© Melsen Kafilaj
Fig.1 Studiuesi Melsen Kafilaj pranë mozaikut që dëshmon për ngritjen e Basilikës së Shën Sabinës prej Pjetrit nga Iliria.
Një paragjykim historik të cilin e hasim shpesh në librat e historisë apo edhe tek studiuesit e huaj është këndvështrimi i Ilirëve “si një popull barbar, i përbërë prej blegtorësh, piratësh dhe luftëtarësh të zotë, të cilët huazuan pothuajse gjithçka prej Civilizimit Grek dhe atij Romak por pa fuqi ndërtuese dhe të paaftë për të ndërtuar një civilizim me elementë autentik të tyre.” I fundit nga këta zëra që e amplifikoi këtë paragjykim qe edhe studiuesi dhe kritiku i artit Vittorio Sgarbi i cili e quajti Bylisin “një qytetërim grek” por që u detyrua të tërhiqej pas publikisht përballë analizës, fakteve shkencore dhe argumentave të shkëlqyer të Akademik Neritan Cekës.Paragjykimi tjetër është që ata janë “mosdashës të së Bukurës”…Në fakt, e kundërta është e vërtetë!(Mjafton të shohësh mozaikët dhe Basilikat Paleokristiane në vend, të kundrosh motivet e xhubletës apo të dëgjosh iso-polifoninë dhe bindesh menjëherë për shpirtin e ndjeshëm dhe të pasur estetik të këtij populli fisnik.) Ilirët jo vetëm kanë qënë mjeshtra ndërtues në trojet e veta por edhe përtej tyre.Ata gjithashtu kanë investuar për të Bukurën dhe Hyjnoren.
Një qytet i cili na hap zemrën dhe na flet për praninë e gjallë të gjurmëve ndërtuese ilire është padyshim edhe Qyteti i Përjetshëm (Urbs Aeterna), Roma.Për herë të parë emrin e Basilikës së Shën Sabinës (1 prej 6 Basilikave më të vjetra në Romë) e dëgjova të përmëndej prej një anëtari të Urdhërit Domenikan, Fra. Orlando Rueda Acevedo (O.P) i cili më tregoi gjithashtu për vendndodhjen e saj, e konsideruar edhe si “Shtëpia e Domenikanëve”.(Vet Shën Domeniku ka jetuar dhe ka predikuar këtu dhe gjithashtu filosofi dhe teologu i madh katolik Shën Thoma D’Akuini ka qënë pjesë e saj.) Për habinë time më të madhe, sheshi në të cilin ndodhej kjo Basilikë mbante një emër i cili më emocionoi pa masë: “Piazza Pietro D’ Illiria”.
Fig.2 Sheshi Pjetri nga Iliria, vendndodhja e Basilikës së Shën Sabinës
Po kush është vallë ky Pjetri nga Iliria?! Përgjigjen e gjeta brenda navatës qëndrore të Basilikës, specifikisht në mozaikun e saj të lazdruar me gërma ari: Pjetri është ndërtuesi i Basilikës së Shën Sabinës (425 A.D) gjatë kohës së Papa Çelestinit I (422-432 A.D). Ja se çfarë shkruhet në mbishkrimin latin të tij:
« CULMEN APOSTOLICUM CUM CAELESTINUS HABERET / PRIMUS ET IN TOTO FULGERET EPISCOPUS ORBE / HAEC QUAE MIRARIS FUNDAVIT PRESBYTER URBIS / ILLIRICA DE GENTE PETRUS VIR NOMINE TANTO / DIGNUS AB EXORTU CHRISTI NUTRITUS IN AULA / PAUPERIBUS LOCUPLES SIBI PAUPER QUI BONA VITAE / PRAESENTIS FUGIENS MERUIT SPERARE FUTURAM. »
«Kur Çelestini arriti dinjitetin më të lartë apostolik dhe ju dëshmua botës si i pari mes peshkopëve, kjo që admironi u ndërtua prej një prifti me origjinë nga Iliria, Pjetrit, një njeri i denjë për ta mbajtur këtë emër, i mëkuar me mësimet e Krishtit, i pasur për të varfërit, i varfër për vetveten, ai i braktisi të mirat e kësaj bote duke shpresuar ti marr ato në botën tjetër.»
Fig.3 Mozaiku i Shek.V i Bazilikës së Shën Sabinës
Përpjekja ime për të mësuar më tepër për këtë Mjeshtër Ilir i cili ka ndërtuar një Basilikë në portat e së cilës rafigurohet për herë të parë artistikisht në historinë botërore motivi i “Kryqëzimit të Krishtit” rezultoi jo shumë e suksesshme dhe shumë informacione biografike mbi të kanë humbur, janë zhdukur apo edhe janë mbuluar prej pluhurit të trashë të Historisë.E megjithatë diçka munda të mbledh.Kështu psh, sipas “LIBER PONTIFICALIS” mësojmë se Pjetri nga Iliria kishte lindur në një vend të quajtur Artianus i Ilirisë.(Dalmaci) Data e lindjes nuk dihet.Njoftohemi gjithashtu që krahas Basilikës ai ndërtoi gjithashtu edhe një pagëzimore e cila vazhdoi të përdorej deri në Shek.XII por që prej saj nuk është gjetur ndonjë gjurmë deri më sot.
Fig.4 Motivi më i vjetër i pasqyruar artistikisht i Kryqëzimit të Krishtit (Shek.V) në derën e Basilikës së Shën Sabinës
Pjetri kishte njohuri të thella në kulturën greke dhe atë latine dhe sipas të njëjtit burim ai kishte shkruar edhe një vepër të titulluar: “De bello a Romanis cum Pilaris et Artianis gesto”, një traktat i cili për nga titulli na kujton paksa veprën e Jul Çezarit “De bello Gallico”.Që të ndërtosh një mrekulli të tillë arkitektonike si Basilika Paleokristiane e Shën Sabinës e cila na mahnit me madhështinë e saj edhe sot, duhet jo vetëm që të ishe i aftë por kërkonte gjithashtu edhe një bazë të shëndoshë njohurish. Ai padyshim që duhet ta ketë studiuar veprën e arkitektit dhe inxhinierit ushtarak romak Vitruvius “De Architectura” pasi siç e konfirmon edhe studiuesja Marisa Uberti “Këta ‘Mjeshtra të Panjohur’ na kanë lënë diçka me të vërtetë të jashtëzakonshme, një gjeometri që nuk është e rastësishme por e mirëmenduar dhe e mirëprojektuar dhe që sipas të gjitha gjasave rrjedh prej modelit të propozuar nga Vitruvius i cili i njihte shumë mirë ligjet që qëndronin në bazën e harmonisë arkitektonike, duke i matur me mençuri hapësirat dhe vëllimet, dritën dhe errësirën, sensin estetik dhe kërkimin e të jashtëzakonshmes.Model që u ndoq më pas me besnikëri nga pasardhësit.”
E mbyll këtu këtë shkrim duke ftuar jo vetëm studiuesit dhe historianët që të merren më thellë me këtë çështje të cilën vetëm sa e kemi cekur por gjithashtu edhe gjithë shqiptarët e thjeshtë të cilëve nëse ju bie rruga në Romë të ndalen dhe ta vizitojnë këtë mrekulli të quajtur Shën Sabina dhe të pohojnë me krenari “që sjellësi i unitetit më të lartë mes Tokësores dhe Hyjnores” (Citoj këtu arkitektin e madh botëror Ludwig Mies van der Rohe) në këtë tempull të shenjtë mban mbiemrin e parardhësve të tyre; Pjetri nga Iliria!
© Melsen Kafilaj