
Kosta Nake/
Pasi “pushtoi” Europën dhe Azinë, perandori Kadare hodhi vështrimin te kontinenti i tretë, Afrika, me synimin që ta fuste brenda zotërimeve të veta Egjiptin dhe një nga simbolet më të njohura botërisht, piramidat e Gazës. Romani dëshmon se pati bërë përgatitje speciale para mësymjes. Teksa ka ende dyshime në se piramidat janë konstruksione njerëzore apo jashtëtokësore, për autorin nuk kishte pikë mëdyshje se ato janë vepra të ngritura nga njerëzit me mundime dhe sakrifica prej skllavërish, madje ai përmendi disa nga guroret që u shfrytëzuan: Hatnub, Karnak, El Bershesh, Illahun, Abu Gurob, Abusir, Gurnet Murai, Saqqarë, Asuan. Ka aq detaje për shestimin dhe ndërtimin e saj sa që në rrafshin sipërfaqësor lexuesi i zakonshëm do të zbulonte një shkrimtar teknicien; në kapitullin e shtatë do mendonte për një gazetar të kronikës së zezë. Parathënia e shkrimtarit francez Eric Faye, duke nënvizuar tri karakteristika të veprës, përbën një udhërrëfyes për të mos humbur në labirithnin e hamendësimeve. Së pari, “Piramida” është një vepër alegorike, së dyti, leksiku është vërniku i derdhur mbi lashtësinë dhe pështjellimin e epokave për të mbuluar si jorgan gjumin e situatave të sotme. Së treti, Kadare rimori gurin si simbol i vdekjes që ndeshet edhe në vepra të mëparshme.
Për kritikun gjerman Andreas Breitenstein ndërtimi për 20 vjet i varrit më të madh të ngritur ndonjëherë gjatë historisë së njerëzimit u përthye te Kadareja si simbol i megalomanisë dhe mizantropisë së një sundimi totalitar që autori e përjetoi në atdheun e vet për një periudhë 40-vjeçare. Sipas gazetarit Andre Clavel, Kadareja si arkeolog i diktaturës, zbërtheu hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave u kanë damkosur në trup viktimave të tyre. Sipas Gjekë Gjolekajt, gazetarit shqiptar me banim në Amerikë, historianët i kanë parë piramidat si mëtim i faraonëve për të zgjatur një shkallë drejt qiellit, kurse Kadare pati një qasje tjetër: piramidat janë projekte kolosale për të sforcuar burimet e një vendi dhe për të harxhuar energjitë e popullsisë së tij që t’i mbajë të gjithë në rresht. Duke patur mbi tavolinë këto rrugë të shkelura, po kufizohem te rrafshi i nëndheshëm i tekstit, ku Egjipti është Shqipëria, ku Keopsi është Enver Hoxha, ku egjiptianët janë shqiptarët.
Kryeprifti Hemiunu, që para se të fillojë ndërtimi i piramidës i thotë faraonit dy gjëra thelbësore: “Ideja e piramidës lindi në një kohë krize,” se ajo “…është në radhë të parë pushtet, shtypje, burg, para, po aq sa ç’është trullosje e turmave, ngushtim i mendjes, vyshkje e vullnetit, mërzi dhe humbje.” Përbetimet e zbuluara nga policia e fshehtë e faraonit Keops, të kujtojnë grupet armiqësore të viteve ’70 në Shqipëri me akuzat për tradhëti e sabotim, që çuan në arrestime, tortura, internime dhe ekzekutime me vdekje. Ceremonia e dekorimit të kryepriftit Hemiunu, pasohet nga goditja e tij, ashtu si ndodhi me nomeklaturën më të lartë të shtetit diktatorial. Situata e nderë i tjetërsoi njerëzit, “…ata flisnin si në kllapi, dënonin armiqtë e shtetit me një dehje të sinqertë, përdëlleheshin për faraonin sovran.”
“Në një drekë zyrtare Keopsi tha fjalët e famshme: Piramidën e kanë halë në sy armiqtë tanë, por sa më shumë ta përgojojnë ata, aq më lart ne do ta ngremë atë drejt qiellit.” Pas këtyre fjalëve ne i kemi gati deklaratat bombastike: Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Ne në gojë të ujkut hedhim valle. Armiqtë na kanë në grykën e pushkës, ne i kemi në grykët e topit. Në kapitullin e shtatë të “Piramidës” përshkruhet një fragment kohor nga një periudhë e gjatë, një gjeneratë ku koha nuk matet me javë apo me vite, por në gurë, secili me peshë disa ton dhe në mijërat e vdekjeve të tmerrshme dhe të panevojshme, që shkaktohen prej transportit dhe vendosjes së tyre. Me një ironi të jashtëzakonshme dhe të goditur, viktima kurorëzuese e piramidës përfundon vetë Keopsi. Sepse piramida, e parë nga ideatorët e tij si një simbol përulës ndaj pushtetit të tij të plotë dhe të pakundërshtueshëm, arrin të duket në sytë e tij si një kujtesë për vdekjen personale. Rrokullisja e gurit të shtatë duke filluar nga qielli është aludim për rrokullisjen e afërt të sistemit.
Në faqen 84 deklarimi është i drejtpërdrejtë: “Piramidat, duke mos dhënë asgjë, jashtë çdo lëshimi, ishin mishërim i pastër i sundimit.” Kurse në faqen 93, kur në vend ka ardhur një klimë mosbesimi mes njerëzve, njëri prej tyre thotë: “…jam i dyzetenjëshit unë, more vesh, shko gjej ndonjë tjetër për ta trembur…, mua më merr të keqen, se ti i kishe buzët me qumësht kur unë e lashë krahun te…”
Varianti i parë i veprës i përfshirë në përmbledhjen “Ëndërr mashtruese” u shkrua në vitin 1989. Botimi si roman më vete më 1992 e ka rritur numrin e kapitujve nga shtatë në gjashtëmbëdhjetë dhe kapitulli “Antipiramida” ka një shtesë ku mjedisi shqiptar i krijuesve që filloi të gëlonte nga disidentët pas vitit 1991 bën muuu!
“Të tjerë rrëfenin bëmat e tyre, si e kishin namatisur shkallanën e dyzetenëntë, si e kishin pshurrur në të pesëdhjetë e tretën,…. poetët tregonin vjershat ku sipas tyre kishin patur nënkuptime kundër Keopsit si dhe ankthin që i kishte sfilitur për atë shkak… Amenherunemefi rrëfente për shembull torturën që kishte hequr kur kishte shkruar sidomos dy vargjet: “Mullibardhat tek iknin varg, unë i pashë e qava pak…”
Kapitulli “Kafkana” me Timurin e çalë dhe stepën pranë Ispahanit në Azi sjell një model tjetër të ushtrimit të sundimit absolut e barbar për të nënvizuar faktin se të gjitha diktaturat, pavarësisht formës dhe mjeteve, në thelb janë e njëjta gjë, mekanizëm për thyerjen e vullnetit të popullit. Epilogu është shpërthyes ndaj diktaturës në Shqipëri. “Shfaqja e dytë ndodhi gjashtëqind vjet më pas, në dheun e vjetër të ilirëve ku banonin tani pasardhësit e tyre me emrin shqiptarë. Si në një koitus kozmik… piramida plakë lëshoi jo një por qindra mijëra pjella të saj. Ato quheshin bunkerë dhe secili, sado i vockël ishte në krahasim me nënën, e bartte tërë tmerrin dhe marrëzinë e saj.”