1700 VEPRA ARTI –NE 75 VJETORIN E DITELINDJES /
Nga Luan Çipi/
Piktori i Popullit Skënder Kamberi e festoi 75 vjetorin e lindjes me madhështi, ashtu si e meritonte, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në prezencë të qindra miqve e shokëve të tij artistë e njerëz të thjeshtë; ardhur nga të katër anët e vendit, e deri deputet e burra shteti. U shfaq një film dokumentar i bukur i krijuar posaçërisht nga studiuesi Ylli Drishti, që paraqiti jetën dhe krijimtarinë e tij më të spikatur, si dhe u ekspozuan 54 nga veprat e tij të shquara.
Ne, Vlonjatët, kemi të drejtë krenohemi për Skënder Kamberin. Ai, lindi në vitin 1939 në qytetin e Vlorës dhe tani i takon gjithë Shqipërisë, mandej i ka kaluar dukshëm kufijtë e vendit, si rrallë kush, deri ne Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë. Më shumë se gjysmë shekulli me penelin e tij të artë, artisti i njohur ka merituar vend nderi në artin shqiptar, me 1700 kompozime, portrete dhe pejsazhe, ndërsa fama e krijimtarisë së tij artistike, nëpërmjet ekspozitave të shumta, është vlerësuar në shumë shtete të botës, si në Itali, Gjermani, Francë, Greqi, Turqi, Austri, Rumani, Egjypt, Algjeri e deri në Kinë e Amerikë, ku ende admirohen mbi 300 vepra dinjitose të tij. Piktori i Popullit Shqiptar dhe Qytetari i Nderit i Qytetit të Vlorës Skënder Kamberi, në vitin 2000 u shpall dhe nga Qendra Biografike e Kembrixhit, ”Njeriu Ndërkombëtar i Pëlqyer në Fushën e Artit”.
Skënder Kamberi, pasi përfundoi me sukses mësimet në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë, u emërua në qytetin e tij të lindjes, ku u krijua ajo bashkësi e traditë, që u quajt “Shkolla Vlonjate e Pikturës”, në të cilën u renditën suksesshëm Nestor Jonuzi, Petrit Ceno, Rakip Shabani, Ilmi Bani, Agron Dine, Sabaudin Xhaferi, Agim Sulo dhe dhjetëra piktorë tepër të talentuar.
Piktura e Skënder Kamberit dallohet nga larg, se e ka të stamposur talentin e tij të rrallë dhe shquhet për koloritin e zgjedhur dhe idetë e përmbajtjen e shëndoshë artistike, që nis me përjetimin e traditave historike dhe të mbresave e fakteve nga jeta e përditshme: Skënderbeu, Vrana Konti, Kapedan Sali Vranishti, Naimi, Vaso Pasha, Dora Distria, Kosova, Bukuria e Duarve Tona dhe deri te vajzat e bukura të Shqipërisë.
Piktori i Popullit Nestor Jonuzi, që gjatë gjithë jetës s tij artistike ka qenë i pandarë me të, me të drejtë tha në fjalën e hapjes së ekspozitës, se” Skënder Kamberi, ligjëroi me ngjyrën, kur të tjerët ende belbëzonin me të”.
Piktura e artistit vlonjat Skënder Kamberi është gjithnjë e freskët, produkt i lojës me ngjyrat. Veprat e tij janë sa historike, aq origjinale dhe moderne e bashkëkohore, besnike të natyrës dhe fantazisë, gjithnjë dinamike dhe ekspresive dhe shpesh impresioniste dhe ekspresioniste. Ato janë krijuar të inspiruar nga bukuritë e pa reshtura që natyra pajisi me tepri qytetin e Vlorës, të stolisur midis detit dhe malit dhe të rrethuar me gjelbërimin e përhershëm të ullinjve e portokalleve. Ai debuton lirshëm në të gjitha gjinitë me fakte direkt dhe nëntekste dhe me personazhet e deri me mjediset artistike, nëpërmjet shpërthimit dhe këngës melodioze të ngjyrave. Punët e tij më të mira, të vendosura në Galerinë Kombëtare të Arteve (40), në sallat e koleksionistëve Fatmir Braka, Arjan Salati, Bujar Leskaj etj., në studion e tij si dhe jashtë vendit, të duken sikur qajnë e qeshin, heshtin dhe gjallojnë, të befasojnë e të çlodhin, të revoltojnë e të kënaqin dhe të bëjnë që të të nguliten në ndërgjegje e deri thellë në kujtesë, për mos t’u ndarë lehtë nga vetja për shumë kohë. Ai ka analizuar e studiuar gjatë paraprakisht krijimin dhe e ka ndjerë e përjetuar vet çdo detal dhe e ka vendosur si koncentrat, në vendin e natyrshëm, të zgjedhur artistikisht.
Piktura e Skënder Kamberit është pasqyrim identik i personalitetit të tij njerëzor superior dhe fin.
Unë e kam njohur mirë atë qysh fëmijë dhe them se kështu ka qenë qysh herët: I mençur, i thjeshtë, i ndjeshëm, shoqëror, human, i dashur dhe i respektuar me shokë e miq të shumtë, familjar i mirë, i çiltër dhe i sinqertë, guximtar si ai dhe mbi të gjitha sa i talentuar aq dhe punëtor i palodhur.
Më lejoni që në mbyllje të rendis tre strofa, që kam veçuar për Skënder Kamberin dhe për shkollën vlonjate të pikturës.
SKËNDER KAMBERI
DHE SHKOLLA VLONJATE E PIKTURËS
Ju pyes, dijetarë, e shpjegoni dot,
Është fenomen apo rastësi:
Pse dhjetëra piktorë ka kjo Vlora sot,
Një ndodhi e rastit, apo ligjësi?
Secili me vlera, kushdo me një stil
Ku Skënder Kamberi, dallohet në ballë:
Me dorën të artë, me shkëlqim si yll
Mjeshtër në ngjyrime, në tablo i rrallë.
-Ku është e veçanta, ku qëndron sekreti
Pse kjo Vlora jonë, nxjerr kaq shumë piktorë?
-Portokaj, ullinj, mali, kodrat, deti…,
Ngjyrat, veç t’i prekësh dhe i ke në dorë.
Tiranë, 05.02.2014