



Intervistoi: Sokol Paja/
1. Z. Logoreci cilat janë mbresat tuaja pas realizimit të ekspozitës me foto e dokumente të rralla nga arkivat austriake “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti” në Universitetin e Durrësit?
Shumë pozitive. Kalova nji kohë të mrekullueshme në shoqninë e stafit të rektoratit të universitetit të cilët me ftuen mbasi kishin pa ma parë ktë ekspozitë kur e pata hapë në ndërtesën e kryeministrisë në COD, Tiranë. Tuj kenë se universiteti mban emnin e aktorit të madh të skenës botnore Aleksandër Moisi, ishte diçka e bukur që në rastin e 20 vjetorit të institucionit, në ambientet e kampusit të vendosej kjo ekspozitë e panjohun ma parë nga studentët, por edhe nga personeli e stafi akademik.
2. Cili është mesazhi që kjo ekspozitë i përcjell gjeneratës së studentëve, publikut, medias dhe institucioneve arsimore e kulturore në Shqipëri?
Ekspozita me fotot dhe dokumentat e saj asht nji pasqyrë reale e jetës së vështirë, por edhe të bukur, profesionale të aktorit me origjinë shqiptare Moisi. Ndër elementët e saj shihen shumë momente që tregojnë vështirësitë e jetës së aktorit i cili ishte një emigrant, pa identitet, mbasi nuk kishte asnji shtetësi deri në fund të jetës. Po ashtu shumë dokumente flasin per problemet ekonomike, të integrimit, perndjekjet politike ndaj tij, mbasi menduen se ishte me origjinë çifute, gja që bani që ai të mbahej nën mbikqyrjen e nacional/socialistëve gjerman (nazistëve), që tentuen edhe burgosjen e tij. Pra të njajtat probleme që përballet një emigrant edhe sot. Jeta e tij e vështirë, bani që ai në fillimet e karrieres të përpiqej e të punonte shumë tuj ba nji jetë artistike dhe ekonomike pa pretendime. Jeta dhe vepra që Aleksandër Moisiu la mbrapa asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti, karakteri që së fundmi u shpërblye. Ktë e tregon dhe rezultati e vlerat e tij ndërkombëtare si aktor i skenës internacionale por edhe filmit.
3. Z. Logoreci, cilat kanë qenë të veçantat e kërkimit 7-vjeçar në arkivat austriake mbi figurën e Aleksandër Moisiut?
Për të arritë në ktë ekspozitë, më asht dashtë nji perpjekje shumë e madhe mbasi çdo kërkim e grumbullim dokumentash e materialesh e kam ba në kohën time të lirë, tuj privue familjen e vehten nga knaqsitë e pushimeve të gjata, shetitjet apo knaqësi tjera të përbashkëta. Gjithashtu në mungesen e nji sponsorizimit kam perballue çdo gja me shpenzimet e mija personale, që nuk ishin pak. Por deshira me promovue ktë figurë edhe në Shqipni, me dokumenta, foto dhe materiale mbi jeten e tij të panjoftun ishte e madhe dhe më ka mbajtë “gjallë” gjatë kërkimeve të mija. Mungesa e kohës dhe e fondeve me ka pengue shpesh dhe më asht dashtun të ndalem ose të ngadalsohem në kërkimet e mija. Ktë projekt e kam zhvillue në plan të dytë, pa cenue punën time të perditëshme me të cilen fitojshe “bukën” per familjen.
4. Cilat ishin vështirësitë e kërkimit? Pengesat, mbështetja dhe a ju ka mbetur ndonjë peng përgjatë këtyre 7 viteve kërkime?
Vështirësitë janë të mëdha kur të duhet me perballue çdo gja vetë, privatisht. Kam kërkue ndihmë ndër biznesmenë me të cilët kisha njoftësi, por kur i flitshe për financim çdonjeni tërhiqej pa kontribue. Mbështetje institucionale kam gjetë nga arkivat e Austrisë në Vjenë të cilët më “hapën” dyert tuj me krijue mundësinë me punue e kërkue në arkivat e tyne. Pata fat që kisha nji kontratë dy vjeçare me teatrin popullor të Vjenës si aktor në nji projekt e që më sherbej për të lidhun kontakte me institucionet e artit e kulturës austriake, gja që me ndihmoj me gjetë rrugët, me gjetë fondet arkivore e me i marrë ato simbas ligjit austriak tuj i fotokopjue apo marrë me flesh e cd, tuj pague çmimin simbas cilësisë digjitale që porositeshin nga klienti, në ktë rast unë. Duhet permendë që kam pasun përkrahje morale nga ambasada shqipare në Vjenë, mbasi ambasadori Bimo ishte intelektual dashamirës për Moisiun. Po ashtu kam pasë mbeshtetje morale e shtytje nga ish Presidenti Alfred Moisiu i cili me ka nxitë në punën teme. Pas gjithë ksaj pune madhore e të suksesshme nuk kam asnji peng mbasi plotsova dëshiren e qëllimin tem me organizue ekspoziten e me çue Moisiun e vepren e tij në të gjitha travat kombëtare apo ku ka shqiptarë. E hapa ekspoziten në Shkoder në teatër Migjeni, në Shpinë e Alfabetit në Korçë, në COD në Tiranë, në Biblioteken Kombëtare Prishtinë, në Teatrin Kombëtar të Shkupit, në Komunen e Ulqinit dhe së fundit në Univetsitetin e Durrësit.
5.Në kërkimin tuaj dokumentar e historik cilat dokumente apo fotografi ju kanë bërë më shumë përshtypje apo do i konsideronit si më të veçantat apo të panjohura më parë për publikun?
Gjatë punës e kërkimeve të mija kam pasë në duer shumë dokumenta të vlefshëm per Shqipninë, por tuj mos kenë historian me u marrë me trajtimin e tyne, kam marrë, perdorë e botue ato që me duheshin per projektin tem. Por nuk asht vetëm projekti për figuren e Moisiut që kam zhvillue. Unë kam sjellë në Shqipni edhe eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit, burrit trim që ishte numri dy i qeverisë se Ismail Qemali cili pat jetue disa vjet e pat vdekë në Vjenë. Perveçse procedurës së vështirë të nxjerrjes dhe ekstradimit të eshtrave nga Vjena në Durrës, jam marrë edhe me kërkime të dokumentave që kishte arkiva austriake per aktivitetin e jeten e Kaçorrit. Pra kam zhvillue dy projekte të randësishme per kombin, për dy emblema të atdhetarisë e kulturës shqiptare. Gjithashtu kam botue edhe dokumente dhe ngjarje të veçanta që gjatë kërkimeve të mija me kanë ba përshtypje mbi historinë tonë e sidomos për Shkodrën. Kam botue shumë artikuj me materiale të panjoftuna në suplementin RILINDASI, të gazetës SHQIPTARJA.COM që dukur shitej e shtypun në treg. Kam botue një album me foto të arkivave austriake per Shkodren, si dhe dy libra.
6. Çfarë duhet të bëjnë më shumë institucionet kulturore në Shqipëri, institutet, kërkuesit shkencor apo gazetarët e kulturës për Aleksandër Moisiun si njeri dhe si artist me përmasa evropiane?
Shteti shqiptar mund të ndihmojë me ndonji fond, me i krijue lehtësi studjuesit në pagesat e materialeve që nuk janë të vogla, por edhe në honorare për pagesën e kohës të harxhueme për realizimin e projekteve. Tuj kenë se unë jetoj në Vjenë, shteti shqiptar nuk ka nevojë me dërgue njerz të veçantë që shpenzojnë ma shumë, tuj llogaritë hotelet e shpenzimet e udhëtimit e ushqimit etj. Kur ka gjana që i shërbejnë kulturës dhe historisë shqiptare nuk duhet kursye, por njerzit duhen stimulue. Edhe nji atdhetar që ka inisiativë e vullnet me u marrë me kto projekte ka familje që duhet ushqye e mbajtë, ka detyrime ekonomike ndaj të tjerve, ka me pague qira e me “mbush barkun”. Paret nuk gjehen në rrugë, por duhet punue fort me mbijetue.
7. Kjo ekspozitë a do jetë një pikënisje për projekte të tjera studimore mbi figura të mëdha kulturore e politike shqiptare që kanë vepruar në Austri?
Tashti mbas kësaj periudhe të gjatë kërkimesh me duhet, e kam vendosë, me u ulë dhe me i rreshtue materialet e dijenitë e mija në ndonji libër që do të shërbejë me vu në kontakt lexuesin shqiptar me informacione e foto historike të panjoftuna deri tashti.