


Në një nga netët më të veçanta për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, më 7 nëntor në rezidencën historike Gracie Mansion në Nju Jork, artistja shqiptare Linda Lupi arriti një moment të paharrueshëm në karrierën e saj artistike, prezantimin e veprave të saj përpara Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, në kuadër të eventit “Albanian Diaspora Night”.
Në këtë mbrëmje të mbushur me emocione, art dhe krenari kombëtare, Linda Lupi, e njohur për stilin e saj të veçantë ekspresiv dhe për mënyrën si përzien simbolikën shqiptare me estetikën bashkëkohore, i dhuroi një nga pikturat e saj Kryetarit Adams – një gjest i ngrohtë që u prit me entuziazëm dhe respekt nga të pranishmit. Eventi mblodhi emra të njohur shqiptare të diasporës nga bota e politikës, artit, sportit dhe biznesit.
Në fjalën e saj, Lupi theksoi rëndësinë që ky moment ka për një artiste shqiptare që përfaqëson vendin e saj në një qendër si Nju Jorku, simbol i diversitetit, mundësive dhe bashkëjetesës kulturore. “Të ekspozosh veprat e tua në shtëpinë historike të Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut nuk është vetëm një nder personal, por një dëshmi se arti shqiptar ka zë dhe vend në skenën ndërkombëtare. Kjo për mua është një ftesë për të vazhduar të krijoj me pasion e përkushtim ndaj identitetit tim kulturor,” – shprehet Lupi.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë, ku arti, muzika dhe fryma e bashkimit të diasporës shqiptare krijuan një mozaik të vërtetë të shpirtit tonë kombëtar. Pjesëmarrja e Lindës në këtë ngjarje madhështore përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj, por edhe për artin shqiptar në diasporë, duke dëshmuar se krijimtaria e lindur nga pasioni dhe rrënjët kulturore mund të prekin edhe skenat më prestigjioze të botës.
Linda Lupi vazhdon të afirmohet si një nga zërat më të spikatur të pikturës bashkëkohore shqiptare, duke bartur me krenari ngjyrat, emocionet dhe historinë e Shqipërisë në çdo ekspozitë ku ajo përfaqëson vendin e saj. Në fund të mbrëmjes, Linda Lupi u shpreh me emocion: “Ishte një natë që do ta mbaj mend gjithë jetën, një natë ku ndjeva se arti im nuk flet vetëm për mua, por për gjithë shpirtin shqiptar që udhëton, krijon dhe mbetet gjithmonë krenar për origjinën e vet.”