shumë, por më kot, gjatë këtyre viteve për mospërballjen serioze me të kaluarën komuniste të klasës politike shqiptare të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, një fenomen ky që në mendjen e njerëzve normal është vështirë të kuptohet ose të pranohet në një shoqëri që e konsideron veten demokratike, anëtare e NATO-s dhe aspiruese për integrim të plotë euro-atlantik. Por, ajo që me të vërtetë prek thellë dhe ndez ndjenjat morale të njeriut është se, si edhe sot nostalgjikët e atij regjimi dhe të diktatorit, siç shkruan edhe “Piktori i Kampeve të Vdekjes”, “Të ngrenë lavde kriminelëve e xhelatëve dhe, aq më keq, atij lloj diktatori të paskrupullt e paranojak që e trajtoi popullin e vet si të ishte bagëti e jo qenie njerëzore”. Megjithëse e papranueshme, për këtë situatë të krijuar në Shqipëri, nuk është për t’u habitur kur të merret parasysh se si klasa politike, “majtas e djathtas”, e këtij çerek-shekulli post-komunizëm, po trajton sot ish-të përndjekurit politikë, duke i përjashtuar krejtësisht nga jeta politike e vendit, gjë që i bën të ndjehen si të huaj në vendin e vet. Ndërsa është i pa pranueshëm gjithashtu edhe refuzimi i tyre banal dhe i pa moralshëm për t’u përballur, njëherë e mirë, me të vërtetën e të kaluarës komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të kontinentit evropian. Falë nderës Zotit që kombi shqiptar ka ende miq siç janë gjermanët, të cilët po ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës të historisë së krimeve të një sistemi totalitar e gjakatar. Falënderojmë Zotin gjithashtu edhe për piktorin Lekë Pervizi, i cili “rrnoi për me tregue” dhe që me vullnetin e tij të fortë dhe me ndjenjën e tij të thellë, kishte vendosur herët që e keqja të kundërshtohej dhe të luftohej me çdo mjet e mundësi, madje edhe në rrethanat e një kampi përqendrimi, siç ishte ai i Tepelenës. E falënderojmë Z. Pervizi edhe për “kokëfortësinë e mos-nënshtrimit” që ka treguar në kampin e përqendrimit që, edhe në kushte jashtëzakonisht të vështira i ka bërë dhe i ka ruajtur vizatimet – megjithëse jo të gjitha – nga jeta dhe të strukturave të kampit ku ka qëndruar e që sot i ka të botuara dhe na i sjellë si dokumentacion historik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. “E vërteta triumfon kur bëhen sakrifica dhe mundime për ta qitur në dritë të vërtetën”, ka thënë babai i kombit amerikan, Xhorxh Washingtoni. T’i jemi mirënjohës Lekë Pervizit që me botimin e këtyre vizatimeve nga jeta në kampin e terrorit në Tepelenë, hedh sado pak dritë mbi të vërtetën e krimeve që ndodhën në atë vend.