Sokol Paja/
New York, 21 Tetor 2024- Piktorja nga Prishtina Luljeta Rama Muçaj vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. E shoqëruar nga bashkëshorti arkitekt Fitim Muçaj, artistja nga Kosova u prit në Vatër nga këshilltari për art dhe kulturë Nazim Salihu ( Noli Tv), anëtari i kryesisë Paulin Mrnaçaj e Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes këshilltari për art dhe kulturë z. Salihu shpjegoi historinë dhe kontributin historik të Vatrës në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe çështjes kombëtare. Artistja nga Prishtina, ambasadore e artistëve të rinj të Kosovës shprehu vlerësimin për atë që Vatra bën për artistët dhe në veçanti për çështjen e Kosovës në histori.
Piktorja nga Prishtina Luljeta Rama Muçaj ka hapur ekspozitë në Galerinë MC në New York, galeri që mbështet artistë të njohur dhe të rinj nga e gjithë bota. Ekspozita e bijës së artistit të shquar Kadrush Rama do qëndrojë e hapur për 10 ditë për të gjithë artdashësit shqiptarë e të huaj në Amerikë. Ajo është përzgjedhur si bashkëpuntore e kësaj galerie për të organizuar ekspozitat e artistëve shqiptarë qoftë në fushën e artit pamor, dramës, filmit dhe muzikës. Artistja Rama e quajti Vatrën “Shtëpia e Bardhë” e shqiptarëve të Amerikës me kontribute historike për komb e atdhe. Në fjalën e tij editori i Diellit e garantoi artisten Luljeta Ramaj Muçaj se gazeta Dielli do të shërbejë si një dritare e promovimit të artistëve shqiptarë që janë ambasadorë të shkëlqyer të kombit në arenën ndërkombëtare.